Një verë me Lasgushin - Nga ALEKO LIKAJ

     
ALEKO LIKAJ

Ai qëndronte përtej i heshtur me fytyrë nga liqeni. Dukej i pakët nga trupi, që kishte filluar të kërrusej, ndërsa supet i vareshin poshtë si të lodhura. Ndoshta nga pesha e viteve. Ca leshra të bardha që dilnin poshtë borsalinos verore, lëviznin nga një puhizë e lehtë që vinte nga larg  e vendi i huaj, përballë, i cili tretej si një konfiguracion i çuditshëm, në një breg, që herë-herë, ngjasonte me një vetull të hollë femre, përçudnohej nga avujt e nxehtë. Poshtë te këmbët një qenush i vogël bënte rathë, duke lëvizur i shqetësuar, sikur të kërkonte diçka nga i zoti, që vështronte peizazhin në atë hapësirë kaltërsie. Ne qëndronim vetëm katër metra më brenda verandës së hotel Turizmit të vjetër të atij qyteti. Kishim zënë vend qetësisht për t'u drekuar pas atij udhëtimi, që kishte nisur që para tri orësh që nga Cërriku. Plaku në fillim na hodhi një vështrim, pasi i tërhoqi vëmëndjen zhurma që i shkaktuan karriget tona, kur i lëvizëm nga tryeza e ngrënies e pastaj qetësisht ishte kthyer, ashtu si më parë, përballë me liqenin.
Ka qenë verë e tejnxehtë korriku. Nuk e mbaj mend nëse ishte në fund apo në mes, por ajo verë ka qenë disi e veçantë, pasi ato ditë temperaturat në shkallë vendi shënuan edhe një rekord të ri. Isha mësues ato kohë në fshatrat e Dumresë e pushimet e sapomarra i kaloja me miqtë e shokët e brezit tim cërrikas në Shkumbin. Mernim me vete bukë e rrinim nën hijet e shelgjeve. Herë pas here freskoheshim në ujë në dy pellgje, që nuk i kalonin as edhe dy metra thellësi.
Tri ditë më parë kisha marrë një ftesë nga Vasil Qerfozi për ta shoqëruar deri në Korçë. Ishte shofer dhe me "Zis-in" e tij, udhëtonte për llogari të konsumit të Cërrikut për të sjellë herë pas here, birrë "Korça". Nuk ishim moshatarë. Duhej të ishte gjashtë a shtatë vjet  më i madh, por ajo që na bashkonte, kishte të bënte me librat. Lexonte shumë Vasili në atë qytet dhe zor se i kishte shpëtuar libër që delte asaj kohe. Në shtëpi mbante edhe një bibliotekë me libra të rrallë. Një muaj më parë më kishte dhënë Remarkun, « Tre shokët ». Nuk kishte mbaruar as edhe shkollën e mesme. Jetim ishte rritur, pa baba. Nëna e tij, Aspasia, punonte si rrobalarëse në hotelin e beqarëve të rafinerisë së naftës. Më tëpër sesa t'i bëje shoqëri përgjatë asaj rruge, më kishte ftuar për të diskutuar për "Tre shokët" . I pëlqente mjaft ai libër dhe skenat i kujtonte sikur t'i kishte përjetuar vetë. Dhe ashtu bëmë, derisa mbërritëm në Pogradec në mesditë. Më çmonte si një mik. Atë periudhë kisha nisur të botoja në shtypin letrar të kohës, madje në shtëpinë botuese kisha dërguar edhe vëllimin e parë me poezi. " Njerëz dhe kaltërsi" e kisha titulluar. Histori tjetër kjo e vëllimit që desh e më hëngri kokën. Por për Vasilin do të thoshte se po udhëtonte me një « poet ». Kështu më thërriste…vazhdimisht, edhe në hapësirat e asaj kabinë Zis , sa herë që kërkonte ta merrte fjalën. "Dëgjo këtu, poet… ". Vihesha në një lloj sikleti, por serioziteti i tij që dukej se më drejtohej pa të keq, më bënte të mos reagoja, ndonëse ndieja se fytyra më përskuqej jo nga ndroja.
