Vjen nga Amerika “Saga e Melyshajve”, një pasuri letrare dhe historike

Shënime për librin “Yjet nuk janë të Kuq” i shkrimtares shqiptaro-amerikane Albana Melyshi Lifschin

Nga Nuri Dragoj


Nëse dikush do të dëshironte të lexonte rezultatin e një autopsie për diktaturën, asgjë tjetër e shkruar deri tani, nuk mund ta përshkruante këtë, më saktësisht, se sa libri brilant i Albana Melyshi Lifschin “Yjet nuk janë të Kuq”. Në këtë rast, ajo ka bërë, padyshim, një mrekulli letrare. Një hyrje e shkëlqyer, nga ngjarjet e panairit komunist të kotësive, kur drejtori i Përgjithshëm i RTVSH-së, shqetësohej për faktin, se gjatë një koncerti fëmijësh, të xhiruar në Durrës, mbesa e ish-kryeministrit nuk ishte përfshirë në ekran. Gjë më të bukur se kaq, për korridorin e hapave të humbur, të një administrate komuniste, nuk mund të ndërtohet.
Ndërkohë, autorja tregon fatin dhe tragjedinë e fisit të Melyshajve, ku kjo familje e madhe, që ishte pjesë organike e shoqërisë, zë një vend të rëndësishëm në historinë e mbijetesës së kombit tonë. Siç thotë autorja, familja e Melyshajve ishte me 48 anëtarë, që jetonin në tre vende. Një pjesë te dy kullat në Rrëshen, një pjesë në Kolsh dhe të tjerët te kulla në Sërrisht. Por kullat, deri në vitin 1944, do të digjeshin tri herë. Njëherë nga turqit, njëherë nga forcat e ish ministrit të Brendshëm Mehdi Frashëri dhe herën e tretë, nga partizanët. Kështu, duke alternuar bukur kohët, episodet dhe njerëzit, autorja ndërton një subjekt real dhe profesionalisht të shkëlqyer të panoramës jetësore për këtë familje.

Shumë bukur është paraqitur aty, edhe rikthimi në familje, i gjyshit 90-vjeçar nga Amerika,(babai i Pal Melyshit) me qëllimin e shenjtëruar, për të vdekur në Shqipëri. Por, me nota të dhimbshme dhe mjaft prekëse, është shkruar episodi, ku tregohet, se gjyshi nuk duhej të vinte në Shqipëri. Lejimi i tij, kishte qenë fare rastësi, si të thuash, një aksident konsullor. Miratimi për të kaluar vijën e verdhë, kishte ndodhur pas një gabimi të bërë nga ambasada shqiptare në Romë.
Të gjitha këto ngjarje të çuditshme dhe absurde njëkohësisht, që ndodhnin në kupolën e lartë të shtetit shqiptar, krijonin tronditje në jetën e thjeshtë njerëzore dhe paralizonin shprehjen e emocioneve pozitive të bashkëkohësve. Por midis këtyre radhëve, mjeshtëria e Albana Melyshit Lifschin, ka kapur shumicën e panoramës historike të asaj kohe. Në mënyrë të natyrshme, libri përcjell pasazhe edhe nga periudha postkomuniste, ku tranzicioni shqiptar, jo vetëm që nuk i mbylli dot plagët e diktaturës, por kjo periudhë e menaxhuar në mënyrën më të keqe nga politikanët tanë, hapi plagë të reja, për një realitet të panjohur deri atëherë. Vajtja e Albanës në Nju Jork për t’i qëndruar pranë gjyshit në çastet e fundit, nga një moment sentimental, u kthye në një  moment të rëndësishëm të jetës së saj.

Atje, pas vdekjes së gjyshit, ajo do të mësonte për herë të parë  misterin e së vërtetës, për vrasjen e Pal Melyshit. Autorja bashkëbisedonte me dajën e vet, për Pal Melyshin, që deri në vitin 1957 qe quajtur si tradhtar. Por, papritur i jepej titulli “Hero i Popullit”. Veprim, që krijonte mëdyshje te kushdo. Në këtë mënyrë tregohet, se ai sistem, ndërtonte skenarë të një pabesie tragjike dhe njëkohësisht groteske. Nëpër rreshtat e librit, nuk ka njeri të mos rrënqethet, sepse tragjedia komuniste ishte gjithëpërfshirëse, jo vetëm kur pushteti të dënonte, por edhe kur të dekoronte.

