Orgjia e planifikuar - Nga Laure Adler*

Laure Adler

Vajza të reja perverse u kushtohen ëndjeve të librave të ndaluar dhe vuajnë nga molisje të pashpjegueshme. Të rinj hipokritë fshihen përfund fjetoreve të liceve për t`iu dorëzuar kolektivisht punëve të turpshme të ndyra. Përpara altarit, e sapomartuara e re mendon me frikë për natën e parë të gabuar të dashurisë. Baballarët shesin vajzat e tyre duke ia ngritur në qiell virgjërinë e tyre borgjezit të parë të ardhur, dhe njerëzit siç duhet numërojnë numrin e dashnorëve dhe dashnoreve të nevojshme për të bërë punë të mirë.
E gjitha nuk është tjetër veç një mashtrim, ves e turp. Moralistët lodhen së dërdëllituri maksimat të cilave nuk u beson më askush, as vetë ata, dhe dhomat e gjumit kumbojnë nga gjëmimet e shurdhëta të miliona të rriturish.
Kjo ngaqë jemi në Qytetërim. Dhe dashuria në Qytetërim është kulmi i hipokrizisë. Qytetërimi është mbretërimi i vesit; etapa e pestë e rendjes së lëvizjes shoqërore, etapa nga më kaotiket, që shenjtëron inferioritetin e gruas, por fatkeqësi kalimtare prej të cilës do të shkarkohet duke u futur në Harmoni. Harmonia është kjo bota e re, që do të zgjasë 35 000 vjet, ku marrëdhëniet mes qenieve do të jenë të çliruara prej çdo hipokrizie. Do të hapet në etapën qendrore, në më të mrekullueshmen, ku lumturia do të ketë një shije tjetër dhe ku magji të pakuptueshme do të shfaqen.
Furier, në agun e shekullit të XIX-të, do të jetë i vetëm për të klithur urrejtjen e tij për mashtrimin dhe shthurjen. Bota vithiset ngaqë Zoti zemërohet. Njerëzit jo gjithmonë e kanë kuptuar që ishin të mirë, që natyra e tyre ishte për të kënaqur pasionet e tyre, të mira, ato gjithashtu, në sy të Zotit. U bënë 20 shekuj që zgjat kjo, dhe një mijë vjet që njerëzimi humbet duke luftuar çmendurisht kundër natyrës. "Zotërues i librit të fateve, sapo shpërndava terret politike e morale, dhe mbi rrënojat e shkencave të pasigurta ngre teorinë e Harmonisë rruzullore."
Furier nuk është një profet, por një entomolog. Para se të ndërtojë harmoninë e tij, ai dëgjon çka ka para sysh: këtë gjendje sociale të quajtur gabimisht të qytetëruar ku burrat bëjnë një faj të pandreqshëm duke moderuar dëshirat e tyre. Por dëshira vërshon. Duke vënë në dyshim institucionin e martesës dhe të familjes, na detyron të jetojmë në marrëveshje të fshehta e dredhina ku secili përgjohet, dyshon për fqinjin të jetë dashnori i gruas së tij gjatë kohës që ajo është në kërkim të dashnores së tij. Furier pohon si fillim përparësinë e dashurisë fizike që e quan materiale dhe shumë thjesht çiftëzim. U duhet dhënë burrave e grave mundësia për t`u kënaqur. Dhe sidomos grave. Prandaj mund të shohim vajza të reja të qeta që, kur s`kanë burra për të qetësuar afshet e tyre, telikosen gjer në vdekje, ndërkohë që një atlet merakli dhe i matur, duke ndërmarrë përkujdesjet e përdorimit, u ka pasur kthyer jetën. Duhet filluar për t`i siguruar seksit të quajtur të dobët më të voglën e nevojshme të ndjeshmërisë. Burrat gënjejnë veten kur besojnë tek besnikëria. Duke ngrënë vetëm një supë, ikën oreksi. Në Qytetërim, vetëm një në tetë çifte e respekton. Kjo ngaqë martesa është kufizuese, pra anti-erotike, çifti është i krahasueshëm me një burrë që do t`i dyfishonte qilarët e tij me verërat më të mira dhe do t`i pinte pa grishur kurrë njeri. Bota e qytetëruar është një ballo maskash ku burrat nuk heqin dorë prej grave me maska e me rrengje.
