E lidhur ngushtë me ty

Një rrëfim i rrjedhshëm në një histori me ngarkesë të madhe emocionale; romani “E lidhur ngushtë me ty” i Sylvia Day-t është një romancë erotike, në gërshetim me intrigën e fabulës – këto janë vlerësime që vijnë nga “Library journal” apo “Glamour” si mbi pushtetin e errët të zotërimit



Sylvia Day

Shkova te tryeza ime dhe u plandosa në ndenjëse. Pëllëmbët e duarve më ishin djersitur ngaqë do të më duhej të flisja me Bretin, dhe po i jepja zemër vetes që të mos lëshohesha kur t’i dëgjoja zërin e të mos më pushtonte ndjenja e fajit. Jo se nuk doja që ai të kthehej përsëri tek unë, a se nuk doja të rrija me të. Por ne kishim pasur një histori e një tërheqje seksuale thjesht hormonale. Nuk e fshija dot atë, por nuk kisha absolutisht dëshirë që ajo të përsëritej.
Lëshova përdhe çantën dhe qeskën, vura këmbët në një prej sirtarëve të tryezës dhe po kënaqja sytë mbi albumin e fotografive ku ishin fotografitë në të cilat kishim dalë unë e Gidioni së bashku. Ma kishte thënë që të mos e hiqja asnjë çast nga mendja – përndryshe nuk do ta kishte lëshuar kurrë nga dora. Madje, nisa të ëndërroja për të.
Ra zilja e telefonit. Thirrje e kaluar përmes recepsionit. Breti nuk kishte hequr dorë. E vendosur që me zë të ftohtë t’i kujtoja se qesh në punë dhe se nuk ishte mirë të bëja biseda vetjake, u përgjigja.
-Zyra e Mark Gerritisë, flet Iva Tramell.
-Iva. Aty qenke. Jam Breti.
Mbylla sytë kur dëgjova atë zërin S-E-K-S-I të veshur me çokollatë.
Tingëllonte edhe më seksi sesa kur këndonte, çka kishte bërë që grupi i tij, Six-Ninths, të ngrihej në qiell. Tashmë ai kishte firmosur kontratë me Vidal Records, kompaninë muzikore që drejtohej nga njerku i Gidionit, Kristofer Vidali, i Vjetri – një kompani mbi të cilën, në mënyrë të pashpjegueshme, Gidioni kishte kontrollin.
Sa e vogël ishte kjo botë.
-Përshëndetje, – ia ktheva. – Si po kalon turi?
-Është si një ëndërr. Ende po kërkoj të gjej në të një pikë ku të kapem.
-Ti e ke dëshiruar prej kaq shumë kohësh, dhe e meriton. Kënaqu.
-Falemnderit. – Ai nuk foli për një minutë, dhe në këtë hapësirë kohe unë e përfytyrova me mendje. Dukej mahnitës kur e pashë për herë të fundit, me flokët të ngritur si gjemba e të lyer në ngjyrë të verdhë, me sytë e zinj të ndezur nga dëshira për mua. Qe i gjatë e muskulor, por pa tule, me trupin të formuar mirë nga stërvitja e vazhdueshme ngaqë donte të ishte rok star. Lëkurën ngjyrë gruri e kishte të mbushur me tatuazhe, dhe kishte vënë pirsing në thithat e gjoksit, të cilat ia thithja kur doja t’ia ndieja penisin të fryrë tamam brenda meje…
Por ai nuk përqasej kurrkund me Gidionin. Mund ta admiroja Bretin, siç bënin të gjitha femrat e hedhura, por Gidioni ishte diçka e pangjashme me askënd tjetër.
-Dëgjo, – ia bëri Breti, – e di që je në punë, prandaj nuk dua të të mbaj gjatë. Po kthehem në Nju Jork, dhe do të doja të të takoja.
Kryqëzova këmbët nën tryezë. – Them se nuk është ide e mirë.
