Kafka i “tremb” përkthyesit


130 vjet prej ndarjes nga jeta të Franc Kafkës. Virion Graci vjen në një rrëfim për shkrimtarin që ndryshoi rrënjësisht konceptin e letërsisë artistike dhe e bëri lexuesin të donte të frikshmen

Alda Bardhyli

“Zonjusha Felice. Eca i vetëm duke menduar rrugëve të Berlinit, pasi nuk doja të vija në apartamentin tënd. Gjatë gjithë ditës ti ishe shfaqur në mendjen time me fustanin tënd të bronztë dhe trikon e hedhur krahëve. Nëse do të vij sërish te ju, ndarja do të bëhet e pamundur”. Më 13 gusht 1913, Franc Kafka i shkruante këtë letër Felice Bauer, gruas që kishte vetëm një vit që e kishte njohur në ambientet letrare në Berlin. Ishte ende i ri, i këndshëm për femrat dhe lidhja me një grua mund ta privonte nga aventurat me femrat e tjera. Ndaj Kafka zgjedh t’i tregojë të vërtetën Felicë, gruas që deri në fund të jetës u kujdes për të. 130 vjet nga ndarja e tij nga jeta, biografë dhe kritikë letrarë kanë shkruar shumë mbi pasionin e tij për femrat, lidhjet e shumta që krijoi gjatë rinisë në Berlin, apo Vjenë. Por, Felice Bauer, do të ishte femra ku ai do të kthehej shpesh, dhe atëherë kur një vajzë me emrin Dora Diamant do t’i rrëmbente zemrën, e do ta bënte shkrimtarin që të përmes ankthit të luftës të kërkonte atë. Dora Diamant konsiderohet si dashuria e fundit e Franc Kafkës, si gruaja të cilës ai i shkroi letra të pafundme dashurie gjatë kohës nga spitali ku ishte shtruar me tuberkuloz… Por përtej jetës së tij private, asnjëherë të qetë, Franc Kafka vijon të mbetet si ikona jo vetëm e letërsisë gjermane, por edhe asaj botërore. Me librat që shkroi ai solli një revolucion në mënyrën e të këndvështruarit të situatave, duke e bërë letërsinë poseduese të shpirtit njerëzor. Kafka e bëri të dukshme të padukshmen, të natyrshmen të jashtëzakonshme, të besueshmen të pabesueshme. Në gjuhën shqipe përpjekja e parë serioze për të sjellë veprën e tij është bërë nga regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi, e disa përpjekje të tjera nga emra të rinj, por ende nuk e kemi të plotë veprën e tij. Shkrimtari Virion Graci, i pasionuar pas letërsisë së Kafkës, vjen më poshtë në një rrëfim për letërsinë e tij me rastin e 130-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

130 vjet nga vdekja e Franc Kafkës. Çfarë e bën letërsinë e tij të lexohet ende me ëndje sot?

Letërsia e Kafkës do të jetë e lexueshme edhe pas 200 vitesh, pasi ajo  shënon eposin e madh të njeriut qytetar, banor autentik i shekullit XX, bashkëkohës me këtë lloj qytetërimi të cilit i përkasim ende sot. Kur të kapërcehet botërisht ky tip qytetërimi, Kafka do të lexohet, më me endje sërish pasi ai është tregimtar dhe romancier i pakapërcyeshëm i njeriut-individ; zbulesat e tij njerëzore, personazhet e tij në dukje minimaliste, kanë atë madhështi dhe forcë të pavdekshme përgjithësuese që kanë fytyrat tragjike që vijnë nga teatri antik grek, apo nga dramaturgjia shekspiriane. Ka bërë të dukshme të padukshmen, ka bërë të natyrshme të jashtëzakonshmen, ka bërë të besueshme të pabesueshmen me një gjuhë të qartë, të rrjedhshme, me një leksik të kapshëm të stilit të lirë bisedor

Çfarë solli vepra e Kafkës, në kohën kur ai i shkroi ato?

Pas veprës letrare të Kafkës ndryshoi rrënjësisht vetë koncepti për letërsinë artistike, ndryshoi rrënjësisht koncepti për personazhin, për realizmin në letërsi, për kufijtë midis vetjakes dhe shoqërores, etj… Jo më kot, një gjeni tjetër që pati ndryshuar përfytyrimet e bashkëkohësve për gjithësinë e kozmosin, Ajnshtajni i pat thënë: “as mendja ime nuk është aq aftë, aq e përsosur sa të rrokë krejt kuptimet e veprave të tua”. Shtoj se Kafka gjeti tragjiken te ndodhitë e rëndomta, monotone, pa gjak e vrasje; e gjeti eposin homerik dhe atë tolstoian në rrugicat e qeta dhe në shtëpizat e vogla të Pragës. Prej kësaj le të hamendësojmë çfarë vëzhguesi e zbuluesi gjenial ka qenë?!

A është metamorfoza ende një simbiozë e qenies njerëzore?

