Por kur ju poqi me mua Dashuria…

Poezi moderne dhe jo vetëm ajo dashurore, lirikat te “Canzoniere” të Françesko Petrarkës janë pranuar si model, duke u përpunuar në shekujt e mëpasëm; një tufë nga këto lirika, të përzgjedhura në shqip janë sjellë nga Ferdinand Leka


Françesko Petrarka



Ky sonet mund të quhet si një hyrje e “Kanconieres” së Petrarkës, megjithëse në të vërtetë do të ishte epilogu i tij, sepse besohet që është shkruar në vitet e fundit të jetës së poetit, kur mendoi t’i rendiste e t’i rregullonte lirikat e veta.
Është si një prelud poetik ku tingëllojnë shumë motive që do të zhvillohen në lirikat e tjera. Tek poeti luftojnë në mes tyre ndjenjat e njeriut të ri të Rilindjes Evropiane, pasionet tokësore me ndjenjat kristiane, të fuqishme në mesjetë, që e shtyjnë të pendohet për dëshirat e kësaj bote dhe i bëjnë thirrje të mendojë për jetën e përtejme.

Ju që dëgjoni sot në vargjet e mi,
Tingujt me psherëtima e ngashërime,
Ushqim zemre në rini plot gabime,
Kur nga ç’jam sot isha tjetër njeri.

Shpresoj të gjej mëshirë e dhembshuri,
Për shpresa të kota, vuajtje edhe pësime,
Shprehur me stile të ndryshme dhe arsyetime,
Për ata që e dinë ç’do të thotë dashuri.

Porse tash vonë e kam kuptuar mirë,
Se u bëra përralla e botës për kohë të gjatë,
Sa turp prej vetes sime tash më vjen;

E turpi është fryti i kësaj kllapie të vështirë,
Pendimi i hidhur e shikimi qartë,
Ëndërr e shkurtër është çka botës pëlqen.


II
Poeti tregon si u sulmua në befasi nga Dashuria, që e plagosi papritur dhe pastaj e nënshtroi pa shpëtim. Me sa duket poeti e ka hartuar në moshë të vonë, për ta vënë në fillim të “Kanconieres”, ashtu si dhe sonetin e mëparshëm.
Disa kritikë të tjerë mendojnë së është një nga lirikat e para të poetit në moshë të re e për më tepër bën fjalë për një dashuri tjetër, para Laurës.

Për një hakmarrje të hirshme të vet,
E njëmijë fyerje në një ditë për të goditur,
Përsëri Dashtnia tinëz harkun pat ngritur,
Si ai që të dëmtojë vend e kohë pret;

Virtyti strehë thellë përbrenda gjet’
Ndër sy dhe zemër, në mbrojtje duke pritur,
Derisa goditja për vdekje pat zbritur
Aty ku e ka zakon të vejë çdo shigjetë

Por i hutuar nga sulmi i papritur,
Nuk pati kohë sa duhej, as fuqi,
Virtyti ta përballte me arme atë zor;

O në atë majë të vështirë e të lartë i ngjitur
Nga brenga për të shpëtuar me dredhi,
Siç do tashti, por s’ka kush i jep dorë.


III
Duke zhvilluar më tej motivin e sonetit të mëparshëm, përshkruan si nisi dashuria e tij për Laurën dhe përcakton edhe ditën (6 prill 1327). Poeti nuk dyshonte se do të binte në Dashuri pikërisht të Premten e Madhe, kur bota e krishterë është në zi për vdekjen e Krishtit.

Nga dhimbja për Atë që i ka krijuar,
Atë ditë rrezet e diellit humbën ngjyre,
Kur unë rashë në lak, pa ditur se në atë mënyrë,
Po më lidhnin, grua, ata sy të shkruar;

Në atë kohë s’dyshoja do më kishin sulmuar
Shigjeta të Dashurisë, prandaj pa kqyrë
Asnjë dyshim, e me besim në fytyrë,
N’dhimbje të përgjithshme imja ka filluar.

Pa armë kur isha Dashuria më shitoi,
Rruga nga sytë në zemër s’kishte derë,
Prandaj tash lotët më kullojnë si kroi;

Por, më duket mua, s’e pati për nderë,
Kur juve, armëngjeshur, harkun s’ju tregoi,
Mua të më plagosi në atë gjendje të mjerë.

IV
Ngre lart Laurën, duke kujtuar që, ashtu si vetë Krishti nuk deshi të lindte në Romë, por në Judë, ashtu dhe vasha e Poetit doli në dritë në një fshat të vogël dhe të rëndomtë.

Ai që të pakufi e tregoi artin,
Tërë mjeshtërinë e bindshme dhe të vlerë,
Kur e krijoi këtë dhe atë hemisferë,
E më të urtë bëri Jovin se Martin;

Kur, për të sqaruar shkrimet, drejtoi hapin,
Drejt tokës sonë, mbetur në terr ngaherë,
Pjetrin e Gjonin hoq rrjetash me ‘i herë,
E i bëri mbretërinë e qiellit të kapin.

Nuk desh të lindej në Romë, vend madhështori,
Por në Jude, pse mbi të gjitha donte
Të çmohej përvuajtëria në këtë botë.

E tash nga i vend i vogël një diell nxori.
Sa dhe natyra rreth e falënderonte,
Që u lind aty një grua aq hireplotë.


VII
Nxit një mikun e vet të studiojë me ngulm letërsinë dhe filozofinë, pa marrë parasysh mundin dhe sakrificat që nevojiten për të arritur majat në këto fusha. Njëkohësisht ankohet për braktisjen e tyre nga shumë veta për t’u dhënë pas përfitimeve të shpejta materiale.

Puplat e buta, gjumi e grykësia,
Nga bota çdo virtyt e kanë dëbuar,
Prandaj nga rruga e mbarë tash ka dredhuar,
Natyra jonë, e mundur nga mbrapshtia.

Kaq është errësuar, humbur ka hijeshia
E qiellit, ku çdo jetë është formuar,
Saqë me gisht sot kanë për ta treguar,
Këdo që Helikone do të rrjedhë poezia.

Kush pyet për larin? Për mirtin e hijshëm?
“Filozofi, tash je skamnore e mekur”,
Thotë turma e etur vetëm për fitimet.

Në rrugën tjetër pak kanë për të ndjekur,
Por aq më tepër të lut, shpirt i njerëzishëm,
Punën fisnike mos ta prejnë mundimet.

XI
Pasi Laura e kupton dashurinë që ndien për të, tregohet më e rreptë ndaj tij dhe për këtë qëndrim të saj ankohet poeti në këtë baladë të quajtur “Balada e Velit”.

Pa velin në fytyrë, në hije o në diell,
Grua, s’ju pashë ndo ‘i herë,
Mbasi e kuptuat atë dëshirë që më ther,
E çdo tjetër lakmi zemre më heq fill.

Fshehur sa i mbajta të bukurat mendime,
Që në prag të varrit më çuan nga lakmia,
Pashë se në fytyrë ju ndritën rreze mëshire;
Por kur ju poqi me mua Dashuria,

Flokët e artë s’pranuan më shikime,
E ata sy dashnorë nga dheu i prire.
E humba, i mjeri, atë shikim plot hire.

Për vdekje ai vel më sundon,
Në vapë e në akull kur përherë mbulon,
Të bukrit sy, e u merr atë dritë të kthillë.


Standard

Google+ Followers