-Do të regjistrojmë muzikën e videos për “Golden’ in Times Square,” – vazhdoi ai. – Dua që të jesh atje bashkë me mua.
-Atje me… Uau. – Fërkova ballin. E joshur për një çast nga kërkesa e tij, u përpoqa të përfytyroja sa shumë do të më shante nëna për tualetin, i cili, betohej ajo, shkaktonte rrudha. – Jam vërtet e joshur nga kërkesa jote, por më duhet të di, a je ende i mendjes që të jemi vetëm miq?
-Dreq, jo. – Qeshi. – Ti je beqare, vajzë e artë. Humbja e Krosit është fitorja ime.
Oh, dreq. Kishin kaluar pothuaj tri javë qysh kur lajmi për fazën e afrimit të Gidionit me Korinën kishte pushtuar blogjet e thashethemeve. Dukej qartë që të gjithë mendonin se për mua kishte ardhur koha të zija një djalë tjetër. – Nuk është kaq e thjeshtë. Nuk jam ende gati për një marrëdhënie tjetër, Bret.
-Të kërkova të dilnim bashkë një herë, jo të bashkoheshim përjetë.
-Bret, vërtet…
-Duhet të vish atje, Iva. – Zëri i tij u ul në nuancën joshëse që më kishte kandisur gjithnjë t’i ulja pantallonat për të. – Është kënga jote. Nuk po i marr si përgjigje mohuese ato që më the.
-Ashtu duhet t’i marrësh.
-Do të më lëndoje shumë po të mos vije, – foli ai me zë të qetë. – Dhe kjo nuk është dëngël. Do të shkojmë atje si miq, nëse është kjo që të shqetëson, por kam nevojë që të vish atje.
Psherëtiva thellë, me kokën të përkulur mbi tryezë. – Nuk dua të të mbaj me shpresë. – Ose t’ia dredh Gidionit…
-Të jap fjalën se do ta quaj këtë si një nder që shoku i bën shokut.
Posi, more shkërdhatë. Nuk iu përgjigja.
Ai nuk hoqi dorë. Ai nuk hiqte kurrë dorë. – Në rregull? – më nxiti.
Te bërryli im u shfaq një gotë kafeje, dhe ngrita sytë e pashë Markun që qëndronte në këmbë prapa meje.
-Në rregull, – pranova, më shumë ngaqë duhej ta mbyllja e t’i kthehesha punës.
-Poo. – Në zërin e tij ndihej një notë triumfi që, siç dukej, ai e shoqëroi me një goditje grushti në ajër. – Mund të jetë ose të enjten, ose të premten; nuk është ende e sigurt. Më jep numrin e celularit, që të të dërgoj mesazh kur të fiksohet data.
Ia thashë me nxitim numrin. – E more? Tani më duhet ta mbyll.
-E kalofsh mirë ditën e punës, – më uroi ai, duke më bërë të ndihesha keq që po e mbyllja me ngut dhe pa e uruar. Ai kishte qenë gjithnjë një djalë i sjellshëm dhe mund të kishte qenë një mik i mirë, por unë e kisha shkelmuar vetë këtë mundësi në çastin kur e kisha puthur.
-Falemnderit, Bret… jam vërtet e lumtur për ty. Pafshim. – E vendosa dorezën në vend dhe i buzëqesha Markut. – Mirëmëngjesi.
-Gjithçka në rregull? – pyeti ai, me sytë ngjyrëkafë të picërruar paksa. Kishte veshur kostum mavi dhe kravatë të kuqe të ndezur, të cilat i shkonin shumë me lëkurën e zeshkët.
-Po. Falemnderit për kafen.
-Të lutem. Gati të fillosh punën?
Unë u ngërdhesha. – Gjithnjë gati.

* * *
-Nuk dua të tregohem e rëndomtë, por nuk do ta mësosh dot po nuk e pyete. – I bëra një buzëqeshje zemërdhënëse. – Ai të dashuron. Shumë. Them se ato mosmarrëveshjet tuaja të çuditshme janë vetëm nazetime.
