Akademia e Shkencave ka dështuar këto 22 vite

Cili ka qenë funksioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në këta 22 vjet… A ka ardhur koha për një reformim dhe sa i ka shërbyer ky institucion interesave të vendit. Prof. dr. Rami Memushaj shprehet kritik ndaj punës së këtij institucioni, duke e quajtur politike
Alda Bardhyli 



Këta 22 vjetët e fundit, Akademia jonë e Shkencave ka vijuar sjelljen e saj si në diktaturë, duke mbetur pa arsye servile e qeverisjes së radhës”. Prof. dr Rami Memushaj shprehet kështu, teksa kërkon të shpjegojë atë çfarë ka ndodhur me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë pas viteve ‘90. Për të, puna e këtij institucioni nuk ka ndryshuar shumë nga ajo gjatë kohës së diktaturës, vetëm se atëherë ka qenë një institucion më me peshë në jetën kulturore, apo kërkimin shkencor.
Reforma e vitit 2006, e cila i hoqi Akademisë institutet duke e kthyer në një institucion honorifik, duket sikur e paralizoi më tepër punën e saj. Ndryshe nga ajo çfarë ndodh në vende të tjera ku Akademitë kthehen në promotore të rëndësishme të zhvillimeve në fushat e kulturës, ekonomisë, kërkimit shkencor, etj., në Shqipëri Akademia ka heshtur, ose është rreshtuar në krah të interesave të caktuara politike, që në pjesën më të madhe të rasteve kanë qenë dhe kundër interesave kombëtare. Kryetarit aktual të ASHSH, Gudar Beqiraj, i ka mbaruar mandati dhe pritet të bëhen zgjedhjet e reja për të zgjedhur kryetarin e ri. Ky moment nuk shoqërohet me pikëpyetjen se cili do të jetë kreu i ri i Akademisë së Shkencave, por a ka ardhur koha që ky institucion të reflektojë imazhin e vërtetë të asaj çfarë duhet të përfaqësojë, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe kthimin në një institucion të mendimit shqip. Më poshtë, prof. dr. Rami Memushaj bën një analizë të asaj çfarë ka ndodhur këto vite në këtë institucion.
 

Prof. Dr. Rami Memushaj

A ka ardhur koha për një reformim te Akademisë së Shkencave?
Nevoja për reformim të një institucioni lind atëherë kur ai dështon në përmbushjen e funksioneve dhe të detyrave për të cilat është krijuar. Po ta shohim në këtë dritë Akademinë tonë të Shkencave, mund të themi se ajo aktualisht nuk ka asnjë funksion, ose më mirë, funksioni i saj ka qenë t’i bëjë fresk qeverisjes së radhës. Akademia e Shkencave as para ‘90-s nuk ka qenë një institucion me të vërtetë i pavarur, por të paktën nuk ka qenë pa peshë në jetën kulturore të vendit, sidomos me kërkimet dhe botimet në fushën e albanologjisë. Këta 22 vjetët e fundit Akademia jonë e Shkencave ka vijuar sjelljen e saj si në diktaturë, duke mbetur pa arsye servile e qeverisjes së radhës. Kemi shkruar edhe më parë për pasojat e reformës së vitit 2006, që i hoqi Akademisë institutet, duke e kthyer këtë në një institucion honorifik, pa asnjë peshë në jetën shkencore të vendit. Po edhe veprimtaria e instituteve që kanë mbetur të pavarura, si p.sh. Qendra e Studimeve Albanologjike, duke qenë se drejtohen nga militantë pa horizont e pa kontribute shkencore, është orientuar keq dhe është dëmtuar rëndë. Pikërisht kjo gjë e bën të domosdoshëm reformimin e Akademisë duke ia rikthyer institutet që iu shkëputën. Në parim, kemi qenë që institutet t’u bashkoheshin universiteteve, sikundër edhe është bërë me disa syresh, por, duke qenë se universitetet janë kthyer në fabrika me tri ndërresa, ku pedagogët janë të zënë me mësimdhënie të shtatë ditët e javës dhe shkencës i është vënë vizë, mendoj se ato institute që kanë mbetur, siç është p.sh. QSA-ja, të vihen nën varësinë e Akademisë, sigurisht duke i shkarkuar nga mësimdhënia dhe duke i ngarkuar vetëm me punë shkencore.

