Miranda Haxhia: Më shumë i dua shkrimtarët kur lexoj ndonjë shkrimtaruc

Pyetësori i Prustit
Miranda Haxhia

Shkrimtare e vlerësuar me çmime dhe e përkthyer në gjuhë të ndryshme. Për ndonjë që ende nuk e ka lexuar prozën dhe poezinë e saj, zbuloni më parë botën personale të shkrimtares Miranda Haxhia
Cila është ideja jote për lumturinë?
Lumturia është një gjë kaq e çmuar dhe e rrallë, saqë jeta ime është e gjitha një udhë në kërkim të saj. Ka raste që hyn në ndonjë derë, të cilën nuk e kam ditur që kam pasë harruar hapur.
Cila është frika më e madhe?
Mos zgjohem një ditë e verbër. Nuk mund të rri dot pa lexuar.
Kë person të gjallë admiron më shumë?
Një njeri të zakonshëm, mësuesen time të letërsisë, zj.Milika Jaho, gruaja që edhe pa folur më bëri të shikoj përtej mureve të zymta të një kohe kur personaliteti im përpëlitej mes vetëdijes e lirisë intelektuale dhe indoktrinimit.
Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?
“Uriahipizmi” – shpifja, mashtrimi, shtirja. E kam njohur te “David Koperfildi” i Dikensit.
Ekstravaganca jote më e madhe?
Të rri një javë pa prekur libër me dorë.
Cili është udhëtimi yt i preferuar?
Udhëtimi brenda ndjesive të mia. Është kaq marramendës, i fshehtë, i mbushur me aventura që kapërcejnë përmasat e çdo lloj udhëtimi.
Në ç’rast mund të gënjesh?
Gënjej çdo fund muaji, kur mbarojnë paret dhe u them fëmijëve: kam ende, mos u shqetësoni.
Personi që përçmon më shumë?
Kam njohur një mjeshtër të shpifjes dhe të intrigës.
Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?
E kam në majë të gjuhës shprehjen “o xhan”.
Pengu yt më i madh?
Nuk kam ikur dot nga Shqipëria.
Kur dhe ku ke qenë e lumtur?
Gjithmonë kur troket dera dhe ndiej zërat e fëmijëve, apo bie celulari dhe del emri i tyre. Por ishte e paimagjinueshme lumturia kur njoha të fejuarën e tim biri dhe pashë si shkëlqenin sytë e të dyve.
Në ç’gjendje shpirtërore je tani?
E lodhur nga njerëzit, në një bisedë të heshtur me drurët. Druri është një gjë e këndshme për t‘u menduar para librit. Ai vjen nga pema dhe pemët rriten; pa na kushtuar vëmendje, në lëndina, në pyje dhe pranë lumenjsh –Më pëlqen të mendoj për pemën vetë: së pari ndjesia e thatë, e afërt e të qenit dru, pastaj rrjedhja e ngadaltë e lëngut organik. Jam si pema, plot me mendime paqësore. Do më pëlqente ta rrëfeja secilin veçmas, por diç më pengon… Ku e lashë? Ç‘ishte e gjithë kjo? Pemë? Libër? S‘mbaj mend asgjë. Çdo gjë po lëviz, bie, rrëshqet, shpërbëhet… – a quhet gjendje shpirtërore kjo?
Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?
Them se jam e druajtur, jam rritur në fshat, mes baltës, pluhurit dhe bukës së misrit. Ende ndiej turpin e drojën që më ka ndjekur qysh atëherë, kur më zbonte shitësja e bukës në qytet duke bërtitur plot mllef: “shkoni fshatarë të ndyrë, hani bukën tuaj!” Dua të mos jem kaq e ndrojtur kur më fyejnë, natyrisht, me forma dhe mënyra më “bashkëkohore”. Të mos u përgjigjem gjithmonë me heshtje e shtangie.
Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?
Botimin e librit “L’ultima porta” (Porta e fundit) me tregime në Itali. Dikush atje e kishte pëlqyer rrëfimin tim. Vërtet ishte një shtëpi e vogël botuese, por për herë të parë mora pare nga libri, nuk pagova.
Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?
Do të doja të shndërrohesha në një copë reje, të rrija pezull në qiell, të shikoja fëmijët e mi, kur të ndienin vapë, të errësohesha e t’u lëshoja ca pika shiu deri në faqet e tyre. E të mund t’u fshija ndonjë lot me ato pika shiu. Kur të dëshironin diellin, të shtyhesha më tej. E mendoj shpesh këtë…
Cili është sendi më i çmuar që zotëron?
Kam blerë njëherë në një librari në Itali librin “Cime tempestose”, kushtoi 7.90 euro, por u shpërbë në mija kënaqësi kur e kam lexuar. Kësi gjërash me vlerë, ar, stoli, xhevahire, nuk kam. Nuk jam mësuar me to.
Cilën quan pikën më të thellë të mjerimit?
Kur njeriu humbet konceptin e së drejtës, kur  lëkundet me pasiguri dhe pafuqi midis bindjes se të drejtat janë një dhuratë e perëndisë, apo bindja se të drejtat janë një dhuratë e shoqërisë që mund të shkelen si pasojë e një teke të njëanshme…burimi i të drejtave të njeriut është ligj i identitetit dhe kur humbet të drejtat, ka humbur identitetin.
Ku do të pëlqente të jetoje?
Më mjafton një dhomë, pa asnjë koordinatë.
Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?
Më magjeps leximi.
Cila është karakteristika juaj më e spikatur?
Heshtjet e gjata. Besnikëria.
Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?
Mençuria dhe fisnikëria.
Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?
Ndjenja e së bukurës dhe aftësia për të dëgjuar tjetrin.
Cilët janë shkrimtarët e preferuar?
I kam dashur dhe tradhtuar të gjithë me radhë, gjatë kohës që i kam lexuar. Asnjë nga shkrimtarët që dua nuk ka as email, as celular, vijnë nga kohë të tjera. Me ta ritakohem dhe i dua shumë rishtazi, gjithmonë e më shumë, sa herë dal nga një lexim drobitës i ndonjë shkrimtaruci.
Cili është heroi yt në art dhe kulturë?

