Instituti i Historisë boton kujtimet e Syrja bej Vlorës



Instituti i Historisë ka promovuar së fundmi botimin me kujtimet e Syrja bej Vlorës, botim që është përgatitur nën kujdesin e historianit Marenglen Verli. Babai i Eqerem Bej Vlorës, kushëri i parë dhe rival politik i Ismail Qemalit, kunat i Esat Pashë Toptanit, ambasador në Vjenë apo drejtor i doganave osmane, Syrja Vlora është padiskutim një personazh i rëndësishëm i epokës.  Historiani Verli, që është kujdesur për botimin pohon se kujtimet janë shkruar nga Syrja bej Vlora rreth viteve ’20. Çuditërisht ato ndodheshin që pas Luftës së Dytë Botërore në Arkiv, por nuk u publikuan deri më sot. Këto kujtime kanë rëndësi, sepse sipas historianëve Syrja bej Vlora e nis rrëfimin e tij me pushtimin osman të Shqipërisë e deri tek Lufta e Vlorës. Jo vetëm fakte, por edhe përshkrime mjaft të veçanta nga jeta politike tek ajo personale mbi emra si Esat Toptani, Preng Doda, Ahmet Zogu e mbi të gjitha Ismail Qemali, për të cilin ai shkruan ndër të tjera se “fuqinë e mendjes e kishte të përkryer, por kishte një të metë, aftësinë e të mashtruarit me fjalë”. 

Google+ Followers