Bahri Beci: Ju tregoj dy grupet e akademikëve që dëmtuan shkencën shqiptare dhe përndoqën njerëzit me formim perëndimor

 Nga Flori SLATINA
Bahri Beci
Në një intervistë të posaçme për gazetën “55”, akademik Bahri Beci flet për librin e tij «Një libër që nuk do të doja ta shkruaja», i shkruar përgjatë 23 viteve, 1989-2012, ku rrëfen përjetimet e tij në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, i cili për shumë dekada u shndërrua në një institucion që persekutonte gjuhëtarët me formim perëndimor dhe bllokoi çfarëdolloj kontributi të ri në gjuhësi, pas Kongresit të Drejtshkrimit të 1972. Akademik Beci flet pa droje dhe fton që dëshmitë e tij të kontribuojnë që shqyrtimi i problemeve që ka nxjerrë standardi gjatë zbatimit të tij në këto tridhjetë vite të mos konsiderohet një çështje e mbyllur


Akademik Bahri Beci, ish- drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ka pesëmbëdhjetë vjet që jeton në Paris. Në vitet shtatëdhjetë ka kryer pranë Institutit të Fonetikës dhe të Gjuhësisë së Zbatuar të Universitetit të Sorbonës studimet pasuniversitare dhe ka marrë gradën shkencore « Doktor i Universitetit të Parisit » me vlerësimin shumë i nderuar dhe me përgëzimet e jurisë. Më 1997 është ftuar të japë gjuhën shqipe në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore të Parisit.  Që prej asaj kohe ai jeton e punon në Francë. Është anëtar i asamblesë së përgjithshme të Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit.
Këto ditë ka publikuar « Një libër që nuk do të doja ta shkruaja ».  Në libër ai sjell përjetimet e tij në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në periudhën midis viteve 1958 1990. 

« Unë, shkruan autori,  besoj se edhe në jetën e një njeriu ka diçka që duhet njohur. Uroj të jetë kështu edhe kur të lexoni këtë libër, në të cilin ju do të gjeni disa të vërteta të një jete, mbase edhe të një kohe... . »
Është një libër që duhet lexuar… .        
Duke marrë shkas nga libri si dhe nga jehona që ka pasur ai, për të ditur diçka më shumë për jetën, veprimtarinë dhe librin e tij, si dhe për të informuar lexuesin tonë, i morëm akademik Bahri Becit, intervistën që vijon. 

Profesor, ju prej mëse 15 vjetësh jetoni në Paris. A ju merr malli për Shqipërinë?
E vërteta është se unë jetoj edhe në Paris, edhe në Tiranë. Kur jam në Paris më merr malli për Tiranën, po edhe kur jam në Tiranë më merr malli për Parisin.  Sigurisht dashuria për Shqipërinë është gjithmonë më e madhe dhe më e veçantë, është dashuri për vendlindjen, dashuri për fëmijët nipërit dhe mesat,  dashuri për çdo gjë të shtrejtë që të ka dhënë vendi yt ku ti je rritur, je formuar dhe ke investuar gjatë një jete të tërë. Dashuria për Francën është dashuri për një vend që të ka ofruar mikpritje, komoditet dhe mundësi për të punuar pa qenë i shqetësuar. E vërteta është se në Francë kam arritur t’i jap formë shumicës së librave që kam botuar, pa harruar këtu se në Francë kam mbaruar edhe studimet e mia pasuniversitare. Pra nuk mund të mos të marrë malli për një vend që të ka pranuar në gjirin e vlerave të tij pa asnjë kusht. Nga kjo pikëpamje e quaj veten të privilegjuar.

A është pjesë e mallit edhe libri juaj i fundit me kujtime?

