Zemra jote prej errësire, poezi nga Elisa Biagini

Elisa Biagini

Elisa Biagini: Të shpikësh një gjuhë për poezinë

Nga Lazër Stani

Në poezinë e sotme italiane, emri i Elisa Biagini-t është nga më të vlerësuarit, një "leading voice", siç e cilëson kritika. Duket se kredoja e saj poetike, "të shkruash do të thotë të mësosh të lexosh botën, të ndjesh jetën e fshehtë të gjerave" e ka bërë poezinë e saj, krejtësisht të veçantë, një zë që komunikon brengën dhe dhimbjen qelizore të qenies, të aftë të depërtojë dhe të bëjë me gojë zonat më të shurdhëta dhe të errëta që fshihen brenda trupit tonë, duke shpikur një gjuhë të re, që të "përkthejë" për lexuesit e vet zbulimet e saj të përditshme.
Pasi studioi disa vite në SHBA në universitetet më të njohur, ajo u kthye serish në Itali dhe jeton në Firence. Shkruan njëkohësisht në dy gjuhë, në Italisht dhe në anglisht. Poezitë e saj janë botuar në revistat më të njohura Italiane dhe amerikane, por dhe në gjuhë të tjera si dhe në antologji të ndryshme për poezinë e sotme italiane. Deri tani autorja ka botuar gjashtë vëllime poetikë, është fituese e disa çmimeve dhe ka marrë pjesë në disa festivale të rëndësishme ndërkombëtare për poezinë, si përfaqësuese e poezisë së sotme italiane.
Poezia e Biagini-t pikturon botën pothuajse të përditshme shtëpiake, që është në të njëjtën kohë e fuqishme dhe metaforike, e kufizuar brenda kufijve të një shtëpie a të një dhome. Në një botë kaq të ngjeshur, ekzistenca kontraktohet e gjymtohet, reduktohet në fragment të trupit, gjeste të pakontrolluara, objekte ditore dhe obsesione private dhe të gjitha së bashku na zbulojnë me një perceptim të vrazhdë rrënimin e marrëdhënieve njerëzore, ose patologjinë e jetës së përditshme.
Në botën metaforike të poezisë së Elisa Biaxhinit trupat shndërrohen në element të rinj dhe të befasues, vizionet bëhen ndjenja të deformuara dhe kërkimi këmbëngulës për kuptimin shndërrohet në trallisje. Trupi është në qendër të gjithçkaje dhe gjithçka që zë fill nën lëkurë bëhet metaforë dhe transfigurim i ekzistencës. Trupi si protagonist dramatik dhe I pamëshirshëm shfaqet edhe në poezitë "Morgu" që ne po i prezantojmë lexuesit shqiptar, frymëzuar nga forografitë e kadavrave të fotografit Andres Serrano. Marko Simonelli ka shkruar se me imazhe të gjalla dhe dërrmuese njëkohësisht, Elisa Biagini ka arritur të depërtojë brenda trupave dhe t'i japë secilit një histori, një fytyrë, një ndjesi të fundme e shteruese, që mbizotëron kufijtë dhe përtërinë lëkurën e shqyer. Është një punë e ngjeshur dhe komplekse në të cilën autorja operon me tekstin si patologjisti me trupin gjatë procesit të autopsisë. Kjo teknikë shihet në secilën prej poezive të cilat, edhe pse janë shkruar me një gjuhë të zhveshur, të ashpër dhe të thatë, ajo në poezitë e saj ka një densitet ndjenje dhe mendimi që të magjeps. L. S. 





Morgu 

I vdekuri në zjarr
lëkura e tij e tkurrur
një trendafil në flakë,
si letër e zhuritur
vetem tuni nuk digjet
dhe spangoja.
Përbindshëm reflektohet në sytë e mi.

***
Mbi gungën e hundës
vetëm një vragë,
e vrazhdë,
tub që mbledh lëngjet.
Dhe ngjyra e syve: e shplame.

***
Gjysma e pamjes
e kuqe
një horizont
një sukull që varet te vrima e zezë,
te gjysma e ekranit.

E ndërkaq
në zjarr
kanxhat e eshtrave
fytyra e mbuluar,

simetria e respektuar e vdekjes.

***
Mollëzat e gishtërinjë kanë rënë në terr
dhe janë sprapsur.

Janë squllur
dhe menjëherë janë tharë pastaj
prej rrymës vrasëse,

nga një e çarë e vagullt,
por e thellë
këtu,
pak mbi kyçin e dorës.

***
danga gjarpnuese
shënjuar prej gabimit,
tani një mbresë e fshirë,
një kërthizë
por pa organe brenda
vetëm tuba.

***

Tretën sytë
të shuar në detin e qejfeve
ku qelqi lëngështohet
dhe bebëzat gjithashtu.

pak brumë bije mbi duart e mia,
pus i krejt fotoneve.


***
Në leqet e duarve
në bërryle
gjithë kjo hije
rënë keqas,
grafit, thuajse
dhe guaskat e thonjëve
shkojnë me nuancën e njollave të lëkurës

***

Thuajse je në gjumë,
byzylyku prej letre
etiketë për valixhen e mbërritur tashmë:
e fundosur
në këtë rrogacë
pa asnjë dert
zbehtësia jote kaq e dashur për peshqit
dorë nudo.

***

Një përqafim në ajrin e padukshëm
si krah lejleku kryeprerë
qe rri
vite drite larg vëmendjes.

Lëkura është kaq e vrazhdë,
drithërima e fundit teksa ngrin.

***

Shket nga fytyra mbulesa
shami plastike
e turbullt si qumësht i prishur,
zbulon dy pjata të zbrazta
dy qepena të ulur mbi asht
e kotë është çdo bisedë.

***

Gishti që prek gishtin
përqark kyçit
është shenja e çorapes:
dhe prehja e lëngjeve
me kohën.
***

Nuk ka monstër
të atij tingulli
ti veç mund ta imagjinosh atë hap
apo pikën që bije
dhe zbërdhylet.

***

Farmak i përtharë, asnjë kokrrizë më
shkretëtirë në trup:
dhe gjaku i bërë pluhur
prej murlanit, si kokrrizat e klepsidres
flakur tutje orës me rërë.


***

Thonjtë
të shurdhuar prej heshtjes
i grahin punës
sepse e dinë
se terri rri pezull
gjithçka është e drejtë dhe e butë
si një pus.

***

Përposhtë erë dhe eshtra
drita mbi tavolinë vjen prej aty
konturet e shtatit
të mbuluara,
teshat në fytyrë,
një valë detergjenti
të verbon.


***

Fotogrami i fundit midis qerpikëve,
bebëza e ndalur në kornizën e saj,
pllakëz
loti i ngrirë
në film drita që mpikset
dhe ende vishet me perde
syri qelqtë
mermer i errësuem
nga të fjeturit shumë.

***
Vitet e rrokullisura
në boshin
e veshit
koha në rrenim
një sy i njollosur
me pika a presje të braktisura
poshtë pusit të zi të zërit.

Trupi i rropatur nga shplarje të gabuara
dhe disa vurata të errëta që nuk shqitën
janë si vrima
tartabiqesh:
je e bluar nga teja.
Në çdo kollitje
shuan një qiri:
zemra jote prej errësire

Përktheu nga origjinali
Lazër Stani 

Milosao

Google+ Followers