PARADITE ME SHI - Nga Koço Kosta

 
Koço Kosta
 Dolëm nga lokali dhe befas në shëtitore na pllakosi shiu. Ai filloi me rrëmbim. Ne nxituam në trotuar dhe u strehuam nën ballkonin e një apartamenti të katit të dytë.
Pavli vërejti shokun tim, sikur të mos e përfillte fare shiun, që lëshohej me litarë të qullët atje, dy pëllëmbë më tej. Vetullat e Pavlit ishin ngjyrë bakri dhe të trasha e të dala si strehë. Nofullat e tij gjithashtu ishin të mëdha. Edhe duart. Ai qe i madh dhe ecte drejt.
Qe i moshuar, po nuk vuante nga skleroza. Bisedat nuk i zgjaste pa vend, dhe zemërohej po t'i flisje për sëmundje. Rrinte me shokët, po nuk shkonte në Klubin e Veteranëve. Jeta e tij qe e pasur dhe, kur fliste, tregonte bukur.
Ai u kthye përsëri nga shoku im që punonte si përgjegjës në seksionin e arsimit e të kulturës në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit. M'u duk privilegj që ai e shikonte drejt në sy shokun tim. Shoku im kishte cilësinë e mirë të të ndiqte me kujdes dhe të të dhuronte grugullima të qeshurash kur tregohej diçka e bukur, origjinale. Ai komunikon shumë mirë. Nuk bën poza. Pavlin sigurisht e respekton. Ai di të respektojë njeriun e zgjuar. Është inteligjent.
Pavli e vështronte drejt në fytyrën e qeshur. Unë mundohesha të ngrija mjekrën prapa shpatullave të gjera te Pavlit. Një çast m'u duk sikur gjeta tamam rastin dhe lëviza e dola përskaj shokut tim, përballë Pavlit. Pavli sigurisht që e ndjeu këtë, po shikimi i tij nuk lëvizi, s'erdhi tek unë. As ndonjë qime e gjatë, e trashë si tel ngjyrë bakri e vetullave s'lëvizi. Ai vërente diku larg, diku thellë vetes. Shikonte në ca kujtime siç duket.
Kishte treguar mjaft asosh sot në mëngjes, atje në lokal dhe tani ende s'donte të ndahej nga ato. Dukej se qe paradite me kujtime për të. Disa orë kujtimesh me të cilat zakonisht jetojnë të moshuarit.
Para se unë të ulesha në klub, ata kishin dy orë që bisedonin. Ndërsa unë kisha dy orë pa njëzet minuta që po dëgjoja.
Më shumë fliste ai, Pavli. Dhe s'qe bërë i mërzitshëm. Përkundrazi.
Mua s'mi hidhte sytë, po s'ndihesha i fyer. Jo se nuk e kam të zhvilluar ndjenjën e sedrës, po Pavli ashtu di të sillet kur njihesh pak apo për herë të parë. Dhe unë sapo isha njohur.
Sapo isha prezantuar, por e dija cili ishte. E pata njohur si fytyrë po se po, por edhe si kuadër. Madje një shoku im më pati thënë se Pavli është tepër i ndjeshëm, është një shpirt artistik dhe, kur i kujtohet ndonjë gjë e hidhur, qan. E kam parë vetë, më ka thënë ai shoku im. Egërsohet ndaj padrejtësive. E ka shpirtin të gatuar me lëndim. Ka shumë humor. Psherëtin me ditë të tëra kur lexon për jetën e mjerë të ndonjë artisti. E do artin dhe dikur ka punuar në gazetë, po i ngatërronte artikujt me figura letrare. Kur bënte shkrim për ndonjë ndeshje futbolli, ai zgjatej në përshkrimin e kuadrateve jeshile të fushës, jepte e merrte të tregonte fërfërimën e bisqeve të reja të barit. Psherëtinte që ai do të shkelej, pas pak, nga gozhdët e këpuceve të futbollisteve. Fytyra e tij s'e tregon këtë: ndjeshmërinë e hollë të artistit. Po shpirti është matanë kafazit të gjoksit. Atje është njeriu: Pavli.
Hë, ia bëri Pavli me vete atë kohë kur nxitonte nëpër shi. Pardesynë e kishte të shkopsitur dhe i tundeshin pantallonat e gjëra te gjunjët e trashë. Pikërisht atje stofi i pantallonave nxinte. Se atje qenë njomur më shumë.
Qeshi me vete dhe uli pakëz kryet. Atë çast vetullat e tij m'u dukën ngjyrë okre. Ngjyrë okre m'u dukën gjithashtu fytyra e tij dhe pardesyja. Pardesynë e kishte fare të re.
Dhe shoku im e shpuri buzën në gaz dhe frymën e gazit nuk e shuante. Unë dallova dhëmbët e bardhë të pastër të tij. Kishte ngritur ashtu çarkun njerëzor të buzëqeshjes dhe priste diçka të mençur nga Pavli. Unë gjithashtu. Prisja në heshtje. Bjer, o shi, bjer! Bjer, që të rrimë këtu, nën këtë ballkon të qetë dhe kështu të kemi kohë të gjatë që të dëgjojmë të rrethuar nga litarët e shavartë të gjithandejshëm të shiut.
