Libri i Syrja Vlorës: “Ismail Qemalit i pëlqente vetja dhe dashuritë kalimtare”


Botohen kujtimet e Syrja Vlorës, nga viti 1912 në 1920.

“Ismail Qemalit i pëlqente vetja dhe dashuritë kalimtare”

“Asnjëherë s’ndoqi një qëllim serioz në politikë. Profesionin, mikun dhe familjen e tij nuk i mendoi më tepër se veten”

Marenglen Verli: Syrja Vlora, rival politik i Ismail Qemalit 





Ndërsa kanë pritur 60 apo 70 vjet që të botoheshin, më në fund i vijnë lexuesit kujtimet e një prej njerëzve më të fuqishëm gjatë viteve të fundit të Perandorisë Osmane në Shqipëri. Bëhet fjalë për librin e Syrja Vlorës, “Kujtime-Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës”, i cili dëshmon për ngjarje të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që nga shpallja e pavarësisë, ardhja e princ Vidit, kryengritjet, marrëdhëniet me Italinë, deri në “hedhjen në det” të këtyre të fundit në vitin 1920. Syrja Vlora ka mbajtur poste të rëndësishme, si drejtor doganash, ambasador në Vjenë, deputet, ndërkohë që rridhte nga një familje e njohur, prej ku kishin dalë pashallarë e vezirë. Promovimi i këtij libri të botuar nga shtëpia botuese “Iceberg” u zhvillua dje nga Instituti i Historisë, në ambientet e Akademisë së Shkencave. Që nga drejtori i këtij instituti, historiani Beqir Meta dhe dy redaktorët e librit, Marenglen Verli e Ledia Dushku, treguan për rëndësinë që ka ky libër, jo vetëm si referencë për historianët, por edhe si një mundësi qasjeje ndaj së vërtetës nga ana e lexuesve. Si një libër kujtimesh, ai është i pashkëputur nga dozat e subjektivitetit. Përmes këndvështrimit të Syrja bej Vlorës vijnë figura, si Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani, Haxhi Qamili etj. Mësohet se ai ka qenë kushëri dhe rival politik i Ismail Qemalit dhe është i kuptueshëm qëndrimi që ai mban kundrejt tij në librin me kujtime. al.mi/panorama



Syrja Vlora

Në personalitetin e Ismail Qemal Beut, në sjelljen e tij kishte seriozitet dhe fisnikëri. Për kërkesat ndaj vetes së tij të detyronte ta nderoje. Tregonte shumë kujdes të kishte nën kontroll dhe të kujtonte secilin. Në çdo situatë shihej si kryetar dhe mund ta ruante vazhdimisht ekuilibrin. Rrugën e jetës së tij e kaloi me shumë probleme, por nuk tregoi dobësi. Nuk ishte i lumtur, por nuk e tregonte veten të pashpresë dhe të mërzitur. Të ardhurat i shpenzonte në vende të panevojshme. Në këtë periudhë gjithmonë gjendej në vështirësi të tmerrshme. Por i pëlqente vetja dhe dashuritë kalimtare. Fuqinë e mendjes e kishte të përkryer, por kishte të metë se kishte aftësi të mashtronte me fjalë. Kur kërkonte të zotëronte situatën, vendoste autoritetin, bëhej tahmaqar dhe i shkonte fjala; kundërshtonte, thërriste, por qëndronte larg nga zëniet dhe konfliktet (Në kohën që caktohej kufiri i Shqipërisë, me qëllim që të sigurohej përkrahja e Francës, u pa e nevojshme t’i dërgohej një telegram zotit Raymond Poincare. Kur po bisedohej për mënyrën e shkrimit të këtij telegrami me Këshillin Ministror, nisën të marrin pjesë në bisedime dhe një turmë xhahilësh, të cilët nuk druanin dhe hynin përherë pranë Ismail Qemalit. Ismail Beu, pa treguar asnjë shenjë mërzie ose zemërimi, vazhdoi të shkruante telegramin në fjalë duke i dëgjuar e duruar gjithë budallallëqet e tyre). Nuk e prishte qetësinë nëse nuk ishte i detyruar; nuk kërkonte të ngatërrohej me fjalë; ishte i pasur në ndjenjat e tij; ishte i ditur dhe nuk i shikonte gjërat në mënyrë sipërfaqësore. Rrallë kalonte në situata të padëshirueshme. Me asnjë nuk zuri marrëdhënie miqësore. Në marrëdhëniet përballë dy personave gjatë bisedës donte të tregonte epërsinë e tij. Dukej se e donte atdheun dhe patriotët. Pas fitores së serbëve dhe bullgarëve u largua nga Stambolli për në Vjenë. Duke qenë i sigurt në ndihmën e Austrisë prej andej u drejtua për në
 
