Meri Lalaj përkujton vajzat e Institutit “Nana Mbretereshë”


“…Nuk e dija se me sa njerëz duhej të bisedoja, sa e sa libra, gazeta e materiale të tjera duhej të shfletoja dhe sa fotografi do mblidhja.
Çdo ditë unë jetoja me vitet e shkollës së tyre, me përpjekjet dhe vetëmohimin e tyre në luftën për çlirimin e vendit, me idealet, me ëndrrat e tyre të bukura për të ardhmen. Herë herë ndihesha e burgosur si Didi Biçaku apo Gjylsyme Dervishi, jetoja vitet e gjatë të izolimit të Musine Kokalarit, provoja kulmin e karrierës dhe fundosjen me tridhjetë vite në internim si Liri Belishova, gëzoja për fatin e lumtur të Nermin Vlorës dhe Vera Blloshmit. E kudo më ndiqte nga pas Ramizeja.
Ndërsa bisedoja me zonjën Takuina, më bëhej se isha duke pirë kafe e duke folur për muzikën me nënën e saj, Jorgjia Trujën, po ashtu, kur takova zotin Agron Gashi, më dukej se me mua fliste plot dashuri për Shqipërinë etnike vetë babai I tij Ahmet Gashi..”

Ishin këto disa nga personazhet e shumtë që përshkruhen në librin e ri të zonjës së nderuar Meri Lalaj, nën titullin “Instituti Femnor “Nana Mbretëreshë””
Edhe mua më ka telefonuar zonja Meri Lalaj, kur po shkruante këtë libër të vyer, për të marrë të dhëna dhe fotografi nga nëna ime, Vezire, ish nxënëse për tetë vjet rresht (1934-1942) në atë shkollë të lavdishme, e hapur 80 vjet më parë, që përgatiti kaq shumë kuadro femra për arsimin dhe jo vetëm për të.
U lumturova sërish kur zonja Meri më dhuroi, me dorën e saj, një nga kopjet e para të librit, me përkushtim ndaj nënës sime.
Kur ja tregova librin nënës, ajo sigurisht u mallëngjye shumë, rikujtoi shumë shoqe të saj, jo vetëm moshatare , po ashtu mësuesit, kujdestarët, tërë jetën në shkollë, atmosferën e asaj kohe. Madje i telefoi edhe vetë autores duke e falenderuar përzemërsisht.

Duke pirë kafe me të biseduam për punën e bërë, për vështirësitë e hasura, për ndonjë gabim shtypi apo harresë të vogël që gjithësesi autorja nuk do kishte dëshirë t’i shpëtonte, si asaj ashtu edhe shtypshkronjës.
Por ajo ndjehej e trishtuar sepse brezat e kësaj shkolle shumë të njohur dalëngadalë po shuhen, mosha bën të veten por edhe njëkohësisht e kënaqur që mundi gjithësesi të kontaktonte në të gjallë shumë prej personazheve të saj.
Diçka të ngjashme ka bërë në Prishtinë edhe zonja Sanie Gashi kur shkroi librin “Ecje nëpër kujtesë” kushtuar 31 grave të shquara shqiptare.
Libra të tillë janë materiale burimore shumë të vyera për historinë e arsimit shqip dhe historinë në tërësi të kombit tonë.
Në libër tregohet për fatin e ndryshëm të shumë ish nxënëseve të Institutit në fjalë, por që të gjitha i bashkon dashuria për atdhe dhe gjuhën shqipe, e ushqyer sistematikisht nga pedagogët e tyre të mrekullushëm.
Në vendimin zyrtar për hapjen e kësaj shkolle thuhej shprehimisht:
“Qëllimi: përparimi oksidental mbi bazat e Bashkimit Kombëtar” (AQSH, dosja 23, fq. 5 (25.5-18.6.37)
Ministri i atëhershëm i arsimit, Mirash Ivanaj shkruante:
“Shkolla e shtetit, e ndarë nga feja, do të ishte shkolla e atdheut, e bashkimit dhe e ndjesisë kombëtare, e dijes dhe e mendimit të lirë; shkollë e ‘djelmënisë shqiptare të tri besimeve, për të forcuar atë bashkim që vetë Zoti na e ka dhanë me nji gjak, me nji gjuhë, me nji interes”

Po jap disa fragmente nga vetë libri, me shpresë se ju do ta bleni dhe do ta lexoni atë plotësisht.

f. 27
Nermin Vlora Falaski, ish nxënëse e kësaj shkolle ka shkruar:
“Kam shetitur në shumë vende të botës, por asgjëkundi nuk kam gjetur një shkollë të fortë, me disiplinë, me profesorë aq të përgatitur e kërkues.”