Ngaqë më pëlqente fjala e atij njeriu, e vëreja te goja.
Pavli tundi kokën tutjetëhu dhe shikoi përgjegjësin e seksionit të arsimit. Dhe i tha:
- Të kujtohet Ziveri, ai që ka qenë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit?
- Si jo! - klithi nxitimthi përgjegjësi i seksionit të arsimit.
- Edhe ky muhabet që do zë tani, prapë me popullin vërtitet. He! Të peshon populli! Ti shin dhe e harron atë dhe kujton se u shkëpute, u ngjite, s'varesh më prej tij. Kurse ai të flet, ti s'e degjon! Ai të gjykon, po ti s'e beson këtë. Ai të var hejbet, atëherë… të shkarkon. Siç ia bëri edhe atij biçim Peposh Buzbatit, që u madhua dhe hiqte barkun osh.
Heshti një çast Pavli. Shiu nuk rreshtëte: rizonte aty më tej: shu, shu, shuuu!
- Hë! - shfryu shoku im i seksionit dhe lëvizi kryet me kuptim. - Hë! Po të harrosh se në krye është populli, di ai ç'të punon pastaj. Mjerë kush e mendon atë në gjumë apo në gjunjë!
- A, të lumtë! Të lumtë goja, mendja! - thirri Pavli.
Një sekondë më qe kujtuar vetëtimthi ekipi dhe pastaj shkarkimi i menjëhershëm i Peposh Buzbatit dhe ekzaltimi i mjaft njerëzve të qytetit pikërisht për atë shkarkim që bëri plenumi. Ekipi nga lart pyeti popullin apo populli tha:
Dëgjomëni!?
Paçka.

1

Pavli u koll. E vështrova në fytyrë. Fytyra e tij qe bërë e munduar dhe ai nuk shikonte nga ne të dy.
Tha:
- Më kujtohet. Para ca kohësh, akoma s'qesh transferuar në Tiranë, më vjen ndër mend tani një fshatar nga kooperativa e Alikajt. (Atëherë këtu në rreth qe kryetar i Komitetit Ziveri). Ktheva udhë dhe thashë të pija një kafe me atë fshatar. E njihja ca. Qe fjalëpak. Gjerbte kafen dhe e shpumë muhabetin te punët e fshatit të vet: Te kooperativa. Ai fliste shtruar, pa u ngritur dhe çikë e nga një çikë më llafosi shkoqur për fëmijët dhe e zgjati tërë bisedën te halli i tyre. Te halli më i madh: Nuk i kishin mbarë punët në ekonomi. Hiç s'i kishin mbroth. U shqetësova dhe, pasi iku, atje më rrinte mendja. Sikur ai qerrata fshatar, ashtu i heshtur e i pabujshëm, të m'i kishte ngulur me gozhdë tërë fjalët që më tha atë paradite. Si e solli dhe e la shqetësimin!
Edhe natën, sa orë s'fjeta.
U ngrita të nesërmen dhe ngjita shkallët e Komitetit Ekzekutiv dhe trokita te dera e kryetarit, të shokut Ziver.
Ç'kemi, tha shoku Ziver dhe doli nga tavolina dhe u ul pranë meje, në kolltuk. Ç'kemi, tha dhe përplasi pëllëmbën e vet te shpina e shuplakës sime.
Ç'të kemi, i thashë dhe ngrita supet. Ai nuk e hiqte pëllëmbën nga shpina e shuplakës sime.
Po hë, tha.
Dje takova një fshatar me mend nga kooperativa e Alikajt, i thashë.
Bukur! Dhe?
Dhe llafosa me të për punët e tyre.
Dhe?
Unë e lëviza krahun dhe kupa e pëllëmbës së dorës së tij iku. Ai zgjati krahun, rrëmbeu paketën dhe ndezi cigare për vete.
Dheeee?!…
Dhe?!
Ai ia bëri: D h e ?! sikur në atë mënyrë të më thoshte: Se nxitoj.
Dhe gabove, shoku kryetar, që para ca ditësh fole në Plenumin e rrethit dhe e sigurove atë se duhanin do ta realizojmë.
Do ta realizojmë, doemos, gati sa s'thirri kryetari.
Ju gabuat.
Qysh gabova?
Gabove, i thashë dhe trupi më dridhej.
A ishe në bazë?
Po, i thashë.
Ishe në Alikaj?
Jo, i thashë.
Ishe në bazë, po ku?!
Te një fshatar me mend.
Ku?
Në kafe, këtu në qytet.
Paske qenë në bazë!
I besova atij fshatari, thashë. Nuk mund të mos i besoja.
Unë isha vetë direkt në bazë, tha. Shkela ato dhera me këto këpucë. Isha vetë dhe pyeta njerëz të popullit, dhe ata më siguruan se planin do e zënë e do e tejkalojnë. Unë i besoj popullit dhe jo atij fshatari kafenesh.
Edhe unë… Ai fshatar s'është…
Unë s'merrem me thashetheme lokalesh, tha gati i zemëruar.
Ai fshatar s'kishte ardhur që të bënte thashetheme, as që të më takonte mua. Biseda jonë doli ashtu natyrshëm, pa nxitje.
