Blenda Selimi - “Tingujt e jetës”


Përmbledhja e parë poetike e Blenda Selimit, me titull mjaft domethënës, paraqet një tërësi poezish, që janë shprehje e zërit të brendshëm të autores së re, e cila gjendet në një moshë, kur njeriu fillon ndryshe ta shohë botën përreth dhe kur, shpesh, ajo botë nuk i del ashtu siç do të kishte dashur që të jetë. Prandaj, jo rrallë, në këtë cikël poetik, të larmishëm për nga tematika,të mbushur me dritëhije, vërehet një ndjenjë e zgjë­­nji­­mit nga realiteti, ndjenjë e cila, megjithatë, mbetet e kontro­­lluar. Duke lexuar poezitë e autores, fitohet përshtypja se ato janë të ngjizura dhe të motivuara nga raste të ndryshme nga përditshmëria.
Bëhet fjalë për një grup poezish,te të cilat, sikur çdo gjë është e qartë dhe e tejdukshme. Një pjesë e tyre janë poezi të pastra intime, kushtuar qenieve më të afërta, si: nënës e gjy­shes se vdekur, mikes ose mikut të humbur, poezi këto që për­shko­hen nga një ndjenjë shumë e sinqertë dhe njerëzore.
Kemi madje një grup tjetër të poezive, te të cilat autorja medi­ton rreth jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe heshjes, kujtimit mbi një të kaluar që dhemb. Si përfaqësuese e gjeneratës së re, ajo nuk mund të jetë indiferente ndaj fatit dhe rrugës që po ndjek një numër, jo i vogël, i bashkëmoshatërëve të saj, rrugë kjo, që s`ka si të mos e brengos një shpirt krijues. Në raste të tilla, poezia e saj, ndoshta me një naivitet të pafshehur, mun­do­­het të bëhet moralizuese, të dëshmojë fuqinë shëruese të fja­lës, e cila mund t`i bashkojë zemrat e të shuajë urrejtjen. E bindur se mëkati është pjesë e jetës së njeriut, ajo dëshiron që njeriu, së paku, të jetë i vëtëdijshëm për këtë të vërtetë,të mundohet të jetë më tolerant dhe të dëgjojë zërin e shpir­tit.
                                    “Nuk di çka të thuash?! Mos thuaj
nuk di çka të bësh?! Mos bëj,
mos kundërshto zërin e shpirtit,
këto vuajtje përballoi!
            Kjo vepër e Blendës,si vepër e parë, gjithsesi dëshmon edhe mangësi dhe pasiguri, sidomos në fushën e versifikacionit dhe  leksikut poetik. Por, duke u nisur nga mosha e autores, ne me sinqeritetin më të madh, i urojmë rrugëtim të mbarë dhe suksese!
                                                                                    Mirlinda Krifca Beqiri

Google+ Followers