ISMAIL QEMALI

Vlorë. Nga Shqipëria iku i vogël dhe u kthye në moshë të pjekur. Prej fëmijërisë në mendjen e tij kishte krijuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Ndryshimet e mëdha që vuri re me kthimin në Shqipëri, e bënë atë të vendoste të prishte imazhin e krijuar në mendje, të merrej me politikë e të punonte sa kishte fuqi. Mund të themi se rrethi shoqëror që gjeti, ishte më i përparuar. Në ballafaqim me secilin shpjegonte elementin (e administrimit publik) “kanton” dhe të mirat e tij (Ismail Beu, në Vlorë një kohë ndenji në shtëpi të Hasan Aga Sharrës, më pas në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës dhe, më së fundi caktoi si banesë ndërtesën e karantinës, që ndodhet në skelë. Kurdoherë rrinte mbi një minder, aty flinte, aty hante bukën dhe aty i priste ata që vinin, për të treguar se vlerësonte jetën popullore. Mundonte veten, por kjo gjendje mjeruese shkaktonte te të huajt një përshtypje të keqe). Mirëpo, bashkimi i pronës nuk siguronte mbështetjen në formë të prerë. I kishin tërhequr vëmendjen se forma e ndarjes së shtetit në kantone do të kërkonte ndarje administrative. Ai e dinte sa e rrezikshme dhe sa shumë e nevojshme ishte të merrej ende në vëmendje pjesa e punës së policit, pasi ende brenda nesh administrimi i shoqërive (komuniteteve që i bashkojnë zakonet dhe traditat) nuk kishte arritur nivelin e duhur. Prandaj kërkimet dhe vëzhgimet ishin tepër të nevojshme. Qeveria në vite ishte civilizuar. Përparimi, civilizimi dhe bashkimi në një vend konsiderohej dhe pranohej si i shenjtë. Por gjuha dhe civilizimi nuk ishin pranuar në popull. Kjo nuk do të ishte e mundur të përvetësohej nga secili menjëherë. Mund të themi se Ismail Beu me këtë zhvillim të inteligjencës i parapriu Esat Pashës. Në emër të “Shqipëria me dy qeveri”, Esat Pasha mori guximin të kalonte situatën dhe të formonte qeverinë e dytë, duke hapur kështu një derë të shkatërruar. Sidoqoftë, Ismail Qemal Beu nuk pati frikë dhe e kuptoi nevojën e vendit tonë që programet politike të lëvizjes duhet të bashkoheshin dhe të merreshin masa, të cilat do t’i shërbenin shoqërisë sonë. Por ligjet e vëna nuk e garantonin këtë. Ismail Qemal beu ishte një nga ata që e njihte më mirë Kushtetutën Osmane. Që prej kohës së Mit’hat Pashës, ai e kishte treguar këtë me zgjuarsinë e të kuptuarit të situatave. Vendi ushqente shpresa të mëdha. Rreth 14-15 muaj që ishte në drejtim, kaloi gjithë kohën në udhëtim, ai ishte një udhëheqës që nuk pati nj vdekje të lumtur. Si kryetar asnjëherë nuk përfitoi nga posti që kishte. Në një situatë ku ai lehtësoi realizimin e qëllimit të udhëtarëve, që lëviznin nga Stambolli me vaporin “Meran”, me dhënien e njoftimit se rrezikonin të shkaktonin gjendje kaotike në Shqipëri, u bë objekt i marrjes së fajit. Nëse duhet të analizojmë personalitetin e tij, mund të them se Ismail Qemal Beu asnjëherë nuk ndoqi një qëllim serioz në politikë. Profesionin e tij, politikën, mikun dhe familjen e tij nuk i mendoi më tepër se veten. Mendoi vetëm për veten e tij. Vazhdimisht jetoi me luftë dhe kënaqësinë më të madhe të jetës e gjeti në sigurimin e dëshirave vetjake. Më së fundi, them se shpallja e pavarësisë nga Ismail Qemal Beu është shërbimi për të çuar në vend detyrën. Fitorja e saj ishte e drejtë për historinë e kombit tonë dhe e rregullt. Mëshira e Zotit qoftë mbi të!