Jo librin tim të fundit që mban titullin “Një libër që nuk do të doja ta shkruaja” kam filluar ta shkruaj në Shqipëri në vitin 1989 dhe pas plotësimesh të herëpashershme në Shqipëri dhe në Francë e kam mbaruar, nuk e di se ku, në vitin 2012. Janë përjetime të mia të periudhës 1958-1990, kur punoja në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Duke lexuar librin tuaj shikojmë anën tjetër të disa prej “shkencëtarëve» tanë të gjuhës. A mendoni se këta njerëz kanë sjellë më shumë të këqija, pra kanë bërë më shumë dëme sesa të mira në shkencën e gjuhësisë? Si do t’i ndanit ju, në kategori, disa prej kolegëve tuaj me të cilët keni punuar për më shumë se tre dekada?
Në qoftë se e keni lexuar librin me kujdes besoj se keni konstatuar që unë nuk bëj vlerësime të kësaj natyre. Në libër unë kam synuar të paraqes ngjarjet me vërtetësi, duke e lënë lexuesin të gjykojë e të vlerësojë ngjarjet dhe qëndrimet, po pa i hequr të drejtën vetes për të medituar për to. Megjithatë kjo nuk më pengon t’i përgjigjem pyetjes tuaj tepër direkte dhe ndoshta jo padobi.
Së pari, nuk duhet të përziejmë nocionet ose emërtimet njeri dhe shkencëtar, jo se ato nuk kanë asnjë lidhje ndërmjet tyre, po sepse nuk janë as adekuate, po as edhe domosdo në kontradiktë me njëra- tjetrën. Pra, mund të jesh njeri dhe të mos jesh shkencëtar dhe e kundërtat të jesh shkencëtar dhe të mos jesh njeri. Më e mira do të ishte të jesh njeri dhe shkencëtar. Po këtu nuk duhet harruar momenti historik në të cilin kalonte Shqipëria dhe shqiptarët në vitet e pasluftës. Nuk duhet harruar presioni që ushtrohej nga të gjitha anët kundër lirisë së individit, kurse për lirinë akademike as që mund të bëhej fjalë. Nga kjo pikëpamje punonjësit e gjuhësisë ishin disi më të imunizuar nga goditjet e regjimit për shkak të vetë problematikës gjuhësore që nuk ishte e lidhur direkt me ideologjinë a politikën, ndonëse edhe në këtë fushë nuk kanë munguar përndjekjet dhe goditjet, madje janë goditur korifenjtë e gjuhësisë shqiptare si E. Çabej dhe S. Riza.
Po që t’i përgjigjem pyetjes suaj më direkt, do të thosha se në kushtet e mungesë e lirisë mendimit dhe të presionit ideologjik e politik u përvijuan, me dashje ose pa dashje, tre grupe shkencëtarësh në fushën e gjuhësisë, po ndoshta edhe më gjerë. 
Grupi i parë ishte grupi i atyre shkencëtarëve që kishin mbaruar shkollat në vendet perëndimore dhe kishin një formim perëndimor. Këtij grupi i përkisnin  E. Çabej, M. Domi, S. Riza, P. Geci, A. Krajni e tjerë. Formimi i tyre ishte i tillë që binte në kundërshtim me ideologjinë komuniste.
Grupi i dytë ishte grupi i atyre që kishin mbaruar shkollat në vendet lindore ose në Bashkimin Sovjetik dhe kishin një formim lindor. Këtij grupi I përkisnin A. Kostallari, K. Bihiku etj. Ata kishin bërë të tyren ideologjinë komuniste dhe si të tillë i kishin shpallur luftë të hapur ose jo çdo ideologjie a filozofie që vinte nga perëndimi, po edhe bartësve të tyre, përfshirë edhe ato të grupit pare që punoni në Institut.
Grupi i tretë ishte grupi i atyre që kishin mbaruar shkollat në Shqipërinë socialiste. Këtij grupi i përkisja edhe unë, po edhe shumica e punonjësve të rinj të Institutit.
Ky grup, me pak përjashtime, ishte tërësisht nën ndikimin e ideologjisë së Partisë së Punës. Ata kishin mbaruar të gjithë studimet në shkollat që, siç thuhej atëherë, përshkoheshin si një fill i kuq nga ideologjia komuniste, së dyti vinin më së shumti nga rrethe familjare përgjithësisht me bindje komuniste. Të gjitha këto bënin që ato më shumë se një grup më vete të ishin një si nëngrup i grupit të dytë. Kishte punonjës shkencorë të veçantë të grupit të dytë dhe të tretë të që nuk ndjeheshin pjesë përbërëse të tyre.
Të gjithë, pavarësisht se cilit grup i përkisnin, punonin dhe përpiqeshin të arrinin rezultate në punën e tyre kërkimore.
Problemi ishte se ata të grupit  të pare, po edhe ata që nuk ndjeheshin pjesë përbërëse a aktive e grupit të dytë ose të tretë ndiqeshin me xhelozi dhe ishin disi të përndjekur prej atyre të grupit a grupazhit (siç e quaja unë në atë kohë me të qeshur e me të ngjeshur të grupit të dytë e të tretë.
Në këtë kuptim grupi i dytë dhe i tretë, të përbërë nga njerëz, do të thosha të indoktrinuar, kanë dëmtuar drejtpërsëdrejti ose indirekt punën dhe njerëzit. 
Në librin tim ndoshta do të gjeni disa të dhëna që në një mënyrë ose një tjetër konkretizojnë përgjigjen e pyetjes suaj.

