Jerida Kulla – Hiri i shpirtit (Poezi)


Midis epikes dhe lirikes
         ngrihet
dramatika e dashurisë...




Na ishte njëherë …

Një ëndërr përrallë …
frymoi në dimër,
U mardh rrugës,
u tkurr rrezeve të diellit,
brigjeve të Korfuzit…
Në lashtësinë mistike,
në trajtat e Helenës së bukur,
në imazhet e Paridit,
“hajdutit” bujar…
në kalldrëmet e zemrës
Helena ragvon trishtueshëm,
veshur me pëlhurën e Penelopës…
Rrugëtim i brishtë,
ushqyer me dhembjen...
Kthyer në pikën e takimit,
ku frymëmarrja lulon pranverën e djegur…
Frymën e fundit e dha ditën kur lindi…
lëngimi i gjatë e treti,
e holloi…
Me brengën në shpinë
kalëron si Kostandini
jetëvdekjen e dashurisë…


Toka vuan nga migrena

Shi i lojtur nga dashuria e njerëzve.
Nga maja e Olimpit Zeusit i mori leje
të pastrojë tokën.
Gjatë ragvimeve të tij Nuhun kërkonte.
Një mendim t’i merrte për ndërtimin e barkës.
Kurrkund nuk e gjeti.
Sizifit i kërkoi shkëmbin
për të mbyllur vrimën e të këqijave.
Herkuli ishte treguar i shkathët
e në karron e Prometeut trofe e kishte vënë,
pasi Hera kërkonte t’i bënte grusht shteti Zeusit.
Fatkeqësisht, grushti u kthye te grushti…
të gjitha mendimet Zeusi i dinte,
mjaftonte të shikonte sytë e Athinasë.
Që atëherë toka vuan nga migrena.



Tetor- pjesa I

Trishtimin tetori e derdhi bujarisht...
Qielli vajton vajtueshëm
zemrën hap për të larguar mallin brengosës për shtatorin...
Mendimet u thinjën duke menduar për të...
Malli u kalb nga pritja e lotëve...
Shpresa mbi shkëmb si valë mbi det...
zemra zemëruar- hënë e kafshuar,
ngarkuar Sizifit.
Mbi shkëmb të supeve vigjilon dashuria...



Tetor -pjesa II

Lotuar tetori për lëndimin e dashurisë...
Larguar nëntori meridianëve të zemrës.
Bllokuar dhjetori ne brirët e drerëve.
Ngrirë janari...
Shkurti shkurtuar nga shkrirja e drurëve.
Shëndoshur marsi,
lulëzuar prilli
për nder të majit.
Qershori qeshur,
arën e korrikut korr.
Gushti grusht inatin zjarrmues
shtatin shtatorit godet...
një në një...



Alfabet magjik

Dritë, ngjyra, jetë…
Tinguj, rrokje fjalë...
Fjalosur me gjuhën e zemrës…
Hapërdarë hapësirave.
Ngjeshur shkujdesur pas shirave.
Rrokullisur rrëpirave,
përpirë nga etja e dashurisë.
Aromë ndjellëse në fluturim zanash.
Magji e magjepsur në natën me hënë.
Dragonj e shtriga,
yj e ylber
mbledhur në një,
në kraterin e zemrës...



Alfabeti i heshtjes

Mësova të lexoj librin e heshtjes...
Kuptova se rrugët tona ishin ndarë që në faqen e parë...
Faqja e dytë kishte sjellë me kohë lamtumirën...
U rritëm me gabimet tona...
Të paktën fjalëve t'u kërkojmë falje...
Nuk do ia trazoj gjumin heshtjes as me një , (presje)...
Le të rrijë -ë- jetime në fundin e vargut...
bashkë me -ç'- do të nanurisin -q- ...




Përmbytja e madhe  I

Koha kafshoi tokën.
Kafshatën nëpër dhëmbë e rrotullon si Toka rreth Diellit.
Në momentin e kapërdimit veten volli.
Si llavë vullkani u përhap.
Përmbytja e Noes mysafire erdhi.
Kafen për qoke i piu Tokës.
Në llumin e saj veten pa.



