Vijnë si nderime të shpirtit - Friedrich HEGEL

Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin, dhe epërsia e saj rrjedh nga fakti që, nëse një produkt natyror është një produkt i pajisur me jetë, ai është i vdekshëm; ndërsa një vepër artistike është një vepër që vazhdon të ekzistojë. Në një mënyrë të përgjithshme, shpirti ka epërsi ndaj natyrës, dhe Zotit i vijnë më tepër nderime nga krijimet e shpirtit sesa nga produktet e natyrës.


 Friedrich HEGEL

Një vërejtje që mund të formulojmë, ka të bëjë me vlerën relative të produkteve të artit dhe të produkteve të natyrës. Një vepër arti, themi ne, duke qenë një produkt njerëzor, është inferior ndaj produkteve të natyrës. Sigurisht, një vepër arti nuk është e pajisur me ndjenja, në të nuk vërshon jeta, ajo është krejt e sipërfaqshme, ndërsa produktet e natyrës janë produkte të gjalla. Dhe kësisoj produktet e natyrës, duke qenë vepër e Zotit, janë superiore ndaj veprave të artit, që janë produkte njerëzore. Sa i përket kësaj kundërshtie, ne duhet të pranojmë qartë se objekti i veprës artistike është i privuar nga jeta, nga jeta e jashtme dhe, rrjedhimisht, mund të konsiderohet si një gjë e vdekur. Ajo që është me të vërtetë e gjallë paraqet një organizim, qëllimi i fundit i së cilës shpaloset deri në detajet më të imta; ndërsa vepra artistike nuk paraqet një dukje jetësore veçse në sipërfaqen e saj, dhe përbrenda ajo nuk është veçse një gur, dru ose një pëlhurë vulgare, ose si në poezi, paraqitje të shprehura në fjalë dhe ligjërata.
Por sa i përket aspektit të një gjëje apo të një objekti, vepra artisike nuk është pikërisht një vepër artistike: ajo është vepër artistike vetëm duke qenë shpirtëzim, dhe vetëm si e tillë ajo ka marrë pagëzimin e shpirtit dhe paraqet diçka që merr pjesë te shpirti dhe që është e përshtatur me shpirtin.
Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin, dhe epërsia e saj rrjedh nga fakti që, nëse një produkt natyror është një produkt i pajisur me jetë, ai është i vdekshëm; ndërsa një vepër artistike është një vepër që vazhdon të ekzistojë. Zgjatja e kohës paraqet një interes më të madh. Ngjarjet ndodhin, por mbasi ndodhin, zhduken.Vepra artistike u jep atyre një kohëzgjatje, i paraqet ato në të vërtetën e saj të përjetshme. Interesi njerëzor, vlera shpirtërore e një ngjarjeje, e një karakteristike individuale, e një aksioni, në evolucionin e përfundimin e tyre, rroken nga vepra artistike, e cila bën që ato të dalin në pah në një mënyrë më të kulluar dhe më transparente sesa në realitetin e zakonshëm, atë jo artistik.
Prandaj vepra artistike ka epërsi ndaj çdo produkti të natyrës që nuk e ka kryer këtë kalim nga shpirti. Kështu ndodh që ndjenja dhe ideja, që në pikturë ka frymëzuar një peizazh, i jep kësaj vepre të shpirtit një rang më të lartë se ai i peizazhit që ekziston në natyrë. Gjithçka që është shpirtërore, ka epërsi ndaj asaj që ekziston në gjendjen natyrore. Dhe të mos harrojmë se asnjë qenie natyrore nuk përfaqëson ide hyjnore, që vetëm veprat artistike janë të afta t’i shprehin. Në një mënyrë të përgjithshme, shpirti ka epërsi ndaj natyrës, dhe Zotit i vijnë më tepër nderime nga krijimet e shpirtit sesa nga produktet e natyrës. Opozicioni, që duam të vëmë ndërmjet hyjnores dhe njerëzores, në njëfarë mase e ka burimin te një keqkuptim, sipas të cilit nuk ka asgjë hyjnore te njeriu. Zoti nuk shfaqet veçse në natyrë. Në shpirtin e njeriut hyjnorja shfaqet në formën e vetëdijes dhe përmes vetëdijes. Në natyrë hyjnorja përshkon gjithashtu një mjedis, por ky mjedis është një mjedis i jashtëm, një mjedis i ndjeshëm, që si i tillë është tashmë inferior ndaj vetëdijes. Në veprën artistike hyjnorja është krijuar nga një mjedis me epërsi të pafundme. Në natyrë ekzistenca e jashtme është një paraqitje shumë më pak e plotë e hyjnores, sesa ajo e paraqitjes artistike.
Ky keqkuptim, sipas të cilit vepra artistike do të ishte vetëm vepër njerëzore, duhet të hidhet poshtë. Zoti vepron te njeriu në një mënyrë më të përputhshme me të vërtetën, sesa mbi terrenin e një natyralizmi të kulluar e të thjeshtë.
