Kolë Kamsi, punëtor i palodhur në lëmin e arsimit e kulturës kombëtare

Personalitete të shkencës dhe të kulturës shqiptare
Figura e Kolë Kamsit në historinë e kulturës kombëtare shqiptare njihet si ajo e një personaliteti shkencor dhe letrar, historian, filolog, gjuhëtar, folklorist, mësues dhe pedagog i gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore, përkthyes, prozator e fabulist, publicist e redaktor. Studiues i shquar i gjuhës e të traditave shqiptare.
Lindi në Shkodër më 23 shtator 1886. Duke ecur në gjurmët e një tradite patriotike e kulturore shekullore të parëve të vet, Kolë Kamsi ndoqi shkollën fillore e të mesme duke marrë diplomën në shkollën teknike tregtare italiane në qytetin e lindjes. Më 1904 shkoi në Shën Mitër, Koronë në Kolegjin Arbëresh të Shën Adrianit. Atje ndenji tre vjet, ku mbaroi shkollën normale (pedagogjike) më 1907. Teksa përfundoi mësimet e para, u emërua mësues i gjuhës shqipe në Vlorë.
Në vitin shkollor 1915-1916, nga prefektura e Vlorës e çel në qytet shkolla fillore për djem. Drejtor u emërua Kolë Kamsi. Mësues u caktua: Jani Minga, Thoma Papano, Halim Xhelo. Duke parë se shkolla shqipe vuante për shkak të mungesës së teksteve për shkollën fillore, Kamsi iu përvesh punës dhe Brenda katër vitesh hartoi tri vepra për shkollën fillore. Gjatë viteve të luftës së Parë Botërore në krahinën e Vlorës dhe të Gjirokastrës u hapën 44 shkolla elementare. Për të përgatitur mësuesit shqiptarë u çel në Vlorë një kurs i shkurtër pedagogjik. Në këtë kurs dhanë mësim për gjuhën amtare e për didaktikë Kolë Kamsi dhe Jani Minga. K.Kamsi qe anëtar dhe veprimtar i klubit Labëria. Në nëntor 1909 ku pat vënë në skenë dhe dhanë shfaqje dramën e MIhal Gramenos “Vdekja e Pirros”. Gjatë këtyre dekadave ka qenë veprimtar i shquar i lëvizjes arsimore e kulturore në Vlorë 1907-1928 si edhe anëtar i shoqërisë lidhja e arsimtarëve të Vlorës.
Si përfaqësues i Shkodrës ishte pjesëmarrës në Kuvendin (Kongresin e dytë) Arsimor që u zhvillua në Tiranë më 22 korrik të vitit 1922.
Me të hapur të gjimnazit të shtetit (Shkodër, më 1922-1923) u emërua mësues i gjuhës shqipe. Më 1924 u emërua drejtor i shkollës fillore “Teuta” po në këtë qytet. Më 1925 u çel në Korçë një kurs pedagogjik për mësuesit e qytetit dhe të qarkut. Drejtor dhe mësimdhënës u emërua Kamsi.
Më 1926 qe drejtor i shkollës tregtare dhe i konviktit të Ujit të Ftohtë (Vlorë). Më 1927 u caktua drejtor i Institutit Tregtar në këtë qytet. Më 1928 erdhi përsëri në Gjimnazin e Shtetit (Shkodër). Më 1936 u emërua drejtor i institutit femëror “Donika Kastrioti”, shkollë e mesme (Shkodër).
Më 1939 u caktua drejtor i institutit “Nënë e Skënderbeut” (Tiranë). Më 1940 punoi në Komisionin Teknik të teksteve pranë Ministrisë së Arsimit, së bashku me Aleksandër Xhuvanin dhe Eqerem Çabejn.
