Shkrimtarët të dashuruar me format e tjera të artit


Nga Andrew O'Hagan*

Në verën e fundit të jetës së tij Norman Mailer ndjeu më në fund të kishte paqen që meritonte dhe vetminë e dëshiruar. Ai jetonte i vetëm deri më atëherë në një shtëpi në Provincetown, ku ai filloi të shkruante "Naked" dhe "Dead" (1948), jo shumë larg nga një banesë që pat marrë me qira, kur mbaroi ushtrinë në vitin 1946. Në vitin 2007, vajta në Cape Cod dhe kalova dy ditë për intervistën me të për serinë "Writers at Work" të revistës The Paris Review. Mëngjesin tim të dytë, teksa po rehatohesha në tryezën e kuzhinës, ai po pikturonte mbi zhguallët e gocave të detit imazhe të zotave grekë. E mbaj njërën syresh këtu tani ndërsa po shkruaj: fytyra e Zeusit përvijuar mbi një guaskë gungëse.
E pyeta se cila prej formave të tjera të artit është më afër një romancieri. "Aktrimi", më tha.
Pse? "Për shkak se ngjason me një vepër. Një romancier dhe një aktor duhet të dije si të futet brenda karaktereve."
Pra, cili është aktori që çmoni më shumë? "Warren Beatty", tha ai. "Dhe , jo për ndonjë arsye të veçantë."
Ky argument u ngul në kokën time për shkak të asaj që tha për humorin e Mailer-it dhe për punën e romancierit në përgjithësi. Do kuturisja të thosha që çdo romancier ka një formë tjetër arti nga ajo që ai beson se shpjegon teknikën e tij apo që dallon stilin e tij vetjak. Ne të gjithë kemi artin tonë nën hije, mu atë që nuk është i yni, atë që ne mund ta lakmojmë, me ndjesinë që dihet diçka rreth nesh. Ndonjëherë romancieri bëhet një kritik i këtij arti dhe bile shumë i mirë - siç bëri Graham Greene me filmin, apo Julian Barnes me televizionin - por, më shpesh, ai ose ajo thjesht do ta mbajnë gjatë të fshehtë, duke ditur se romanet mund të pasurohen me rregullat e formave të tjetra të artit.
Shumë kohë para se të bëhesha shkrimtar, kur isha thjesht një lexues kuturu dhe një ëndërrimtar rrëfimesh, mësova rreth një libri me shumë influence të Harold Bloom. The Anxiety of Influence (Ankthi i Ndikimit), botuar në vitin 1973, kur unë isha vetëm pesë vjeç, flet për ndikimin e jashtëzakonshëm që poetët kanë mbi njëri-tjetrin. Titulli i librit u bë një si lloj ankimi sesi shkrimtarët dhe kritikët do të organizoheshin kur të diskutonin agoninë e të shkruarit. Të gjorët romancierë: ata mund të ulen vetëm në ekranet e tyre duke vajtuar heshturazi e duke kuptuar që kurrë nuk do mund të ishin një Henry James, ose, edhe më keq akoma se ata mund të ishin tashmë Henry James, por jo aq të mirë.
Unë kurrë nuk e besova këtë. Në përgjithësi nuk besoj në kulturën meteorike të ankthit. Natyrisht, disa njerëz e kanë, disa të tjerë janë të gjymtuar prej tij, por shumica e romancierëve që kam njohur janë në dashuri me ndikimin. Ata harlisen në të. Ndjenja e Mailer-it në lidhje me aktrimin ishte se përvoja e veçantë e aktorit të mirë dhe procesi i dha kurajë edhe atij vetë: në se ti ngjitesh në skenë dhe je dikush tjetër për tre orë, thëthitur mespërmes thellësive të një shpirti dhe një historie që nuk është e jotja, atëherë çdo romancier i mirë do donte ta zbërthente se si ishte realizuar. Gjysma e punës së një shkrimtari është të kërkojë dhe të ruajë prirjet e veta.
Dhe ty, të duhet të dish shtratin e ndjeshmërisë tënde dhe pse. Do duhet të dish po ashtu sesi të njohësh llojin e materialit që e çliron imagjinata jote. Këto gjëra ju nuk mund t'i gjeni gjithmonë tek romancierët e tjerë: shpesh, realisht, do të jetë artisti në fushën tjetër, zejtari, eksperti, sportisti, heroi në një tjetër linjë, të cilët do të pompojnë ajër të freskët në ulëset e talentit tënd.
