Poezi nga Petraq Risto




Cili është Petraq Risto

Petraq Risto ka lindur në Durrës, më 9 qershor 1952. Ka kryer studimet e larta për Gazetari dhe një vit pasuniversitar për kritik teatri. Ka punuar si gazetar dhe libretist. Pas viteve '90 shtëpia e tij botuese "Globus R", ka publikuar me qindra libra e autorë seriozë. Është autor i shumë vëllimeve me poezi, romane, tregime etj. Librat e tij më të spikatur janë në poezi: "Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë", "Lojë shahu në shekullin XXI", "Engjëlli me virus H5N1", "Hallelulja", "Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!"; "Apo-ka-lypsi", "Miq të dyshimit" dhe para dy muajsh botoi vëllimin "Udhëtar me pluhur ferri"; romanet "Avioni 'Madam Baterflaj 9/11'", "Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek"; "Një grua me Urdhrin e Ujkut", vëllimet me tregime: "Vdekja e palaços", "Ndalohet vrasja e ujqërve", etj. 
Librat e tij poetikë janë përkthyer në disa gjuhë, kurse poezia e Ristos është publikuar në revista dhe në antologji të ndryshme në ShBA, Spanjë, Itali, Angli, Meksikë, Maqedoni, Rumani, etj.



Gjithnjë mungoj 

Unë gjithnjë mungoj: s'jam lëndë e askujt 
Pa akrepa s'mund të quhem orë 
Po duke qenë zanorja "O" 
më marrin për klithmë në therror. 

Gjithnjë mungoj si gjithë të thjeshtët 
Pa akrepa s'mud të quhem orë 
Po duke qenë shifra 0 
më marrin për plagë në kraharor. 

Unë gjithnjë mungoj, ju kërkoj ndjesë… 
Për nder të mungesave të mëdha 
Zoti krijoi Kujtesën. 


Unë dhe Hija 

Ndryshe nga çdo ditë 
sot hija më bezdis 
Unë vë kapele, e vë dhe ajo, 
Kapelen heq unë dhe hija heq kapelen 
Lulen që këpus e këput edhe hija 
Ashtu e vogël - re e zezë: 
Nga poshtë - lart 
do të nisin… shirat. 

Shi nuk bie 
po diçka m'i njomi qepallat 
Unë eci drejt 
Hija zvarritet 
në një tokë përrallash 
Përkulem dhe hijes 
i pëshpëris në vesh: 
Kur unë qaj 
Ti s'ke lot 
Dhe askush s'të sheh ty 
Kur unë buzëqesh. 

Hija vazhdon lojën e saj 
Papritmas vetëtin si re: 
Mos u anko për mua 
Jetën tënde mbi supe mbaj 
Nuk do të bezdis 
Kur të shkosh… nën dhé. 

Unë heq kapelen 
Ajo … kapelen ve… 


New Yorku pa dallëndyshe 

Në New York nuk paska dallëndyshe 
si nuk paska dallëndyshe!ë 
Ndaj qielli i New York-ut është i ftohtë 
se nën sqetullat e grataçielave 
nuk ngrenë fole dallëndyshet... 
Hap fjalorët gjeje fjalën dallëndyshe 
gjej diku një folezë me pak baltë e pak bar. 
Herën tjetër me avion do t'i sjellë dy dallëndyshe 
në Manhatan nëpër xhepa do t'i mbajë 
le të dukem pak i marrë 
le të dukem pakëz ndryshe 
veç New Yorku të mësohet 
me surprizën dallëndyshe. 
Dëbora kristaline 

Kristaline dëbora e New Yorkut 
megjithëse gatuar në qiej të ndotur, 
zbret ngadalë 
me ashensorin e tejdukshëm 
që përdoret shpesh në Parajsë. 
Dhe bashkë me të zbret dhe një kujtim 
që fare mirë mund të bëhet njeri prej bore 
të cilit i mungon vetëm pakëz prush 
për t'u kthyer në Ti. 


Ekziston një vend... 