Marenglen Verli: Syrja Vlora, rival politik i Ismail Qemalit
Një libër i rëndësishëm mbi historinë e viteve 1912-1920
Përkthimi nga osmanishtja mendohet të jetë i Ali Asllanit 


Një nga redaktorët e librit me kujtime të Syrja Vlorës, historiani Marenglen Verli shprehet se bëhet fjalë për një figurë shumë të spikatur të fillimshekullit XX, pavarësisht se mbi të nuk dihet shumë. Fatkeqësisht kujtimet e tij kanë pritur shumë dekada në arkivat e Institutit të Historisë, derisa panë dritën e botimit. Ato janë përkthyer rreth viteve ’40. Ndonëse nuk është e sigurt, sipas Verlit, shenjat të çojnë te poeti Ali Asllani.

Prof. Verli, çfarë përfaqëson figura e Syrja bej Vlorës në historinë shqiptare?

 
Syrja bej Vlora është një figurë e njohur, personalitet i fillimshekullit, kushëri dhe rival i Ismail Qemalit, vëlla i kryeministrit të fundit osman deri në vitin 1908, drejtor i Doganave Osmane, një nga ata pronarë të mëdhenj që deshën të fusnin metodat kapitaliste në vitet ’20-’30 në Shqipëri etj. Pra, një figurë e spikatur e dekadave të para të shekullit të shkuar. 


Çfarë periudhe përfshijnë kujtimet e tij?

 
Kujtimet përfshijnë kryesisht periudhën mes viteve 1912-1920. Ai e trajton me ngjyra shumë të ndezura këtë periudhë. Ngjarje, personalitete parë sipas këndvështrimit të tij, dihet që kujtimet e kanë subjektivizmin brenda vetes. Mendohet të jenë shkruar rreth viteve ’20-’24. Janë në osmanishte dhe mendohet të jenë përkthyer në gjysmën e dytë të viteve ’40, menjëherë pas lufte. 


Kush i ka sjellë në shqip ato?

 
Nuk kemi mundur ta identifikojmë plotësisht, por të dhënat na çojnë te vlonjati i njohur, njeriu i letrave, Ali Asllani. Nisur nga një shënim i vendosur në faqet e zverdhura të përkthimit, ku dallohen inicialet A.A, nga stili i përdorur, nga dialekti jugor dhe fakti që ai ka qenë një njohës shumë i mirë i osmanishtes, mendojmë se përkthyesi është pikërisht Ali Asllani.


Ç’kanë të veçantë këto kujtime, diçka që nuk e kemi ditur më parë?

 
Si në çdo botim të memuareve, lexuesit do të gjejnë gjëra shumë interesante. Do të lexojnë mbi figura, si Ismail Qemali, Esat Toptani, Ahmet Zogu, Pren Bib Doda etj. Nuk do të ketë gjëra që do të çudisin dynjanë, por ka detaje, imtësi, trajtime në thellësi të personaliteteve, që ai i ka njohur nga afër. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për personalitete shqiptare, por diplomatë austro-hungarezë, osmanë, të vendeve fqinje etj. 


Ju thatë se ato janë përkthyer qysh në vitet ’40, përse u botuan kaq vonë?

 
Nëse do të gërmosh në arkiva, do të gjesh diçka patjetër. Këto kanë qenë në Arkivin e Institutit të Historisë me vite, janë shfrytëzuar edhe nga studiues të historisë. Gjatë periudhës së fundit, një nga zërat e Institutit të Historisë ka qenë sjellja për lexuesin jo vetëm e punimeve të studiuesve si monografi, artikuj, përmbledhje artikujsh etj., por është shtuar shumë edhe numri i dokumenteve të botuara, i kujtimeve dhe ribotimi në gjuhën shqipe i albanologëve. Pra, lexuesit kanë mundësi t’i qasen historisë nga shumë dimensione, kanë mundësi të zgjedhin dhe t’i qasen më afër të vërtetës. 


Syrja bej Vlora njihet si rival politik i Ismail Qemalit, si e portretizon ai figurën e këtij të fundit?