Ai buzëqeshi, duke zbuluar dhëmbët e shtrembër. – Falemnderit.
-Më bëj me dije lidhur me ato rezervimet.
-E çmoj shumë kujdesin tënd. – Fytyra iu çel e i mori shprehje të kthjellët. – Më vjen keq që të shqetësoj, kur edhe ti ke gjithë ato telashe.
-Mos u shqetëso për mua. Jam për mrekulli.
Marku m’i nguli sytë për një minutë, pastaj tundi kokën.

* * *
-Do dalësh për drekë?
Ngrita sytë e vështrova fytyrën e çiltër të Uill Grangerit. Uilli ishte ndihmësi më i ri në Waters Field & Leaman, dhe unë e kisha ndihmuar të sistemohej në fillim.
Kishte lënë baseta të gjata dhe kishte vënë syze dielli me skelet katror, çka e bënte të dukej paksa si ata karafilët e stilit retro bitnik, gjë që e ndihmonte. Ishte super i qetë, gjë që më pëlqente. – Natyrisht. Ty çfarë do të të pëlqente?
-Makarona dhe bukë. Dhe tortë. Ndoshta edhe një patate e pjekur.
Ngrita vetullat. – Bukur. Por nëse unë bie që në këmbë dhe më del shkumë nga goja për shkak të komës nga karbohidratet, do të më bësh hall e të më nxjerrësh nga belaja me Markun.
-Ti je shenjtore, Iva. Natalia ankohet nga mungesa e tyre, dhe unë nuk mund të duroj edhe një ditë tjetër pa brumëra e pa sheqer. Jam dobësuar. Ja, shikomë.
E dashura e tij qysh nga shkolla e mesme, Natalia, dukej se e sundonte plotësisht po të gjykoje nga ato që thoshte ai vetë. Unë nuk do të dyshoja se ai do të ecte edhe mbi thëngjij të ndezur për të, por dukej që edhe ajo kujdesej shumë për të, ndonëse ai mërmëriste vazhdimisht, por pa inat, për çikërrimat me të cilat merrej ajo.
-Fitove, – i thashë, duke u ndier papritur e trishtuar. Të qëndroje larg Gidionit qe torturë e vërtetë. Sidomos kur rrethoheshe nga miq që vrisnin mendjen vetëm për marrëdhëniet e tyre.
Erdhi mesdita, dhe ndërsa prisja Uillin, i dërgova një mesazh Shaunës – të cilën Marku e kishte pothuaj kunatë – për ta pyetur nëse ishte e gatshme për një natë vajzash të shtunën. Sapo kisha shtypur butonin dërgo, kur ra zilja e telefonit të zyrës.
U përgjigja prerë, – Zyra e Mark Gerritisë.
-Iva.
U drodha nga maja e flokut e deri te gishtat e këmbëve nga zëri i ulët por i ashpër i Giddionit. – Hej, njësh.
-Më thuaj që jemi në rregull.
Kafshova buzën, me zemrën që m’u ndrydh brenda kraharorit. Ai duhej të ndiente po atë hendek shqetësues që ekzistonte mes nesh e që më shqetësonte edhe mua. – Jemi. Apo s’është kështu? Ka ndonjë gjë që nuk shkon?
-Jo. – Ai heshti. – Vetëm se më duhej ta dëgjoja edhe një herë.
-A nuk ta bëra të qartë natën që kaloi? Kur të çirrja kurrizin me thonj… – Ose sot në mëngjes? Kur e ulur në gjunjë…
-Kam nevojë të dëgjoj që je në rregull kur nuk të kam pranë që të të shikoj. – Zëri i Gidionit m’u duk sikur më përkëdheli. U përflaka e gjitha.
-Më fal, – pëshpërita, duke u ndier ngushtë. – E di që ti mërzitesh me femrat që të kundërshtojnë. Nuk duhej të më kishe cytur në atë drejtim.
-Nuk do të mërzitesha kurrë që ti të ishe ajo që do të jesh, Iva. O Zot.
