Nuk dënoj asgjë. Nuk e kam të drejtën. Kam vetëm bindjet e mia. E ç’të bëj që nuk ka ndonjë formacion që të përfaqësojë bindjet e mia?! Lëre që, për një poet, kjo më duket e pagëlltitshme.


Odiseas ELITIS (Nobel)


Nëse duam të flasim për realitetin, ky është realiteti. Sa për njohjen e veprës sime, mos u besoni shumë vendimeve të çastit. Çdo kohë, pa dashur, i mëshon vlerës së njërit në kurriz të të tjerëve dhe, si përfundim, në periudha të ndryshme janë çmuar si poetë mjaft të mëdhenj Akileas Paraskos apo Jorgos Suris. Mos harroni, dikur Kalvosi vërtitej nëpër libraritë e Aleksandrisë, kur në Athinë lëvdoheshin shkrimtarucët.
Të gjithë jemi pjesë përbërëse të një mashtrimi të madh, që përfundon dikur i pakuptimtë, aq sa edhe i përbindshëm. Pra, jemi të detyruar të tregohemi të thjeshtë dhe parashikimet tona të kenë për kriter kohën.

1.
Me kalimin e viteve, gjithmonë e më shumë fama më tremb. Më lemeris, do thoja. Aq sa edhe librat e mi, kur i shikoj në vitrinë, ndihem asisoj.
Ç’të bësh, nuk jam krijuar për vitrina.
Shumë vetë mendojnë se kjo është mungesë ambicjeje. Aspak. Thjesht, nuk kuptoj se ç’lloj ambicjeje është të jesh i daktilografuar dhe të të presin me duartrokitje. Ambicia ime është të ndihem i ildisur me formën e librit sipas çantës së ndonjë të riu a të ndonjë vajze, në çaste vetmie. Komunikimi mistik është gjithçkaja. Edhe vazhdimësia.
Poezia për mua është luftë ndaj kohës dhe rrënimit.
I mbyllur në pesëdhjetë metra katrorë, unë vazhdoj këtë luftë.
Dhe, pavarësisht nëse dal ose jo fitues, në një betejë si kjo gjej kënaqësinë më të lartë. Në një epokë kur triumfojnë vlerat sasiore, e shoh poezinë si të vetmen forcë që mund të ruajë çka është e shenjtë dhe e papërlyer në dinjitetin njerëzor.
Kritikët e mi gjithnjë ia dalin të gjejnë hendeqe në vepërn time. Ca heshtje dhjetë a dymbëdhjetëvjeçare.
E bukura është se, përsa i përket bibliografisë, kanë të drejtë. Vetëm unë, me sa duket, nuk po e vë re. Nuk mbaj mend të kem ndaluar ndonjëherë të shkruarit dhe ritmin e punës sime në përgjithësi. Puna është se unë gris. Nuk jam kurrë i kënaqur.
Një pjesë e madh e veprave të mia të shkruara më shqetëson. E kam të pamundur t’u rikthehem. Dhe, veç kësaj, vëllimi i veprës kurrë nuk më ka ngacmuar. Qysh tani kam përshtypjen se kam shkruar shumë.
Dhe nuk do të bëj lëshim, vetëm në ndodhtë të ndiej, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, se nuk bëhet ndryshe, se kam për të thënë diçka krejtësisht të re.

2.
Po, e tregoj këtu, nëse mund të tregohet, anën e prapme të vetes. Që megjithatë dëshmon, më së fundi, se nuk ka ndonjë ndryshim nga ajo e vjetra, e mbara.
Vetëm se zhvendosja ime nga natyra te qyteti, më diktoi një shprehje krejt të ndryshme. Fjala nuk mbështetet më te rrallësia apo tek alegoria. U përshtatet nevojave të menjëhershmërisë dhe ndjek më shumë rregullat e fjalës teatrale. Kjo është arsyeja që “Maria Nefelin” e cilësoj “poemë skenike”. Pa nënkuptuar se resht së qeni vepër e mirëfilltë poetike.
Nuk përjashtohet, nën ndikimin e mjeteve të sotme të komunikimit, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme poezia çel disa “shtigje”, siç mund t’i quajmë, kah artet e tjera. Kah muzika, kah teatri. Përfytyroni që pjesët e para i shkrova para nëntëmbëdhjetë vjetësh, në kohën kur mbaroja “Aksioni Esti”. Dhe ndoshta, si kundërpërgjigje ndaj rrepëtisë së asaj vepre, ndjeva nevojën të shkoj në skajin tjetër e të bëj një revolucion vetjak.
Nga kjo pikëpamje, them se bëhet fjalë për një vepër qëllimisht të zhviduar. Forma, pavarësisht nga të gjitha sa thonë, duhet t’i përgjigjet përmbajtjes dhe le të ma hedhin poshtë këtë tezë që parashtroj.

