Francezët e marrosur pas Shqipërisë

Një udhëtim në Shqipërinë e panjohur të konsullit Ogyst Degrand, që shkroi në fillim të shekullit Kujtimet nga Shqipëria e Epërme dhe bëri të njohur kulturën e Komanit; për të vijuar me kujtimet e gazetarit dhe historianit Gabriel-Louis Jaray, i cili kaloi nëpër trevat shqiptare në kohën e xhonturqve dhe botoi dy libra për Shqipërinë e panjohur (Shqipëria e panjohur) dhe mbretërinë e re të Shqipërisë; ai qëndron pranë gjeologut dhe gjeografit të shquar, anëtarit të Akademisë së Shkencave, Jacques Bourcart, që më 1921 botoi librin e tij të njohur Shqipëria dhe shqiptarët dhe vuri bazat e gjeologjisë alpine dhe të gjeografisë së vendit; ai rri pa u zbehur në një rresht me mikun dhe mbrojtësin e madh të Shqipërisë, Justin Godart, i njohur me Ditarët shqiptarë që mbajti në udhëtimet e veta nëpër Shqipëri në periudhën 1921-1937; ai renditet përkrah të mirënjohurit Leon Rey (Hyjnitë kishin të drejtë), i cili bëri aq shumë për arkeologjinë shqiptare e madje botoi më 1930 një Udhërrëfyes të Shqipërisë për ta mbyllur me “ditarin shqiptar” të Valery Larbaud.

Qysh nga viti 1431, kur turqit pushtuan Janinën, Shqipëria mbeti e panjohur për Europën, e panjohur për fqinjët e saj të afërt. E panjohur, madje edhe për veten. Vetëm dy qenë emrat që mbetën në kujtesë: çlirimtari i një çasti, Skënderbeu, dhe Aliu, pashai i Janinës. Për kohën tjetër mbeti vetëm terri, errësirë e plotë. Kush mund ta besonte se asnjë udhëtar i huaj nuk kishte shtegtuar nëpër malësinë e Lumës e të Mirditës, nëpër viset anembanë Shqipërisë, para se energjiku Gabriel Louis-Jaray dhe më pas Bourcart, Godart, Rey, Larboud etj, i shtyrë nga një instinkt mendjemprehtë dhe me të vërtetë parashikues, duke përfituar nga një periudhë qetësimi pas fushatës ushtarake të Xhavit Pashës, arriti të ndërmerrte në verën e vitit 1909 atë udhëtim frikëndjellës. Pikërisht me përshkrimin e këtij ekskursioni të guximshëm, ai arriti të nxjerrë nga duart e veta  një nga librat më interesantë dhe më oportunë.

Nëse diplomatët dhe publiku i gjerë do të duan të kenë qoftë edhe idenë më të vogël për këtë vend, për banorët e tij, dëshirat e shumta të tyre, koklavitjet e pashmangshme dhe zgjidhjet e mundshme, duhet të marrin në dorë këtë libër dhe të përsiatin duke e lexuar rresht pas rreshti. Ky libër do të jetë Bibla dhe Kurani i tyre. Shkolla e re e publicistikës franceze e asaj kohe botonte prej vitesh punime për Çështjen Lindore dhe çështjet e tjera që lidheshin me të. Autorë, si: Pinon, Chéradame, Loiseau, Henry, Moulin etj., u parashtruan pa u kursyer qeverive dhe opinionit publik njoftime të shumta të mbledhura drejtpërdrejt në vend, si dhe vështrime të dokumentuara e këshilla të bazuara në njohjen e përsosur të punëve e viseve të ndryshme. Por Shqipëria misterioze, e paarritshme, e ndaluar, kishte mbetur në hije. Por ja që Gabriel Louis-Jaray, duke vënë veten në rrezik, e kreu këtë udhëtim të pamundur. Ai e vuri në jetë një nismë të vështirë e të bukur dhe kësisoj, falë tij, francezët, e jo vetëm, dinë sot diçka për Shqipërinë dikur të panjohur.