Përmbytja e madhe   II

Zeusi po zbraz zemërimin e tij...
Nuk dihet kujt,
Prometeun ka kohë që ka groposur humnerave...
bashkë me të ka syrgjynosur dhe shpresën
që njerëzit poshtë tij mund të ndryshojnë...
Përse turfullon Zeusi?
Kujt do t'ia nxjerre inatin?
Kush e ka mërzitur kaq shumë?!
Ne këtu poshtë nuk kemi frike...
Kemi hapur çadrat me krahët e pilivesave
e presim shiun e zemërimit të tij...
Kollitet e kollitet
sikur kërkon të nxjerrë halën e mbetur
nga Darka e Fundit,
peshkuar nga Tetida,
që ia solli në sofër dhuratë për Akilin...
Dionisi i jep të pijë mushtin e shpirtit,
Dashurinë...
pasi Hera është bërë xheloze...
Hera si Herë,
sa herë xhelozohet
...tretet në dhembjen e saj...



Peng mbi kohë

E mban mend ditën e fundit që u takuam?
Binte një vesë shi si për të freskuar fjalët gjysmake,
të sakatosura, të nderura në fushëbetejën e ndarjes.
Ti, unë dhe heshtja që rrinte roje...
Një lumë fjalësh u shuan në zjarrin e Himalajave…
Fundmaja ngriti krye e i kërkoi ndihmë puthjes.
Një puthje e lënë peng mes gishtave përkëdhelës së ajrit.
Një puthje e lënë peng kohës si kurban për pranverën…


Provim vjeshte

Malli po më djeg...
Zjarrin që digjet nuk mund ta shuaj.
Kërkoj ta gris kohën.
Ta hap faqen aty ku biseda jonë mbeti në klasë.
Cila fjalë e rrëzoi?
Cili tingull nuk u dëgjua,
që të paralajmëronte humbjen?
E inatosur shumë është jetëmësuesja.
Nuk do e nuk do t'i japë mundësi tjetër,
nuk e fut as në provimet e vjeshtës.
Gjethet përkulen bindshëm
e gati i puthin këmbët,
që ajo të ndryshojë mendim.
Mbyll sytë...
dëgjoj zërin tënd...
Ishte era që zgjoi kujtimet...
...shkrumboi zemrën...


E Hënë…
         E Hënë...

E Hëna Hënën pa
dhe nga uria një copë zemre i mori.
E Marta Marsin takoi,
së bashku, një sms zjarri
Tokës i çoi,
me një antivirus për Molierin,
që të fuste në skenë aktorët
të Mërkurën për nder të Mërkurit.
E Enjtja u ënjt nga rrotullimi i Jupiterit.
E Premtja, si premtim në rërë
që valët e morën në gji.
E Shtuna shtijën e Odisesë mori,
të patharë nga gjaku i syrit të Ciklopit,
ruajtur në unazën e Saturnit,
që të Dielës leje pushimi t’i jepte.
Diellin ta puthte...
E Hënë…
E Hënë...
Një...


Feniks

Shkëlqim i syve,
qeshje ritmike,
zë melodioz,
imazh enigme...
Zbulesa e pritjes- statujë e lashtë,
ngrirë në cep të zemrës...
Fluturim ëndrre në krahë pulëbardhe...
Ujëvarë dashurie,
derdhur livadheve të trishtimit...
Aromë jasemini në puthje të qershijta...




Në gjurmët e erës

Në gjurmët e erës
pashë përgjumjen e diellit.
Pulitja e qepallave të Hënës
vrau zemrën e Yllit të mëngjesit.
Rruga e Qumështit u ushqye me gjirin e Rozafatit,
fuqi si Mujit, jetë i dha.
Rrëzoi shkëmbin e Sizifit
mbi ngurosjen e zemrës.
Heshtja e Laokontit
të fshehtën e dashurisë trojane
shkruan në zjarrin e kullave.
Prangosur Homeri me verbërinë e tij.
Aedi zemërbutë Orfe në krah i rri.
Etjen ia shuan me shtamën e Tetidës,
fshehur syrit të Zeusit,
që në gji e mban që nga Akeroni.
Të dy këndojnë të pakënduarën,
lotojnë të lotuarën...
Të dy vuajnë të dhembshurën,
të dy ëmbëlsojnë të hidhurën,

DASHURINË...


Jerida KULLA

Jam lindur në Gramsh, më, 24.07.1976. Studimet e larta i kam kryer në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, Fakulteti Histori- Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.
 Për 6 vjet kam dhënë lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe, në shkollën e mesme të përgjithshme “Shefqet Guzi” Gramsh.
 Për afro 5 vjet kam punuar redaktore e revistës social-kulturore “Familja”. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kam redaktuar libra me karakter social, shkencor, kulturor e fetar.
 Në vitin 2008 botoj librin me poezi e prozë poetike, “Rrugëtim”.
 Më pëlqen të shkruaj, të merrem me letërsi. Jam duke punuar për librin e dytë me prozë poetike.

Google+ Followers