Sa i përket dredhisë, gratë i mundin mbase burrat, sidomos ato që, duke praktikuar një farë lirie në dashuri, u përkushtohen sportit të tyre të parapëlqyer: kthesa ose nazja që burri do të kishte më tepër maninë për ta përbuzur. Martesa është mbretërimi i perversitetit. I zhyt shumë shpesh bashkëshortët në llumin e shthurjes dhe kafshërisë: çifte të fryra nga urrejtja, duke u grindur gjithë ditën dhe duke u pajtuar natën në shtratin e tyre. Dashuria e nëpërkëmbur, dashuria e vrarë, dashuria e përfunduar tek instinkti, këto janë disa prej pasojave të martesës përgjegjshmëria e të cilës u takon burrave. Shtëpia ndjell mërzi dhe familja urrejtjen. Fillojnë të grinden mbi probleme të kuzhinës, mandej mbi problemet e edukimit dhe kjo përfundon si vdekja, me praktikën e triumfit suprem të Qytetërimeve: tradhtinë. Këtë tradhti të hijshme, shumë e nevojshme në Qytetërim (të kërkosh besnikërinë e bashkëshorteve, është të kërkosh rënien e Qytetërimit), në vend që ta fshehësh, ia vlen më mirë ta analizosh, klasifikosh, hierarkizosh. Furier bën me to një tabelë analitike prej mjeshtri që duhet e plotë. E regjistron në 76. Fillon me brinarin që e tradhton e shoqja në natyrë, pak rrotë, tek brinari i parapëlqyer, atë që këndon shumë mirë Brassens, për të kaluar tek brinari imagjinar që do ta quanim sot paranojak. U bënë 3 000 vjet që zgjat kjo. Nuk duam ta dimë. Burrat nuk ëndërrojnë tjetër përveç poligamisë gjatë kohës që gratë kujdesen për tradhtinë e tyre. Jemi të trallisur për kaq shumë kënaqësi të ndaluara a të dhunshme. Në vend që të ndrydhim, zhvillojmë. Duhet shkuar në drejtim të kundërt të Qytetërimit që nuk jetonte ndryshe përveçse përkundër vullnetit hyjnor.
"Lumturia e vërtetë nuk vjen ngaqë kënaqen dëshirat e zjarrta të saj." Më shumë se molisim dëshirat e zjarrta për t`ia përshtatur shoqërisë, pse të mos e transformojmë shoqërinë për t`ia përshtatur pasioneve? Harmonia nuk është ta bësh prej Qytetërimit por çekuilibri i tij. Është mbretërimi i tërheqjes maksimale të pasioneve dhe dëshirës që nuk do të shuhej kurrë. Një lloj oqeani kënaqësie e madhe ku, sapo eksitimi nis të shtendoset, diçka apo dikush arrin në pikën e zgjimit të epshit tuaj. Jemi të gjithë dëshirues të vegjël, të tredhur të kënaqësisë. Në Harmoni, duam gjithçka dhe menjëherë. Nuk është mbretërimi i të mundurit për t`u kënaqur por i të duhurit për t`u kënaqur shumë nga bindja në ligjin e Tërheqjes së zjarrtë në botën fizike, i barasvlershëm në botën morale me ligjin e gravacionit në botën fizike, i cili do të rregullojë botën për lumturinë e plotë të njerëzimit. Aspak lumturi e vogël e mundshme në Harmoni, por një vërshim kënaqësie kolektive i degëzuar vazhdimisht mbi të gjithën e duke mos mundur të vonohej me dikë. Harmonia nuk është kurrë vetëm dhe në prehje. Rend, rend pasioni. Kërkon kështu të mirën e tij krejt duke konkurruar atë të të tjerëve. Ngaqë pasionet nuk synojnë tjetër veç paqes, në njësinë sociale. Me kusht që ato të zhvillohen rregullisht. Pasionet janë një orkestër me 1620 instrumente që duhen drejtuar. Shkenca e harmonisë është ekuilibër pasional. Ajo ka rregulla të ngulitura që duhen vëzhguar duke u munduar për t`i parë pasionet të kthehen kundër vetë saj. Bota e harmonisë është paradoksalisht një botë e mençur, e qetë, ku secili bie n`ujdi pa reshtë me të tjerët e prej ku vesi është zhdukur.