I pajisur me një shpirt vrojtues të thellë dhe me talent të krahasueshëm me vetë natyrën e tij të vendosur, të qëndrueshme, të shëndoshë dhe të fuqishme, shkrimtari-udhëtar Jaray përvijon përmbledhtas një tablo të gjerë, ku të gjitha hollësitë janë të gjalla, ndërsa bashkësia e paraqitjes mbetet e qartë dhe e harmonizuar. Një shtegtim i gjatë e i rrezikshëm i udhëtarit-eksplorator dhe pesëmbëdhjetë njerëzve të shpurës së tij, që nis nga Shkupi, vazhdon nëpër Adriatik, duke përshkuar Prishtinën, Mitrovicën, Pejën, Prizrenin, Lumën, Oroshin e Mirditën, Shkodrën, Tivarin, Shëngjinin e Durrësin, dhe përmbyll “rrethin” e plotë me kthimin rishtas në Shkup. Të gjithë emrat që ai përmend, e që sakaq u bënë të njohur, i përkasin realitetit të udhëtimit të tij dhe rikujtojnë, njëherazi, peizazhe madhështore dhe interesa njerëzorë, rrëfejnë traditat e ndjesitë e mëdha, të cilat i japin Shqipërisë tipare edhe të egra, edhe të lashta brenda zhvillimit modern europian. Ky popull shqiptar fare i ri është një popull tejet i lashtë, përzierja më e çuditshme.

“Një popull luftarak, i pavarur e i prapambetur; malësorë të vrullshëm, të shkathët e sypatrembur; burra të armatosur dhe qitës të shkëlqyer; myslimanë e të krishterë që para së gjithash kërkojnë të jenë të lirë, të jetojnë sipas ligjeve të tyre tradicionale, që i kundërvihen çdo autoriteti të jashtëm, që nuk janë detyrimisht mosbesues dhe armiqësorë ndaj të huajve, por plot dyshime ndaj veprimeve që kryejnë këta të huaj; njerëz që jetonin të veçuar, që flitnin dialekte të ndryshme dhe që deri më 1912 nuk ishin marrë vesh me njëri-tjetrin”.

Në fakt, Gabriel Louis-Jaray nuk është i vetmi francez që vizitoi e shkroi me aq pasion për Shqipërinë. Vepra e tij, Shqipëria e panjohur, shumë shpejt do të ketë përkrah vepra të një sërë personalitetesh franceze, siç është ajo e Jacques Bourcart, shkencëtarit të shquar francez, i cili e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 1917, kur ishte vetëm 25 vjeç. Njohja me natyrën e Shqipërisë dhe njerëzit e saj qe “dashuria e parë” e Jacques Bourcart – njohje të cilës ai iu kushtua me tërë pasionin e tij prej natyralisti dhe me tërë afshin e moshës. Një anë e veprës së Jacques Bourcart, më pak e njohur deri më sot, është edhe albanologjika. Gjatë Luftës së Parë Botërore regjimenti i Bourcart, i përfshirë në Armatën e Lindjes të ushtrisë franceze, u vendos në Shqipëri, ku ai qëndroi si i ngarkuar me detyra të veçanta në administratën ushtarake franceze të Shqipërisë Juglindore edhe pas përfundimit të luftës.

Gjatë gjithë qëndrimit në vendin tonë, ai nuk mundi të shkëputej nga vokacioni i tij prej gjeologu dhe natyralisti, si dhe nga shpirti kureshtar për të njohur njerëzit dhe natyrën e këtij vendi ku e kishin përplasur të papriturat e luftës. Dhe, kështu, pati mundësi të grumbullonte të dhëna e vrojtime dhe të shkruante veprat e tij të njohura rreth natyrës së Shqipërisë dhe shqiptarët. Në veprat e tij menjëherë bie në sy joshja prej visareve të mrekullueshme shqiptare, prej pyjeve të paanë ku me zor depërtonte drita e diellit, si dhe prej kodrinave, fushave e viseve perëndimore, ku ndihej flladi dhe dielli i Adriatikut. Në to spikat qëndrimi mirëdashës ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, qëndrimi i një njeriu që mbeti kurdoherë një dijetar pa paragjykime raciale dhe etnike. “Megjithëse shumica e shqiptarëve janë myslimanë,- theksonte ai,- ata asnjëherë nuk kanë patur frymë lindore dhe e kanë drejtuar vështrimin e tyre kah Perëndimit.”

