Agim Vinca - SHQIPTARËT MES MITIT DHE REALITETIT (Shënime rreth historisë, mendësisë dhe politikës shqiptare)




FJALA E AUTORIT

(Parathënie e botimit elektronik të librit Shqiptarët mes mitit dhe realitetit)

Botimi i parë i këtij libri pat dalë këtu e gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, në vitin tashmë të largët 1997, te një botues i vogël dhe i varfër shqiptar nga Shkupi, me emrin Shkupi, që e drejtonte një ish-student imi.
Ishim nën okupim, madje në luftë, dhe botimi i një libri, qoftë edhe modest si vëllim, nuk ishte punë e lehtë.
Institucionet e Kosovës ishin vënë nën masa të dhunshme ose edhe qenë mbyllur fare. Kosova po kalonte një fazë të rëndë të jetës së saj institucionale, fazën e përpjekjeve për mbijetesë, që zgjati plot dhjetë vjet (1989-1999).
Shqipëria, ndërkaq, shteti shqiptar, po kalonte edhe një vit të mbrapshtë në historinë e tij, vitin 1997! Kishin dështuar firmat piramidale dhe populli ishte çuar në protesta e, më vonë, edhe në kryengritje për të rrëzuar ata që kishin lejuar grabitjen e pasurisë së tyre. Aq më shumë që askush nga pushtetarët e kohës nuk e shihte të udhës të merrte qoftë edhe një grimë përgjegjësie mbi vete, duke dhënë, ashtu siç ndodh në krejt botën e qytetëruar në raste të tilla: dorëheqje.
“Vendi dridhej, ay mbeti/ Nuk tundej nga kabineti”, pat ironizuar një miku im poet ato ditë në Tiranë, duke parafrazuar vargjet e poezisë së famshme të Nolit, Shpell’ e Dragobisë, kushtuar Bajram Currit: “Vendi dridhej, ay mbeti/ Se s’tronditej nga tërmeti”.
Në ato kushte, sponsorizimi, nocion që pat hyrë në përdorim ndër ne pas vitit 1990, ishte pothuajse e vetmja mënyrë e publikimit të librit shqip. Libri shqip, sidomos në Kosovë, mund të shihte dritën e botimit vetëm falë donatorëve të ndryshëm nga vendi a bota e jashtme: nga diaspora shqiptare në veçanti.
Përpjekjet e autorit, i cili asokohe punonte (vazhdonte të punonte) si Profesor në Universitetin e Prishtinës, jashtë objekteve shkollore, me pagë minimale ose edhe pa të fare, për të siguruar sponsorë për këtë libër, nuk rezultuan të suksesshme.
Të themi, a propos, sidomos për lexuesit e rinj, se autori i këtij libri, ndryshe nga shumë kolegë të tij, vazhdonte t’i qëndronte besnik Kosovës dhe institucionit ku punonte, Universitetit të Prishtinës, edhe përkundër ofertave të pareshtura që vinin nga Maqedonia për t’u kthyer atje, madje edhe në poste të rëndësishme shtetërore.
“Unë kam ardhur në Kosovë në kohën e mirë; nuk mund t’ia kthej shpinën në kohën e keqe!” - ishte përgjigjja e tij. “Më vonë, kur të zgjidhet çështja e Kosovës, shohim e bëjmë!” - shtonte, duke i falënderuar njerëzit që kishin marrë mundimin të vinin nga Shkupi e Tetova në Prishtinë nergut për këtë punë.
Ndërkohë, shqiptarët si Komb, po kalonin, si shumë herë të tjera gjatë historisë, për të mos thënë gjithmonë, nëpër një periudhë që mund të karakterizohej me togfjalëshin: “mes mitit dhe realitetit”. Mitit për veten e tyre si komb trim, heroik etj. dhe realitetit të vrazhdë të ndarjes me kufij të qenies së tyre dhe të dajakut të përditshëm mbi ta nga pushtuesit dhe pushtetet.
Në këto kushte lindi ky libër publicistik. Dhe jo rastësisht autori i vuri titullin: Shqiptarët - mes mitit dhe realitetit.