Pavarësisht vrullit të pafundmë të dymbëdhjetë pasioneve dhe panumërsisë së ndërthurjeve, harmonia duket e palëvizshme: ngaqë çdo gjë është në vendin e vet, çdo pasion ka detyrimet e veta, gjithmonë për t`u ripërtërirë, dhe çdo çoroditje funksionin e saj. Duke dashur të klasifikojë shumë, të etiketojë shumë dhe, gjithçka ta rentabilizojë, Furier na ngrin në mërzi. A ka gjë më të këndshme, por gjithashtu a ka më hata se të dish që mania jote, që mban me turp të fshehtë, do të përbëjë lumturinë e dikujt në Harmoni: kështu atë të këtij gjermanit të ri që, në prani të një gruaje magjepsëse, gjatë dy muajve të lidhjes së tij, gëzohej së uluri buzë shtratit të saj për t`i kruar thembrat. Ajo siguronte prej kësaj një kënaqësi të sigurt. Ose kjo tjetra, duke fshikulluar dashnorin e saj, në kënaqësinë dyfishe të tyre. Formojmë sekte të kruajtësve të thembrave dhe fshikulluesish, sa më shpejt, thotë Furier. Por kjo nuk është gjithçka, duhet ditur për ta bërë. Dhe, me qëllimin për të mundur të njihemi, secili do të sjellë, nën sqetulla, shenjën e pasioneve dhe manive të veta. Bota harmonike do të rrezikonte të shembej nëse një kruajtës thembrash kryqëzonte një tjetër kruajtës thembrash pa shkëmbyer fjali dhe adresa të kruajtësve të thembrave. Po të themi gjithçka, dëshira ju kaplon dhe përjashton. S`ka gjë më pak të hapur e më shumë mbytëse se universi harmonik. Kopshti i ëndjeve furieriste është i krehur mirë me shumë kujdes me qëllim që diçka, një shkëndijë dëshire, një ndriçim provokues, të mundë për t`u shfaqur. Shikoni orgjitë: në Qytetërim secili bën veten të besojë që ishte aty rastësisht. Në harmoni, ato do të jenë organizuar në mënyrë madhështore dhe të përgatitura nga ministri dhe papa, në seanca të rregullta në kopshtin e dashurisë. Do t`u jetë kërkuar pjesëmarrësve të ndjeshmërisë dhe të bashkëpunimit për të shmangur shthurjen e poshtër dhe epshin e pacipë.
"Orgjia nuk është aspak një grumbullim shthurjeje të paparashikuar dhe kaotike, por një shoqëri jetëgjatë dhe e përgatitur nga shkathtësia e ministrisë së zanave për të formuar gama dashurore në kuptimin e duhur të martesës së përbërë."