Më 1942 erdhi drejtor i gjimnazit të shtetit në Shkodër. Më 1948 punoi për pak kohë në Institutin e Studimeve në Tiranë me cilësinë e folkloristit, qysh herët pat filluar me dhënë ndihmesën e vet në fushën e folklorit si mbledhës e si studiues. Përsëri erdhi në qytetin e lindjes, në gjimnazin “29 Nëntori” dhe në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”. Me riorganizimin e Institutit të shkencave, më 1955 u zgjodh “Kandidat i shkencave”.
Me themelimin e Institutit të Lartë Pedagogjik 2 vjeçar të Shkodrës (2 shtator 1957) u emërua pedagog I folklorit shqiptar. Ndërkaq e atestua. Me rastin e sjelljes së eshtrave në atdhe të Luigj Gurakuqit, Kamsi mbajti fjalimin përkatës në varrezat e Shkodrës (27 nëntor 1957), kur ende pas 53 viteve si mësues, rast I rrallë, vdiq më 25 shkurt 1960, në moshën 74-vjeçare. Me dekretin nr.2544 datë 19.10.1957, u dekorua me Urdhrin e Flamurit, me motivacion për kontributin e vlefshëm në edukimin e brezave të rinjtë gjatë 50 vjetëve punë të rregullt e të pandërprerë në sektorin e arsimit. Njëkohësisht me dekretin nr.459 të datës 13.02.1993, presidenti I republikës Sali Berisha I jep Z.Kolë Palok Kamsi titullin “Mësues I Populli” me motivacion: Mësues I fillimeve të arsimit kombëtar shqiptar, studiues I pasionuar I gjuhës dhe historisë, I kulturës dhe traditave kombëtare, botues veprash dhe artikujsh shkencorë, shembull qytetarie, shpirt demokratik e përparimtar.
Në historinë e shkollës shqipe, të arsimit kombëtar dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, K.Kamsi njihet si hartues I këtyre teksteve shkollore:1. “Jeta e re. Abetare (1915 Bari), 2. “Mësime përmbi natyrën (1917, Vlorë), 3. “Lulet e mendimit” (1919, Vlorë), 4, “Shkollë e jetës” (1935, Shkodër) bashkë me Ndue Palucën e Ernest Koliqin, 5. “Libër këndimi” (Shkodër, bashkëpunëtor), 6. “Te praku I jetës” (1940, Tiranë, bashkautor me Karl Gurakuqin dhe “Rreze Drite” (1941) po me Karl Gurakuqin), 7.”Shkrimtar shqiptar”, pjesa e dytë (1941, Tiranë, bashkëpunëtor), 8.”Bota shqiptare” (Tiranë, 1943, bashkë me Xhuvanin, Çabejn, Gurakuqin). Këto tekste u përdorën nga nxënësit për tridhjetë vjet (1915-1945).
Veprimtaria kërkimore-shkencore e Kolë Kamsit shtrihet në një periudhë 50-vjeçare (1907-1960). Kontributet e tij në studimet albanologjike janë të trefishta: në lëmin e gjuhësisë, të letërsisë e folkloristikës dhe historisë. Ishte Mis I studimeve shqiptare.
Në fushën e gjuhësisë ai u dallua me veprën “Manual praktik I gjuhës shqipe”, shkruar italisht-shqip mbi strukturën gramatikore të gjuhës shqipe. Ajo pati tre botime të ndryshme:1930 (Zara të Dalmacisë), 1940-19412 Shkodër.
Të vlefshme janë dy monografitë e tij “Jeta e vepra e Frang Bardhit” dhe “Disa vërejtje gjuhësore mbi Pashko Babit”.
Po fusha ku u dallua më shumë K.Kamsi, qe e folmja dhe letërsia e arbëreshëve të Italisë. Duke filluar nga viti 1907 e deri sa vdiq, punoi pandërprerje mbi fonetikën , morfologjinë dh e veçanërisht mbi leksikun e arbërishtes. Një ditë para se të vdiste ai I dorëzoi në shtrat në shtëpinë e vet në Shkodër, profesor Mahir Domit veprën e tij jetësore dhe më të mirë e krijimtarisë së tij shkencore: “Fjalorin e dialektit arbëresh” më 23 shkurt 1960. I tha këto fjalë: “Po vdes I qetë, zotimin e marrë para Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e mbajta”.