Zëri iu ngjir. – Unë jam i lumtur si dreqi që ty të pëlqen të më shikosh, se Zoti e di sa më pëlqen mua vetë të të shikoj ty.
Mbylla përsëri sytë për të përballuar valën e mallit. Të dije atë që dija unë – sa e rëndësishme mendonte ai që isha unë për të – e bënte kaq të vështirë qëndrimin larg tij. – Më merr shumë malli për ty. Dhe është e çuditshme që të gjithë mendojnë se ne jemi prishur bashkë e se unë duhet të shikoj për ndonjë tjetër…
-Jo! – kjo fjalë e vetme erdhi deri te unë si një krismë pushke, aq e fortë sa më bëri të trembesha e të brofja përpjetë. – E martë dreqi e martë. Më prit mua, Iva. Unë prita gjithë jetën për ty.
U kapërdiva me vështirësi, duke hapur sytë në kohë për të parë Uillin duke ardhur drejt meje. E ula zërin. – Do të të pres gjithë jetën, për sa kohë që do të jesh imi.
Nuk do të zgjasë gjithë jetën. Po bëj gjithçka që kam në dorë. Më beso.
-Të besoj.
Dëgjova një tjetër telefon që binte atje ku ishte ai. – Do të të takoj më tetë fiks, – foli prerë Gidioni.
-Po.
Dëgjova linjën që u mbyll, dhe, papritur, u ndjeva e vetmuar.
-Gati për drekën? – pyeti Uilli, duke fërkuar duart nga padurimi. Megumi po hante drekë me atë fobikun e saj, nga i cili do të kishte marrë një tjetër çek të majmë. Do të ishim vetëm Uilli, unë, dhe të gjitha makaronat që do të mund të hante ai brenda një ore.
Duke thënë me vete se një trullosje me karbohidrate mund të qe vërtet ajo për të cilën kisha nevojë, u ngrit dhe i thashë, – Dreq. Të shkojmë.

* * *
Rrugës duke u kthyer nga dreka mora një pije energjike me zero karbohidrate në dyqanin e Dianë Ridit. Kur ora po shkonte pesë, u bëra e vetëdijshme se edhe sot pas punës më prisnin veprimet rutinë.
Isha e regjistruar në Equinox, por në të vërtetë doja të shkoja në palestrën Cross-Trainer. Ndjenja e mosqenies me Gidionin u bë therëse.
Kalimi i kohës në një vend ku kishim pasur kujtime të bukura do të ma lehtësonte atë ndjenjë. Plus, mendoja se duhej t’i qëndroja besnike. Gidioni qe mashkulli im. Isha gati të bëja gjithçka që ta kaloja jetën bashkë me të. Për mua kjo do të thoshte se duhej ta përkrahja në gjithçka që bënte.
U ktheva në shtëpi pa e vrarë më mendjen që mos të shëndoshesha ngaqë, gjithsesi, do të shkoja të djersitesha në palestër. Kur ashensori i ndërtesës ndaloi në katin ku banoja, e kapa veten që po vështroja në drejtim të derës ngjitur me timen. Gishtat më prekën çelësin që më kishte dhënë Gidioni. Ideja se ai më kishte dhënë mundësinë të kontrolloja apartamentin e tij ishte ngacmuese. Do të qe njëlloj me apartamentin e tij në Fifth Avenue? Apo krejtësisht i ndryshëm?
Apartamenti në nënçati i Gidionit qe një mrekulli, me arkitekturën e paraluftës e me një bukuri si ajo e botës së vjetër. Ishte një vend që tregonte bollëk, por që mbetej i ngrohtë e joshës. Në të mund të përfytyroja të shikoja fëmijë me po atë lehtësi që mund të përfytyroja edhe funksionarë të huaj.
Ç’e kishte shtyrë ta mobilonte kështu? Mobilie të rralla, art që sot nuk e shikoje më, dhe një kuzhinë e zhveshur? Sa i qëndrueshëm ishte ky njeri?
