Fillesa e ndërgjegjësimit - Vladimir NABOKOV



Lëkundjet e djepit mbi një abys dhe kuptimi i përgjithshëm i tij, na tregon se jeta jonë nuk është tjetër, veçse një çarje e beftë drite midis dy përjetësish të errësirës. Gjithashtu, të dyja janë binjake, unikale dhe njeriu, si një i ligjshëm, sheh të parëlindurin në abys më me qetësi sesa ai që i rri mbi kokë (ndodh në çastin e katërqind e pesëdhjetë rrahjeve në një orë). E di se, sidoqoftë, një njeri me fobi ka provuar ndjenja paniku, kur ka parë për herë të parë filmat e tij në shtëpi, të cilët janë krijuar disa javë para se të ketë lindur. Ai ka parë një botë, e cila ka qenë për të e pandryshueshme (e njëjta shtëpi, të njëjtët njerëz) dhe atëherë ka rezultuar se ai nuk ekziston aty, por edhe që askush aty nuk e ka ndier mungesën e tij. Ai kapi një shikim fluturimthi të nënës në katin e dytë të shtëpisë dhe kuptoi menjëherë se ky ishte një gjest aspak familjar, çka e shqetësoi, më shumë i ngjau me një lamtumirë misterioze. Por ajo që në veçanti e frikësoi, ishte zhurma – psherëtimë e një karroce fëmijësh, e cila qëndronte në verandë me mburrje, duke thithur ajrin e kafeinës. Edhe pse ishte boshe, në qarkun e ngjarjeve të përmbysura, kockat e tij ishin dekompozuar.
Këto lloj fantazish nuk para gjenden në jetën e të rinjve. Ose, më mirë, e para dhe e fundit, shpesh gjenden te shënimet e adoleshentëve, derisa, mundësisht, ata përqëndrohen së fundmi në ndonjë besim të nderuar dhe strikt. Natyra vetë parashikon një njeri të rritur plotësisht, që të arrijë të shohë dy boshllëqet e errëta, para dhe nga pas, aq bindës, sa edhe vetë vizionet që e rrethojnë atë. Imagjinata dhe përfytyrimi suprem i pavdekësisë dhe i papjekurisë, duhet të kufizohen me qëllimin për ta gëzuar jetën në formën më të mirë, mundësisht të mos e gëzojmë me tepri.
Unë rebelohem kundrejt kësaj gjendjeje përplasjesh. E ndjej të nevojshme ta nxjerr jashtë këtë rebelim, që të prek natyrën. Sërish e sërish, mendja ime është frenuar për të bërë ndarjen midis fakteve personale përballë errësirës, gjë që të dyja ndodhen brenda jetës sime. Që kjo errësirë brenda meje është krijuar në vakësi, për shkak të mureve të kohës, duke më ndarë mua nga bota e lirë e pakohë, është një koncept që unë, lumturisht, e ndaj me egërsinë e ngjyrosur të jetës. Jam rikthyer në ato mendime, të cilat ngushtohen gjithnjë e me shumë, të pashpresa, ndërsa unë largohem në të shkuarat e groposura në ndonjë vend të fshehtë timin, për t’i dhënë kuptim faktit se burgu i kohës është në formë sferike dhe nuk ka asnjë ekzistencë në të. Kjo quhet një vetëvrasje e shkurtër. Kam provuar gjithçka. Kam hequr identitetin tim, me qëllim që të kaloj në një gjuhë tradicionale të të folurit e të përvidhem në realitete, që kanë ekzistuar para se unë të ngjizesha. Kam lënë pas dore ëndrrat e mia për shkak të kërkimit të çelësave dhe zbulesave, madje, dua ta them, hoqa dorë krejtësisht nga vulgariteti, poshtërsia, periudha themelore e Frojdit me ato kërkimet e tij të kota mbi simbolin e seksualitetit, si dhe përgjimet e tij të vogla mbi të tjerët.