Duhet të dish të komunikosh me popullin, tha kryetari.
Qe i vendosur, i bindur dhe ma preu shkurt, me një mënyrë si pakëz konfidenciale. Po në fakt ndjeva se si m'u skërmit si macja mbi zorrët.
Une heshta dhe mendohesha. Më gërryente përbrenda.
Ai më tha anglisht oll rajt, domethënë në rregull. Dhe pastaj gud bai! Sa herë që pushtohej nga siguria e suksesit, përdorte këto dy shprehje anglisht. Vetëm aq di. Vetëm aq!
Gud bai, gud bai, ia bënte sikur të më thoshte: Mos u pafshim, mos u pafshim!
U ndamë.
Unë dola përjashta si hu.

2

Vazhdonte të më grryente përbrenda.
S'kaloi një javë dhe sajova, dhe nisem e vete në atë kooperativë për një punë të zyrës sime. Takoj atje Rapi Krokën. Të gjithë i flisnin xha Rapi dhe unë çuditesha pse i flisnin ashtu, me atë x h a përpara emrit. Atëherë ai s'ishte thyer akoma në moshë. Po ashtu i thërritnin. Ku i gjendet popullit! Mbase i flisnin ashtu pikërisht se u pëlqente që ai ishte aq i urtë, aq i mençur, tërë përvojë. U dukej them. Qerrata fshatar!
Dhe takova Rapi Krokën, pra.
- Do vërdallesh këtej sot? - më tha ai me një lloj ironie të këndshme. - Vërdallu! Ajër plot, i pastër. Ka mbetur edhe ca zabel atje tutje. Mot do ta presim për dru zjarri; do hapim edhe tokë të re. Shko prehu ca dhe mendohu për ne. Që të na shtyni akoma përpara! Uratën, uratën marrçi, biro!
Unë e vëreja drejt, po ai dukej si i pafaj, si leshko. Sikur më dhuroi aq sa mundej; atë copë zabel! Sikur e kishte dëshirë e shqetësim të shlodhesha. Se duhet të mendojmë për ju! Nuk besoj ta kem gabim, unë i shkreti!
Fliste kështu ajo fytyra e tij si fytyra e një fukarai që përgjërohet para njeriut të zyrës.
Sytë s'ia ndaja nga fytyra. I thashë:
- Do vërdallem, xha Rapi.
- Vërdallu, evlat i lodhur, i munduar, vërdallu!
Ai fliste kështu me belbëzime dhe sillej në të njëjtin truall, në një metër katror vend.
Pastaj ngriti krahun, më tregoi ballas pëllëmbën e dorës së djathtë, sikur të thoshte: Ja, shiko, lexo këto vija të ngatërruara. Jeta jonë!
Dhe bëri një gjest sikur goditi me shpatë:
- Hajt, pra!
H a j t, p r a! qe barabar me atë Mirupafshim!, po me një mirupafshim të thënë nga xha Rapi i Alikajt.
Dhe iku. Iku duke thërritur me zë të lartë, gati sokëllimë. Porosiste që ta dëgjonin në shtëpi të vet, që ata të nxitonin të bënin gati drekën t j e t ë r, të hidhnin mbi çati dy kokë pulash. Se mbërriti m i k u: Do hanim e do kthenim ca gota.
S e n u k i h a r r o j m ë z a k o n e t, s' i s h k e l i m d h e b ë j m ë f e s t i v a l e, thoshte ai.
Dhe ikte. Ikte duke bërbëlitur. Jo, Rapi Kroka nuk bërbëliste. Ai hidhte fjalë dhe i gozhdonte. Po.
Ktheu njëherë kokën nga unë dhe thirri:
- Ajo është shtëpia ime. U firasëm sa e ngritëm dhe shih si duket, si e veshur me margaritarë, si nuse. I dallon qeramidhat e kuqe flakë? Brenda dyer e oxhak i kemi lyer me bojëra. Vilë, vilë! Eja!
Nxitoi përsëri. Unë e dalloja atë dhe shtëpinë drejt së cilës shkonte. Qe shtëpia e tij e re. I kishin hedhur çati të bukur të mbuluar me tjegulla të kuqe marsejeze, siç i quajnë. Dhe dritaret dukeshin si zogj të bardhë. Dukej që sapo kishin përfunduar, po murin e jashtëm rrethues e kishin lënë përgjysmë.
Rapi Kroka u shfaq sakaq tek oborri i shtëpise së bukur njëkatëshe.

3

Pas dy orësh takohem prapë me Rapin. U ulëm në hyrje të fshatit, mu buzë udhës tek kalonin qerret apo makinat, po të vinin. Mbrapa krahëve dhe përballë, matanë kanalit, preheshin parcelat e mëdha me bimët e duhanit.
- Shtëpi të bukur si vilë ke ngritur, - i thashë.
- Me djemtë, - tha. - Dhe me gjithçka. Me pikën e fundit, djalooo!
- Një pallat si ky të rehaton, - i thashë.
Ai nuk më shikoi. Vërente përtej, tek oxhaku i shtëpisë, ngriti krahun, hapi pëllëmbën dhe qëlloi barkun e tij me të. E qëlloi fort, dhe s'foli. As une s'fola. S'dija ç'të thosha!