Keni thënë diku se ka ardhur koha për një mendim ndryshe, për Kongresin e Drejtshkrimit (1972)? A mendoni se është koha për një tjetër Kongres?
Në libër unë kam shkruar tekstualisht kështu : Pa dashur të vëmë në dyshim vlerën e Kongresit të drejtshkrimit, duhet pranuar se ai qe i parapërgatitur dhe nuk pati tolerancën e nevojshme. Nuk ishte rastësi që ai u quajt Kongresi i drejtshkrimit dhe jo i gjuhës letrare apo standarde, nuk ishte rastësi që nuk u diskutua fare për formimin e gjuhës letrare a standarde edhe pse referati i kushtohej historisë së formimit të gjuhës sonë letrare dhe drejtshkrimit të saj. Nuk ishte, pra, një Kongres i lirë e demokratik. Ishte rasti të diskutohej të paktën për rrugën që u ndoq e shpjegimet që u dhanë për formimin e gjuhës letrare standarde, por as kjo nuk u bë.
Nga kjo pikëpamje, Kongresi i drejtshkrimit kërkon një “rivlerësim ».
Dhe besoj se sot, pas tridhjetë vitesh, vlerësimi i ngjarjeve dhe i veprimeve të kryera në vitet e diktaturës, përfshirë edhe ato që lidhen me shqipen standard, duhet të jetë i vërtetë dhe jashtë çdo politizimi a paragjykimi.
Konferenca apo kongrese për problemet e gjuhës shqipe në përgjithësi dhe të shqipes standarde në veçanti mund dhe duhet të mbahen, po për probleme që lidhen me njohjen, zhvillimin dhe përsosjen e tyre të mëtejshme. 

Si e gjykoni standardin e gjuhës së sotme shqipe? 
Standardi i gjuhës së sotme shqipe është ai që u vendos në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipes.  Është toskërishtja letrare e ngritur në nivelin e shqipes standarde. Ishte një zgjedhje a parapëlqim i  bërë nga përfaqësuesit e pushtetit monist pa marrëveshje që u konsakrua në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972.
Avantazhet dhe disavantazhet e kësaj zgjidhjeje janë analizuar  gjerësisht dhe mund të vlerësohen si të njohura prandaj edhe nuk është nevoja t’i rimarrim këtu.
Sot, pas tridhjetë viteve të funksionimit, shqipja standarde është zgjeruar e pasuruar dhe ka fituar vlera të reja.
Problemet që shtrohen sot kanë të bëjnë me njohjen më mirë të funksionimit të saj në kushtet e sotme, kanë të bëjnë me zgjerimin dhe përsosjen e e strukturës dhe të funksioneve të saj. Dhe këtu ndeshemi me dy qëndrime të kundërta që lidhen me shkallën e indoktrinimit të atyre që janë angazhuar në këtë diskutim. Disa e  kërkojnë shqyrtimin dhe përmirësimin e standardit të tjerë e vlerësojnë këtë si përpjekje për shkatërrimin e tij.
Unë i përkas atyre që nuk e konsiderojnë të mbyllur shqyrtimin e problemeve që ka nxjerrë standardi gjatë zbatimit të tij në këto tridhjetë vite të zbatimit të tij.  Po shqyrtimi dhe zgjidhja e problemeve që lidhen me standardin kërkon të shqyrtohen me përgjegjësi  dhe mirëkuptim nga specialistë të zhveshur nga ideologjitë dhe paragjykimet e trashëguara nga periudha e monizmit.