Por këtu del në pah një pyetje thelbësore: përse njeriu krijon vepra artistike?
Përgjigja e parë, që mund të vijë në mendje, është se ai i krijon ato nga loja e thjeshtë dhe se veprat artistike janë produkte aksidentale të kësaj loje. Mirëpo loja është diçka, së cilës nuk na detyron asgjë t’i kushtohemi; dhe ne jemi të lirë ta ndërpresim kur të duam, sepse ka të tjera mënyra edhe më të mira për të arritur të fitojmë atë që fitojmë nga arti, si dhe ka interesa më të larta e më të rëndësishme që arti nuk do të dinte t’i plotësonte. Ne do të flasim më tej për nevojën e artit, në kuptimin konkret të fjalës. Kjo lidhet me disa konceptime të përgjithshme dhe të sakta, ashtu si edhe me fenë. Domethënë, pyetja është më konkrete sesa do të ishte përgjigja, që do të mund të jepnim këtu. Le të themi tani vetëm aq sa vijon.
Gjithanshmëria e nevojës së artit nuk ndodhet në tjetër gjë, veçse në faktin që njeriu është një qenie e pajisur me vetëdije. Duke qenë i pajisur me vetëdije, njeriu duhet të vendoset përballë asaj që ai është, të asaj që ai është në mënyrë të përgjithshme dhe të bëhet një objekt për vetveten. Gjërat e natyrës kënaqen që ekzistojnë, ato janë të thjeshta dhe nuk janë veçse një herë, por njeriu duke qenë vetëdije, dyzohet: ai është një herë, por ai është për atë vetë. Ai dëbon para tij atë që ai është, ai kundrohet, dhe paraqitet përsëri ai vetë. Pra, duhet kërkuar nevoja e përgjithshme që provokon një vepër artistike në mendimin e njeriut, sepse vepra artistike është një mënyrë, me ndihmën e së cilës njeriu shpreh atë që ai është. Këtë vetëdijë të vetvetes njeriu e fiton në dy mënyra: teorikisht, duke u bërë i vetëdijshëm për atë që ai është në brendësi të tij, pra të të gjitha lëvizjeve të shpirtit të tij, të të gjitha nuancave të ndjenjave të tij, duke kërkuar t’ia paraqesë ato vetvetes, ashtu si i zbulon ai nëpërmjet mendimit dhe duke njohur veten në këtë paraqitje që ia jep syve të tij. Por njeriu është njëlloj i angazhuar në raportet praktike me botën e jashtme; dhe nga këto raporte lind njëlloj nevoja për të transformuar botën, ashtu si vetveten, në masën që ai është pjesë e saj, duke i vënë vulën e tij personale. Dhe ai e bën këtë gjë për të njohur akoma vetveten në formën e gjërave, për t’u kënaqur nga vetvetja si nga një realitet i jashtëm.
Ne e vëmë re këtë tendencë tashmë në impulset e para të fëmijës: ai dëshiron të shohë gjëra, autor i të cilave duhet të jetë ai vetë, dhe ai hedh gurë në ujë për të parë rrathët që formohen në ujë, të cilët janë vepra e tij dhe në të cilët ai e njeh veten si një reflektim i vetvetes. Kjo mund të vihet re në shumë raste dhe në format më të ndryshme, deri në atë lloj riprodhimi të vetvetes, që është një vepër artistike. Përmes objketeve të jashtme ai kërkon të rigjejë vetveten. Barbari praktikon prerjen te buzët e te veshët dhe bën tatuazhe në trupin e tij. Gjithë këto çmenduri, sado barbare e absurde dhe të kundërta të jenë me shijen e mirë, sado deformuese ose madje të rrezikshme, si tortura që u shkaktohet këmbëve të grave kineze, nuk kanë veçse një qëllim: njeriu nuk dëshiron të mbetet ashtu siç e ka bërë natyra.
Te të civilizuarit, njeriu kërkon të lartësojë vlerën e tij me anë të kulturës shpirtërore, sepse vetëm te të civilizuarit ndërrimet e formës, të sjelljes dhe të të gjitha aspekteve të tjera të jashtme, janë produkte të kulturës shpirtërore. Nevoja e përgjithshme e artit ka diçka të atillë racionale, saqë njeriu, duke qenë vetëdije, shprehet, dyzohet dhe shfaqet kështu për kundrimin e vetvetes dhe atë të të tjerëve. Me anë të veprave artistike, njeriu që është autor, kërkon të shprehë vetëdijen që ai ka për vetveten.
Kjo është një nevojë e madhe që rrjedh nga karakteri racional i njeriut, që është burimi dhe arsyeja e artit, si dhe e të gjitha aksioneve dhe e të gjitha dijeve.


Përktheu Fatmir Alimani

Google+ Followers