Në autobiografinë "Memory" (1951) të Vladimir Nabokov-it, shihet qartë që shkrimtari krijon një tërheqje artistike çdo herë që kap një flutur. Ai ka qenë një lepidopterist (studiues i pasionuar i fluturave) që kur ishte shtatë vjeç. "Nëse fushëpamja ime e parë e agut lidhej vetëm me diellin, mendimi im i parë ishte se fluturat do mund kërcënoheshin." Ne mund të flasim gjithë ditën për brishtësinë e Nabokov-it, fuqinë që rritet në mënyrë të shkëlqyer dhe bukurinë e prozës së tij, kur ajo shtrin krahët e saj. Dhe kur ai e përshkruan artin e koleksionimit të fluturave, më duket sikur ai po më tregon për vetë të shkruarin. "Njomja, garza e ftohtë akull prej pambuku përthithës shtyp kokën lemuriane të insektit; kontraktimet e fundit të trupit të tij; cërcëritjet e ndjeshme shkaktuar nga thumbi kur kalon cipën e fortë të toraksit të vet; futje e kujdesshme e majës së gjilpërës deri në fund të logut prej tape të gjithë; ndreqja simetrike e krahëzave të trashë e të fortë nën shirita të shtrënguar mjeshtërisht në letrën gjysmë-transparente ". Ja (tashmë) një njeri i cili ka mësuar nga hobi i tij.
Henry James është kujdesur për pikturën në mënyrë të tillë që ajo të dallohet tamam si puna e tij. Nuk është rastësi që romani më i famshëm i tij është titulluar "The Portrait of a Lady" (portreti i një Zonje) (1881). Ku disa romancierë na japin karakteret e tyre kryesore njëherazi, duke na thënë se si duken ata, si ekzistojnë apo dhe se çfarë janë, James arrin qartësi vetëm në shtresat, në momente tejet të çuditshme dhe në enigmat. "Edhe në portretet më të famshëm ne gjejmë një portë që nuk mund ta hapim," shkruan Michael Gorra në Portret i një Romani, libri i tij i vitit 2012 mbi kryeveprën e James-it. "Ka gjithmonë një kufi për atë që ne mund të dimë për një modele që pozon, sa thellë mund të lexojmë shpirtin në fytyrën e saj; buzëqeshja e Mona Lisa-s sjell një nga shembujt më të qartë."
James e kuptoi se dashuria e tij për pikturën do mund t'i përcillte atij sinjale se si të paraqesë karakterin dhe gjendjen. Ai erdhi në Londër me shumë dëshirë për të parë pikturat dhe ndërtesat, po ashtu qëndroi edhe në Paris dhe Romë, dhe thuhet se ai mori nga Tintoretto një gjë që ai nuk mund të merrte kurrë nga ndonjë romancier tjetër. James, romancieri që e quajtën "mjeshtër", nuk harroi kurrë të shohë "The Crucifixion of Christ" (Kryqëzimi i Krishtit) të Tintorettos në kishën San Cassiano në Venecia. Ajo e tërhoqi atë në "kufirin më të skajshëm të pikturës; që përtej këtij arti tjetër-frymëzoi fillesat për poezinë, dhe se Bellini, Veronese, Giorgione dhe Titiani, të gjithë shtrënguan duart dhe duke vënë në punë çdo muskul të gjenialitetit të tyre, shkuan përpara, jo aq, por lanë një hapësirë të dukshme ku në të cilën vetëm Tintoretto është mjeshtër i vërtetë".
Të shkruarit e romaneve është një punë e heshtur: mund të zbulosh çudira, por zakonisht nuk vazhdon me to. Ndoshta kjo është arsyeja pse romancierët shpesh janë të lidhur me forma të tjera të artit, që veshin materialin apo bukurinë e tyre të jashtme. Ernest Hemingway e konsideronte luftimin me demat si një formë arti dhe, në të vërtetë, ai mendonte që shkrimtarët duhet t'i ngjajnë toreadorëve, të guximshëm dhe sfidues përpara vdekjes. Për romancierin japonez Yukio Mishima ishte arti i samurajve - ai dashuronte vetëpërmbajtjen, fisnikërinë, kontrollin, traditën, të gjitha gjërat që ju do të thoshit për një prozë të mirë - ndërsa vdiq në një ritual të thjeshtë vetë-vrasës. Por më të shumtët e romancierëve e marrin seriozisht ndikimin e tyre, pa e lënë atë që t'i zaptojë. Ata inkurajohen nga një dashuri për operën, siç ishin Willa Cather dhe romancierja francez George Sand, ose prej piktorëve modernistë, siç ishte Gertrude Stein. Secila prej këtyre grave të shkëlqyera, gjejnë në hapësirën dhe dramën e formave të tjera të artit një logjikë të jashtëzakonshme të asaj së çfarë ato vetë kanë vendosur të bëjnë me atë copë letër të bardhë.