Por ja që po haste në vështirësi për botimin e tij, madje më shumë sesa me librin tjetër publicistik, Populli i pandalur, të botuar pesë vjet më parë (1992).
Kisha shpresë se do të gjeja mirëkuptim te bashkëvendësit e mi mërgimtarë, në muajt e verës, kur ata vijnë për pushim në vendlindje. Prita dy-tre muaj me dorëshkrimin e gatshëm për botim dhe në pikun e verës e të sezonit turistik në Strugë iu drejtova kryetarit të shoqatës së bashkëfshatarëve të mi në Zvicër me kërkesën për financim, duke e njoftuar me përmbajtjen e librit dhe duke ia dhënë, madje, dorëshkrimin e printuar që ta shihte edhe vetë.
Pas pak ditësh mora përgjigje negative me arsyetimin qesharak: “Nuk na e lejon Rregullorja!”
Veleshtarët e mi të Zvicrës nuk e kishin në rregullore botimin e librave, financimin e tyre! E, kishin një fond për ndihmë vendlindjes! Kështu disi.
Ndërkohë, biznesmenë shqiptarë në Maqedoni jepnin shuma të mëdha për projektin megaloman dhe, në thelb antishqiptar, të Tupurkovskit: një seri librash me ilustrime për “kulturën antike maqedonase!”. Po qe se dikush ndodhte që t’i pyeste personat në fjalë se përse vepronin kështu, ata përgjigjeshin shkurt dhe thjesht: “Ky do të jetë kryetari i ardhshëm i Maqedonisë!”.
Nuk u dolën parashikimet! U shkuan kot edhe paratë!
Ishte tepër zhgënjyes refuzimi nga “buzëdrinasit e mi”, si i kisha quajtur në poezi, i një libri shkencor publicistik që fliste për “çështjen kombëtare”, në një kohë kur ata bënin (dhe vazhdojnë të bëjnë akoma)
shpenzime enorme për dasma e zijafete, kurse disa syresh, shokë të tyre, derdhnin dhjetëra mijëra marka gjermane në adresë të Tupurkovskit dhe projektit të tij për “kulturën antike maqedonase!”.
Aq më shumë që në librin tim kishte edhe një sprovë të gjerë, një studim, përkitazi me zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Lobi shqiptar në Amerikë kishte ngritur iniciativën për botimin e një libri reprezentativ me shkrime të elitës intelektuale shqiptare për çështjen e pazgjidhur shqiptare në Ballkan, projekt ky të cilin e kishin mbështetur materialisht dy biznesmenë shqiptarë në SHBA: Dino Asanaj dhe Bruno Selimaj. Në këtë libër: KOMBI. Rrugët e bashkimit kombëtar, që doli një vit pas në botim të Shtëpisë Botuese “Onufri” nga Tirana, qenë marrë mendimet e 25 intelektualëve shqiptarë, nga e gjithë hapësira etnike shqiptare dhe nga diaspora, përkitazi me zgjidhjen e çështjes kombëtare, në mesin e të cilëve ishin edhe Alfred Moisiu, Aristidh Kolja, Fatos Arapi, Italo Kostante Fortino, Ismail Kadare, Kristo Frashëri, Mahmut Bakalli, Mark Krasniqi, Mehmet Kraja, Pajazit Nushi, Rexhep Qosja, Sabri Godo, Sabri Hamiti, Servet Pëllumbi, Shkëlzen Maliqi, Zekeria Cana e të tjerë, përfshirë edhe vogëlsinë time.
Meqenëse renditja e autorëve ishte bërë sipas alfabetit, emri im: Agim Vinca, dilte i pari në këtë listë.
Mirëpo, as kjo s’u mjaftoi veleshtarëve të mi të Zvicrës që ta “zgjidhnin qesen” për ta mbështetur materialisht, me një shumë fare modeste, botimin e librit Shqiptarët mes mitit dhe realitetit! Nuk i lejonte Rregullorja famoze e Shoqatës së tyre!