Metamorfoza është një bashkudhëtare e unit njerëzor, por do të kujtoja si vlerë të parë morale-filozofike të veprës së Kafkës ndjenjën e vetëgjyqësisë kafkiane, vetëfajësimin kafkian, vetëndëshkimin psikologjik-mental, dëshirën për të qenë deri në flijim i vërtetë dhe jo sipërfaqësisht i lexueshëm, i sinqertë, i pëlqyeshëm; pa këto, ajo historia e metamorfozës së Gregor Zamzës, edhe pse e shkruar nga Franz Kafka do të kish mbetur një anekdotë denoncimesh për metamorfozat e një nëpunësi çfarëdo, si dhjetëra krijime të harruar, prej të tjerë autorësh.

I frikshëm, i ftohtë, por sërish me shpirt, kështu cilësohet vepra e tij…

Në kontekstet e tyre këto vlerësime të qëmtuara nga ju, nuk mund t’i mohoj si të pasakta, por, duke përsëritur veten time do të shtoja se Kafka është i ftohtë, i frikshëm në terrin e sinqeritetit të tij kur gërmon deri në themel vetveten, e në këtë rast ftohtësia kafkiane është fundi i çdo kompromisi hipokrit me zërat e ndrydhur të pavetëdijes dhe me përllogaritjet e ndërgjegjes kalimtare njerëzore, është dashuri e sublimuar, ndershmëri heroike, intelektuale, e rrallë, e pabesueshme dhe e qartë si drita e diellit njëkohësisht, në kompleksitetin e saj

A ke një libër të preferuar prej tij, një libër që do doje ta lexoje shpesh?

Nga Franz Kafka, pas dy leximeve të ngadalshme të mëparshme, rishon herë pas here ditarin e tij, “Journal”, përkthyer në frëngjisht, pajisur me shpjegime nga një emër si Marthe Robert. Te “Ditari” i Kafkës gjej njeriun më të besueshëm, njeriun Franz-in që mund të më udhëheqë për te vepra e tij, pra fitoj njohjen personale me autorin për të fituar mundësinë dhe të drejtën e bashkëjetesës me veprën e tij të pasur; tregime, romane.  Kafka nuk ka pak personazhe, edhe në tregime të shkurtra, tepër të shkurtër ai materializon artistikisht tipa të paharrueshëm, të numërueshëm përkrah karaktereve që kanë sjellë korifenjtë e tjerë të letërsisë në botë: Eskil, Shekspir, Milton… Duke filluar me Jozef. K…, e shohim një plejadë karakteresh që përligjin vlerësimet e bëra për autorin edhe në këto ditë përkujtuese.

Si do t’i gjykoje përkthimet e tij në gjuhën shqipe?

Herët kam lexuar në shqip një mrekulli të Kafkës, “Dhimbja e parë”, tregim i shkurtër përkthyer ndoshta nga Bujar Xhaferri, pastaj disa tufëza tregimesh të përkthyera në një shqipe të bukur nga Gjergj Vlashi, mandej fillova ta lexoj të plotë në frëngjisht dhe nuk kam pasur pikë kureshtie se ç’po ndodh me të, sprovat për ta sjellë në gjuhën tonë lloj-lloj duarsh të padenja, kryesisht.

Cili prej personazheve ju pëlqen më shumë dhe pse?

Jozef. K…është personazhi më i dashur për mua, jo vetëm në galerinë kafkiane, por edhe më gjerë. Po të perifrazonim Floberin kur u shpreh për zonjën Bovari: ajo jam unë”, secili nga ne do të thoshte pa rënë në tepri e patetikë “Jozef K., jam edhe unë”. Ai është sintezë e gjindjes njerëzore, e pasurisë anonime psikologjike e instiktive; është sintezë që nënkupton ndeshjen me vetveten, me trysninë dhe pakuptimësitë shoqërore, me makthet arketipore dhe ato moderne; ai si asnjë personazh tjetër para tij, përjashto Hamletin është njëkohësisht pararojë dhe pasojë e pafajshme e fatit të tij të paracaktuar. Jozef K. është mbinjeriu i vetëm i krijuar jo nga arsyetime të kulluara filozofike, por nga një krijimtari e dëlirë, e përsosur, sublime. Nuk e dua se është kaq i pasur, por pse duket krejt i zakonshëm, krejt i ngjashëm me mijëra frymorë prozaikë

A ishte letërsia e Kafkës një letërsi që u mor me të zakonshmen?

Letërsia e Kafkës ishte ajo letërsi që nënkupton pyetja juaj, por ajo është shembull, provë se universale, globale, nuk bëhet ajo që pretendon të shitet si kozmopolite, por ajo mikrobotë që është vetvetja, është autentike, është dikush ose diçka tepër tokësore, tepër e përditshme, tepër e pabujshme.

Përse Kafka i “tremb” përkthyesit?

Të sjellësh me besnikëri Kafkën duhet të jetosh gjatë me të: me veprat letrare, me ditarin, me studimet bazë kushtuar atij. Kuptimi i tij në rrafshin gjuhësor nuk është ndër më të vështirët, por duhet kapacitet mendor e kohëzgjatje për të hyrë në botëkuptimin e Kafkës, në përfytyrimet e tij danteske, apokaliptike e largpamëse. Kapacitetet intelektuale, përkushtimi me vite, kujdesi amësor ndaj veprës së një gjeniu, nuk janë cilësi që i gëzojnë sot akrobatët e fushës së botimeve në shqip; më së shumti ata janë specialistë të dekoruar të hajnisë moderne, të zhvatjes me procedura burokratike të fondeve për librat, fatkeqësisht…

Google+ Followers