Duke qëndruar jashtë apartamentit tim, vështroja derën e tij dhe diskutoja me vete. Më në fund, i qëndrova tundimit. Doja që atje të më fuste ai vetë.
Shkova drejt dhomës sime të ndenjjes e tërhequr nga tingulli i një të qeshure femre. Nuk u habita kur pashë atje një bionde këmbëgjatë të pleksur me Kerin në divanin tim të bardhë, me duart e saj në prehrin e tij, duke ia përkëdhelur përmes mbathjeve.
Ai qe pa këmishë, me krahun mbi supet e Tatiana Çerlinit, duke i trokitur me gishta mbi gjinjtë.
-Hej, vogëlushe, – më përshëndeti ai duke u zgërdhirë. – Si kaloi dita e punës?
-Si gjithnjë. Tung, Tatiana.
Përgjigjja e saj qe një ngritje e mjekrës përpjetë. Po sulmonte e para, gjë që duhej pritur meqë ishte modele. Po ta shikoje hollë-hollë, ajo nuk më kishte pëlqyer as në fillim e as në ato raste të pakta kur ishim takuar. Ende vazhdonte të mos më pëlqente. Por duke parë Kerin, më duhej të pranoja se hë për hë ajo mund të ishte shumë e mirë për të.
Atij i kishin ikur mavijosjet, por ende kishte shenja të rrahjes së egër, një dhuratë kjo nga Nejtëni që kishte vënë në atë mënyrë në lëvizje planin për të më ndarë mua nga Gidioni.
-Po shkoj të ndërrohem për në palestër, – thashë, duke ecur drejt korridorit.
Prapa meje dëgjova Kerin t’i thoshte Tatianës, – Prit një sekondë, duhet të bisedoj me vogëlushen time.
Hyra në dhomë dhe flaka çantën mbi shtrat. Po kërkoja te rrobat kur erdhi Keri e qëndroi duke u lëkundur në prag të derës. – Si je tani? – e pyeta.
-Më mirë. – Sytë e tij jeshilë ndriçuan me një dritë të ligë. – Po ti?
-Më mirë.
Ai kryqëzoi krahët mbi gjoksin lakuriq. – Falë atij që të shkelmonte me çizme mbrëmë?
Duke mbyllur sirtarin me vithe, iu ktheva, – Seriozisht e ke? Unë nuk vij të dëgjoj ç’bën ti në dhomën tënde. Pse vjen e më përgjon ç’bëj unë në timen?
Ai tregoi me gisht tëmthin. – Radar seksi. E kam këtë veti.
-Ç’do të thuash me këtë? Që unë nuk kam radar seksi?
-Qysh kur Krosi ta prishi qarkun me një prej atyre goditjeve të tij. Sidoqoftë, nuk e mohoj dot se është njeri këmbëngulës. Do të më pëlqente që të më dilte përpara e të më zhvishte.
Ia flaka fytyrës bluzën e stërvitjes.
Ai e kapi më shkathtësi, duke qeshur. – Pra? Cili ishte?
Kafshova buzët, duke mos dashur ta gënjeja të vetmin njeri që tregohej gjithnjë i çiltër me mua, edhe kur kjo e lëndonte. Por s’kisha si ia bëj ndryshe. – Një djalë që punon te Crossfire.
Me buzëqeshjen që iu shua në buzë, Keri hyri në dhomë dhe mbylli derën prapa krahëve. – Dhe ty t’u mbush mendja ta sillje në shtëpi e t’i hiqje trurin gjithë natën? Them se e ke ngaqë shkon te ajo stërvitja Krav Maga.
-E solla. Ai nuk kishte qenë asnjëherë këtu dhe e solla pasi mbaruam stërvitjen. Njëra gjë të çon te tjetra…
-A nuk duhej të shqetësohesha? – pyeti ai me zë të qetë, duke shqyrtuar fytyrën time ndërsa më jepte bluzën. – Ti nuk ke pasur asnjë pallim të rastit për një kohë të gjatë.