Kamarieri, një gjatovinë, me flokët e qethur shkurt e me një hundë të hollë, ku maja i ngrihej paksa përpjetë, mori porosinë e na la sërish në diskutimin e librit të Remarkut. Ne nuk e kishim më mendjen te plaku që dukej atje përtej si një statujë e heshtur dhe e latuar nga një dorë mjeshtri në skulpturë. Zhaurima e valëzave në breg vinte e dobët dhe herë-herë dukej si një melodi në një sfond me hapësirë krejtësisht të kaltërt.
-Ule zërin, – i thashë Qerfozit, që bubullonte si në një qiell pa një re dhe bëra me kokë nga soditësi i liqenit.
          Tjetri heshti për një çast. Ktheu kokën pas e u duk se picëroi sytë gështenjë.
- Ke të drejtë. Mbase vërtet e tepruam paksa. Po ç’t'i bësh Remarkut ?- u justifikua bashkëbiseduesi ynë. Ndonëse këtë herë e kishte ulur zërin, ndjeva se një zë si fëshfërimë e pakuptimtë për mua, sikur përtypte fjalë dhe gërma në një gjuhë krejtësisht të panjohur nga ana ime, më tundoi në çast. Ishte një frazë që kishte brenda saj diçka si thyerje e që dukej se të vriste paksa veshin. Si një monolog që interpretohej me fuqinë e një aktori potencial të skenës.
             Vasili vuri buzën në gaz e tha një frazë në të njëjtën gjuhë. Soditësi tashmë ishte pranë nesh. Nëpër këmbë i ngatërrohej qenushi, që më tepër sesa  lëshonte disa tinguj të lehtë, me një « gërrr » të zgjatur hundore,dukej se kërkonte diçka poshtë, pranë këpucëve të të zot .
            -Qenke i kënduar, – tha Vasili, njeriut që nuk ishte veçse një hap larg nesh me një këmbë në rrugicën e betontë dhe tjetrën në barin gjysmë të tharë nga nxehtësia e asaj vere.- Remarkun e ligjëron në gjuhën e nënës së tij. Tjetri lëshoi një klithmë, me një shfryrje të kraharorit dhe zuri vënd në një karrige të tavolinës përballë. Dukej se kishte diçka fisnike në atë lëvizje , që kur zuri të largojë karrigen, e pastaj kaloi këmbën e djathtë midis tavolinës dhe vendit që do të ulej një çast më pas në atë masë të padukshme ajri, sikur kërkonte të mos lëndonte asgjë .
            - Më thatë në gjuhën e Remarkut, që morali është i pari, të tjerat vijnë pas,- tha njeriu që hyri në bisedë midis nesh. Lëvizi kokën, pastaj, duke e shkëputur vështrimin për të na fshehur sytë e vegjël, që kalonin nga një gri e thellë në të errët, deri në një të zezë që shkëlqente, u  kthye nga qenushi që i thirri ëmbël, « cuci », dhe që i kishte vendosur dy këmbët e para të zot, në prehër.
            - Ah, të më ndjeni. Unë nuk di gjermanisht. Ishte një shprehje që e kam marrë te filmi « Principi i moralit të lartë ». Natyrisht, që ia di kuptimin, por që më pëlqen ta them vazhdimisht. Unë filmat i shoh disa herë, po ashtu edhe leximeve u kthehem me kënaqësi.
            Plaku nuk foli.Vendosi dy duart mbi mbulesën e kuqe dhe me vija katrorësh të bardha  të tavolinës.Vuri buzën në gaz.
            -Endërojmë, sepse pa ëndërrat nuk do të mund ta duronim të vërtetën. Njeriu nuk gënjehet vetëm nga ëndërat. Njeriu gënjehet edhe me të vërtetën. Kjo është një ëndërr akoma më e rrezikshme… - përsëriti plaku para nesh atë që me sa dukej kishte shqiptuar në gjuhën gjermane.
            - Janë fjalët e Remarkut në gojën e Patit, – reagoi menjëherë Qerfozi, ku dukej një lloj krenarie dhe triumfi së bashku. E shihja që gëzohej si një fëmijë.
            Bashkëbiseduesi i Vasilit, u kthye nga qenushi :
            -Prit, prit. Sa i padurueshëm që je. Duhet të kuptosh e të sillesh mirë, sa herë që ne flasim me miq e të saponjohur këtu në Poradecin tonë.
