Universi pas orgjisë - Jean BAUDRILLARD


Santa Kruz-i, ashtu si shumë dukuri të Amerikës bashkëkohore, është universi pas orgjisë, pas spazmave të socialitetit dhe seksualitetit. Të shpëtuarit prej orgjisë –seksi, dhuna politike, lufta e Vietnamit, kryqëzata e Woodstock-ut, por edhe luftrat


Jean BAUDRILLARD

Disa të privilegjuar, në një tregim fantastiko-shkencor, një mëngjes gjenden në një qendër vilash luksoze malore, rrethuar nga një pengesë transparente dhe e pakapërcyeshme, një mur prej qelqi të krijuar gjatë natës. Nga fundi i komfortit të tyre të qelqëzuar shohin ende botën e jashtme, universin real prej të cilit janë shkëputur dhe që, saora, bëhet univers ideal, por që mjerisht është shumë vonë. Të privilegjuarit vdesin ngadalë nëpër akuariume, si peshq të kuq. Disa kampuse universitetesh më japin të njëjtën ndjesi.
Santa Cruz-i është i fshehur mes pishave, arave, lumenjve (është një fermë e vjetër, e cila i është dhuruar universitetit), i mbushur me pavijone të padukshme për njeri-tjetrin, mu si qeniet që jetojnë në të. Është njëfarësoj trekëndëshi Bermudesh, si Santa Barbara: aty gjithçka zhduket, gjithçka përpihet. Fillikatësi totale, bashkësi totale. Pas qytetit ideal, çerdhja ideale. Asgjë nuk konvergon drejt një pike, as qarkullimi, as arkitektura, as pushteti.
Por sakaqshëm është e pamundur të manifestosh: ku të grumbullohesh? Manifestuesit nuk mund veçse të vijnë rrotull nëpër pyll, duke vështruar njeri-tjetrin. Nga të gjithë kolegjet uviversitare kaliforniane, të shquar për hapësirën dhe këndelljet, ky është më i idealizuari, më i natyralizuari. Aty kondesohen të gjitha bukuritë. Godinat i kanë vizatuar arkitektë të shquar, kurse përreth shtrihet limani i Carmel-it dhe i Monterey-it. Nëse ka diçka që mishëron grishjen e të ardhmes, ajo është bash këtu.
Por pikërisht kjo liri e mbrojtur si nga komforti vegjetal, si nga dlirësia universitare, bëhet e burgosura e vetvetes, e mbyllur në një mbrojtje natyrale dhe sociale, të cilat të japin të njëjtat vuajtje si në universitet e tjera publike (sistemi publik, në saje të mureve të tij, në disa gjasa, mund të evoluojë drejt utopisë më shpejt sesa sistemi shoqëror i hapur). Këtu, shoqëria është çliruar si kërkund gjetiu, ka hapur spitale psikiatrikë, transportet janë falas – dhe, në mënyrë paradoksale, ajo është mbyllur në vetvete, si mbrapa një muri prej qelqi.
Iluzioni parajsor dhe i mbyllur nga brenda, “Muri i Paqësorit”, për të përdorur këtë shprehje të Lyotard-it, do të ishte sak ky mur që e mbyll Kaliforninë brenda këndelljes së saj. Nëse, dikur, mëtimi i lumturisë ishte oqeanik dhe liridashës, këtu ajo është mbështjellë në një shqetësim fetusor. A ka ende pasione, vrasësa, dhunë, në këtë republikë të çuditshme, të vuvosur, të pyllëzuar, paqësore, grishëse? Po, por një dhunë të mbyllur brenda vetvetes, kundërvepruese. Jo krime pasionesh, por përdhunime, apo ata vrasësit e një dyzine vajzash dyvjeçare. Dhunim fetusor kaq pa arsye, sa dhe një shkrim automatik, dhe që, më shumë se një agresivitet real, të ndërmend nostalgjinë për ndalimet e vjetra (pse rriten përdhunimet së bashku me vlerën e lirisë seksuale?).
Sentimentaliteti i këtyre fjetoreve mikse shtëllitet mbi pyll, a thua vetë natyra është edhe grishëse edhe mëmësore, siguruesja e kërthndezjes seksuale dhe e ekologjisë së zakoneve, a thua natyra mund të kishte një vështrim përdëllimtar për ndonjë shoqëri njerëzore, a thua mund të ishte për të dalja prej universit mizor të magjisë, një marrëdhënie tjetër nga stoikja, tjetër nga ajo që kanë përcaktuar stoikët, një marrëdhënie e një domosdoshmërie të paparashikuar, të mëshirëshme, së cilës i vendos një sfidë, një liri edhe më të madhe. Këtu është zhdukur çdo shenjë e fatalitetit historik. Gjithçka bën banjë tek oazi i pajtimit sentimental me natyrën, me seksin, me marrinë, me vetë historinë (përmes një marksizmi të riparë dhe të korrigjuar.)
Santa Kruz-i, ashtu si shumë dukuri të Amerikës bashkëkohore, është universi pas orgjisë, pas spazmave të socialitetit dhe seksualitetit. Të shpëtuarit prej orgjisë –seksi, dhuna politike, lufta e Vietnamit, kryqëzata e Woodstock-ut, por edhe luftrat etnike e antikapitaliste dhe, në të njëjtën kohë, pasioni për para, pasioni për t’u faqebardhësuar, teknologjitë e forta, të gjitha këto janë orgjia e modernitetit - të shpëtuarit pra janë aty, duke vrapuar primitivisht, fqinjë të primitivitetit elektronik të Silicon Valley. Paqëllimshmëria, shpengimi, klimatizimi, teknologjitë e buta. Parajsa. Por një modifikim fare i vogël, le të themi kthimi në disa gradë, do të mjaftonte ta imagjinonim si ferrin.


Përktheu Balil Gjini

Google+ Followers