Ai nisi të këndonte sikur të ishte vetëm:

S h t ë p i a m b u l u a r m e q e r a m i d h e,
m' u b ë b a r k u a g u r i d h e.
O x h a k u l y e r m e b o j ë,
ç' m u t t ë f u t ç n ë g o j ë?!

Ra një heshtje si beton i ftohtë.
- Eh! - ia bëri ai.
Unë s'fola.
- Ja! - tha pa treguar asgjë ku të shihja.
Une prapë s'fola.
- Bëj një cigare nga kutia ime, - më tha dhe u ndie i lodhur.
Sikur qe bërë tjetër njeri. Në mënyrën si fliste, sikur diç bluante përbrenda.
Heshtnim dhe lëshonim tym duhani nga goja dhe nga hunda.
- O Rapi, - i thashë pastaj, - si duket duhani? Do ta zini planin, do e tejkaloni?
- Shih e shkruaj, - belbëzoi ai.
- Unë nuk jam i tokës, - i thashë. - Une s'di të çmoj kështu.
- E, mirë, pra: me duhanin jemi në diell.
- Qysh në diell?
- Nuk e zemë planin. Të shohim të arrijmë gjysmën.
- Jo, oreee!
- Dava e gjatë, - tha Rapi sikur përpiqej ende të përzinte një mjegull mushkonjash që gjithsesi s'kish mundur t'i hiqte qafe.
- Shkurt, edhe me duhanin jemi për ibret, - tha prapë ai. - S'kemi gjë në vijë. Ja, kështu.
- Me kompetencë flet?!
- Me kokë, - tha dhe zgjati qafën, dhe e goditi zverkun me pëllëmbën e kthyer si thikë.
Ai nuk foli me ironinë e tij karakteristike dhe ngjyra e fytyrës dhe e lëkurës së zverkut i ndryshoi: Po i skuqej. Dhe sikur s'donte që të flisnim më për duhanin. Vetë qe i bindur për atë që tha dhe s'dëshëronte të lodhej me njerëz që s'donin të lexonin apo që nuk dinin të shihnin. Dhe unë s'dija ç'të thosha! Ai Rapi atje, në atë fshat, foli fare qartë.
Pas atyre fjalëve të tij u shtri heshtja. Po shyqyr, në atë heshtje, ia brofi tek udha më tej një automobil. Ai vinte me nxit.
Një çikë më pas automobili ndaloi aty afër dhe prej tij zbriti kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Ziveri, shoku Ziver. He!
Më takoi Ziveri, po s'm'i hodhi sytë. Rapin e Fshatit e përqafoi me përzemërsi. Si je, xha Rapi? i thërriste me brofullime. Si je, bre xha Rapi?
Të tre rrinim në këmbë. Ziveri u kthye nga e majta dhe brodhi sytë nëpër parcelat e duhanit.
Pastaj vështroi drejt xha Rapin dhe tha:
- Po hë, ç'na thua, xha Rapi?
Xha Rapi e shikonte drejt me ata sytë e vegjël dhe s'i ktheu përgjigje. Atëhere Ziveri zgjati krahun e majtë, i mblodhi tërë gishtat, me perjashtim të gishtit tregues. Gishtin tregues e vuri në punë: e levizte sikur ia tundte dikujt përpara hundës.
- A do ta zemë planin e duhanit, xha Rapi?
Pyeti keshtu Ziveri dhe s'e lëvizi më gishtin tregues në drejtim të hundës sime.
- Si dy e dy që bëjnë katër, - thirri xha Rapi. Ai u përgjigj shpejt. Shumë shpejt. Shkoqur dhe me besim.
Unë?! Unë… barazi pikëpyetje, pikëçuditëse. Pikëçuditëse, pikëçuditëse. I ngrirë!
- Do ta realizojmë? - pyeti përsëri Ziveri dhe u ndie menjëherë në qenien e tij tërë dëshira, siguria, besimi që patjetër do të dëgjonte të njëjtën gjë: Do ta realizojmë!
- Patjetër, - bërtiti xha Rapi.
- Se ti je i baltës, i fshatit dhe e parakupton gjendjen, - tha Ziveri duke vazhduar të pushtohej nga afshi i vetëkënaqësisë. Dhe i njëfarë ambicieje. - Je baza ku ne mbështetemi dhe marrim forcën, - thirri Ziveri si të thoshte: Pikë, fund.
Unë qesh bërë hutim, doemos. Dhe përmes mjegullës së hutimit mundohesha të dalloja Rapin. Rapi Krokën e Alikajt. Dhe dëgjova sërish fjalë të tjera, që ai Rapi po ia thoshte kryetarit të Komitetit! Fliste burri?! sikur unë të mos ndodhesha atje! Sikur fare, pak më parë, ai vetë të mos kishte qenë pranë meje i ulur dhe të thoshte me atë gojë të mbushur me llafe që nuk mund të mos i besoja. Ai më tha: "Me duhanin jemi në diell." Ndërsa tani i thoshte kryetar Ziverit:
- Edhe tejkalimi do të jetë i madh.