            Por qeni si qeni. Edhe pse e shikoi drejt e në sy të zotin si një njeri i vërtetë, zor se kuptoi nga të gjitha ato që i tha plaku i atij qyteti. Ky që u koll në çast, duke vënë grushtin përpara gojës, nxori pastaj nga xhepi i pantallonave të gjëra, që nuk mund t'ua dalloje ngjyrën e vërtetë, një shami të mbledhur. E vendosi në tavolinë, dhe pastaj e hapi ngadalë. Ishte një vezë e zier dhe e qëruar më parë. Qenushi lehu tri herë dhe, duke tundur bishtin, angulliu lehtë.
            Nuk e do këtu ? Eh !Për këtë gjithçka hahet në shtëpi, – tha për ne njeriu i tavolinës përballë. Pastaj iu drejtua qenushit që vazhdonte ta shihte drejt e në sy si një mik zemre i vjetër. - Mirë, mirë. E mora vesh. Po shkojmë ngadalë…
            U ngrit nga tavolina duke krijuar një zhurmë nga tërheqja e karriges e na salutoi plot hijeshi.
            -Drekë të mirë.
            Zbriti shkallët me një hap të ngadaltë e pastaj doli në rrugë. Qeni iu vu nga pas.Vasili, që e ndiqte këtë skenë, u kthye nga unë. Më hodhi një vështrim te ëmbël e tha ngadalë: « Burrë i gjezdisur. »
            Një çast më pas kamerieri solli porosinë dhe pjatat, i vendosi mbi mbulesë, duke na shërbyer si në një lokal të vërtetë turistik.
            -Ç’u tha poeti, moo?
            -Cili poet?– pyeta unë, pa menduar, se ne sapo ishim ndarë nga një njeri, që e gjetëm në atë ambient.
            Vasili ishte bërë kurioz.
            - Lasgushi, moo. Ai plaku që gjetët këtu. Vjen çdo ditë e çlodhet.
            Nuk po e merrnim veten. Qerfozi përplasi dorën e djathtë lehtë mbi tavolinë, e tha :
            - Ky ishte Lasgush Poradeci ?
            Tjetri vuri buzën në gaz, duke na parë se si reaguam në atë çast.
              - Jeton në Tiranë, por verërat i kalon ja, këtu në Poradecin tonë. Ikën në vjeshtë, kur emigrojnë shpezët e ajrit.
            Kaq u desh. Kamerieri tashmë na kishte lënë vetëm aty në tavolinë përpara pjatave të mbushura me peshk e sallatë. Na u duk se kishte shpërthyer diçka mes nesh, diçka që na kishte vrarë, por jo gjakosur. Po dilnim nga një ëndër marramendëse si të kapitur e të gjymtuar, të dyzuar deri në karakter. Nuk po besonim më asgjë. Vasili vendosi dy gishtat e dorës së majtë mbi sy. I lëvizi në heshtje përgjatë kokërdhokëve e pastaj i mbylli qerpikët, sikur të ishte verbuar nga një burim i fuqishëm drite.
            -Mbase rrojmë kot në këtë dynja, që po më duket e gënjeshtërt dhe tepër hileqare.Të flas sinqerisht. Unë Lasgushin e kam ditur të vdekur dhe të harruar, por ja, që ai na doli gjallë. E kishim,  ja këtu, mes nesh, përpara syve tanë…Mos unë jam i lajthitur ?
            E ç’mund t'i thoja Qerfozit ëndërimtar. Si në një celuloid filmi më kaloi një episod i dy viteve të shkuara, kur shkova si mësues letërsie në një fshat atje në Dumrenë e largët. Me pasionin e një djaloshi të dashuruar marrëzisht pas letërsisë, fillova të ngre të parin kabinet të letrave shqipe. Pasi kisha siguruar disa kartona, i ndava ato në katër pjesë. Vendosa të bëj shkurtimisht jetëshkrimin e autorëve shqiptarë, që ishin në tekstet e leximit letrar të shkollës 8-vjeçare. Munda të gjeja edhe nga një foto, të mbledhura nga botimet e tyre. Pastaj rendita edhe veprat përpos ditëlindjeve e ditëvdekjeve të tyre. Lasgushin e kisha vendosur tek autorët e viteve 30-të. Kisha shënuar ditëlindjen, por vdekjen jo. Fëmijve u thashë,që kishte vdekur,  aty nga fillimi i viteve 50 –të.