Bourcart u këndoi ode virtyteve e cilësive të shqiptarëve dhe u ka falur atyre mjaft mangësi e vogëlsi. Dhe me të vërtetë është e vështirë të thuash tjetër gjë kur lexon këtë “karakteristikë” që u ka bërë ai shqiptarëve: “Unë vetëm se mund të them fjalët më të mira dhe ta lavdëroj këtë popull të shquar. Tek ai gjeta cilësitë më të rralla në Ballkan, mospërfilljen për paranë, respektin për nderin e për mbajtjen e fjalës së dhënë, që te shqiptarët bashkohen me guximin, trimërinë, veprimtarinë dhe shpirtin e gjallë e të hedhur”. Pavarësisht se e takoi Shqipërinë gjatë viteve të turbullta të Luftës së Parë Botërore dhe me gjithë kufizimet që i diktonte jeta ushtarake, u frymëzua nga ndjenjat më të larta të humanizmit francez dhe duke kaluar me kalë, ose në këmbë, nëpër shtigjet e thepisura të maleve të ashpra shqiptare, nuk pati asnjë mëdyshje për të mësuar gjuhën shqipe dhe për të njohur e vlerësuar kësisoj virtytet e vërteta të shqiptarëve. Këto virtyte ai nuk mungoi që t’i vinte në dukje, me një përkushtim prekës, në të gjitha veprat e veta. Dhe këtë e bëri, siç e thotë edhe vetë, sepse qëllimi i tij fisnik ishte “të jepte ndihmesë për ta bërë të njohur më mirë këtë vend të bukur dhe popullin e tij aq te veçantë”, me të cilin ai kishte lidhur një miqësi të thellë. Është  viti 1921 dhe, ja, një tjetër figurë e shquar endet nëpër viset shqiptare.

Justin Godart, deputeti francez, një nga përkrahësit e zjarrtë të pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe veçanërisht një nga mbrojtësit e integritetit të saj, shtegton për të zbuluar Shqipërinë. Vizitoi qytete e fshatra dhe u njoh me historinë e trojeve tona, duke i lënë në kujtesë mbresa të pashlyeshme. I frymëzuar nga toka, historia e vjetër dhe mikpritja shqiptare, gjatë vizitave në Shqipëri, Godarti hodhi në fletoret e veta përshkrime të imtësishme për natyrën, peizazhet, historinë, dialogët me personazhe të ndryshme, emrat e njerëzve që ka takuar, gjykimet për ta. Ai shkruan për mbretin Zog, për Nikollë Ivanajn, Luigj Gurakuqin, doktor Turtullin, për personalitet e tjera si Koculi, Vila, Koleka etj. Udhëtimet dhe takimet e Godartit në Shqipëri janë pasionante. I ra kryq e tërthor veriut dhe jugut, perëndimit e lindjes së Shqipërisë, vende që i përshkroi me dashuri, si gjendjen e fshatarësisë, kulturën e vjetër të popullit shqiptar, duke iu referuar autorëve antikë dhe atyre të mëvonshëm, si: Ami Bué, Pukëvil, Bop etj. Shkroi me dhimbje për refugjatët shqiptarë, që, të detyruar nga mizoritë sërbe, lanë Dibrën; foli për të vejat dhe fëmijët jetimë të shpërngulur nga masakrat e grekëve në jug.

Në mjaft fotografi të asaj kohe, duket Godarti i shoqëruar nga personalitetet politike të vendit dhe intelektualët më në zë. Disa herë ai u takua me At Gjergj Fishtën dhe biseduan jo vetëm për politikën shqiptare dhe përpjekjet që duhet të bënte ajo për mbrojtjen e interesave të vendit, por edhe për marrëdhëniet që duheshin zhvilluar në fushën e kulturës mes Francës e Shqipërisë.  “Erdhi të më bëjë një vizitë At Gjergj Fishta. E prita me gëzim françeskanin e bëshëm, i cili prillin e kaluar, në qelën e kuvendit të tij në Shkodër, më kishte paraqitur një program të plotë për marrëdhëniet intelektuale që duhet të vendoseshin midis Francës dhe Atdheut të tij. At Gjergj Fishta është poet, por është edhe një burrë veprimi. Ai jep mësim, boton shkrime tepër të vlefshme mbi këngët popullore të Malësisë, është deputet në Parlament dhe tani është duke punuar që të ngrihet një shkollë e mesme franceze në Shkodër. Kur u ngrit të ikte, At Fishta më la fotografinë e shtëpisë që duhet blerë në Shkodër për të hapur aty një lice francez.”