3.
Një vepër duhet të flasë vetë.
Dhe jo vetëm kaq, por të flasë në të gjitha gjuhët. Në kuptimin që duhet të përcjellë te çdo lexues, në përputhje me botën dhe pozicionin e secilit, një kundërtezë të caktuar. Të huajve kjo u duket paradoksale. Nuk mund ta kuptojnë fjalën, veçse brenda monosemantikës së saj. Ndërkaq, duke filluar që nga Homeri, poezia kështu ka funksionuar. Në shumë rrafshe.
Dhe atëherë ç’mund të bëjnë interpretimet tona?
Do të jenë fatalisht mashtruese. Krijuesi i di qëllimet për të arritur në një përfundim të kryer, madje zemërohet kur tjetri nuk e vret mendjen për t’i njohur ato. Nganjëherë ndodh përsëri e kundërta: shpërnjeh ose përçmon elementet që kanë te të tjerët ngacmime pozitive.
Gjithë temat që më kanë tërhequr vëmendjen për shumë kohë, me një mënyrë a tjetër, gjejnë vend të renditen. Padrejtësia, për shembull, që sundon përherë botën, fuqia që jep numri. Hendeku midis reflektimit estetik të Lindjes e Perëndimit dhe raporti i tyre brenda botës morale. Realiteti paskristian dhe njëkohësisht pasmarksist, siç na zbulohet në ditët tona nga grupi i filozofëve të rinj. Këta janë shembuj. Natyrisht, për njeriun thjesht të menduar këto dalin tërthorazi. Por të mos harrojmë se “tërthorazi” në prozë, është “drejtpërdrejt” në poezi. Për këto arsye e shumë të tjera, një poemë e tillë është e natyrshme të shkaktojë reagime të shumta. Por jam i përgatitur t’i përballoj dhe t’i kapërcej. Sidomos sot, kur mendimi i pavarur lejohet dhe të gjithë janë të prirur të mendojnë turlilloj. Bota për ta ekziston vetëm siç e shikon formacioni ku bëjnë pjesë.

4.
Nuk dënoj asgjë.
Nuk e kam të drejtën. Kam vetëm bindjet e mia. E ç’të bëj që nuk ka ndonjë formacion që të përfaqësojë bindjet e mia? Lëre që për një poet kjo më duket e pagëlltitshme.
E përfytyroni dot një Sollomos si anëtar partie? Poeti i përket gjithë vendit të tij dhe gjithë popullit të tij. Në këtë temë bëj shumë kujdes.
Mbaj mend që, pas ndërrimit të regjimit dhe gjatë përpjekjes së përgjithshme për të rigjetur vetveten, pranova të bëhem kryetar i këshillit administrativ të televizionit, por me t’u qetësuar gjërat, nxitova të jap dorëheqjen. Për të njëjtat arsye nuk pranova të vë kandidaturën për deputet apo atë për akademik.
Sepse dua, çdo çast, t’i ndiej duart të lira.
Jo, për Zotin, le të sqarohemi. Nuk bëj politikë dhe aq më pak të verdhë. E pranoj që kështu, siç na erdhën gjërat, ndoshta nuk i dilet ndryshe. Dhe nëse gjithë problemi ynë ishte të vishnim brekë më të mira, duhet të jemi plotësisht të kënaqur. Por kam të drejtë si grek të shqetësohem për pasaportën time.


Përktheu Romeo Çollaku

Google+ Followers