-Nuk është ashtu. – E shtrëngova veten që ta përballoja vështrimin e Kerit, ngaqë e dija se po të mos veproja kështu ai nuk do të më besonte. – Unë… shkoj me të. Sonte do të hamë darkë bashkë.
-Po unë, do ta takoj?
-Natyrisht. Por jo sot. Do të shkoj unë tek ai.
Keri mblodhi buzët. – Diçka po më fsheh. Nxirre.
Unë e anashkalova kërkesën. – Të pashë që po puthje Trejin në kuzhinë sot në mëngjes.
-Ashtu qe.
-Mirë ju shkojnë punët ju të dyve?
-Nuk qahem.
Aha! Kur i qepej Keri diçkaje, nuk tërhiqej lehtë pa e shtënë në dorë. E anashkalova përsëri çështjen.
-Bisedova sot me Bretin, – thashë sa më e shpenguar që munda, duke u përpjekur që me këtë ta mbyllja diskutimin. – Ai më telefonoi në punë. Oh, jo, nuk është ai djali që do të takoj sonte.
Keri ngriti vetullat. – Çfarë donte?
Hoqa këpucët dhe u nisa të shkoj në banjë për të shpëlarë atë që më kishte mbetur nga tualeti. – Po vjen në Nju Jork për të regjistruar muzikën e një videoje për “Golden”. Më kërkoi të shkoja bashkë me të.
Iva… – i nisi ai me atë zërin e ulët me të cilin prindërit paralajmërojnë fëmijët e pabindur.
-Dua të vish edhe ti.
Kjo e bëri të tërhiqej paksa. – Si shoqërues? Nuk i ke besë vetes?
Pashë pamjen e tij në pasqyrë. – Nuk është se po ia nis përsëri me atë, Keri. Asnjëherë ne të dy nuk kemi qenë me të vërtetë bashkë, prandaj boll u shqetësove për këtë punë. Dua që të vish se mendoj që do të argëtohesh dhe se nuk dua që t’i jap rast Bretit. Ai pranoi që të jemi vetëm miq, por them se ky koncept atij i duhet kujtuar vazhdimisht, vetëm për të qenë e sigurt. Dhe e ndershme.
-Duhej t’i kishe thënë jo.
-U përpoqa.
-Jo-ja është jo, vogëlushe. Nuk është kaq e vështirë.
-Qepe! – Fërkova fytyrën nën njërin sy me peshqirin e lagur. – Mos më thuaj tani se do të bëj faj po shkova atje! Mos mendon se do të argëtohesha më shumë po të shkoja pa e ditur cilin do të takoja? Mos më shit mend mua.
Se boll i kisha këto nga Gidioni…
Keri u ngrys. – Për çfarë dreq faji e ke fjalën?
-Breti hëngri shkelma bythëve për mua!
-Joo, e zunë me shkelma se puthi një vajzë të bukur pa menduar për pasojat. Nuk duhej të kishte shpresuar se do të të shtinte në dorë. Dhe pse e vret ti kaq shumë mendjen për bythën e tij?
-Mos më mbaj leksione për Bretin tani, mirë? – Ajo për të cilën kisha nevojë qe që Keri të pranonte marrëdhënien time me Gidionin dhe shqetësimet që kisha unë, por nuk mund të shkoja deri aty me shokun tim më të mirë. Kjo pamundësi bënte që gjithçka që shkonte keq në jetën time të bëhej edhe më shqetësuese. Ndihesha krejtësisht e vetmuar dhe e pambrojtur. – Ta kam thënë, nuk do t’i hyj përsëri asaj rruge.
-Më bëhet qejfi që e dëgjoj.
I kisha thënë të vërtetën deri aty sa ishte e mundur, ngaqë e dija që ai nuk do të më gjykonte. – Jam ende e dashuruar me Gidionin.
-Natyrisht, – tha ai thjesht. – Për aq sa kuptoj unë, jam i sigurt që ndarja e ka brengosur edhe atë.