Një kolegu juaj, prof. Mehmet Çeliku, ka thënë se ka akademikë që thonë se sot është më mirë të jesh indiferent dhe se në Akademi vazhdon tradita e parregullsive dhe debati është i kotë...

Mendoj se debati kurrë nuk është i kotë, po në rastin e Akademisë përvoja ka treguar se vërejtjet ose sugjerimet për Akademinë ose nuk mirëpriten ose bien në vesh të shurdhur.  E vërteta është se reformimi i Akademisë nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Pse ka ndodhur kjo ndoshta nuk mund të thuhet me disa fjalë, po e vërteta, sipas meje, është se Akademia është uzurpuar nga një grup njerëzish të interesuar më shumë për statukuonë se zhvillimin e saj, të interesuar më shumë për përfitime se sa për ti dhënë asaj statusin e një qendre të mendimit shqiptar për të sotmen dhe të ardhmen. Mund të ketë edhe shpjegime të tjera po uroj që zhvillimet e ardhme të hapin edhe për akademinë një perspektivë të re.

Jetoni në Paris. Keni qenë aty në kohën e izolimit komunist, së pari, që në mesin e viteve 70-të dhe tani jepni kontributin tuaj si akademik. Çfarë është Parisi për ju? 
E thashë në hyrje të kësaj interviste se çfarë është Franca dhe Parisi për mua, po dua të ritheksoj se unë kam patur shansin që në vitet shtatëdhjetë të përgatis dhe të mbroj nën drejtimin e profesor Rene Gsell doktoratën në Paris. Ka qenë ndoshta doktorata e parë e mbrojtur në një vend perëndimor në fushën e shkencave shoqërore.
Të punoje në Francë në ato vite errësire ideologjike në Shqipëri nën drejtimin e një profesori të mirënjohur siç ishte profesor Rene Gsell ishte një përjetim që zor se mund të përshkruhet me fjalë.  Unë isha ndoshta nga ato të paktë që zoti ishte kujdesur për mua të më plotësonte një dëshirë, praktikisht të parealizueshme për mua në atë kohë, të shkoja për specializim në vendin e ëndrrave të mia të rinisë, pra në Paris dhe të mbroja  atje doktoratën përpara tre profesorëve me reputacion ndërkombëtar si Claude Hagege, Pela Simon dhe Rene Gsell. Detajet për këtë i kam paraqitur në librin e fundit.
Dhe të të jepej mundësia pas njëzet vitesh të rikthehesh atje, po tani më në kushtet e lirisë dhe me vullnetin tënd për të dhënë mësim në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore të Parisit dhe për të jetuar atje qoftë edhe gjysmën e kohës apo jetës tënde në vitet e një tranzicioni të zgjatur dhe të vështirë sidomos për ne intelektualët ishte një shans i ri që më jepej, ndoshta shpërblim i një përkushtimi disi jo normal për të vazhduar punën time disi të shpërfillur nga një shoqëri që ishte në kërkim të zgjidhjes së problemeve të mbijetesës dhe të zhvillimit. 

Cili është mesazhi juaj për shkencëtarët, gjuhëtaret e rinj dhe intelektualët shqiptarë sot?

Të mos lodhen së punuari me përkushtim për zbulimin e vlerave dhe të trashëgimisë sonë kulturore e gjuhësore që është e gjerë shumëdimensionale dhe që për fat të keq ne e njohim ende pak, do të thoja vetëm sa e kemi gërvishtur.  Ajo, pra, trashëgimia jonë kulturore dhe gjuhësore  pret brezin e ri të intelektualëve, shkencëtarëve përfshirë edhe gjuhëtarët për ta nxjerrë nga thellësitë e shekujve në  dritë të diellit si pjesë e trashëgimisë kulturore evropiane e pse jo edhe botërore.

Ju faleminderit profesor dhe Ju urojmë suksese!

Google+ Followers