Si fillim isha i painformuar se koha, kaq e pakufishme në përskuqjen e saj të parë, ishte një lloj burgimi. Në fëmijërinë time shoh të qenit zgjuar të ndërgjegjes, si një seri vezullimesh hapësinore me intervale midis tyre që më pas, gradualisht, zvogëlohen derisa bllokime të ndritshme perceptimesh marrin forma, duke sjellë kujtesa me shtrëngime të rrëshqitshme.
Pasi i kisha mësuar shkronjat e numrat, pak a shumë në një periudhë të hershme të fëmijërisë sime, por nuk kisha aspak njohuri se ekzistoja, dhe se prindërit e mi ishin të mitë, vetëm kohë më vonë arrita të kuptoja këtë koncept të ekzistencës sime, vetëm atëherë kur arrita kuptimin e përcaktimit dhe llogaritjes të moshës së tyre kundrejt simes. Duke e gjykuar nga ajo dritë e fortë kuptimshmërie, kur mendoj për këtë lloj zbulese, menjëherë, rasti i parë, mbaj mend të ketë qenë në ditëlindjen e nënës sime, gjatë fundit të verës, e pra mbaj mend ta kem pyetur atë për shumë gjëra dhe, që atëherë, përgjigjet e saj përmbushën konceptet e mia. Gjithë këtë ngjarje dua ta quaj si “teorinë e rikapitullimit”, fillesa e ndërgjegjësimit të reflektimeve në tru të ngjarjeve të shkuara, e kjo duhet të ndikojë në rrëzimin e padiskutueshëm të konceptit të ekzistencës së kohës.
Domethënë, kur ngjarjet e reja mbylleshin brenda meje, e unë isha vetëm katër vjeç, më duhej të përballesha me moshat e prindërve, që ishin përkatësisht tridhjetë e tre dhe njëzet e shtatë. Pikërisht këtu filloi të ngjajë diçka me mua. I isha dhënë një gjendjeje shoku të fortë. Gjatë kohës së pagëzimit tim, sipas linjës fetare, e gjeta veten si asnjëherë tjetër në një element purifikues të kohës. Gjatë kredhjes në ujë – që më ngjante me zhytjen në ujërat e shndritshme të detit, bashkë me krijesat që nuk përcaktojnë vetëveten, por përcaktohen nga vetë rrjedha e kohës, një ndarje e çudishme nga hapesira e botës, që jo vetëm njerëzimi, por edhe bletët a fluturat mund ta perceptojnë. Në atë çast, kuptova menjëherë se një njëzet e shtatë vjeçare, veshur me të bardhë e rozë, e cila kishte kapur dorën time, ishte pikërisht nëna ime, ndërsa ai në krahun tjetër, veshur me të bardhë e ngjyrë floriri, i cili shtrëngonte dorën time të djathtë, ishte babai im. Në mes tyre, ndërsa ata ecnin në rrugë, unë krekosesha, vrapoja trokthi, krekosesha sërish, nga një rreze dielli te tjetra, përgjatë trotuarit të parkut të madh, në provincën e San Petersburgut. Në të vërtetë, ata që shtrëngonin duart e mia, një majtas e një djathtas, kanë qenë të pranishëm edhe gjatë fëmijërisë sime të hershme, me kujtime te vakëta, kanë qenë aq bukur të maskuar fshehtësisht, por babai, veshur me atë uniformën shkëlqyese prej roje kuajsh, më ngjante me shkëlqimin e diellit, derisa, kur erdhi çasti i llogaritjes se moshës sime në të tyren, u ndieva si të isha një pasagjer i nevrikosur, i cili pyeste për kohën për të kërkuar një rrugë të re.
Babai im, dua ta them edhe këtë, i ka shërbyer trajnimit të kuajve shtetërorë para se unë të lindja, ndaj, supozoj, ai i ka vendosur regjimentet e tij si një shaka festive. Prandaj, po si shaka, unë e përkufizoj ndërgjegjësimin tim të përfshihet pa diskutim në rikapitullim, që, me krijesat e para mbi tokë, duhet të kishin kujdes nga koha, duhet të ishin gjithashtu të parat krijesa që kanë buzëqeshur.


Përktheu Jonida Roli 

Google+ Followers