Liviu Lungu, shkrimtari shqiptaro-rumun promovon librin në Tiranë


I rritur me rrëfimet e gjyshes, ai kishte krijuar një Shqipëri imagjinare. Aq e gjallë ishte ajo në shpirtin e tij, saqë shkroi edhe një roman me ngjarje dhe personazhe shqiptare, botuar në shqip disa vite më parë. Dje, autori rumun Liviu Lungu është kthyer sërish në Shqipëri, por me një libër tjetër, të titulluar “Admirali im”, botuar nga shtëpia botuese “OMSCA1”. Promovimi u zhvillua dje në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndryshe nga romani paraardhës “Lekë bukurani. Dashi…”, romani “Miku im Admirali” i kushtohet detit, nuk ka lidhje të mirëfilltë shqiptare, por në të nuk mungojnë mitet e përbashkëta ballkanike. “Në libër gjendet miti i Rozafës, sepse rumunët, e po ashtu edhe popuj të tjerë të Ballkanit e kanë mitin e flijimit të një njeriu në një ndërtim. Fëmijëria e tij është markuar nga rrëfimet e gjyshes së tij, e cila ishte shqiptare. Ai është rritur në atmosferë shqiptare, mes diasporës dhe vepra e tij është vulosur me elemente shqiptare, peizazhe, rrëfime, me mënyrën e të menduarit shqiptar dhe, pavarësisht se shkruan në gjuhën rumune, përmes veprave të tij ai përcjell këtë element të patjetërsueshëm. Ai është konsekuent në të 11 romanet që ka botuar”, thotë studiuesi dhe përkthyesi Luan Topçiu. Për shkrimtarin Liviu Lungu, i cili profesion të parë ka arkeologjinë, Shqipëria zë një vend tepër të veçantë për të. Nëse vite më parë ai realizoi një roman mbi Shqipërinë imagjinare, tani ai do të shkruajë një tjetër mbi atë që ka parë. “Së shpejti do të dalë një libër, i mbështetur në mbresat e udhëtimit tim të parë në fshatin e gjyshes sime në Gjirokastër. Mes Shqipërisë së rrëfimeve të gjyshes dhe asaj që gjeta, nuk kishte asnjë ndryshim. Teksti është një rrëfim mbi rrëfime të tjera dhe Shqipërinë e kam gjetur ashtu siç e prisja dhe si e kisha imagjinuar. Pavarësisht se çfarë ndodh, Shqipëria për mua ka një vend të veçantë. Është një vend i privilegjuar për mua”, tha Lungu. Ai premtoi se kësaj here do ta vizitojë më gjatë Shqipërinë, madje edhe site arkeologjike, ndonëse, siç thotë ai duke qeshur, i sapolarguar nga një “kantier” gërmimesh, nuk do të donte të punonte në një tjetër. Por ndërkohë ai e lë lexuesin shqiptar me një histori dashurie për detin dhe një këngë.

Google+ Followers