Podrimja, poeti i shtetit që nuk e kujtojnë

Nga Arbër Selmani
 

“Shumë intelektualë të kalibrit të Enver Petrovcit janë zhgënjyer, sepse nuk kanë mundur ta gjejnë veten, në atë që u ofroi shteti ynë i ri. E arsyetoj atë që e ka thënë Petrovci, i cili ka mundur të jetë dhe ministër i Kulturës, apo të jetë drejtor i ndonjë teatri kombëtar. Por në vende të tilla, vijnë ata që nuk kanë aftësi, kështu që intelektualët nuk mund të merren me zënka, prandaj detyrohen t’ua lëshojnë udhën edhe mediokërve, të cilët i takojnë ndonjë partie apo ndonjë fisi të kamençerosëve”.
Kjo ishte përgjigjja që ai tha kur në vitin 2009 u pyet për Ministrinë e Kulturës dhe kënaqësinë që ai e gjen me angazhimin e saj, asokohe. Po në njëvjetorin e vdekjes së njërit ndër poetët më të mëdhenj shqiptarë, Ministria e Kulturës e kësaj kohe nuk ka paraparë asnjë organizim që do nderonte emrin e tij, madje as diçka fare simbolike, kështu i kanë thënë gazetës të premten këshilltari i ministrit të Kulturës, Shkëlzen Dragaj.
Komoditeti i tij krijues shpesh ka dalë nga zgafellja. Me vite ka krijuar në ambient të tillë, dhe më shumë rëndësi i ka kushtuar këtij komoditet, sesa atij për familjen e për jetën në përgjithësi. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare “Jeta e Re”, asokohe vetëm gjimnazist. “Lum Lumi” i të gjithë shqiptarëve ka 1 vit që nuk i qëndron pranë letrave, penës dhe mendjes intelektuale. Miqtë e Ali Podrimës kujtojnë momentet me të, një personazh serioz dhe jo i atypëratyshëm përshkruar nga rrethi, shoqëria dhe pjesa tjetër e gjurmëve serioze letrare.
“Është një humbje e madhe. Kalibri i tij krijues tek tash bie në mend, dhe tek tash mund ta ndjejmë mungesën e tij. Nuk ka asnjë emër të kalibrit të tij që mund ta zëvendësojë” thotë Ibrahim Kadriu, shkrimtar dhe një nga miqtë më të mirë të të ndjerit. Sipas tij, figura e Podrimës është emblemë e letërsisë poetike shqipe, emblemë e Prishtinës e Kosovës.
Në tubimin që Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës i bëri kujtimit të autorit dy ditë pas vdekjes në vitin 2012-të, u premtua një monument diku në qendër të Prishtinës, me simbolikën e Podrimajt. Një skulpturë ose shtatore e bukur që nga shtatori nuk u pa më në qendër të qytetit. Një kërkesë për Ministrinë e Kulturës kishte shkuar nga ASHAK-u, një tjetër në Komunën e Prishtinës. Asnjëra deri në këtë një vjetor të vdekjes së shkrimtarit nuk ka kthyer përgjigje, kështu duke e huqur lokacionin dhe financimin e projektit.
“Ai i ka caktuar vetes çdo komoditet, ka krijuar dhe askush nuk e ka menduar se atij do t’i duhej më shumë inspirim. Me vdekjen e tij, shumë njerëz kanë derdhur lot, por po të njëjtit nuk kanë bërë asgjë dhe nuk i janë afruar. Kërkesat e tij kanë qenë minimale”, vazhdon Kadriu.
“Vepra e tij do të vazhdojë të jetojë. Ai ka qenë krijues serioz, qofshin ato tri vargje ai i ka menduar gjatë, dhe ka marrë edhe mendimet e të tjerëve”, tregon Ibrahim Kadriu. Në mëngjesin e së premtes autori Visar Zhiti, akademiku Rexhep Ferri dhe Smajl Smaka, gazetar e publicist, kanë vizituar varret e Podrimës dhe Azem Shkrelit.
“Edhe në varreza janë fqinjë. I kujtuam me mall dhe bëmë homazhe para këtyre dy vertikaleve të letërsisë e të kulturës shqiptare. Ali Podrimja, për mua pa asnjë dyshim bënë pjesë në kolanën e poetëve më të rëndësishëm, më të afërt, më të dashur e më të çmuar. E kam lexuar dhe jam shoqëruar me poezinë e tij që nga vitet e mia të hershme gjimnaziste dhe s’jam ndarë kurrë nga kjo poezi. Pra, një miqësi që daton me dekada të tëra dhe kurrë nuk është ndërprerë”, thotë Smaka, i cili mbi figurën e poetit të ndjerë ka shkruar librin përkujtimor “Pavdekësia e Poetit”.
Në vitet ’80 e ’90, Podrimaj do të vazhdojë të botojë libra poetikë si “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz”, deri te dy librat në prozë: “Burgu i hapur” (1998) dhe “Harakiri” (1999). Dikush e kishte menduar edhe idenë e emërimit të një institucioni kulturor, jo domosdoshmërisht letrar, me emrin e Podrimajt, por kjo nuk duket me vend në njëvjetorin e vdekjes.
Megjithatë, sipas Gazetës Jeta në Kosovë një monument në formë të pendës i realizuar në mënyrë moderne që paraqet flakën e krijimtarisë së Podrimjes, rreth tetë metra i lartë, ka mbetur në oborrin e ateliesë së skulptorit Luan Mulliqi. Këtë monument e kanë punuar Grupi i Skulptorëve të Kosovës që, në bashkëpunim me PEN Qendrën e Kosovës, kishin kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës mbështetje për të vendosur atë diku në oborrin e Universitetit të Prishtinës.
Një libër që pas vdekjes së tij kishte ardhur për ta lartësuar, u diskutua fort në rrjetet sociale. Libri “Antologjia e dhembjes poetike – 101 përkushtime Podrimjes” nga poetët Nebi Bunjaku dhe Naim Kelmendi, nën përkujdesen e redaktorit Pren Buzhala.
“Kujtoj se është dashur të gjendet vendi i përshtatshëm në kryeqytetet ton,a në Prishtinë dhe në Tiranë, për vendosjen e shtatores së Ali Podrimjes, në këtë përvjetor të shuarjes nga jeta. Mbetet ky një obligim i Kosovës e i Shqipërisë, i vendlindjes Gjakovës dhe i Prishtinës ku e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës. Emri i tij i bën nder çdo shkolle, institucioni, manifestimi”, tregon Smaka për gazetën.
Poeti Ali Podrimja sipas mediave kishte ndërprerë kontaktet me kolegët, miqtë dhe familjarët e tij që nga data 18 korrik,derisa po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodèvei, ku do të gjendej i vdekur më 21 korrik të vitit 2012.
Ali Podrimja është marrë më tepër me poezi lirike, vargjet e së cilës ,çdo herë ishin të frymëzuara dhe të lidhura ngushtë me fatin e hidhur historik të popullit shqiptar. Ndaj, në qendër të shkrimeve të tij, poeti gjithmonë kishte qëndresën heroike kombëtare. Ndër veprat kryesore dhe më të realizuara të tij konsiderohet, vepra Lum Lumi e botuar në vitin 1982, e cila njihet si vepra më e mirë që shënoi risi edhe në mënyrën e shkrimit të poezisë bashkëkohore shqiptare në Kosovë.
*ZERI

Google+ Followers