Davidi i Mikelanxhelos dhe Rakela, te romani “Çifutka e Toledos”, i Fojhtvangerit. Sidomos kjo e fundit, nuk di ta përshkruaj sa dhe si më ka frymëzuar. Nuk ka masë.

Cilët ke heronj në jetën reale?

Është një grua e thjeshtë, e panjohur, mbesa ime, Elda. Prej më se njëzet vjetësh, dashuron, kujdeset dhe i është përkushtuar bashkëshortit të saj, Çimit, të ngujuar në karrige me rrota prej multisklerozës. Sidomos pasioni me të cilin ajo rrëfen për gjithçka bën për të shoqin. Sa më shumë rëndohet nga sëmundja i shoqi, aq më shumë shpreson Elda se do shërohet. E shoqëron në auditorin e universitetit, shëtit me të, e ndihmon dhe mbi të gjitha janë të dashuruar marrëzisht. Kur shikoj Eldën, pyes veten: Pse bëj kaq pak për njerëzit me të cilët kemi ndërtuar historinë e familjes?
Cilat gjërat nuk të pëlqejnë fare?
Nuk duroj dot të shoh filma me luftë shkatërrimtare.
Si do të të pëlqente të vdisje?
Pasi të kem mbaruar së rilexuari paragrafin e fundit të romanit “Lartësitë e stuhishme”, (i mbaj mend edhe tani)- Qëndrova gjatë pranë atyre varreve nën atë qiell dashamirës; pashë fluturat e natës që vërtiteshin mes shqopës dhe zymbylave, ndjeva frymëmarrjen e lehtë të erës përmes barit dhe pyeta veten: kush vallë mund të imagjinonte se ata që flinin nën atë dhe’ të qetë të mund të bënin një gjumë aq të paqetë? – të mbyllja librin dhe të humbitja mes shqopave.
Cila është motoja jote? 
Të shkruash është një akt dashurie, gjithçka tjetër është një zhgaravinë – një shprehje e shkrimtarit dhe piktorit francez, Jean Cocteau

Google+ Followers