Dy përkufizime për dashurinë, nga Çelo Hoxha

Oliver Mendvil, aristokrat anglez me studime në Itali, u nis me ngut për në atdhe, pasi mori lajmin e vdekjes së babait. Asokohe udhëtohej me kalë – fundi i shekullit të shtatmbëdhjetë – dhe, pa presionin e kohëve moderne – orare trenash, autobusësh, avionësh, takimet mund të zgjasnin në varësi të kënaqësisë që falte biseda udhëtarët e rastësishëm. Në një fshat të vogël fiorentin, ndërsa ishte në kërkim të një strehe për të kaluar natën e shoqëruar me një shi të rrëmbyeshëm, fisniku anglez takoi një prift. Studenti u lumturua, sa mori vesh që prifti ishte me origjinë nga vendlindja e Zhuljetës, por entuziazmi i tij u shua shpejt. Për at Ipoliton, Verona ishte e shquar ngaqë ishte vendlindja e një piktori të madh, “hyjnorit Veroneze”, dhe, natyrisht, e vetë priftit. Më tej, djaloshi fisnik mësoi se atyre anëve Veronën e thërrisnin qyteti i Skaligerëve, emri i familjes fisnike që e kishte drejtuar qytetin gjatë shekullit të 14-të. I riu anglez u habit me priftin, i cili pati vështirësi të gjente në kujtesë një princeshë me emrin Zhuljetë dhe, edhe kur e pikasi, nuk bëhej fjalë për imazhin legjendar që kishte krijuar Shekspiri, por një grua të martuar, nënë e tetë fëmijëve, e cila mund të ishte – edhe pas dyzetëvjetësh, që kur at Ipolitoja ishte larguar nga vendlindja – ende gjallë.
Dramaciteti rritet paralel me parodinë. Të dy, studenti dhe prifti, flasin për të njëtjin qytet, të njëjtët personazhe, të njëjtat ngjarje, por në kontekste ngatërruara ose krejt të ndryshme. Duke rrëmuar në kujtesë, prifti zbulon që njeh jo vetëm Zhuljetën, por dhe personazhet e tjerë të tragjedisë së Shekspirit, veçse, për habi të bashkëbiseduesit, jetët e tyre rezultojnë, në rrëfimin e priftit, të zakonshme. Parisi, në Veronën e priftit është burri i ligjshëm dhe i vetëm i Zhuljetës. Ai është ndeshur me Romeon, por ajo që thotë studenti duke iu referuar Shekspirit, sipas at Ipolitos, nuk është e vërtetë. Sipas tij, Parisi ishte një njeri i pasur dhe i denjë për Zhuljetën, kurse Romeo një birbo. Plagosjen që ai i kishte bërë Parisit (Shekspiri dhe sipas tij studenti thotë që u vra), prifti e konsideronte një akt të pastër rrugaçërie. E shumta, bazuar në paradigmën që politika i fund hundët kudo, plagosja ishte një atentat politik i zakonshëm.
I riu anglez u trond. Ai mësoi se at Lorenco, të cilin prifti Ipolitio e kishte njohur personalisht, nuk ia kishte dhënë Zhuljetës barin që, te Shekspiri, e vuri në gjumë, për t’u shtirë si e vdekur e për t’iu shmangur martesës me Parisin. “At Lorenco s’bënte kurrë kësi gjërash”, e garantoi prifti. Ndërsa Romeo, për të cilin Shekspiri thotë se piu helmin duke e kujtuar të dashurën e tij të vdekur, sipas priftit, nuk u helmua (e piu apo jo helmin nuk specifikohet), por ai është i sigurt që Romeo u arratis në Mantovë, ku e “zuri keq qymyri” me bijën e një markezi. Nga kjo dashuri, në kujtesën e priftit nuk gjendeshin shumë gjëra, përveç faktit që njerëzia e mbante mend si “tepër romantike” dhe “si një pasion të pashembëllt”.