Qenë fjalë të ngarkuara me bindje. Ndaj mund të më binte pika!
- Edhe tejkalim! - vazhdoi Ziveri dhe fjalën tejkalim sikur e veçoi, e afroi te buzët, pastaj e përmblodhi të tëren dhe e gëlltiti. Se qe e tij. Është e imja! Edhe tejkalim!
- Edhe tejkalim, - qëlloi me shpatën e bindjes Rapi.
- Të lumtë!
- Të paçim! - i tha xha Rapi dhe sikur i shikonte me përgjërim kapakët e syve të kryetarit. Se mos ata kapakë dhe… Mos!… se mos uleshin ata kapakë! Mos!
Ziveri u kthye nga unë dhe më tundi kokën, më rrahu supin si me qesëndi, tamam sikur të isha kalama dhe mërmëriti:
- Ulu gju më gju me k ë t a . Që t'i ndjesh, që të kesh bindje dhe optimizëm. Hajt! Gud bai!
Une qesh ngrirë.
Sakaq kryetari i Komitetit Ekzekutiv përqafoi xha Rapin, nxitoi, pastaj, tek automobili dhe makina iku mbrapsht. Po veglat e motorit kërcitën dhe ajo ia beri gërr, pastaj ndaloi. Kërciti dera përbri shoferit dhe në udhë zbriti përsëri Ziveri.
Ai u çapit pak më tej, buzë xhadesë. Përpara kërthizës së dalë, përposh ishte kanali që shoqëronte xhadenë. Matanë, anash kanalit, ecte e vetme një grua si nja dyzet vjeç. Ajo kishte lidhur kryet me shami të bardhë, qe e bëshme si e rrumbullakët në tërë trupin dhe këmbët i kishte të trasha. Ecte në punë të vet, kokulur, sikur të kishte ngarkuar në shpinë mërzi dhe ngjante ashtu si të kërkonte diçka që e patën humbur prej kohësh.
- Shoqe, mirë jeni? - i thirri Ziveri asaj.
Ajo ngriti kokën dhe e shikoi. Nuk foli.
- Mirë fshati? - i tha përsëri kryetar Ziveri.
Ajo lojti diçka kryet nga ai pozicion i ngrirë pothuaj. Dhe shikonte përhumbur automobilin.
- Bukuri, - tha ajo pastaj. Foli sikur mërmëriti, po dëgjohej shkoqur.
- Si duket duhani?
Fshatarja ngriti edhe pakëz mjekrën dhe hija e shamisë së bardhë iu ngjit më lart.
- Bukuri, - tha sërish.
- Ju lumtë!
Fshatarja nuk foli.
- Domethënë do ta zini planin?
- Me tejkalim, - tha ajo lehtësisht, pa u menduar.
- Bravooo!
Fshatarja s'tha gjë tjetër.
- Bravooo! - tha përsëri Ziveri ynë.
As pas kësaj bravo, nuk foli ajo.
- A kemi nevojë për gjësendi? - pyeti Ziveri. - Ju, fshatarësia?
Fshatarja shikoi një grimë me vëmendje. Vetëm një grimë të vogël. Pastaj vështrimi i saj ra poshtë te kanali që ndodhej midis. Lëvizi kokën, qerpikët iu përpëlitën dhe buzët e trasha të plasaritura iu hapën:
- Cuk!
Tha cuk dhe kryet e saj me shaminë e bardhë te flokët lëvizi si me përtesë tutjetëhu. Ashtu mund t'i lëvizte vetëm një memece. Po, ata janë njerëz që flasin me pak fjalë. Tamam. Apo s'është kështu?
- Njerëz kokulur, të thjeshtë, - mërmëriti Ziveri atje buzë xhadesë. - Kështu pra. Mirupafshim! - dhe nxitoi çapet për te makina.
Ajo i dërgoi një fjalë me pëshpëritje.
- Vafsh!
Dhe u çapit në po atë drejtim, me kokën ulur, sikur të vazhdonte të kërkonte diçka të humbur në dherat e saj të përjetshme. Atje, në atë baltë, diçka… Pak më tej, fare pa u ndier, sikur mbiu një vajzë. Ajo u afrua dhe vithet i tundeshin si pelkë. Afrohej si mace, sepse macet vijnë kur nuk i thërret. Ndaloi dhe vërejti kryetarin dhe automobilin e tij, që e priste dy metra më tej. Ajo vërente palëvizur, tek fillonte e shkara e kanalit. Dhe nuk fliste. Sytë e saj kishin pamje te epshme, po egërsia gjithsesi s'u shkonte atyre syve.
- Mirë? Mirë jeni? - begenisi e i foli edhe asaj kryetari ynë.
Po ajo s'i ktheu përgjigje. E vërejti ngulshëm, pastaj ngriti krahun e djathtë dhe tundi pëllëmbën e vogël sikur donte ta niste për të vazhduar fluturimin që të sosej sa më parë. Sikur po i kujtonte kryetarit atë: qytetin, zyrën: Ik!
Dhe nuk foli. Nuk nxori zë.
Kryetari mendoi se ajo s'dëgjonte mirë, ndofta, ose se s'dëgjonte hiç. Ndaj i bëri shenjën shoferit. Dhe te makina kërciti diçka.