Fjalori ka rreth 10 000 fjalë e fraza të nxjerra drejtpërsëdrejti nga veprat e shkrimtarëve arbëreshë dhe nga poezia popullore e shqiptarëve të Italisë, duke filluar nga Matranga e duke ardhur deri në ditë të sotme (1960). Fjalori Arbërisht-Shqip I K.Kamsit gjeti dritën e botimit në vitin 2000. Me këto vepra, monografi, studime dhe artikuj gjuhësorë Kamsi u shqua si filolog, linguist dhe njohës I mirë I gjuhës shqipe.
Për njohjen dhe popullarizimin e letërsisë arbëreshe K.Kamsi ka dhënë kontribute shumë të vyera. Ai botoi një varg artikujsh shkencorë të përpiktë arbëreshë: Jeronim de Rada, Nikollë Keta, Zef Serembe, Bernard Bilota, Anton Argondica, Salvatot Braile, Anselm Lorekio, Vicenc Stratigoi etj. Në mënyrë të veçantë dallohet studimi I tij mbi jetën, veprat dhe gjuhën e Françesk Anton Santorit. Por vepra që e bëri të njohur Kamsin si studiues dhe njohës I thellë I arbëreshëve, qe monografia “Shqiptarët e Italisë”. Muaj për muaj dhjetë vjet rresht u botua në të përkohshmen “Leka” në Shkodër (1934-1944).
Në këtë monografi ai na dha një përshkrim të hollësishëm të kolonive shqiptare të Kalabrisë dhe të Sicilisë.
Kolë Kamsi botoi punime me vlerë edhe për Pashko Vasën, Filip Shirokën, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Fan.S.Nolin, Justin Rrotën etj. Me interes janë edhe artikujt mbi Ismail Qemalin, Miss Edith Durhamin etj.
Në fushën e folkloristikës sonë K.Kamsi mbetet një nga studiuesit më të mirë të proverbave të shqipes me veprën e tij të çmueshëm “Goja e popullit tonë” (1943). Libri përmbledh thënie popullore të shkurtra, në të cilat populli ynë gjatë shekujve kristalizoi përvojën, mendimin e tij ndër rasa të ndryshme të jetës. Vepra është e para e kësaj fare në plan krahasimtar me gjuhë të tjera evropiane.
Me vlerë të veçantë janë punimet e tij për etnografinë shqiptare: zakonet e popullit në Labëri, Besimet e popullit në Labëri, në Arbër dita e verës, dita e ujit të bekuem, Gruaja dhe martesa etj.
Në fushën e krijimtarisë së tij letrare janë për t’u shënuar disa vjersha  për fëmijë, disa tregime të bukura edukative të përshtatura nga shkrimtarë të huaj në shqipet. Këtu mund të përmendim përkthimet e tij artistike me mjaft shije të hollë gjuhësore e letrare nga Anderseni, Lesingu, Hygoi, Leon Tolstoi, Alfons Dode, Xhuzepe Xhusti, Gracia Deleba, Xhuzepe Alba etj.
 Kontributi I K.Kamsit shtrihet në fushën e historisë së Shqipërisë me një varg artikujsh e studimesh të vlefshme, nga të cilët po përmendim vetëm disa si p.sh. “Udhëtimi I Skënderbeut në Romë”, “Dita e 28 Nëntorit”, “Kryengritja e Malësisë së madhe”, “Fatosat e Traboinit që u vranë në kryengritjen shqiptare të vitit 1910-1911, “Një letër e Abdyl Frashërit, Françesk Krispit” etj.