Studenti vazhdoi të ngulte këmbë se historia e tij ishte varianti i vërtetë, ngaqë ai e kishte parë me sytë e tij shfaqjen, madje i ulur në rreshtin e parë. Prifti ia hodho poshtë pretendimet, me autoritet. Ajo që rrëfente at Ipolito, kishte mbërritur në veshët e tij nga goja e at Lorencos, dëshmitar okuluar dhe pjesëmarrës në ngjarje, në të dyja variantet.
Ky është, pak a shumë, subjekti i tregimit “Romeo e Zhuljeta”, i shkrimtarit çek Karel Çapek. Me pak kujdes, në tregim vihet re që prifti është në dijeni të veprës së famshme të Shekspirit, me të njëjtin titull. Distanca mes dy veprave është pak më shumë se dy shekuj e gjysmë, nga vitet 60-të të shekullit të 17-të në vitet 20 të shekullit të 20-të.
Në variantin shekspirian të ngjarjes, sipas librit dhe jo personazheve të Çapekut, Romeo dhe Zhuljeta janë anëtarë të dy familjeve aristokrate veroneze në hasmëri. Në aktin e parë të tragjedisë, ata nuk njihen dhe, edhe kur takohen, përballja e tyre është rastësore, ndodhen në të njëjtën festë. Aty secili ndodhet për arsye të ndryshme, madje, duke pasur parasysh çfarë ndodh më vonë, kundërshtuese. Romeo ka shkuar në festë me shpresën të takojë Rozalinën, vajzën që i ka pushtuar ëndrrat, por që nuk i përgjigjet dashurisë së tij. Zhuljeta, nga ana e saj, nuk mund të mos ishte në atë festë, sepse atë e organizonte familja e saj dhe posaçërisht për të, me shpresën që ajo të njihej me Parisin, princi që kishte kërkuar dorën e saj. Mirëpo, rastisi që Romeo dhe Zhuljeta shkëmbyen vështrimet dhe gjithçka mori rrokullimën, në fillim në zemrën e tyre, e pastaj në gjithë Veronën. Ata u puthën pa ia mësuar ende emrin njëri-tjetrit, pastaj, kur mësuan kush ishin, në lidhjen e tyre fillon tensioni. Kushëriri i Zhuljetës e fton Romeon në duel, i zemëruar që ky mori pjesë në festën e tyre, kur familjet ishin në hasmëri. Romeo duket i lidhur me fatalitetin, sepse, edhe pse i shmanget duelit, e vret kushpririn e të shoqes (u martuan që atë natë), aksidentalisht. Kurorëzimi u bë në prani të at Lorencos, i cili u vendosi kurorë në fshehtësi e me ngut, me shpresën që lidhja e tyre mund të çonte në pajtimin e dy familjeve fisnike të qytetit. Babai i Zhulejtës, i nxitur nga ngjarjet, vendos që e bija të martohet me Parisin, megjithëse më herët i kishte thënë Parisit të priste nja dy vjet, derisa e bija të mbushte të 15-at. At Lorencoja vazhdon bashkëpunimin për kurorëzimin me sukses të dëshirës së të rinjve, i jep Zhuljetës ilaçin që do ta vërë në gjumë natën e martesës, me qëllim të shtiret si e vdekur. Dhe kështu ndodhi, familja e varrosi atë, por, ndërkohë, lajmi që Zhuljeta kishte pirë ilaç dhe jo helm nuk e mbërrin Romeon, i cili, duke kujtuar se ajo ka vdekur, shkon te varri i saj (pasi vret Parisin gjatë rrugës, edhe ai për te varri, me një tufë lule), dhe vret veten. Ky është fundi i historisë së Shekpsirit dhe i dashurisë më të famshme në historinë e letërsisë botërore.