Bubulliu motori dhe automobili iku.

4

Iku. Kapërceu shpinën e udhës dhe pluhuri po davaritej. As zhurma e motorit s'ndihej më.
Unë atëhere ktheva kokën me mundim që të shikoja Rapin. Xha Rapi Krokën.
Kisha frikë ta vështroja. Për nder, kisha frikë unë që ta shikoja. Paçka se ai më kishte borxh: mashtrimin.
Rapi Kroka sikur vrojtonte ende andej, tek humbi makina me Ziverin. Shikonte pa ndonjë interesim, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Pastaj hoqi çapet osh, u kthye mbrapa, buzë ledhit, dhe… U ul.
U ulëm tek kishim ndenjur ca më parë.
Ai vazhdonte të sillej sikur të mos kish ndodhur asgjë. Unë qesh ende i shushatur. I tëri i shushatur!
Që tej, matanë kanalit, foli ajo fshatarja:
- Mirë jeni, xha Rapiii?
- Dhe xhevap? - i tha Rapi Kroka.
- Fët, - briti ajo si me klithmë.
- Fare mirë, - i tha Rapi si usta i regjur.
Ata ngjanin si komplotistë!
- Mbeç! - tha ajo dhe iku bup, bup, duke nisur përsëri seç të gjurmonte atje nëpër baltërat e anëskanalit.
U bë e atillë heshtje që s'e thyeja dot. Nuk guxoja të ngrija sytë e të shikoja Rapi Krokën. Rrija si qen i stropatur, megjithse ai qe mashtruesi i pacipë, por unë qesh gremisur tani në një gjendje të nderë shpirtërore. Në kokën dhe ndërgjegjen e atij Rapi Krokës kishte pasur vend për dy lloj fjalësh, për dy lloje mendimesh. Ajo që fliste nën kafkë gjëra konkrete dhe tepër shpejt i këmbente ato, i përzinte dhe ulte atje të tjera gjëra konkrete. Dhe të tjera më vonë. E të tjera! Etj!
Shikova matanë te parcela. Ajo vajza e re, me vithet si pelkë, u largua sikur po avullonte dhe unë u zbraza ende, se m'u duk që me të iku tërë bukuria e botës. Ikte duke kënduar, po sikur këndonte për vete dhe s'na ndihte që ta shkrinim murin e ftohtë të heshtjes.
- Si i ke femijët? - me pyeti sakaq Rapi Kroka. Ai foli krejt natyrshëm.
E pashë drejt në fytyrë kooperativist xha Rapin dhe mendohesha. Mendohesha.
Ai nuk tutej.
- Lëri fëmijët, - i thashë pastaj.
- Qysh t'i le? Po ke evlatë, per evlatët do të të pyesim. Edhe për bagëtinë. Në paç.
Prapë unë bëra heshtje. Qe heshtje e mundimshme ajo. Pas pak, shfryva me zhurmë e psherëtimë, se kisha harruar për ca çaste frymëmarrjen, më duket. Dhe thashë:
- Ç'qe kjo, Rapi Kroka?!
Fola i ngarkuar me natë, me zillëk. Zemërimi aty e kishte fundin.
- Ç'qe kjo?
- Ç'pate, i bekuar?!
Tha këto fjalë Rapi Kroka dhe ngriti supet vërtet i habitur. Dhe unë, ashtu, duhej të hidhesha në erë, të shpartallohesha nga habia. Të shpartallohesha!
Më kishte mbetur goja hapur dhe flladi më ngjiste pluhur nga xhadeja në grykë, te qiellza, te gjuha, te nëngjuha. Dhe buzët përthaheshin dhe mbeteshin pa lëng. Sytë më kishin ngrirë hapur përpara atyre kthetrave të befasishme të kooperativist Rapi Krokës. Rapi Kroka më kishte ndjellë në shteg dhe unë, tepër naivtar, i qesh afruar?! Ai kishte buzëqeshur dhe e kishte lëshuar tufën e uritur të korbave. Tani korbat qenë ulur te qerpikët e mi dhe shpupurisnin krahët e zez dhe pastronin sqepin. Shpirtin e kisha ngjitur te bebëzat që të dalloja më mirë. Shikoja korbat e pamëshirshëm që ishin gati të më shqyenin me sqep. Të më çukitnin. Të më gëlltitnin copacopa shpirtin, synë, mëlçinë dhe… Dhe trurin. Dhe gjaku të rridhte çurkë.
Isha bërë batall, po pikërisht atë çast, nga më të vështirat në jetë, hyri tek unë vegimi i mbesës. Ajo më ftohu me ujë te sytë dhe unë u zgjova. Shkunda kryet dhe e ndjeva e erdha prapë në botën reale. Atje tej gjethet e vogla të duhanit i lëvizte era, dhe më ngjau sikur ato ushtronin krahët që të nisnin fluturimin.
Kurrë s'do të fluturoni, thashë me vete. Kurrë!
- Ç'qe kjo? - i mërmërita Rapi Krokës. - Ç'i the ashtu kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit?
- E ngarkova, - tha ai qetë. Foli ashtu fare qetë.
