Pushkini dhe Gogoli - Danjill HARMS



Gogoli vithiset që pas kulisave ende pa shkelur në skenë dhe qëndron shtrirë e pa bëzajtur.
PUSHKINI (del në skenë, pengohet në trupin e Gogolit dhe rrëzohet). Hej, dreq! Më ngjan se Gogoli!
GOGOLI (duke u ngritur). Hej, ç’mutsihaneje! As të pushosh s’të lënë. (Ecën, pengohet në trupin e Pushkinit dhe rrëzohet.) Më bëhet se zura në thua pas Pushkinit!
PUSHKINI (duke u ngritur). Asnjë minutë s’të lënë rehat! (Ecën, zë në Gogolin dhe bie.) Hej dreq! Prapë pas Gogolit!
GOGOLI (duke u ngritur). Përjetësisht e në gjithçka – beterra. (Ecën, pengohet në Pushkinin dhe bie). Hiqmu, mutsihane! Prapë në Pushkinin!
PUSHKINI (duke u ngritur). Huliganizëm! Huliganizëm tejpërtej! (Ecën, pengohet pas Gogolit dhe bie). Të piftë dreqi! Prapë pas Gogolit!
GOGOLI (duke u ngritur). E po, kjo e gjitha është tallje e pafytyrë! (Ecën, pengohet pas Pushkinit dhe bie). Prapë pas Pushkinit!
PUSHKINI (duke u ngritur). Hej dreq! Paj, për Zotin-dreq! (Ecën, pengohet pas Gogoglit dhe bie). Pas Gogolit!
GOGOLI (duke u ngritur). O, mutsihane! (Ecën, pengohet pas Pushkinit dhe bie). Pas Pushkinit!
PUSHKINI (duke u ngritur). Dreq, të shpëlaftë! (Ecën, pengohet pas Gogolit dhe bie prapa kulisave). Pas Gogolit!
GOGOLI (duke u ngritur). Çfarë mutsihanesh! (Largohet prapa kulisave.)
Prapa skenës dëgjohet zëri i Gogolit: “Prapë pas Pushkinit!”

***
Olga Forshi iu avit Aleksej Tolstoit dhe diç bëri.
Aleksej Tolstoi gjithashtu diç bëri.
Aty për aty, Kostandin Fjedin dhe Valentin Stjeniç kërcyen në oborr dhe u vunë të kërkojnë gurin e përshtatshëm. Gur ata nuk gjetën, por ama gjetën një lopatë. Me këtë lopatë Kostandin Fjodini ia mbështolli Olga Forshit në surrat.
Atëherë Aleksej Tolstoi u zhvesh çipllak dhe, me të dalë në Sheshin e Shatrivanit, nisi të hingëllijë si pelë. Njerëzia pëshpërisnin: “Këqyreni si hingëllin shkrimtari i madh bashkëkohor.”
Dhe askush s’e ngau Aleksej Tolstoin.


Përktheu Agron Tufa

Google+ Followers