Për kushedi ç’kapriço të fatit, historitë më të mëdha të dashurisë në letërsi, janë shoqëruar me pasoja fatale. Nëse kujtojmë, për shkak të dashurisë së Helenës dhe Parisit, në poemën e famshme të Homerit, u shkatërrua një qytetërim. Dhe të mendosh që kjo është një nga krijimet letrare më të hershme të historisë njerëzore. Në kohët e vjetra njerëzit duket s’kanë patur shumë arsye për të nisur një luftë, por, mund të thuhet gjithashtu, që, kur luftonin, ata luftonin për gjëra që ia vlente të flijoheshe. Lufta nuk u bë për Helenën, siç thuhet rëndom. Lufta e grekëve nuk u bë për të zotëruar një ikonë të bukurisë, por për të mbrojtur një standard moral. Sigurisht, në ditët e sotme, bazuar në standardet morale të shoqërisë, një luftë e tij duket qesharake.
Në kohën e saj, tragjedia “Romeo dhe Zhuljeta” nuk llogaritej ndër veprat më të mira të Shekspirit. Vlerësimi i saj vjen më vonë, me triumfin e revolucionit industrial dhe ideve të iluminizmit, kur gjithçka – përfhsi dhe seksin – u kthye në mall konsumi. Në kohën e ngjarjeve veroneze, lidhja mes dy të rinjve nuk ishte një gjë e lënë në dorë të rastësisë. Dhe prifti i Çapekut, at Ipolitoja, tingëllon bindës kur e quan, dashurinë për të cilën i rrëfen studenti, punë kalamajsh.
Te Shekspiri, fundi tragjik i lidhjes duket i natyrshëm, veçse, jo për shkak të mjeshtërisë së autorit të për të ndrëtuar truke logjikisht të argumentuara, por për shkak të kornizës morale të shoqërisë në të cilën zhvillohen ngjarjet. Duke rënë dashuri pa i mësuar njëri-tjetrit as emrin, dy të rinjtë ranë kundërshtim me familjet e tyre. Duke shkuar në festën e familjes në hasmëri, Romeo bëri gabimin e radhës. Me vrasjen e kushëririt të Zhuljetës, tashmë bashkëshortja e tij, Romeo kaloi nga gabimi në krim. Zhuljeta, nga ana e saj, vazhdoi me gabimet e veta, kur shmangu martesën me Parisin nga përkushtimi për vrasësin e kushëririt. Në veprimet e tyre, Romeo dhe Zhulejta shkelin çdo lloj tradite, norme morale dhe ligji të shoqërisë.
Romeo dhe Zhuljeta e Çapekut përfaqësojnë të kundërtën e personazheve të Shekspirit. Ata janë njerëz që respektojnë veten, njëri-tjetrin dhe shoqërinë, në gjirin e të cilës e konsumojnë deri në fund dashurinë e tyre. Te Shekspiri dashuria mbetet e paplotë, sepse është nxitur nga instinkte me veprim të shkurtër, ndërsa te Çapeku ajo është një cikël i plotë, që mbyllet me riprodhimin e jetës. Studenti anglez habitet me rrëfimin e priftit, aq shumë sa në një pikë ai bëhet arrogant, duke i thënë at Ipolitos: “Më falni, po ju nuk e njihni dashurinë e vërtetë, i dashur padre”.
Prifti ia shpjegoi me shumë qetësi përkufizimin e tij për dashurinë: “Dashuri e vërtetë? Të tillë unë quaj atë dashuri, me të cilën një çift lidh tërë jetën ndershmërisht dhe besnikërisht. Zhuljeta ka qenë një zonjë e mrekullueshme, zotëri. I shërbeu të shoqit gjer në vdekje, rriti dhe edukoi tetë fëmijë. Domethënë anglezët Veronën e quajnë qytetin e Zhuljetës. Iu faleminderit, për këtë. Zhuljeta shoqet përnjimend i ka pasur të rralla. I ndrittë shpirti për jetë atje ku është”.
Dhe, kur e kupton se ky përkufizim përfshin miliona e miliona marrëdhënie njerëzore të suksesshme që përcjellë vazhdimin e jetës nga brezi në brez, për shekuj me radhë, nuk është e vështirë të bëhet dallimi se nga anon peshorja e të drejtës. Studenti anglez dhe prifti italian i Çapekut përfaqësojnë dy botë të ndryshme. Studenti është banor i botës së krijuar nga Shekspiri, kurse prifti i botës së krijuar nga Zoti.

Google+ Followers