- Qysh e ngarkova?
Po Rapi Kroka dridhte duhan me nge. Qe ai! I zhbëri! U mundova prapë t'i qetoja nervat e cingrisura dhe prapë i fola:
- Çfarë i the kryetarit të Komitetit për planin e duhanit? Për realizimin dhe tejkalimin?
- Ato që të dëgjuan veshët.
Përgjigjja e tij, gjendja e tij ato çaste ia kalonte qetësisë homerike. I tmerrshëm!
- Po mirë, o Rapi Kroka, ç'më the mua ca më parë? Ca minuta më parë?
- Ato që të fola, - belbëzoi ai.
- Çfarë?
- Ç'dëgjove, të thashë.
- Po unë dëgjova të tjera gjëra!
- Po të tjera gjëra të thashë.
- Ashtu?!
Rënduan kthetrat e një korbi të xhindosur qerpikët dhe dy prej tyre u larguan. Psherëtiva i dërrmuar.
- Ashtu?
- Ashtu, - tha.
- Se të tjera gjëra më the?
- Se të tjera gjëra të thashë.
U shkundën qerpikët dhe të tjerë korba u trembën. Ikën. Mora frymë thellë dhe m'u duk se atje lart, nga kthetrat e tufës së korbave pikonte gjak korbi! Pikonte gjaku i tyre tani.
U shkunda dhe erdha prapë me mundim në vete.
- Po qysh…, pra?! Qysh?!
Lëvizi në vend Rapi Kroka dhe sytë e tij u bënë të egër.
- Mblidhni veten! - klithi pastaj. Ai foli sikur t'i thërriste tërë tubimit. - Mblidhni veten dhe mos u dukni fshatrave, si të fandaksur! Sa për duhanin: duhan nuk ka. As gjysma e planit s'bëhet. Nuku!
- Po ti, Rapi, the…
Unë s'e mbarova mendimin, se ai u ngrit me rrëmbim, kërceu kanalin, nduku matanë një rrënjë duhani, e solli dhe filloi të numëronte gjethet dhe të më shpjegonte ca gjëra shumë të qarta. Gjethet qenë të vogla, jeshile, tepër të errëta.
- Ja, - tha ai, - ja, me këto gjethe nuk zihet plani! Nuku, oree! Nu-ku!
- Po cilin gënjeve, de?
- Atë.
- Pse kështu, Rapi Kroka?
- Se ju shpikët Ziverin dhe ne gjetëm këtë mënyrë për të biseduar me të.
E vëreja i nemitur. Ai shikoi lart në qiell dhe tha, foli sikur te ishte ajo e folur tërë ulërima e kombit:
- Perëndi, pse na ndëshkon duke na dhënë Ziverë të tillë?
Dhe i mbante krahët hapur, me pëllëmbët e kthyera nga kupa e qiellit. Pas një çike, sikur u shfry, u tret dhe mërmëriti:
- Atje tej, te qendra e fshatit, ka qenë xhamia. Tani s'është, se e prishëm. Po ka që shkojnë fshehurazi. Çdo ditë e më shumë. Eh! Se kërkon njeriu të qajë hallin. Te Ziveri të hapet? Ai do t'i zgjidhë punë? Dhe ata venë te xhamia. Mbase s'besojnë, po venë. I dërgon Ziveri. Po, pra, Ziveri!
Heshti pak Rapi Kroka dhe, sikur kuvendonte me baltërat, mërmëriti:
- Pse kështu Ziver Dama? Ziverër, pse kështu, o shoko?! O i nderuari kryetar i Komitetit?! Pse? He!
Dhe m'u drejtua mua me të shpejtë e rreptësi Rapi Kroka. Dhe më tha:
- Dhe tyja, mos më thuaj mua: Pse kështu? Pyet fshanë të tërë pse?
Ai fliste me rrëmbim dhe fjalët i lëshonte si plumba.
Thirri:
- Pyet mbiemrin tim që mbeti K r o k a! Krok. Pyet… Pfuuu!
- Qysh të pyes tërë fshanë, qysh?!
Po doja të qaja! Do të më bënin mirë lotët.
- Pyet atë grua që iku, - tha Rapi Kroka. - Pyet atë këngën që ia tha vetes ajo vajza e re që iku. Kërkon të drejtosh njeriun? Drejton i urti, i dituri. Drejton njeriu, punëtori, e jo horri. Dhe njeriu siguron edhe qumësht, edhe mish e duhan, etj. Dhe ushqehet populli mirë dhe bëhet më i bukur, më bujar, më pak dinak dhe i bëhet turp hajdutëria. Bëhet i ndershem dhe me plot këngë. Zuzari vështron për vete. Pastaj, o djalë, ti vetë, që atje ku ke zyrë, pse kërkon të të mashtrojnë? Do punë? Ec të punojmë. Vetëm i dituri i ndershëm s'i hap vend zuzarit, Ziverit! Hë!
Unë duhej të isha katandisur për t'u dhimbsur. Në gjak më hyri tronditja.
- Po në fund, - mërmërita, - në fund, kur të bëhet magazinimi?
- Ne fund del hileja, - tha ai.
- Qysh?