            Vetëm kaq.
            Pastaj kisha jetuar me këtë frazë të thënë përgjysmë në klasë, pa e ditur se kisha bërë kështu budallallëkun më të madh të jetës sime prej mësuesi dhe letrari.
            Por nuk mund t'ia thoja që të gjitha këto Vasilit, i cili ishte treguar më i sinqertë se unë në atë moment. Bëra sikur e kuptova dhe i vendosa dorën mbi sup, si për të thënë :  "Na ndodh edhe kështu".

                                                    * * *

Dy javë më vonë me Vasilin përsëritëm rrugën për në Korçë. Qëllimi ynë i vëtëm ishte që të takonim sërish poetin. Pak ditë më parë Qerfozi kishte mundur të bridhte rrugëve të Pogradecit afër një orë, por nuk e kishte parë gjëkundi njeriun me qenushin nga pas. Pastaj ishte kthyer buzë një rruge në një dyqan fruta-perimesh për të blerë qershi, që t'i kishte për rrugës, sa për të njomur gojën dhe të pyeste për njeriun qe takuam në Turizmin e vjetër.Këtë herë Vasili ishte bërë « diplomat ». Në vend të emrit kishte thënë se kërkonte një të moshuar me një qen të vogël nga pas. Këtë e kishte bërë për ta identifikuar edhe njëherë emrin, që na dha kamerieri me hundën që kishte fundin si majë, duke na lënë jo vetëm të shokuar për egzistencën e poetit, por edhe të pafjalë.
-Nuk e gjeta, – më tha, sapo u kthye në Cërrik. Pastaj më tregoi gati me një frymë, "odisenë e tij nëpër Poradec" , ashtu siç e quante vetë poeti.
Unë duhej të rrija përpara tij si një guak, pasi ai më hodhi një vështrim të çuditshëm, nga koka deri te këmbët. Fjalëprerë.Vasili fërkoi shuplakat e mëdha, sikur të fshinte prej tyre diçka të padukshme e misterioze, duke mos ma ndarë vështrimin e tij e pastaj bëri udhë përpara.
-Do ta gjejmë. Do ta gjejmë, që ç'ke me të. Mos më thënçin Vasil Qerfozi. Do të nisemi përsëri në mes të javës, pasi qyteti ka edhe tri dasma të tjera.
Kjo mjaftonte.
Dy ditë më vonë, ndërsa isha kthyer nga Shkumbini, ku isha përcëlluar i tërri në një mënyrë të tillë, që ndjeja dhimbje në të gjithë trupin, Qerfozi mbërriti poshtë ballkonit tim.
-Hajde, se do ta eksplorojmë Poradecin. Do të nisemi pas mesnate. Ngarkojmë në mëngjes tek birra »Korça » dhe pastaj  kthehemi në Pogradec. E kërkojmë. Do të kemi shumë kohë në dipozicion deri në mbrëmje. O e gjejmë, o i themi vetes sonë që jemi hiçër.
Vasili gjithmonë gjërat i merrte me pasion. Ishte këmbëngulës dhe kërkonte që t'u shkonte deri në fund. Mbase kjo ishte në fakt  edhe arsyeja që këtë udhëtim ta merrja jo me shumë entuziazëm. Qefi ma kishte të takoja lirikun, sepse të vetmen mundësi që pata , e kisha shpërdoruar. Dhe kjo jo vëtëm për fajin tim.
Ishim vënë në udhë. Kishim lënë nga pas Librazhdin. Kuptova që ishim bërë esëll. Tashmë gjumi që na përkundte pak çaste më parë, ishte larguar. Nata e pranishme nën atë peizazh, ku dalloheshin siluetat e majave të masiveve e ku gjarpëronte rruga, dukej  si një mantel i zi i hedhur mbi ne. Në Rajcë qëndruam. Ishte një klub buzë rrugës nga ata të kooperativës. Mbante era thartirë.