Me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare në pragun e kësaj feste të madhe, gjatë vitit 1937, Kolë Kamsi mblodhi e riprodhoi, përktheu dhe botoi një sërë artikujsh me karakter historik-kombëtar. Ato I përfshiu në titullin e gjithëmbarshëm “Dokumenta të Agimit të Lirisë”. Janë promemorie, protesta, peticione, memorandum të kolonive shqiptare të Egjiptit, Rumanisë, Turqisë, si dhe të shoqërive të klubeve shqiptare të Shqipërisë dërguar Fuqive të Mëdha për të drejtat e shqiptarëve dhe për lirinë dhe pavarësinë e atdheut.
Botimet e tij gjenden tek “Albani” (Londër, 1907), “Kalendari kombiar” (Sofje, 1912), “Përparimi” (Shkodër, 1915), “Corriere della Puglie” (Numër I posaçëm mbi Shqipërinë, 1917), “Kuvendi” (Romë, 1919), “Edukata e re” (Tiranë, 1930), “Agimi” 9(Shkodër, 1920), “Dituria” (Tiranë,1928) etj.
Më 28 Nëntor 1912 kaloi çaste gëzimi dhe hareje, bashkë me popullin trim dhe liridashës të pa përshkruar kur pa flamurin me shkabën dykrenore të valëvitej e lirë dhe Ismail Qemalin të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë, shtet I lirë e I pavarur.
K.Kamsi, “Mësues I popullit” pas një qëndrimi të gjatë në qytetin e Vlorës si veprimtar I shquar I lëvizjes arsimore e kulturore 1907-1928 u transferua përherë në qytetin e tij të lindjes. U largua nga Vlora patriote dhe arsimdashëse. Në mes të tjerave muar me vete dhe gazetën “Përlindja e Shqipënies” e para gazetë zyrtare e shtetit SHqiptar, me drejtor Z.Dhimitër Berati delegate nga Kolonia e Shqiptarëve të Bukureshtit, në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe firmëtar I Dokumentit I Shpalljes së Pavarësisë.
Gazeta:Përlindja e Shqipënies Vjet’I II-1914-Nr.6-7-8-9-10-11- Vlonë.
Numër kujtimues I XXV-vjetorit të pavarësisë kombëtare 28.XI. me këtë përvjetor boton
K.K. (Kolë Kamsi: VENDIMET E KUVENDIT KOMBËTAR TË VLONËS-IX/1937. Nr.8-12. Ff.421-432 me fot. (histori). Gazeta “Përlindja e Shqipënies” e lartpërmendur gjendet pranë bibliotekës “Marin Barleti” Shkodër. Depozituar në këtë bibliotekë nga Z.Kolë Kamsi, pronari i saj.

Paulin Kamsi

Vlerësime për Kolë Kamsin

“Unë po rënkoj fort Kolë Kamsin mikun e besnik, shkencëtarin e palodhur. Vdekja e tij është një humbje e madhe për shkencën për kombin, për familjen, për miqtë, më dhimbset zemra” - Prof. Maksimilian Lambertz, Leipzigt (32) (1960)
“Vdekja e ish nxënësit tonë të dashur Kolë Kamsit është një humbje e madhe të një shkrimtari të dalluem e punëtori të palodhun” - Prof. Aleksandër Xhuvani (1960)
“Figurë intelektuale për t’u vu në pah. Kolë Kamsi përfaqëson një ndër personalitetet më të spikatura të kulturës shqiptare në gjysmën e parë të këtij shekulli” - Papa Zef Faraco (37) (1980)
“Kolë Kamsi iu pat kushtue krejtësisht e me gjithë shpirt arsimit pa pritë shpërblime, pa kërkue lavdërime e çmime. Punonte në heshtje, punonte më system e pa u lodhë, prandaj puna e tij ka lanë gjurmë në historinë e arsimit kombëtar dhe të letërsisë shqiptare” - Prof. Karl Gurakuqi (33) (1960)        

Google+ Followers