- Qe s'realizohet plani.
- Qysh?
- Qe njeriu i dheut s'i shtëmënget punës, po që nuk ka organizim. Dhe kritikohemi që s'u arrit plani.
- … ?!
- E kanë gjetur! Se kështu kritikohemi vetëm një herë në fund të vitit. Ngrihemi e themi që duhan kishte, po s'ra shi dhe s'u rriten gjethet, s'bëri diell tamam kur duhej dhe s'u poq fleta, dhe ra kualiteti. Ja, kaq. Dhe pastaj: "Viti që presim, ky vit, po ky do të jetë i mbarë, nuk diskutohet." "Mos e diskuto!"
- Pfiuuuu! Unë s'kuptoj. Rapi: Pse nuk e thoni, që kur e ndieni se plani nuk do të realizohet?
- Hë! Se jemi puthur herët me ca nga ata zotërinjtë tuaj të qytetit që u ngrihet mendja e shkulen nga zyrat dhe vijnë e bredhin këtej për hava. Vijnë të na ndihmojnë konkretisht medemek! Dhe, po t'u thuash të vërtetën, zemërohen, bëhen si të tërbuar e të kruajnë zorrët me kritika. E kemi provuar ne, ahu! Po ç'do, mor vëlla, prej nesh? Na keni thënë: "Kohë fushate në pranverë, oburrani nisni punë menatë!" Menatë njeriu këtu në fshat. Pëlcet fushata e stinës së verës, e dimrit dhe punëtori nuk kursehet. Po organizimi? Beter! Se kështu i kolektivizuar organizimi duhet edhe më i lartë, doemos. Kurse ata që duhet të organizojnë punën e mallin fshihen për drekëra e darkëra. Se ende nuk ngrihen të aftët në krye, djalooo! Se i besohet drejtimi atij Ziverit tënd atje në Komitet! Po Ziveri gënjen dhe beson edhe vetë tani, pas kaq kohe, me këtë detyrë. Apo e gjeti mënyrën të ruajë vendin dhe kështu? E lodhi automobili dhe e dhjami rëndë bagazhi i asaj makine, hambari lëvizës. Ah, ato bagazhe na bëhen ëndër natën, na kanë bërë me hije! Për të rrëmbyer janë ato? Për të na vjedhur, ja. Tani Ziveri ynë do gënjeshtra dhe ende s'i ngarkojmë dot drutë si i do mushka. Dhe ai e ka zgjidhur: Kritikohet vetem një herë në fund të vitit. Kështu e kapton hendekun. Po mirë, ja tjetra: Pse ta genjej unë Ziverin? Pse të thotë kryetar Ziveri: "Më gënjyen?" Si e gënjejnë? Po pse është ngjitur atje ai? Pse e kemi ngjitur? Që të kuptojë. Unë duhet ta pyes atë e jo ai mua. Kush i tha atij të harrojë popullin? Kush i tha të thyejë brinjët duke shkruar raporte me gënjeshtra?
Po do e gjejë kokën e kandilit. Atij i duket se është në krye dhe s'e arrijmë dot. I duket se e ka të vetën atë zyrë përgjithmonë. S'kujtohet të kthejë mendje prapa e të sjellë nëpër mend se janë rrokullisur koka pashallarësh. Shaka e rëndë, shakaja me jetën e popullit, biro! Kujton ai Ziveri se ne, edhe në u zemërofshim, e bëjmë këtë furtunë prej zemërimi vetëm rrotull shtratit apo oxhakut tonë. Do të shpërthejë ky zemërim, dhe do të trokasë si duhet, dhe Ziveri s'do të jetë. Ne po.

Kaq foli Rapi Kroka dhe ngriti mjekrën, ngriti krahun, më qëlloi me shuplakë te gjuri dhe e la atje pëllëmbën. E la fare miqësisht.Dhe fytyra iu bë e qeshur.
Unë u bëra i menduar dhe vështroja brenda vetes edhe Rapi Krokën, edhe atë gruan dyzetvjeçare, edhe atë vajzën që iku përmes parcelës dhe këndonte. Shikoja me sytë e mendjes buzë njerëzish që më flisnin. Ëhë, thashë me vete, tërë ky popull sikur e përfytyron Ziverin si një hu, si një kokë prej druri të cilën mund ta qëllonin me atë përgjigje. Nuk i thoshin oll rajt apo gud bai, por: Vafsh!
Njëlloj sikur t'i thoshin: Thefsh këmbën!
- Dhe Ziveri… Ou, s'ka me shi!
Vërtet shi nuk binte më. Befas një korridor i madh i qiellit qe çarë dhe që andej lëshohej me vërtik shi i bukur i gëzueshem i rrezeve të diellit. Rruga, qyteti, sikur dolën befas nga shiu. Befas, sepse ne ishim përqendruar te fjalët e Pavlit dhe s'shihnim ç'bëhej më tej apo lart.
U bë diell.
Përqark filloi te ziente: lëviznin qytetarë dhe vargu i gjatë i shkollarëve dhe shkollareve të zhurmshme. Një grup i tërë piktoresk fytyrash të qeshura.


Kishim dalë papritur nga shiu i paradites.


Google+ Followers