-Kam zënë kosin për në mëngjes, – tha bufetieri, një mesoburrë, me flokët si iriq. Në dhomën  e vogël pas banakut dukej një grua që fshinte herë pas here duart në përparësen e vendosur përpara. Kafen e pimë shpejt dhe ajo u duk se na përmblodhi. Vasili nuk pranoi ta shoqëronte me alkool, ndonëse ai i shkretë ishte edhe pika më e dobët e tij, « thembra e Akilit ». Unë ia propozova disa herë, por ai nguli këmbë se "jam në makinë". Pastaj iu ngjitëm Qafës së Thanës. Kur mbërritëm në majë, poshtë liqeni që dremiste u duk se zbardhëlloi. Përtej mbas  Malit të Thatë  dukej se ishte grisur manteli i zi i natës. Një njollë e trëndafiltë që zor se mund ta dalloje, nga ato që bëjnë shpesh nxënësit në fletoret e vizatimit, kur kokrrizat e lapsit i shpërndajnë me pambuk, dukej se po merrte hapësirë. Vasili nxori dorën e djathtë nga dritarje e "Zis-it", sikur atë skenë kërkonte ta vinte në grusht e në çast bubulloi:

Fryn veriu n’dë Mal të Thatë, thotë vasha lele ngriva.
Duro vashë, të durojmë, si duron mali dëborën...

Pastaj kjo erë e veriut nxitoi të vinte vërtet në atë kabinë të ftohtë mëngjesi së bashku me erën e liqenit edhe lirika të tjera të Lasgushit.
-Qyteti po sheh ëndërra, – thashë unë për t'u gjetur në bisedë. Kisha heshtur.
-Shyqyr që e the edhe ti një llaf, se më dukej vetja i vetëm në këtë kabinë. Qeshëm.
 Kur u shfaqëm në Korçë, "punëtori i palodhur i ditës" , u kishte thënë « mirëmëngjes » fushave të paana dhe malit të Moravës, që qëndronte përballë nesh i heshtur dhe hijerëndë. I pafjalë.
-Do të provojmë paçen dhe kërnackat korçare, – bëri humor Vasili, ndërsa parkoi makinën pranë fabrikës. Ashtu bëmë. Mëngjesin e hëngrëm shpejt dhe u kthyem sërish te porta e Birrës.
-Pse kaq shpejt, moo t'u mbylltë, - tha roja që me sa dukej, njihej mirë me Qerfozin.- Mbetët pa e pirë ju elbasanllinjtë, moo. Këtu e keni dhe nuk jua merr njeri. Ju na bëni gjysmën e planit…
Vasili nuk ia kishte ngenë. Futi makinën brenda dhe ndali në magazinën kryesore.
-Kam hall, - tha ai,- nëna është duke pjellë sërish dhe unë nuk mund  të rri pa asistuar në daljen në dritë të kolopuçit, që do të na shtojë vatrën familjare.
Shakaja e tij mbante erë një kilometër larg. Punëtorët, që sapo kishin vënë këmbën atë mëngjes në ndërmarrje, nxituan. Dhjetë minuta më vonë mbërriti furgoni i turizmit të qytetit.
-Tëmën-oo, – tha shoferi i tij, një burrë tej i shëndoshë, i qethur ballaboks. - Raqkëëë, po ky elbasanlliu paska fjetur këtu ndë Korçë mooo. Përcilleni shpejt, se nuk pret puna. Ngeli plani pa realizuar te ne…
Morëm kthimin. Këtë herë me diell. Vasili nxitonte. Herë pas here i hidhte një vështrim orës e pastaj  buzëqeshte si një fëmijë i parritur e çamarok. Pogradecin e gjetëm në mëngjes të sapongritur nga shtrati. Kishte filluar tregu. Ne kaluam mespërmes dhe u ndodhëm përballë turizmit. Aty ishte edhe shëtitorja e vetme e atij qyteti. Sidoqoftë menduam se nuk ka asnjë pogradecar që të mos kalojë, qoftë edhe njëherë i vetëm në ditë, pikërisht në atë shesh. Mirëpo Vasili e shfaqi i pari shqetësimin e tij.
     - Poeti ynë që ka qenë në perëndim me siguri ka marrë edhe huqe të andejme. A e di se kur zgjohen andej ?– u kthye nga unë, sikur kërkonte që t'i thoja pikërisht atë që kishte ndërmend ai vetë.