Lumturia është përherë çështje matematike. Sa i përket erotizmit, ai është prej rregullit të numrave. Dëshira nuk lind përveçse prej shtimit. E pamundur për t`i numëruar nga dy në harmoni. Çifti nuk është i pranuar në qoftëse nuk ka qenë më përpara dyzet herë i ndarë. Ngaqë ajo për të cilën bëhet fjalë është për të humbur më të paktën e mundshme. Love is money. Udha e luftëtarit të grumbullit është kapitëse: duhet shkuar shpejt pa u kënaqur shumë fort. Por të jesh gjithmonë i uritur do të thotë gjithashtu të mos prekësh kurrë shumë. Një botë përkëdheljesh të pafundme, trupash që fërkohen pa komunikuar kurrë në të vërtetë, marrëdhënie që, pak të nisura, janë të detyruara të ndalen. Një botë gjithmonë në fund të frymës. Një botë e dënuar ku kënaqësia nuk e mbërrin kurrë objektin e saj e ku trupat janë, në mënyrë shqetësuese, të munguar. S`ka gjë më të padjallëzuar e më shumë eksituese se përshkrimi i bashkimeve harmonike; të larguara më shumë nga realiteti sesa gratë e reja të lira të Harmonisë. Ato që do të shkëputeshin më tepër janë, pa dyshim, virgjëreshat. Këtë virgjërinë, kaq shumë të marrë nëpër këmbë në Qytetërim, Furier do ta rehatojë. Kësaj dashurisë sentimentale, të shpenguar në çdo kënaqësi, kaq shumë të përtallur në Qytetërim, Furier do t`i rijapë rangun e saj. E quajtur seladonizmë, do të pastrojë e parfumojë krejt pjesën e mbetur të jetës dashurore. U duhet pra futur në mendje harmonianëve: kështu edukimi dashuror i djemve të rinj dhe vajzave të reja në grumbull, do të bëhet në trupin priftëror.
"Priftëreshat ruajnë me rreptësi virgjërinë e tyre, janë idhujt e grumbullit dhe u bëhen nderet më të mëdha." Dëlirësia është e garantuar nga fakti që mund ta largojmë trupin kur të dëshirojmë dhe që bisedat intime biseksuale janë të ndaluara. Priftëreshat janë të ndara në virgjëresha salltaneti, me talent e afsh. Kur një monark vjen në grumbull, është i shoqëruar nga dy priftëresha salltaneti, të zbukuruara me gurë të çmuar, dhe bën udhën e tij në karrocën e tyre me dymbëdhjetë kuaj të bardhë, të pajuar në vjollcë. Jashtë grumbullit, priftëreshat tërheqin ushtritë industriale me festa magjike e që ta kënaqin shpirtin. Luftërat industriale bëhen, falë tyre, romaneske, burrat pllenojnë shkretëtirat, thajnë kënetat dhe drejtojnë rrjedhat e lumenjve. Në moshë të rritur, kjo dëshirë dëlirësie do të jetë plotësuar falë lutjes së paracaktuar për çiftet që nuk mund të shpërthejnë përveçse në ndjenjën e pastër. Janë të nderuar universalisht dhe mund të pretendojnë në trembëdhjetë lloje skeptrash që do t`u japin atyre mbretërinë e dashurisë së pastër. Janë të adhurueshëm po aq sa adhurojnë veten, duan shumë me rreptësi, dhe paraqesin, për pjesën e mbetur të komunitetit, atë çka Furier e quan "përqendrim në lumturi". Jetojnë në një lloj lumturie të plotë mahnitëse që, një ditë, do t`i shndërrojë mbase, në ëngjuj realë, të bukur dhe të adhurueshëm.
"Mund të dyshojmë që kjo nyje e ndjenjës së pastër, ky shpërthim shpirti të ndjeshëm nuk vihet tek Harmonianët në shkallën më të lartë."
Nëse çdokush është i lirë në harmoni, askush s`ka të drejtën e të qënit pa dobi: i padjallëzuar apo orgjiar, ju i duheni çështjes së shenjtë të harmonisë sociale. Nëse Furier na ngashnjen duke na e prishur mendjen pa reshtë me magji epshi e harbime, na shkurajon me këtë vullnet të egër, pothuaj të ngulitur, që shfaq duke dashur me çdo çmim të na bëjë të ndjejmë kënaqësi. Harmonia juaj, Zoti Furier, është e rrethuar nga shumë tela mishi me gjemba.

*Laure Adler, historiane, gazetare, shkrimtare. Ka shkruar tezën e saj e për feminizmin e shekullit të XIX, dhe një numër veprash mbi të njëjtën temë. Biografia e saj shkruar për Marguerite Duras (Gallimard 1998), u kurorëzua me çmimin "Prix Femina. Në 2007 publikon " Gratë që shkruajnë rrezikshëm ", Flammarion. 

Përktheu nga frëngjishtja:
Anila Xhekaliu- Marrë nga Magazine litteraire nr. 139-1978-Tiranë

Milosao

Google+ Followers