Kopshti i dashurisë - Nga William BLAKE


Nga William BLAKE

1-Djalthi i gjetur

Djalthi i humbur moçalit të shkretë,
prirë nga një dritë q'u derdh,
zuri e po qan; por Zoti, gjithnjë pranë,
si i ati me të bardha i erdh.

E puthi fëmijën & e mori përdore
dhe mëmës ia çoi pastaj,
që leshkorrë-e-zbehtë, luginës së shkretë,
kërkonte të birin në vaj.


2-Tigri

Tigër! Tigër! shkrumb shkrepëtire
nëpër pyje errësire,
ç'dorë a ç'sy që vdekje s'di
gatoi këtë ngjethëse simetri?

Nëpër ç'qiej në ç'abys
u ndez zjarri atyre sysh?
Përmbi ç'krahë hovi mbi dhenë?
Cila dorë rroku rrufenë?

Cili sup, & cili art,
pejzat e zemrës t'i përçart?
Dhe kur nis zemra të uturijë,
ç'dorë-llaftari? ç'këmbë-lebeti?

Cili zinxhir? cila varé?
Në ç'furrë truri yt na qe?
Dhe ç'kudhër? ç'darë-tmerr guxoi
t'kobshmit terrore t'i ngallmojë?

Tek yjzit shtizat flaknin thellë
dhe me lotë lagnin t'lumin Qiell,
kur veprën pa, nënqeshi ky?
Kush bëri Qengjin të bëri ty?

Tigër! Tigër! shkrumb shkrepëtire
nëpër pyje errësire,
ç'dorë a ç'sy që vdekje s'di
guxoi këtë ngjethëse simetri?
3-Kopështi i dashurisë

Hyra në Kopështin e Dashurisë,
dhe pashë çka sytë s'kishin parë:
ngrehinën e një Kishe midis,
ku unë dikur lodroja përmbi bar.

Qepenat Kishës kyçur i qenë,
dhe "Ti NUK duhet" qe gdhendur në derë;
ndaj shkela në Kopështin e Dashurisë
që lule aq t'ëmbla pat lerë;

dhe me varre e pashë mbjellë,
rrasa varresh në vend luleve kish
dhe Priftër rraso-zezë vërtiteshin serbes,
më lidhnin ferra e gjëmba në gaze & në ënda.

4-Vajtim foshnjëror

Ime ëmë rënkoi! im atë u dënes.
Brofa në botën rrezikzezë:
cull, i pazoti, shamataxhi:
një djall i fshehur në vranësi.

Bërë urë në duar të tim et,
brenda shpërgënjsh - gati që shket,
lidhur-e-lodhur thashë volis
turinjtë t'i var te e mëmës sisë.



5-Pema e helmuar

Iu zemërova unë një miku:
mërinë shpalla, e shkoi e iku.
U zemërova me hasmin tim:
mëria u shtua se e mbajta mërinë.

Edhe frikë i dhashë të pi
ditë & natë me lotë të mi;
me buzëqeshje e përdiella,
dredhi të-rrejshme-të-këndella.

Pa u shtua natë e ditë,
gjer një mollë polli që shndrit;
dhe ia pa hasmi shkëlqimin,
dhe e diti q'ishte imi.

Pa në kopështin tim u vodh
nata polin kur mbështoll:
në mëngjes pashë, gjithë gëzim,
përmbys nën pemë hasmin tim.


6-Imazh hyjnor

Mizoria ka Zemër Njerëzore,
dhe Fytyrë Njerëzore Cmira;
Terrori Njerëzoren Trajtë Hyjnore,
dhe Petk Njerëzor ka Fshehtësira.

Petku Njerëzor farkohet Hekur,
Trajta Njerëzore një Farkë përvëlí,
Fytyra Njerëzore Furrë e vulosur,
Zemra Njerëzore Gurmazi i saj që s'u ngi.


Përktheu Arben Dedja

Google+ Followers