   E ç’mund të bënim, veçse të prisnim ?
    Kështu dhe ndodhi. Të gjitha rrugët na çonin dhe na kthenin në të njëjtin kënd. Kur po thyhej mesdita, dikush na tha se Poradeci, poeti, kishte kaluar një çast më parë me të bijën në rrugicën përballë, por që nuk dukej aty ku ishim ne.
    Qerfozi këmbëngulte. Kamerieri na mbante me shpresë. Për ta bërë më të besuar, na tha: "Dje ishin këtu edhe dy poetë nga Tirana. E takuan. Pinë verë të kuqe këtu tek unë”.
   -  Çfarë shansi, – tha Vasili që dukej i paduruar.- Kushedi sa të lumtur që kanë qenë ata njerëz.Verën ia pinë poetit këtu në Pogradec, por nuk e bëjnë dot të gjallë. Shurdhmemecëri.
   Mua nuk më mbante vendi. Ndieja një pezëm brenda vetes sime dhe çdo çast që kalonte më bënte më shumë mosbesues. Vasilit nuk mund  t'i thoja dot asnjë fjalë. Më dukej se do t'i prishja magjinë me të cilën ai po jetonte gjatë gjithë atyre ditëve. Një orë më parë kishte dalë në breg të liqenit dhe kishte lagur sandalet verore në valët e tij. Pastaj kishte rrecituar "Dremit liqeri" .
   - Ku e ka shtëpinë, – pyeti befas ai.
   Kamerieri na pa drejt e në sy. Ngriti pastaj supet e rrëzuara, për të thënë se nuk dinte gjë . Hodhi vështrimin jashtë përtej shkallëve.
   -Ja andej, tej, – bëri më shumë me kokë pa përcaktuar asnjë drejtim  dhe pastaj u nis drejt sportelit, ku dallohej kapelja e bardhë e kuzhinierit.
   Hajde ta gjeje.
   Unë stepa. Më dukej se nuk shkonte kjo gjë. Do të na merrnin ose për të çmendur , ose do të na kujtonin keqbërës në atë qytet të vogël, ku njerëzit jo vetëm që e njihnin mirë njëri-tjetrin, por më dukej se njihnin mirë edhe të afërmit e tyre, që vinin verërave për vizita malli.
   Po Vasili nuk tërhiqej. Mund të jepja gjithçka në atë çast, vetëm të lëviznim  prej andej. Nuk e di, por qyteti që kishte lëshuar tashmë hije, po më dukej më i vjetër e arkaik. Lëviza nga liqeni, aty në hyrje të qytetit dhe zura vend mbi një gur të madh buzë gjolit. Përtej një varkë e thjeshtë kaloi mespërmes një gjiu të vogël dhe filloi të marrë thellësi për andej nga plazhi.  Ca rrathë që hapeshin mbi liqen vinin e përplaseshin deri tek unë. Një zog i bardhë erdhi e qëndroi fluturim mbi sipërfaqen e lëmuar të ujit. Kërkoi  të fusë sqepin brenda, por në një moment u duk se u pendua. Mbase nuk e gjeti atë që kishte menduar pak çaste më parë, kur u shkëput nga pankina  e  betontë, që zgjatej disa dhjetëra metra më tej. Dita kishte filluar të thyhej e dielli nuk digjte më si më parë.
   Qerfozi mbërriti.
   -E shoh që u mërzite. Mbase të kam rënduar pak. Kështu jam gatuar unë. Kam pak shpirtin e aventurës. Nuk e kupton se ai nuk egziston jo vetëm për ne, por edhe për vetë shtetin. I harruar. Nuk është faji ynë që Lasgushin e mendonim në një tjetër konstelacion. Të ikur. Do të na duhet që ta ndjekim këtë yll që ruan ende shkëlqimin e tij.
            Në mesnatë erdhëm në Cërrik.Të lodhur e të rraskapitur, por të lehtësuar disi shpirtërisht. Nuk ishte faji ynë që shteti  e kishte harruar lirikun shqiptar. Kjo na përjashtonte disi nga brerja e ndërgjegjes që poetin e kishim vendosur me të ikurit, duke e nxjerrë jashtë vetes, nga  bota jonë reale.