 
Përmes këndvështrimit të Syrja bej Vlorës, Ismail Qemali vjen me të mirat dhe të këqijat e tij. Por e rëndësishme është që edhe ai bie dakord se ai ishte figura brilante që mundi të bënte atë që bëri, pra të unifikonte politikanët shqiptarë dhe me një pragmatizëm të spikatur dhe përvojë shumë të madhe, të realizonte pavarësinë.

Syrja Vlora, politikani nga një derë vezirësh


Syrja Bej Vlora lindi në Vlorë në vitin 1860 dhe vdiq më 1940-n. Pinjolli i familjes së njohur të Vlorajve, që i kishte dhënë Perandorisë Osmane pashallarë e vezirë. Ishte i biri i Mustafa Pashë Vlorës dhe i vëllai i Vezirit të madh, Ferit Pashë Vlorës (1903-1908), kushëri i Ismail Qemalit, por njëherësh rival i tij politik, babai i Eqrem bej Vlorës, kunat i Esat Pashë Toptanit (i kishte marrë motrën për grua), drejtor i përgjithshëm i Doganave osmane, deputet në Parlamentin osman pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë më 1914 etj. Syrja Vlora është i ati i Eqrem Bej Vlorës.

“Haxhi Qamili, një kriminel i çmendur”


Haxhi Qamili
 
Në Shqipëri ishin të pakta ato zemra të pastra, që e ndienin pavarësinë dhe ruanin shpresën për të ardhmen kombëtare. Turma nuk i çmonte dobitë e lirisë ose vargonjtë e skllavërisë. Ajo vetëm dëshironte një ndryshim administrate dhe priste ndonjë ngjarje të re, pa qenë në gjendje ta kuptonte si duhej bërë ky ndryshim. Fanatikët, që atdhedashurinë e quanin si një mëkat dhe kundër fesë, duke përfituar nga verbëria e popullit dhe duke marrë si pretekst gënjeshtrën, se feja e sovranit do të zhdukë traditat myslimane, shtuan shpresën për krijimin e një qeverie myslimane, ose vazhdimin e lidhjeve me Portën e Lartë. Dihej se realizimi i këtij qëllimi nuk ishte i mundur. Shqipëria nuk mund të rronte pa u ngritur një administratë kombëtare, që ta bashkonte popullin e të tri feve. Katolikët dhe ortodoksët e vendosur në viset kufitare nuk ishin bashkuar ende. Ata ishin të shqetësuar nga trazirat e administratës dhe shumica nuk e kishte treguar ende prirjen kombëtare. Në sy të botës, Shqipëria shfaqej jo unike, e përbërë prej fisesh të ndryshme. Në terren nuk shihej gjë tjetër, veçse mbeturina e shkatërrime. Por, krerët e rebelëve, që me pasionin e reaksionit nuk lanë dy gurë bashkë, nuk deshën t’i shihnin këto rreziqe, madje do të ishte më e drejtë të themi se nuk deshën t’i pranonin ato… Haxhi Qamili, shërbëtori i Refik Beut (Toptanit) nga Tirana, me gjithë kuptimin e fjalës ishte njeriu që në vetvete personifikonte egërsinë, ishte armik i edukatës shoqërore dhe i zhveshur nga ndjenjat kombëtare. Ai ishte si një i çmendur, i arratisur prej çmendine. Çmenduria dhe kriminaliteti i tij dihej nga çdo njeri. Pikërisht atë e pranuan si udhëheqës dhe iu vunë pas. Në minutën që Prind Vidi iku, karvani i rebelëve që ishin grumbulluar në qarkun e Durrësit, hyri në qytet dhe vuri dorë mbi Pallatin Mbretëror dhe mbi zyrat qeveritare. Rebelët nuk e panë të nevojshme të formonin një qeveri qendrore. Çdo kryetar me mbështetësit e tij u shpërnda, duke djegur e shkatërruar tërë vendet që hasnin në rrugën e pushtimit. Haxhi Qamili kishte veshur një uniformë gjenerali brigade, të cilën e kishte grabitur në shtëpinë e Fadil Toptanit. Me këtë uniformë ai ishte bërë qesharak dhe njëkohësisht maskara. Kësisoj, doli në mejdan atë ditë që populli i Tiranës, i Shijakut dhe i Kavajës, me apo pa dashje, iu nënshtrua.


Google+ Followers