Gjurma e gjethes - Nga Erina Pavle Çoku


Kur në mendime bie shi 
Na ishte njëherë një e diel…
E unë me mendime nëpër shi
Ulesha këmbëkryq në strehën e kohës së
Palëvizshme
Që më ushqente me dëshira të brishta
E me hijëzime të papërcaktuara ndjesish

Na ishte njëherë shiu...
që u bë pasqyrë mendimesh
E lagte dëshirimet
sa herë udha e së panjohurës së madhe
kalonte tërthor stinës së ujit dashuror
dhe e shtynte larg
kthjellimin e lëmuar.

Na ishte njëherë ti...
Që me gishtërinj vjeshte
Numëroje buzëqeshjet e padukshme
E ushqeje me to motet tona vetmitare
Në turbullirën më të bukur që njoh
E që na grish të soditemi

Na ishte njëherë unë...
Që me drithërime të amëshuara
Kundroja në heshtje pasqyrimin tënd
Në ujësinë e shpirtit tim
Dhe thurja gjethime për të të mos pasur larg
As edhe njëherë…

A mbërrin regëtima në ndijimin tënd
Teksa përsiatjet e tua
bëhen të miat pëshpëritje?

Na ishte njëherë ne…
që i kryqëzonim mendimet
në hapësira të trishta dëshirimi
për t'u dashur më fort
përtej dashurisë.

Kukuvajka klithi mbi çatinë time
Ajo vrapon pas errësirave
dhe pse sonte mungojnë
rrahjet e një zemre
E mjerë hëna
Këtë mbrëmje të shkujdesur
Tej dhimbjes

Unë uria,
kohën e nxjerr
prej guri të plasaritur.

Hera e parë sonte
humba garën
me ëngjëllin e vdekjes.

Pasqyrë
E ç'mbeti nëpër muzg?
Pak errësirë e përmbysur,
Bosh, mes pemëve.
Atë çast botë e heshtjes
Më përvidhej me hijen e mureve.
S'kishte më ringjallje.
Në vdekjen e fundme
Pashë të davaritej
një shpirt që vinte në mua
përmes dëshpërimit.

Ecejaka e gjallimit
Udhëtojmë
jetëve tona të kryqëzuara,
e çdo çast
kërkojmë,
portën shpëtuese të pajtimit,
versionin e plotë
të qenies,
në përsëritjen e agut.
Për dashurinë e heshtur...

Dëgjoj jehonën e hapave
e muzgu vjen,
ende s'jemi lodhur,
as mbërritur kemi veç.

E shoh botën të ngjizur me fjalë
Shqisa ime
është valëvitur me dashadije
në gjithësinë e rrumbullakët
që endet midis
paqtimit e prehjes
e me ëndje
ka kundruar
fluturimin e kthjellët
të këtij gjallimi ledhatar...

për të nyjëtuar mendimin
në cep të heshtjes,
Jam këtu,
Duke soditur ardhjen e fjalës
Ajo vjen
sendërtohet,
ngërthehet në mua,
e i kacavirret qenies sime
që unë të bëhem një
me trupëzimin e saj

Pastaj unë fola
dhe e lashë këngën time
të derdhej nëpër erë.

Marrë nga vëllimi "Gjurma e Gjethes"

Google+ Followers