TË EKZISTOSH DO TË THOTË TË DISH SE KUSH JE (Mbi librin „Sfera e qelqtë“ të autores austriake Marianne Gruber Shqipëroi nga gjermanishtja: Armand Plaka Publikoi: „Shtëpia Botuese Laholli“, 2013)

FERDINAND LAHOLLI


Dhe vjen një ditë, kur qyteti zgjerohet e zgjerohet pafundësisht brenda vetvetes, e po pafundësisht ndotet e zhurmohet, zhurmohet dhe ndotet në skaje amshimi. Dhe vjen një ditë, kur ligji e ndalon hyrjen në të, për të evituar sadopak shpejtësinë ndytëse të qytetit. Por ndërkohë ndalohet edhe dalja prej tij, për të parandaluar infektimin e fshatit prej ndotjes dhe zhurmave. Fshati në këtë libër të autores së njohur Marianne Gruber është sinonim i natyrës së virgjër, për të cilën qytetasit mallohen aq shumë. Blerimi dhe ajri i pastër janë shndërruar për qytetarët si elemente jashtëplanetare. Zhurma aktuale dhe ajo pasuese, që i shtohet pandarësisht aktuales, për të mundësuar ekzistencën e mëtejshme njerëzore qytetase (!), duke mos harruar përmendjen e ndotësisë së vazhdueshme të ambientit, bëjnë, që njeriu të veçohet nga të tjerët e të koracohet tek vetja. Për të mundësuar vetveten njeriu shpik sferën e qelqtë, e cila ka aftësinë të mos lejojë futjen e asnjë zhurme brenda saj. Tash brenda saj futet vetë njeriu, për t’iu shmangur zhurmave, për t’i ikur shurdhimit. Edhe pse njeriu tash gjendet pandarësisht kundruall vetes, nuk ka as më të voglën dëshirë, ta njohë atë. Kështu për momentin. Kështu edhe për një kohë të gjatë. Gjersa vjen një kufi çasti, kur vetmia merr përmasat e një trysnie vigane, për përballjen e së cilës kërkohet bashkënjeriu. Pra është momenti i rikonstruktimit të domosdoshëm të kujtesës apo nevoja e rilindjes së saj.
Që izolimi individ apo kolektiv ka fytyrë asgjëje, e kemi përjetuar më së miri ne shqiptarët, madje me dekada të tëra. Në një suazë të tillë pamundësie nuk ka asnjë pranverim vetish ekzistenciale. Se të ekzistosh do të thotë së jesh apo më saktë: të dish se kush je. Nëse nuk dihet kjo gjë, duhet mësuar patjetër. Njohja e vetes dhe i realitetit rrethues kërkon bazament. Referuar librit “Sfera e qelqë” e autores austriake Marianne Gruber kjo gjë realizohet vetëm duke u kthyer paksa prapa, vetëm duke hulumtuar tek e shkuara. Se e shkuara, edhe pse e shkuar, është dhe mbetet një realitet i përjetuar e si e tillë edhe taban vërtetësie. Ky kthim i herëpashershëm tek e shkuara i duhet medoemos njeriut, pasi i shërben njohjes së mëtejshme të vetes dhe riparimit të së sotmes, pra përmirësimit të saj. Retrospektiva i vihet në ndihmë aktualitetit, por jo asaj, që jemi mësuar ta quajmë “e nesërme” apo “ardhmëri”. Sinonime të tilla abstrakte i përkasin një gjendjeje, që nuk ekziston, që është iluzion, pra që nuk është e vërtetë. I vërtetë për njeriun është e mbetet vetëm përjetimi, pra e tashmja amshuese dhe e shkuara eterne.
Pavarësisht se sfera e qelqtë prezantohet si një mjet shpëtimi, kuptohet fare qartë se ajo është veçse me funksionim izolues. Vetmia e thinjur në atë lloj izolimi ravijëzohet aq terrshëm, saqë para syve imagjinues të lexuesit konturohet një terr i përjetshëm birucash, ku gjallimi i vetes është i rrethuar nga dhjetra pikëpyetje dyshimi. Se të gjallosh do të thotë edhe të dish, qoftë edhe vagëllueshëm, prej nga vjen dhe ku je. Por gjithsesi duhet ditur se ku shkohet apo ku duhet shkuar, ngaqë gjallimi nënkupton lëvizjen. Por në vetminë e paraqitur te ky libër, si frymimi i çastit ashtu edhe kujtesa kanë trajtë amullie. Kujtimi, që rropatet, për të arritur diku, i gazmohet ndërkohë mosarritjes së tij. Plogështia e vazhdueshme e kujtesës gjer në caqet e indiferences, ku të kuptuarit dhe të pakuptuarit kanë të njëjtën vlerë, nxjerr edhe më qartë në pah, se vetmia ky fytyrë amnezie.
Protagonisti e njëherësh edhe rrëfyesi i ngjarjeve të këtij romani është një fëmijë i gjetur, apo referuar shqipëruesit Armand Plaka: një fëmijë i braktisur. Ky personazh jeton në një nga sferat e qelqta të qytetit. Të jesh i gjetur apo i braktisur nënkupton të mos kesh asnjë vlerë, për të cilën do të kishte nevojë shoqëria. Pavarësisht kësaj domethënieje, edhe këta njerëz të braktisur e kanë megjithatë përkujdesjen e shtetit, paçka prapaskenës, që mund të frymojë te një përkujdesje e tillë. Për lexuesin kamuflimi i këtij fakti nuk përbën ndonjë rëndësi kushediçfarë. Edhe pse sfera e qelqtë ofron mbrojtje, funksioni i vërtetë i saj nuk është aspak mbrojtja e njeriut, por izolimi i tij. Për t’i bërë ballë një izolacioni të tillë apo më qartë akoma: për të mos u bërë pre e marrisë së tij, heroi i romanit e sheh si imediate komunikimin me bashkëdhomasit, të cilët ekzistojnë vetëm në imagjinatën e tij. Me sa duket izolimi është lajtmotivi i këtij romani, bashkëdhomasit imagjinarë alternative ikjeje prej tij. Por pavarësisht përpjekjes për të dalë nga vetmia, një ikje nga izolimi mbetet i pamundur në këtë roman, të cilin autorja e quan utopik, ndoshta për shkakun e thjeshtë, ngaqë shtjellimit përsiatës të ngjarjeve u mungon guximi i veprimit. Megjithë praninë e personazheve imagjinativë romani ka kryekëput një strukturë monologe. Përcipërisht duket sikur pikërisht një konstrukt i tillë e lodh paksa vëmendjen e lexuesit klasik, gjë që megjithatë nuk është e vërtetë. Lodhja e sadopaktë frymuese gjatë leximit nuk vjen nga forma e preferuar e të rrëfyerit, por vetëm e vetëm nga pështjellimi i herë pas hershëm i gjykimit dhe “veprimit” të protagonistit, që endet qorrsokakshëm drejt asgjësë së vetvetes. Kjo paqartësi e personazhit mund të shihet edhe si paqartësi autoriale te ky libër.
Sikurse u citua më sipër, ky titull i sapovënë në qarkullim është përkthyer nga Armand Plaka. Tashmë dihet se në shqipërimet letrare prioritet duhet të ketë përcjellja kuptimplote e tekstit të huaj, pa harruar rrjedhshmërinë e gjuhës. Parë në këtë kontekst, Plaka vjen shumë premtues në funksionin e interpretit letrar.


Google+ Followers