Romancieri amerikan Don DeLillo e përjeton këtë lloj komunikimi me artin e aktrimit. Romani i tij i famshëm epik "Underworld" (1997) përshkruan një artiste, Klara Sax, së cilës i pëlqen të pikturojë aty ku bëhet çmontimi i bombarduesve B-52. Në romanin e tij "Falling Man" të vitit 2007, ndeshim me një artist që i pëlqen të komentojë mbi shoqërinë aktuale duke qenë i varur me kokë poshtë nën një urë. Një formë tjetër e artit mund të shpjegojë shqetësimet tona si të një romancieri për aq sa mund të rrisë ndjenjën tonë për atë çka është interesante. Romancieri britanik Nick Hornby gjen aq të reja në muzikën rock sa edhe në rrëfimin bashkëkohor. Kazuo Ishiguro tërhiqet më shumë nga filmi i zi (noir film ) dhe mjeshtrave stilistikë jo konvencionalë në film.
Forma tjetër e artit është shpesh çelësi jo vetëm për shkrimin e shkrimtarit, por edhe për leximin e lexuesit. Për më të shumtët e romancierëve, ky ndikim nuk është thjesht burim ankthi, por edhe një burim krenarie, burim i shpresës dhe nganjëherë i dinjitetit. Romancieri anglez E. M. Forster kishte pasion për muzikën, e cila e ndihmoi atë të shkruante. Në romanet e tij ndihet ngarkesa dhe jehona e shumë kompozitorëve të mëdhenj (ai gjithashtu shkroi libretin për operën "Billy Budd" të Benjamin Britten) dhe për atë kjo nuk ishte vetëm një formë e artit në hije, por edhe një ideal për të cilin ia vlente të luftoje. Muzika ishte porta e Forster-it për tek sublimja. "Mbretëria e muzikës nuk është mbretëria e kësaj bote", shkroi ai në "A room with a view" (1908) (Një Dhomë me Pamje). "Ajo do të pranojë ato që edukimi, intelekti dhe kultura e të cilëve ua ka ndaluar njësoj. Personi i rëndomtë fillon të luajë dhe qëllon pa mundim në kupolën e qiellit, ndërsa ne shohim lart, të mahnitur si na ka ikur, dhe duke menduar se si mund ta adhurojmë dhe ta duan atë, por a do mundë ai të shpjegojë vizionet e tij në fjalët e njeriut. "
Dhe kështu që ne kemi: qetësinë e ndikimit. Si fëmijë e kam pëlqyer shumë baletin dhe shpesh, kur jam i kërrusur mbi një paragraf, gjymtyrët e mia ma kujtojnë teknikën e vjetër, muzikalitetin, butësinë dhe forcën. Nuk isha akoma adoleshent kur vajta të shoh një prodhim të "Giselle" nga trupa e baletit skocez në Teatrin "Gaiety" në Ayr. Ishte çuditërisht e dallueshme: teatri ishte i errët dhe skena shumë afër, unë mund të ndjeja edhe erën e ngjitëses së këpucëve të valltarëve, një audiencë vajzash me sy të habitur, dhe unë, si nga jashtë gardhit, duke ndjekur një romancë gotike të shpalosur jo më shumë se 10 milje larg nga shkolla e tmerrshme që kam ndjekur. Duka i ri, Albrecht, është i mikluar nga këto gra jashtëtokësore, për të kërcyer gjer në fund të jetës. Më vonë mësova se romancieri Victor Hugo kish qenë frymëzimi për skenarin origjinal, por, edhe në atë kohë, unë pashë veten time si një të ri gjuetar-librarish që dëshironte të shkruante gjer në fund të jetës. Ajo çka me dha kërcimi në të vërtetë nuk ishte një ide, por atmosferë: më tregoi sesi të krijoj brenda pak gjesteve të qarta. Giselle nuk ka të bëjë vetëm me një lidhje fatkeqe dashurie, por me jetën e pashuar të vetë imagjinatës. Vallëzimi klasik, në ato rrethana, ofroi një formë ekstreme të kënaqësisë në qëndrimin e artistëve dhe të krijuesve, dhe për një kohë e lashë veten tërësisht me vullnetin tim në baletin skocez. Por kam kuptuar që kam qenë gjatë gjithë kohës duke mësuar. Ishte arti im në hije që më ka ofruar - ashtu siç ende bën teatri - një shkollim absurd për të pamundurën.
Mendova që do ishte mirë ta vija të gjithë këtë eksperiencë në provën me romancierët. Shkrimtarët profesionistë përdoren në veprimtari publike, ne bëjmë dhjetra prej tyre çdo vit, më së shumti flasim për punët e fundit ose panelet e përbashkëta. Nga bisedat personale, kam kuptuar që shpesh shkrimtarët janë plotësisht të ndezur kur nuk flasin drejtpërdrejt për punën e tyre. Ata shfaqin pasion kur flasin për formën e dytë të artit. Këto ditë po jap leksione për Shkrimin Krijues në King 's College në Londër dhe në bashkëpunim me departamentin Anglez dhe Institutin Kulturor të kolegjit, kam organizuar një sërë aktivitetesh ku romancierët flasin për një formë tjetër arti. Kazuo Ishiguro pothuajse kurrë nuk merr pjesë në ngjarje publike, por ai do të shfaqet më 1 maj.


Përktheu nga origjinali Merita Pira

Milosao

Google+ Followers