Fatos Tarifa boton “Shkencat e Shoqërisë”

“Shkencat e shoqërisë: Sociologjia si disiplinë integruese për studimin e jetës shoqërore” është libri më i ri i sociologut Fatos Tarifa, në bashkëpunim me një grup sociologësh të famshëm amerikanë. Ky vëllim prej 700 faqesh, i cili promovohet sot në  Universitetin Europian të Tiranës, është përgatitur nga Tarifa, drejtor i Institutit të Studimeve Sociale dhe të Politikave në Universitetin Europian të Tiranës, në bashkëpunim me 25 sociologë amerikanë, ndër të cilët disa, si: Immanual Wallerstein, Amitai Etzioni, Randall Collins, Arne Kalleberg, Pepper Schwartz, Susan Silbey, George Steinmetz, Bryan Turner etj. Libri shoqërohet nga një parathënie prej sociologut të famshëm, lordit Anthony Giddens. Ky libër i kushtohet sociologjisë, si një shkencë e përgjithshme mbi shoqërinë, si edhe shkencave të tjera shoqërore dhe disiplinave humane, me të cilat sociologjia ka lidhje të ngushta dhe shkëmben informacion, perspektiva teorike dhe metoda studimore. Një libër i tillë është i pari i këtij lloji që botohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Edhe pse marrëdhëniet mes sociologjisë dhe disiplinave të veçanta sociale apo humane janë trajtuar në artikuj apo kapituj librash të veçantë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, deri më sot nuk është botuar ndonjë libër që ta trajtojë këtë subjekt kaq gjerësisht dhe në mënyrë integrale. I prodhuar nga shtëpia botuese “Onufri”, libri “Shkencat e shoqërisë” është botuar nën kujdesin e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, anëtarë të së cilës janë, përveç autorit kryesor të këtij vëllimi, Fatos Tarifa, edhe disa nga autorët që kanë kontribuar për të, si Anthony Giddens, Amitai Etzioni dhe Bryan Turner. Ky vëllim pritet të botohet vitin e ardhshëm në anglisht në Shtetet e Bashkuara. Shumë sociologë të njohur kanë dhënë për të vlerësime të larta.

Google+ Followers