Ekziston një vend ku gjethet përdoren për kartmonedha 
të blerta si dollarët, si floriri të verdha. 
Ekziston një vend ku gjethet përdoren për kartmonedha. 
Me një gjethe të verdhë blen një mëz prej reje me yzengji rrufeje 
me një gjethe të blertë blen një bilbil me grykën të ndezur prej këngëve. 
Me dy gjethe blen dy sy dhe një buzëqeshje... 
- Po me tre lule a mund të blejë një burrë ëndrreë 
- Jo me lule nuk blihet, me lule vetëm gënjehet. 
Ekziston një vend ku gjethet përdoren për kartmonedha. 
Me katër gjethe të verdha mund të blesh një plazh 
të populluar nga sirena. Mund të marrësh dhe një varkë 
me një pirat dhe dy vela. 
Me pesë gjethe të blerta ble gjithçka: një dallëndyshe, një bletë, 
një pilivesë me krahët si fleta: letër dashurie nga pranvera. 
-Po me dy qershi a mund të ble një kolo-vajzë gëzimië 
- Me fruta nuk blihet, me fruta vetëm gënjehet. 
Ekziston një vend ku gjethet përdoren për kartmonedha 
të blerta si dollarët, si floriri të verdha. 



Vrasja e Dishepullit 

 
Dishepulli shtrirë mbi margarita të përgjakura frymonte me ritëm amaneti 
Përreth ca zogj të zinj pa flatra shuanin kureshtjen. 
Rënkonte për t'i dhënë kuptim fjalës së Tjetrit 
fjalët shpluhuroseshin e margaritat mblidhnin supet nga pafajësia. 
Çfarë thoshte me buzët e ngrëna: grykë pusi me litarë fjalësh. 
Çfarë thoshte pse zogjtë s'kishin flatra dhe margaritat mblidhnin supet 
A mbante dheu sekrete dhe a mund të ktheheshin margaritat në tambure lufte 

Sytë e shuar donin të ndizeshin me fjalët që ia kish mësuar Tjetri: 
si të freskojmë shkretëtirën me hijet e zogjve shtegtarë 
si ti bëjmë detet të pavarur nga anijet 
si ti fitojmë luftrat pa ushtarë 
si të gatuajmë dritën pa hije… 

Asgjë nuk tha. Mbylli sytë. 
Margaritat e hajthme u mblodhën nga gjakut dhe hutimi 
Shkretëtirat prisnin hijen e zogjve, 
detet me anije hiqeshin zvarrë 
ushtarët luftrave si gjethe binin 
dhe drita te hija hapte varrin… 
-Po ju cili jeni, mos jeni ai Tjetrië... 
Margaritat e bardha si mermere varresh me sy nga unë: Pyesnin. 

Heshtja në shenjë rrespekti për Dishepullin. 


Njeriu: çantë lëkure… 

Njeriu qenka thjesht një çantë lëkure varur në supin e Absurdit 
Dy pasqyrëza sysh, një medaljon zemre dhe guri i çmuar i trurit… 
Njeriu qenka çantë lëkure dhe si çdo çantë shitet dhe blihet 
Njeriu: çantë prej lëkure ndonjëherë grabitet, pas grabitjes: hidhet. 
Disa rruaza dhëmbësh, një trëndafil buzësh dhe Çelësin e Seksit. 
(Seksi: çelës në kërkim të vrimës apo vrimë në kërkim të çelësit) 

Njeriu qenka thjesht një çantë lëkure varur në supin e Absurdit. 
Dhe si çdo çantë bredh rrugëve, lokaleve, pyjeve, aeroporteve 
Nga pakujdesia ose stresi shpesh e harrojnë në një qoshe. 
Njeriu: një çantë lëkure, e thjeshtë apo e çmuar 
Me karta krediti, çeqe, para që dridhen dhe vuajnë 
në shishka të ndryshme mendimi - fjalë të parfumuara. 

Njeriu: çantë lëkure dhe në fund të çantës: Çelësi i Seksit. 
Shpesh çelësin ia kopjojnë dhe brenda tij hyn Tjetri. 
Dhe pse tradhëton dhe pse i tradhëtuar 
Njeriu: çantë lëkure gjithë bizhutë i ndezin: medaljoni i zemrës 
Pasqyrat e syve, diamanti i trurit, madje flakëlëkura… 
Njeriu: çantë lëkure vritet për një Çelës… Gra dhe Burra. 

Njeriu qenka thjesht një çantë lëkure varur në supin e Absurdit.




Google+ Followers