Miza’n’skenë

AGRON TUFA


  Në sallën e Kakademisë së Shkencave, kakademikët ishin mbledhë me përkujtu dy jubile njëherësh: të Kryekakademik Leksit (i dekun) dhe të kakademik Ndroqlit (gjithashtu i dekun). Në mungesë të veprave të Kryekakademik Leksit dhe kakademik Ndroqlit (që përkon dhe me mungesën e viteve që u duhej me mbarue një universitet), ish-studentët e, mandej, shokët e kolegët e tyre të organizatës-bazë të partisë së Kakademisë kishin botuar, respektivisht, për secilin, nga një vëllim të trashë me… kujtime të zgjedhura nga koha e mbledhjeve. Në to rrëfehej se si të gjithë së bashku rreth Leksit e Ndroqlit (gjysma me tesera të kuqe e të tjerë me tesera të Bashkimeve Profesionale), kishin linçue me sukses gjuhëtarët borgjezë si Selman Riza me shokë. Për këto trimërira në dobi të shkencës shqiptare flisnin hollësisht kujtimet e kakademikëve të nderuar Taqua, Maqua, Gaqua, Naqua, Laqua dhe Knaqua. Në seancën e dytë referuan kakademikët e nderuar Jorgjua, Jorgua, Lafua, Janqi, Thomai, Jorgjina, Andromaqi, Harrilla, Kostaqi. Seanca e tretë u shty pasdreke. Në seancën e tretë duhej të referonin kakademikët e nderuar Gjovua, Vangjua, Uçua, Jorgaqua, Kristua dhe Sotiraqi.
Duhej, por ndodhi diç e papritur në sallë, që i detyroi të gjithë kakademikët të shmangeshin nga misioni kryesor i përkujtimit. Ndodhi kjo more miq, në mes të ligjëratës së Jorgaqos, pikërisht kur ky kakademik i zellshëm i mbyllte paragrafët e ligjëratës me konstatimin e trishtë që përsëritej: “Po vuan gjuha tonë, more shokëni, po vuan!”, pas së cilës kokat e kakademikëve në sallë miratonin në kor: “Po vuan gjuha tonë, po vuan!”.
E shi n’ato çaste, se nga u dha një mickonjë e tërbuar borgjeze (a ndoshta dy?), që filloi t’i pickonte kakademikët e pafajshëm, si me qenë miza cece. I pari u ngrit Harallambi, duke e ndjekur mickonjën me pëllëmbët e hapur dhe “praf”, i përplasi herën e parë. Hiç. “Praf” herën e dytë – hiç. Provoi dhe të tretën, por pa sukses: mickonja endej fare pranë me lëvizje të larmishme elipsore. Atëherë u ngrit Koço “praf!”, po as ai… Andrea nuk e la në baltë shokun, por as ai.
Për një moment u duk se aq e pat mickonja. “E vrava!” – shpalli Andrea triumfueshëm, por ia preu vrullin Aristidhi: “Mos lëviz!” Andrea ngriu një grimë e fill pas saj ndjeu t’i flakërojë faqja me gjithë një copë veshi nga pëllëmba e tjetrit. “Ah, më fal, po e vrava më duket!”. “Jo, jo”, shpallën të tjerët, dhe si në kohërat e ra – të gjithë për një e një për të gjithë, u ngritën me shuplaka në ajër në ndjekje të mickonjës.
Dikush iu lut çunave të televizioneve të mos filmojnë, por u harrua. Gjithë e më dendur dëgjoheshin disa të rrahura shuplakash në ajër. Kumbonte salla. Miza bënte përpara, gjithnjë shumë afër, ndërsa kakademikët e ndiqnin hë-hë ta vrisnin përgjatë gjithë sallës. Ata që ishin jo në krye të ndjekjes u jepnin kurajë shokëve me të rrahurat e shuplakave. Kështu, me këto ovacione shuplakash ndiqej miza tutje-tëhu, aq sa i hyri, si duket, në qejf kjo lojë dhe bënte spërdredhje spektakolare e ndjekur nga duartrokitje të nxehta si të ishte Udhëheqësi në sallën e Kongreseve.

Në atë sallë, kurrë nuk ishte përcjellë me nderim e duartrokitje aq të nxehta ndonjë personalitet i madh, sa ç’përcollën kakademikët tanë atë mickonjë, sipas të gjitha gjasave, borgjeze…

Google+ Followers