U hodha dhe e përqafova. – Falemnderit.
-Për çfarë?
-Që je ti që je.
Ai hungëroi. – Nuk të thashë se duhej ta prisje. Çfarëdo ujdie që të ketë bërë Krosi, nuk ka rëndësi – ai përgjumet, humb. Por mendoj se ti nuk je ende gati që të kërcesh në shtratin e ndonjë tipi tjetër. Ti nuk bën dot seks të rastit, Iva. Ky është një tregues për ty. Prandaj edhe u mërzite aq shumë kur i dhe atij duart.
-Ashtu është, – e miratova, ndërsa u nisa të shkoja përsëri në banjë që të pastroja fytyrën. – Do të vish me mua te ai koncerti?
-Poo. Do të vij.
-Do që të marrësh edhe Trejin ose Tatianën?
Duke tundur kokën, ai u kthye te pasqyra dhe rregulloi flokët me lëvizje të sigurta të dorës. – Kjo do të thoshte që të kishe prapa dy shoqërues. Është më mirë që të jemi vetëm tre. Bën më shumë efekt. Vështrova përsëri pasqyrimin e tij, dhe buzët m’u përkulën në një buzëqeshje të lehtë. – Të dua shumë. Ai më dha një puthje duke përplasur buzët. – Atëherë kujdesu për veten, vogëlushe. Vetëm këtë dua.

* * *
Dhurata ime e parapëlqyer për urime shtëpish të reja qenë gotat e martinit Waterford. Për mua ato tregonin njëkohësisht luks, kënaqësi dhe vlerë. I kisha dhuruar një komplet një kolegu që nuk e kishte idenë ç’ishte kristali Waterford por që i pëlqente martini, dhe një komplet nënës sime që nuk pinte martini por i pëlqente Waterford-i. Qe një dhuratë që mendoja se ishte e përshtatshme madje edhe për Gidion Krosin, njeriun që kishte më shumë para se ç’ta rrokte mendja.
Gjithsesi, nuk qesh duarbosh kur trokita në derën e tij.
Nervoze, u mbështeta në njërën këmbë dhe kalova dorën në vithe që të rregulloja fustanin. Isha rregulluar pasi qesh kthyer nga palestra, duke harxhuar kohë për modelin e ri New Eva të flokut e për të hijezuar sytë me ngjyrë të zezë. Kisha vënë buzëkuq të çelët dhe kisha veshur një fustan të shkurtër të zi me dekolte të hapur.
Fustani i shkurtër zbulonte pjesën më të madhe të gjatësisë së këmbëve, të cilat përfundonin me këpucë Jimmy Choos me taka të larta. Kisha vënë vathët me diamant që kisha përdorur edhe në takimin tonë të parë, si dhe unazën që më kishte dhuruar ai, një unazë e mrekullueshme në të cilën fijet prej ari përqafonin X-e prej diamanti, ku X-et personifikonin Gidionin që më mbante të lidhur me fije të shumta.
U hap dera, dhe mua m’u prenë gjunjët kur pashë mashkullin e përkryer dhe seksi që më doli përpara. Edhe Gidioni duhej të kishte qenë i emocionuar. Kishte veshur po atë pulovër të zezë që kishte në atë klubin e natës ku u lidhëm me njëri-tjetrin. Dukej i mrekullueshëm – përzierje e përsosur e shkujdesjes dhe e seksit elegant. Bashkë me kostumin ngjyrë gri të mbyllur dhe më këmbë të zbathura, efekti që bëri ai tek unë qe dëshira e fuqishme dhe e papërballueshme.
-Krisht, – hungëroi ai. – Dukesh magjepsëse. Herë tjetër më lajmëro para se të hap derën.
Unë buzëqesha. – Përshëndetje, i Errët dhe i Rrezikshëm.

Fragment nga romani “E lidhur ngushtë me ty”, botimet OMSCA-1
Standard

Google+ Followers