f.155
Tek dera e burgut Didi (Biçaku) priti gati dy orë, duhej të hynin një e nga një. Kapërceu portën e madhe, pastaj portën tjetër, e shtynë tek një derë biruce. Aty brenda ishin shumë njerëz dhe ishte errësirë e plotë. U ndez një shkrepse dhe një zë femre pyeti: “Cila je?”. “Jam Didi Biçaku..” “Uah, Didi eja, eja, jam unë Sabiha Kasimati…” (Sabihaja kish ndenjur për të fjetur në konviktin e Institutit Femnor teksa  punonte si mësuese, prandaj njihej me Didin). Sabihaja ishte e sëmurë me ethe, sespe ishte ftohur, e mori Didin te dysheku i saj të shtrirë përtokë. Ato u ulën dhe folën tërë kohës në errësirë. Nuk kuptohej kur ishte ditë apo natë, dhoma nuk kishte dritare. Një natë, sigurisht ishte natë sepse sigurimsat të gjitha veprimet i kryenin në erërsirën e natës, i lajmëruan se do t’i nxirrnin nga ajo dhomë e errët.
Sabihaja dridhej nga ethet dhe Didi i veshi pallton e saj (edhe me atë pallto e vranë…). Më së fundi, u hap dera, drang e drung. i nxorën nga dhoma. Dora e Didit ishte e lidhur me pranga pas dorës së Sabihasë. Aty në koridor ndriçonte vetëm një fener.
Nuk i lejonin të ngrinin kryet për të parë njëri tjetrin, por befas Didi pa një oficer, të cilin e njihte që nga koha e shkollës. Ai uli kokën. Aty, në krye të koridorit, tek tavolina, Didi njohu Mehmet Shehun, që thërriste me sa i hante zëri:
“Ju jeni armiq të popullit…Do merrni dënimin maksimal!”. Askush nuk guxonte të ngrinte kokën.
Didi rrëfen; “ U dëgjua një zhurmë makine. U hap dera dhe të burgosurit po I futnin në makinë, në fund isha unë me Sabihanë. Ajo hipi, kur do hipja unë, ndërsa kisha hedhur njërën këmbë, më shtyu njëri nga rojet, më shkëputi prangën prej dorës. (Sespe emri i Didit nuk ishte në listën e atyre që do pushkatoheshin). Sabihaja po më fliste të shkoja. Unë pandeha se ata po i lirojnë dhe po qaja se doja të shkoja me ta.
Sabihaja ishte e vetme midis gjithë atyre burrave..Gardiani që po më shpinte në birucë, më tha:
“Po ti deshe të shkoje të Ura e Beshirit!”.
Më futën në birucën e madhe. Dy ditë nuk futa bukë në gojë, vetëm qaja dhe përmes lotëve thurrja vargje me mend për nënë time, për motrën, mbesën e vogël…

f. 160
Më e tmerrshmja e kësaj kohe ishte se Dritën (Kosturi) e futën në një qeli plot me burra: punëtorë, studentë, hoxhallarë, priftërinj dhe intelektualë. Ajo duhej të flinte përtokë në një vend prej 40 centimetrash. Një femë e vetme midis atyre burrave. Kjo qe një nga format e torturës.
Veçse ato burra u sollën ndaj Dritës siukur ta kishin motrën e tyre, ajo nuk kishte njeri në Shkodër dhe u arrestua duke pasur veç një fustan basme në trup. Shokët e qelisë i gjetën një palë pizhama dhe një batanije që të mbulohej, ata e ndanin ushqimin e tyre me Dritën.

f. 171
Edhe tani që po shkruaj (Eleonora Ikonomi, Pançe), më duket sikur e kam parasysh profesor Gashin: një burrë i gjatë, pak i përkulur, me flokë të bardha, me një fytyrë të qeshur e me një vështrim të ëmbël. Orët e mësimit të gjeografisë ishin shumë të dashura për ne. Kur shpjegonte profesor Gashi më dukej sikur edhe ne ndodheshim aty në ato vende: në liqenet e Lurës, në Bogë, në Razëm, në kështjellën e Rozafës, në malin e Tomorrit, në liqenin e Pogradecit, në Dardhën e Korçës, në Llogara, në bregdetin e bukur të Vlorës, në Sarandë etj. Ai na thoshte: “Bijat e mia, kur të mbaroni shkollën, ju do të shkoni e do t’u jepni mësim fëmijëve të atyre vendeve e do të shikoni me sytë tuaj bukuritë e atdheut tonë të shtrënjtë, që Naimi, poeti ynë i dashur, i ka përshkruar tek poemi “Bagëti e Bujqësi’. Ne edhe gjuhën e kemi aq të bukur, nuk duhet të përdorim fjalë të huaja, që na kanë mbetur nga e kaluara dhe këtë do ta bëni ju me brezat e rinj”.