Këta 22 vjet për ju kanë qenë një dështim? Si do ta gjykonit atë, çfarë është bërë?
Akademia jonë e Shkencave këta 22 vjet ka qenë hija e asaj të para viteve ‘90. Shoqëria shqiptare ka pësuar zhvillime të vrullshme, kriza e luftëra, por zëri i Akademisë, si tempulli i dijes, ka qenë zero. Gjithnjë në bisht të situatës, pa busull dhe pa orientim drejt interesave madhorë kombëtarë. Le të kujtojmë, për shembull, heshtjen e saj për çështjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare; ose “Platformën për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare” (të vitit 1998, kur në skenë kishte dalë UÇK-ja), në të cilën kërkohej ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar “për ta njohur Republikën e Kosovës si element konstitutiv të Republikës Federale të Jugosllavisë”; ose heshtjen e saj në vitin 2001, kur shpërtheu konflikti i armatosur në Maqedoni; ose sjelljen e saj me rastin e atlasit gjeografik të hartuar prej drejtorit të Qendrës së Studimeve Gjeografike, atlas që pakicat në Shqipëri i rriste artificialisht në mbi 10%; ose heshtjen e saj për varrezat e ushtarëve grekë, për manastiret e memorialet greke etj.
Pra, në planin e mbrojtjes së interesave kombëtare, kontributi i akademisë ka qenë zero.
Edhe në planin shkencor, kontributi i instituteve ka qenë i pakët, kurse pas reformës së vitit 2006 nuk mund të flitet më për kontribut shkencor të Akademisë. Me këtë nuk duam të mohojmë punën e individëve të veçantë anëtarë të saj, të cilët nuk i kanë braktisur interesat e tyre shkencorë.
Më sipër fola për mosarritjet e Akademisë, të cilave mund t’u shtoj edhe sjelljen e turpshme të kryesisë së saj vitin e kaluar me përjashtimin e prof. Rexhep Qoses, anëtar i saj, nga veprimtaritë shkencore për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë, për shkak se ishte kundërshtar i qeverisë që shkoi.
A ju duket tendencioze puna e Këshillit Ndërakademik për t’u marrë me shqipen standarde?
Një nga njollat e zeza të Akademisë sonë të Shkencave është pjesëmarrja e saj në projektin famëkeq të rishikimit të gjuhës standarde, si një nga rishikimet e shumta që u përpoq të ndërmerrte qeverisja që shkoi. Sikundër është vënë në dukje edhe nga të tjerë, anëtarë të saj tërhoqën në këtë projekt antishkencor e jokombëtar, për të mos e quajtur antikombëtar, e tërhoqën edhe kryesinë e Akademisë në nënshkrimin e një marrëveshjeje me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për rrënimin e gjuhës standarde. Veprimtaria e këtij këshilli ka arritur deri në marrëzi të tilla, sa t’i këshillojë shqiptarët të shkruajnë e të thonë qyrre, qyrrash, qyrravec apo bylmet, bylmetore etj. dhe qurra, qurrash, qurravec apo bulmet, bulmetore etj. siç është thënë me shekuj. Ky këshill, që një gjuhëtar e ka quajtur “Këshilli i qyrreve”, duhet zhbërë, sepse është ndërtuar dhe funksionon jo në mënyrë demokratike, siç nuk do të funksiononte as në diktaturë një institucion i tillë. Kujdesi për gjuhën t’u lihet instituteve shkencore dhe departamenteve të gjuhësisë; ai nuk mund të bëhet pronë e pesë a gjashtë a shtatë akademikëve me vesh dialektor dhe mendësi krahinore.

Si mund të jetë një reformim për të sjellë një akademi e cila t’u shërbejë interesave dhe funksionit për të cilin ajo krijohet?
Është një fushë që nuk e njoh, po përvoja organizimi ka në shumë vende të botës. Së pari, reformimin duhet ta udhëheqin jo militantë rozë apo blu, po dijetarë nga më të mirët që kemi, mendje të çliruara nga servilizmi dhe nga fryma e revansheve. Së dyti, në përzgjedhjen e anëtarëve duhet të ketë kritere dhe procedura transparente, në mënyrë që të mos veprojnë edhe në zgjedhjen e akademikëve tarafet e klanet, anësitë fetare, krahinore a politike. Sepse po shohim që bëhen akademikë njerëz me ndihmesa të pakta, ndërkohë që të tjerë të po asaj fushe nuk arrijnë dot të anëtarësohen; nuk po flasim pastaj për parapëlqime nga baza të tjera. Si pasojë, kemi akademikë që nuk dëgjohen fare apo që dëgjohen një herë në vit me ndonjë intervistë, po të paktë janë ata që shqiptohen me guxim për problemet kombëtare apo politike, ekonomike, shoqërore etj. Një akademi serioze duhet të ketë edhe projekte serioze për çështjen kombëtare, për kërkime shkencore, për botime etj. Doemos që këto projekte duan mbështetje të fuqishme financiare nga shteti, i cili të jetë i pranishëm në jetën e Akademisë pikërisht me mbështetje të gjithanshme dhe jo me ndërhyrje në punët e saj./shqip

Google+ Followers