Librin e botoi, me mundësitë e veta modeste materiale e teknike, botuesi Shkupi nga Shkupi, por teknikisht dobët (madje, vende-vende, shumë dobët, me shkronja gati të palexueshme e me faqe që kishin ndërruar vend ose që përsëriteshin dy herë, aty-këtu) dhe me një tirazh që nuk arriti të depërtonte në mbarë hapësirën shqiptare, madje as në Kosovë.
Faqosjen ma bëri falas Lirak Çelaj, i cili asokohe ishte djalë i ri dhe merrej me këtë punë (një vit më vonë do të gjendej në radhët e UÇK-së); kopertinën piktori Salih Lutolli-Agi, ish-redaktor artistik i Redaksisë së botimeve të “Rilindjes”, i cili gjatë luftës iku në Perëndim dhe nuk u kthye më në Kosovë, kurse shpenzimet e shtypit i hoqi botuesi, ish-studenti im nga Shkupi, Azam Dauti, i cili kishte arritur të siguronte disi, me shumë mundime, një shtypshkronjë me makineri të vjetruara për të shtypur gazetën e tij të përjavshme “Globi” dhe librat që kishte filluar të botonte që nga viti 1995, kur startoi me shumë sukses si botues, po me librin tim kritik Alternativa letrare shqiptare.
Por, edhe i tillë çfarë ishte, ky libër është zhdukur kaherë nga tregu dhe nga raftet e librarive. Është vështirë të gjendet ndonjë kopje e tij jo vetëm në bibliotekat tona publike, por edhe në ato private. Disa miq të mi, madje, ndodh që habiten kur dëgjojnë për ekzistencën e tij.
Dhe ja tani, pas plot 16 vjetësh, ky libër, po u jepet sërish në dorë lexuesve, tani në formë digjitale, falë ofertës gjeneroze të shtëpisë botuese elektronike FILOZOFIA URBANE dhe drejtuesit të saj, letrarit të suksesshëm Albatros Rexhaj, autor i romanit-bestseler Bombë në Beograd dhe i disa veprave të tjera.
Dhe ndryshe nga ç’ndodhi herën e parë, kur mbeti në suaza lokale dhe qarkulloi në një rreth të kufizuar njerëzish, tani, ky libër, falë mundësive të reja tekniko-teknologjike, do të mund të komunikojë me lexuesit shqiptarë në të katër anët e globit, pa harruar as të huajt që interesohen për problemet shqiptare, albanologë e të tjerë.
Autori është i vetëdijshëm se një pjesë e shkrimeve të këtij libri mbase e ka humbur aktualitetin, sepse ato flasin për ngjarje e probleme të kohës kur janë shkruar, por më inkurajon fakti se pjesa dërrmuese e tyre e ruajnë tingëllimin aktual, në një sens më të fismë: flasin për probleme që në jetën shqiptare, politike dhe kulturore, vazhdojnë të jenë të pranishme edhe sot ashtu sikurse edhe para gati dy dekadash.
Partitë politike janë pothuajse po ato, por edhe nëse kanë ndryshuar emrat (dhe liderët), nuk kanë ndryshuar sjelljen, konceptet dhe filozofinë politike, që është filozofi e manipulimit me masat dhe e përfitimit nga pushteti; institucionet tona, ende të pakonsoliduara sa duhet në pikëpamje programore e kuadrore dhe me kritere të mangëta e të paqëndrueshme, lënë shumë për të dëshiruar; inteligjencia jonë vazhdon të jetë, si gjithmonë, e heshtur, pasive dhe e frikësuar përballë zhvillimeve të kohës, kurse një pjesë jo e vogël e saj servile ndaj politikës së ditës.
Kjo është edhe një arsye më shumë, përpos atyre që përmendëm më lart, që autori i këtij libri, duke iu përgjigjur ftesës së “Filozofisë urbane” për një botim elektronik të tijin, u përcaktua për këtë libër.
Lexim të këndshëm!


Prishtinë, 7. 6. 2013 Agim Vinca




Google+ Followers