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, në fund të korrikut të vitit 1939, Godarti morri një letër nga Ali Këlcyra, i cili së bashku me një grusht luftëtarësh antizogistë ishte vendosur në Royat, duke pritur përkrahjen e ministrit të Jashtëm francez. “Ju shpreh falënderimet tona më të mëdha për mbështetjen zemërgjerë që na keni dhënë në këto kohë plot trishtim të mërgimit që kaluam në Francë”,- i shkruante ai. Vdiq më 12 dhjetor 1956, duke lënë te shqiptarët kujtimin e njërit prej miqve më të mëdhenj. Deri në fund të jetës së vet, Godarti mbeti mik i Shqipërisë dhe i shqetësuar për ardhmërinë e popullit shqiptar. Para se të vdiste, një pjesë të objekteve shqiptare, letrave, fotografive etj., ai ia dhuroi muzeut të famshëm në Francë, Musée de l’Homme, dhe pjesën tjetër muzeut të Lionit. “Lumturinë për zbulimin e atij vendi (Shqipërisë) ia detyroj senatorit Justin Godart, të cilin e takova për herë të parë më 1916, në Maqedoni”,- i rrëfen në një prej të shumtave takime Leon Rey, një tjetër francez i marrosur pas Shqipërisë, mikeshës së vet, Lady Mendl.

… “Për atë vend buzë Adriatikut ku prej dhjetë vjetësh kam lënë kujtimet e mia, kujtime për miq të shtrenjtë dhe një punë gjashtëmbëdhjetëvjeçare, e cila besoj është shndërruar në hi dhe, ashtu siç ka ndodhur në një epokë tjetër në Versajë, çmenduria e njerëzve ka rënë mbi të mjerën Shqipëri dhe popullin e saj. Ju e dini se aty ka vende magjepsëse si kopshtet e “Trianonit”, që ju i njihni aq mirë, vende të përzgjedhura që nga historia e atmosfera që krijojnë, prekin apo nxisin imagjinatën e njerëzve, duke fiksuar përgjithnjë në zemrën e tyre një kujtim të bukur. Dhe kjo mund të lidhet me bukurinë e një vendi, me kujtimin për një grua, me një dashuri të bukur dhe të pafat, por unë nuk njoh tjetër vend që të ketë një atmosferë kaq të hirshme në kuptimin më të plotë të fjalës, kaq të gëzueshme dhe delikate sesa Apolonia. Ju që i doni aq shumë kopshtet si dhe lulet e tjera që i keni mbjellë ngado, padyshim do të ishit kënaqur nga prehja që të ofron kodrina ime iliriane… Në fillimin e kërkimeve të mia, unë hezitova të hedh kazmën në atë vend me një natyrë pothuaj të virgjër, duke pasur frikë se mos e plagosja thellësinë e asaj toke që fshihej nën një shtrat të pamatë fieri e zambakësh të egër. E megjithatë, isha i bindur se ajo tokë fshihte sekrete të mrekullueshme, vepra arti të jashtëzakonshme, një histori të pasur e të përkryer arti…

Me kërkimet e mia doja t’i jepja një lloj jete këtij vendi, por a ia kam arritur vallë? Vitet e tmerrshme të luftës së fundit e kanë lënë këtë vend dhe gjithë Ballkanin në një kaos e dëshpërim të madh. Çdo të ndodhë vallë atje? Ndoshta një gjeneratë e re arkeologësh shqiptarë do mundë ta vazhdojë nismën e ndërmarrë dhe, kushedi, nëse rasti do e sjellë, një mision i ri arkeologjik francez do të shkojë sërish në Apoloni. Kjo është dëshira ime më e madhe! Sigurisht, kjo do ishte e udhës, sepse askush nuk dyshon se objekte të rëndësishme qëndrojnë ende të fshehura nën tokë, në shpatin e asaj kodrine dhe jam i bindur se pasuesit e mi, duke punuar në mënyrë metodike, me durim e këmbëngulje, do gëzohen të shohin të shfaqen nga ato shkurre e vende plot barishte një ansambël ndërtesash dhe ku zbulimet do ta nderojnë shkencën e arkeologjisë.” Kështu, edhe pse Leon Rey nuk arriti ta mësojë se ç’do të ndodhte më vonë, dëshirat e tij nuk vonuan të realizohen.

Po a ndalet këtu kalvari i gjatë i shtegtimeve drejt Shqipërisë? I etur për të parë nga afër Korfuzin, dandy francez Valery Larbaud niset drejt tij në pranverën e vitit 1936. Më 16 mars të po këtij viti ai shkel për herë të parë Shqipërinë, të cilën e njohu vërtet në verën e vitit 1935. Në pamje të parë udhëtimi në një vend të tillë si Shqipëria, ku mungonte pjesa më e madhe e komoditeteve të jetës moderne, mund të duket diçka e habitshme. Por, si për një lojë të çuditshme të fatit, më 1934-1935, ministër fuqiplotë i Francës në Tiranë ishte një nga miqtë e tij më të ngushtë, Marcel Rey, i cili e pati ftuar disa herë në Shqipëri.