f.187
Ashtu sikurse edhe shumë të rinj e të reja të brezit të saj, ajo (Fazilet Gjilani Maha) besonte në idealet patriotike për liri të atdheut, për një regjim demokratik e parlamentar të pasluftës, për barazi mes bijve të shqipes, pavarësisht nga idetë e ndryshme, mjafton që ato të krijonin kushtet për zhvillimin dhe mirëqenien e kombit. Këto ishin bindjet e saj dhe as i shkonte ndër mend ajo tragjedi e kobshme që po ngjizej. Shumë shpejt faktet do t’i tregonin faqen tjetër të medaljes. Në vitin 1945, në mbledhjen e organizatës së grave të Frontit Demokratik, mbajtur në kinema “17 Nëntori” u shpall aneksimi I Kosovës nga Jugosllavia.
Fazileti ishte i vetmi zë midis qindra pjesëmarrësve në sallë, që kërkoi të zbatohej marrëveshja e Bujanit, sipas të cilës pas çlirimit të Atdheut, populli i Kosovës do të zgjidhte me vullnet të lirë nëpërmjet një referendum plebishitar qendrimin e tij me tokën amtare shqiptare, apo me atë jugosllave.
Historia tregoi se sa i kushtoi popullit kosovar ai vendim i njëanshëm I PKSH nën diktatin e PKJ vetëm se atë pasdite të 1945, Fazileti e kuptoi qartë se idealet ishin tradhtuar.

f.210
Më 12 nëntor 1944 forcat partizane i pushkatojnë dy vëllezërit e saj (të Musine Kokalarit), të cilët ishin intelektualë , patriotë dhe demokratë të vërtetë. Nga vrasja e vëllezërve ajo tronditet shumë, duke kuptuar fytyrën e vërtetë të pushtetit që po vinte në fuqi.
Musineja kundërshton vendosjen e pushtetit popullor dhe arrestohet dy herë nga data 13 deri më 28 nëntor. Ajo kritikoi shkeljet e para të demokracisë nga Partia Komuniste Shqiptare për zgjedhjet e para pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.
Kështu bashkohet me forca të tjera politike të “Koalicionit Demokrat”. Musineja e shkroi programin e partisë dhe e tregoi veten si një politikane shumë e  zonja. Kundërshton zgjedhjet e para dhe arrestojet me 23 nëntor 1946.
E ndodhur para gjyqit ushtarak tok me 36 persona të tjerë, ajo nuk pranoi avokat, por qëndroi plot dinjitet krenare, e bukur përballë gjykatësve të pashpirt, ashtu e veshur me të zeza, me sharpin sterrë të zi në kokë, në shenjë zie për vëllezërit e pushkatuar dhe fjalët e saj ishin mbresëlënëse:
“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim. Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!

f.217
(Myzafere Gjinali Hatibi) në vitin 1941 tgransferohet në Kosovë bashkë me 200 mësues vullnetarë nga Shqipëria, që u caktuan për të plotësuar nevojën e madhe për mësimdhënie në shkollat e Kosovës, të lënë në errësirë e padije nga shovinistët serbë…
Gjatë pushtimit gjerman arrestohet si pjesëtare e rinisë antifashiste, dërgohet në kampin e Prishtinës e pastaj në kampin e Vjenës dhe lirohet pas kapitullimit të Gjermanisë.

f.225
Ramizeja (Gjebrea) filloi studimet në këtë Institut në shtator 1935, ajo ka shkruar në ditar:
 “Perëndia deshi që unë të vija në këtë shkollë…”
Të gjitha shoqet e shkollës e adhuronin për sinqeritetin, mënçurinë, trimërinë, formimin kulturor e letrar. Ramizeja apo Ramona, siç e thërrisnin, e dinte përmëndësh “Komedinë Hyjnore” të Dantes.
Liri Belishova ka thënë për të:
“..E vetmja femër me tri shumë: shumë e bukur, shumë trime, shumë inteligjente.”…
Nëna e Ramizezë ishte nga Kaçaniku dhe kur u lind ajo, djepi I saj u mbulua me flamurin shqiptar.
…Ramizeja gjendej gjithnjë në krye të aksioneve antifashiste, prandaj përjashtohet nga shkolla. Vijon jetën si njëra nga femrat ilegale e njësiteve guerile duke rrëmbyer tok me Misto Mamen dhe Mihal Durin shaptilografin e fashistëve, i cili ishte aq i nevojshëm për të shumëfishuar traktet dhe gazetat antifashiste të kohës.

f. 227
Në fshatin Ramicë të Vlorës në muajin shkurt 1944, e arrestojnë shokët e saj partizanë, i bëjnë një gjyq aq të çuditshëm për gjoja lidhje të paqena dashurie.
Ismail Kadare shkruan:
“Vajza partizane me një bukuri të rrallë, e lidhur me litar, midis baltës, bagëtive dhe pisllëkut, në haurin ku mezi bën dritë një kandil i zbehtë, në Ramicë të Vlorës. Dhe ishte vetëm njëzetë e një vjeç. E vranë gjoja për një lidhje dashurie të stisur. Një krim që do të paralajmëronte gjysmë shekulli zi në historinë e kombit tonë.”

Përgatitur nga Bardhyl Selimi

Google+ Followers