Atë ditë, daja i saj, i tha fjalët: “Shteti komunist ka shkatërruar qindra dhe mijëra familje, ka rrënuar jetën e njerëzve të pafajshëm”. Ndërsa, një profesor i nderuar, në Nju Jork’ i pat thënë  “Ne të gjithë jemi viktima të atij sistemi”. Kështu, me plot figuracione dhe gjetje letrare, Albana Melyshi Lifschin, paraqet momente prekëse nga varrimet e zhvarrimet e Pal Melyshit, kur në një shishe gjendej pseudonimi i tij, “Furtuna”.
Libri mbyllet me një episod sinjifikativ, kur autorja punon si ndihmës avokate në zyrën e emigrantëve, që kërkonin azil politik. Ndërkohë, ajo vazhdonte të lexonte me zell kujtimet e gjyshit të saj, i cili pas vdekjes, u kishte lënë një pasuri të tërë mbresash dhe ngjarjesh. Ndërkohë, në Shqipëri vazhdonte të kishte sukses filmi, që i kushtohej Pal Melyshit, “Operacioni Zjarri”.

Një ditë, në atë zyrë të emigracionit, do të hynte një djalosh fare i ri, që dukej tepër energjik. Ai kishte besim të patundur, se do ta fitonte statusin e azilantit politik sepse gjyshi i tij kishte qenë antikomunist, me grupin, që në film njihet si grupi i Pjetër Mustakuqit. Për këtë, ai kishte si dëshmi, vetëm filmin “Operacioni Zjarri”. Djaloshi tha, se gjyshi i tij, Preng Dod Gjini, ishte vrarë nga komunistët, në rrethimin që ishte bërë. Dhe familja e tyre ishte persekutuar. Për këtë, djaloshi e fitoi azilin politik, e ndihmuar nga  vetë mbesa e Pal Melyshit, pra, Albana Melyshi. Por ajo, pikërisht këtu trajton gjithë filozofinë humanitare të brezit të saj, ndonëse rininë e vet, e kishte kaluar në epokën tinzare, që u mor aq shumë me luftën e klasave. Midis të tjerave, ajo hedh këtu idenë e domosdoshmërisë për ndryshimin e këtij realiteti fals, i cili, në të gjithë botën shkatërron fate njerëzish. Në këtë mënyrë, figura e Pal Melyshit, kalon në disa faza ndëshkimi dhe rivlerësimi, pa përcaktuar tamam, se Melyshi Lifschin, me këtë libër, e ka kaluar me sukses provën e një letërsie të madhe. Nëpërmjet zbatimit rigoroz të një disipline letrare, ajo e ka futur librin e saj, në arsenalin e veprave me vlerë të letërsisë shqiptare, të cilat, së shpejti do të vlerësohen edhe nga vendet e qytetëruara perëndimore. Kjo mjeshtëri, për të kapërcyer provimin e një letërsie të nivelit të lartë, vlen, si për subjektin e zgjedhur, anën kompozicionale, ashtu edhe për përdorimin e figurave letrare. Por mbi të gjitha, në letërsinë e saj, mbizotëron dukshëm tendenca dhe kërkesa për të zbuluar të vërtetën dhe për t’i thënë gjërat në lakuriqësinë e vet. Duket, se ajo prej kohësh e ka përfshirë stilin e saj letrar dhe këndvështrimin e fenomeneve, në radioskopinë e një letërsie të kohës, ku ajo vetë anon nga humanizmi dhe progresi.
Pikërisht, mbesa e një heroi, që ka përjetuar emocione dhe ndjesi kontradiktore për fyerjen, vlerësimin, apo indiferencën ndaj kësaj figure, e ndjen më qartë, se sa e rëndësishme është zbulimi i së vërtetës dhe këndvështrimi i humanizmit bashkëkohor. Albana, në këtë mënyrë, na ka dhuruar në kohën e duhur një kurorë të artë letërsie, në prurjet e sotme krijuese. Ndofta ky libër, që na entuziazmon kaq shumë, na bën edhe disi të trishtuar, për faktin se tanimë, Albana nuk jeton më në Shqipëri, por në Amerikë. Dhe se letërsia e saj, nuk njihet aq sa duhet këtu, për shkak të largësisë , publicitetit të paktë,por edhe  për shkak të modestisë së saj. Nga ana tjetër, ne arrijmë të kuptojmë, se kjo shkrimtare e afirmuar, pavarësisht nga distanca gjeografike, jeton dhe krijon për audicionin shqiptar vepra kaq të virtytshme. Na sjell punime, që kanë vlerë historike dhe njohëse, por edhe vlera të qarta edukuese apo formuese, ku brezi i ri, mëson të largojë nga vetja urrejtjen dhe ndjenjën e hakmarrjes. Në këtë mënyrë, autorja ka kapur një kuotë të re, në lartësimin e veprës së saj filozofiko-letrare, por edhe një cilësi të pakrahasueshme, në raport me atë që publikohet sot nëpër libraritë shqiptare.

Në fund të këtij shkrimi, ne mund të themi shumë fjalë lavdëruese, për shkrimtaren e jashtëzakonshme të këtij libri. Por mund të themi edhe një fjali të vetme: “Faleminderit, Albana, për versionin tuaj të librit “Saga e Melyshajve”, që e keni shkruar nën një ndriçim humanitar dhe bashkëkohor.

Google+ Followers