U nis drejt saj dhe, siç bënte çdo herë në udhëtimet e tij të shumta, i shënoi menjëherë në ditar përshtypjet, mbresat, mendimet dhe përsiatjet e veta. Nga leximi i këtij ditari del se gjatë “javës së tij shqiptare”, që, me shënimet e shtojcat, zë afro njëqind faqe, ai u mundua ta njohë mirë vendin, veçanërisht Tiranën, si dhe jetën shqiptare, sidomos veçoritë e saj, që i bien në sy një udhëtari të regjur dhe erudit. Në ditar ai përmend Skënderbeun dhe Ali Pashën. Flet për Lord Bajronin dhe veprën e tij, që bëri më të njohura trimërinë dhe dëshirën për liri të shqiptarëve, madje të dy së bashku rindërtuan në hartë itinerarin e udhëtimit të njohur të Bajronit dhe shokut të tij, Hobhauz, në trevat shqiptare. Në ditarin shqiptar Larbaud përmend edhe figura të shquara intelektuale shqiptare të kohës, Gjergj Fishtën dhe Kristo Floqin. Flet për studimet e kryera në Shqipëri nga shkencëtarë të huaj dashamirës, sidomos francezë  Jacque Bourcart, Leon Rey, si dhe italiani Roberto Almagia. Nuk e fshehu për asnjë çast dashurinë e madhe për Shqipërinë, por kjo dashuri nuk e pengoi që të shihte me sy kritik gjendjen e saj, gjendjen e vendit më të varfër të Europës.

Duke folur për thelbin e karakterit shqiptar, Larbaud nxjerr në pah se është energjik dhe i drejtë. Vuri re se në sjelljen e popullit ndaj të huajve nuk shihet as servilizëm, as përbuzje, dhe theksoi se shqiptarët nuk ndihen as më të ulët dhe as më të ndryshëm nga ata. I bëri përshtypje mënyra se si njerëzit në Shqipëri, madje edhe ata më të thjeshtët, nuk kishin asnjë paragjykim, përbuzje apo armiqësi ndaj mënyrës së jetesës, veshjes e zakoneve europiane, perëndimore, pavarësisht se këto risi ende nuk ndiqeshin nga shumica. Ndër tiparet e tjera, që i ranë në sy, ashtu siç e kanë vërejtur edhe udhëtarë të tjerë në trevat shqiptare, nga më kryesoret ai përmend tolerancën fetare. Larbaud theksoi me ngulm se ai i shihte shqiptarët si europianë nga karakteri, nga aftësia për të kuptuar çështjet, nga toleranca, urtia dhe kureshtja, nga dëshira për të jetuar më mirë dhe për t’u pajisur me dije, nga talenti i fshehur për artin e letërsinë.

Me largpamësinë e një dashamirësi, Valery Larbaud shfaqi në ditarin e tij mendime dhe shpresa për të ardhmen e Shqipërisë, duke shpresuar se një ditë Shqipëria do ta siguronte një pjesë të të ardhurave kombëtare nga turizmi, siç ndodhte në Zvicër apo Itali.

Po ç’ëndërronte për Shqipërinë Larbaud dhe a ishin me të vërtetë këto ëndrra një utopi? Larbaud nuk ishte si të tjerë që kishin kaluar nëpër Shqipëri dhe kishin shfaqur me mirëdashje shpresa dhe ëndrra për të ardhmen e saj. Ai ishte një udhëtar i regjur, që prej afro dyzet vjetësh i kishte ardhur përqark Europës, që nuk kishte lënë vend pa vizituar dhe qytet të rëndësishëm pa qëndruar, madje jo vetëm një herë, duke mundur t’i shihte vetë ndryshimet që kishin pësuar ata në vite. Nga leximi i “ditarit shqiptar” të Valery Larbaud të krijohet bindja se, edhe pse qëndroi për pak kohë në Shqipëri, ai mund të përfshihet tek ata “kalorës” francezë, të cilët në gjysmën e parë të shekullit XX kaluan, qëndruan dhe shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët.  Jeta Hamzallari

Kolana Të huajt për shqiptarët vjen në shqip nga Shtëpia Botuese ‘Dituria’

Shqipëria e panjohur – Gabriel Louis-Jaray

Përktheu: Asti Papa

Shqipëria dhe shqiptarët – Jacques Bourcart

Përktheu: Asti Papa

Ditarët shqiptarë - Justin Godart

Përktheu: Asti Papa

Hyjnitë kishin të drejtë – Leon Rey

Përktheu: Luan Rama

Java jonë shqiptare -  Valery Larbaud

Përktheu: Asti Papa



Mapo

Google+ Followers