 
                                                        * * *

Një mbrëmje më pas Qerfozi më gjeti në klubin e qendrës së qytetit te "1 Maji ". Kështu i thonim ne atëherë për të thënë se ishte vërtet një klub i punëtorëve të atij qyteti të vogël naftëtarësh. Isha me tim vëlla, Petritin e një shokun e tij, mësues fiskulture. Sapo kishim zënë vendet në një nga tavolinat e mesit.
   -A mund që t’jua marr Lekon për dy minuta ?
   -Mund  të pini edhe ndonjë dhallë, se ky nuk vë gjë tjetër në gojë, – bëri shaka vëllai im, që dinte diçka nga udhëtimet tona në Pogradec.
    - Dëgjo këtu, poet. Nesër më duhet të nisem sërish për birra në Korçë. Këtë herë kam menduar që t'i le një takim Lasgushit. Me kamarierin në të njëjtin vend. E planifikojmë si sot një javë. Dhe, po nuk u planifikua Korça, do të nisemi drejt e në Pogradec, me Zis-in tim. Do të marr karburant në uzinë për këtë rrugë. Eshtë mundësia më e mirë për t'u takuar.
   Qerfozin nuk e mbante më vendi. Më dukej më shumë këmbëngulës se duhej të ishte në realitet. Dhe kështu bëri. Dy ditë më vonë e gjeta në trotuarin përballë kinemasë. Ishte entuziast. Më shkeli syrin që tre metra, përpara se të vija tek ai.
   - Eja të shohim "Zotninë 420". Kam dy bileta.
   E rrefuzova, duke i thënë se e kisha parë një natë më parë, edhe pse ai nguli këmbë që ta shihnim për të dytën herë. Nuk më kujtohet se pse s’duhej të shkoja atë mbrëmje në kinema me Qerfozin.
-Kam menduar të marrësh me vete edhe disa nga ato vjersha, që ke në vëllimin tënd të parë, poredhe nga ato që kam parë të botuara në gazeta. Eshtë mirë që t’ia tregojmë.
Kaq u desh që pastaj unë të mos isha i qetë për asnjë çast. Menjëherë në shtëpi hapa fletoret e shkruara bukur dhe me kaligrafi, ashtu si një libër i vërtetë, imitacion, besnik i një ëndërre që flinte prej kohësh brenda meje. Zgjodha disa. Pastaj të tjera. U bënë rreth 20 të cilat duhej t'i shkruaja sërish me kaligrafi në një fletore të re e të panisur, që e mbaja gjithmonë si rezervë. Nga mesnata u bëra pishman. Poezitë këtë herë nuk m'u dukën gjë. Madje të dobëta. Kërkova për të tjera dhe përzgjodha 7 a 8 syresh. Një orë më vonë edhe këto nuk më hynë në sy. Kuptova se isha i trazuar dhe se nuk mund të vendosja dot për asgjë. Pranë mëngjesit, i mbyllur i vetëm në dhomë, ndërsa të tjerët flinin në dhomën përbri, nuk kisha hedhur asnjë varg për të kopjuar. Midis pagjumësisë dhe tensionit, që më shkaktoi ajo përzgjedhje, ndjeva se isha i lodhur dhe i rraskapitur i tëri. Ajo që më bëri të dridhem e të më vijë turp nga vetja, kishte të bënte me idenë e sapozbuluar. "Nuk jam poet" ,- i thashë vetes. Ky mendim më ndjek edhe sot e kësaj dite, ndërsa hedh këto radhë në këtë rrëfim për atë verë mbresëlenëse. Më hipi një mërzi e madhe dhe befas u ndjeva i diziluzionuar.U vura kryqin gjitha vjershave.
Një muaj më vonë më erdhi edhe përgjigjja nga Shtëpia Botuese, "Naim Frashëri". Pastaj në një mbledhje të degës së Lidhjes të rrethit një kritik nga Tirana e kishte marrë përsipër të luftonte shfaqjet e huaja në poezinë e të rinjve, përmendi edhe një metaforën time për nxënësit. Duhej të ishte diskutuar lart libri im… I krahasoja me përrenjtë, që kërkojnë të derdhen rrëmbyeshëm në lumenj e pastaj në det. U quajt jashtë kohe dhe hermetike…

Google+ Followers