Kaltrinë

Vaso Papaj

Kaltrinë, Të kalon bukuria syve të zi pa frikë. Zbret ijeve dhe më ngjan një ëndërr. Je më e çuditshme se çdo tjetër çikë, Një këngë sirenash, një rast, ndoshta i fundit. Të shikoj vëngër. E kam vdekjen dhe jetën nëpër duar, Me truket e mia prej të moshuari denjësisht: Nëse do të isha njëzet vjeç, do t’isha përvëluar, Do të isha hija jote, marrëzisht. E po të kisha të dyzetat, si diell do të t’puthja mbi kurriz, Po ja që qenkam,… ha-ha, mbi gjashtëdhjetë. Ndaj mos kij frikë, kurrë s’do të t’bezdis: Do të rri të shoh si kaltëron Mbi valë, mbi shkumë, mbi det.
Kaltërinë, Të kalon bukuria syve të zi dhe aty fshihet. Kërkon të shtrembërojë këngën time, për dje, për sot, për jetë. E gjithë bukuria dhe gëzimi yt qenien ma bën të dridhet, Kur valët i le pas, gërsheta kur hidhet përpjetë.
Kaltërinë, Forma e trupit tënd dhe diellin ma vjedh. Se është drita mahnitëse e perëndimit. Në qendër të kohës dhe të përjetësisë Zbuloj lehtësinë tënde të vallëzimit.
Kaltrinë, S’kam frikë se do të vdes, as dëshirë për një fillimi tjetër. Kam frikë mos të tjerët e mendojnë dashurinë si një ves Dhe poetët i mallkojnë si lugetër.
S’do të të shoh më, por dhe s’do të të humb. Bukuria që më ikën, Në këmbim ndonjë shenjë do të t’më lerë. Dhe shenja do të jetë e rëndë si plumb, Po me vargje do ta mbledh dhe këtë herë.

Google+ Followers