Vitrina e librit - "Jeta qe na dhane" i autorit Bardhyl Londo‏

BARDHYL LONDO

JETA QË NA DHANË 


NË EMËR TË FJALËS  
Gjithmonë kam pasur një ndjenjë të pakëndshme sa herë kam menduar që qoftë dhe kalimthi të filloj të shkruaj kujtime. Më është dukur se kujtimet lidhen dashje pa dashje me pleqërinë. Por a janë radhët e mëposhtme kujtime? Po të më pyesnit mua do t’i quaja thjesht rrëfim për një kohë të caktuar dhe krejt të veçantë. Kur i thashë një ditë shkrimtarit Zija Çela se sonetin “Plagët” nga poema “Dhjatë e përmbysur” dhe veçanërisht dy vargjet “Mund t’i prekësh vërtet gozhdët në kyçe e duar/ por si mund t’i numërosh plagët në shpirt” ma kish nxitur pikërisht jeta dhe gjendja e tij, shkrimtari, duke e zgjeruar shumë rrethin e referencës dhe duke kaluar nga unë te një brez i tërë, më tha vetëm një fjalë “Dëshmohuni!”. Shkrimtari kishte plotësisht të drejtë. Bota e ardhur deri te ne nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi e vazhdueshme dhe e pafund. Vetë monumente të tilla të njerëzimit siç janë Dhjata e Re dhe Dhjata e Vjetër janë dëshmi të protagonistëve, pjesëmarrësve të njohur, apo anonimë, apo edhe vëzhguesve të zakonshëm të atyre ngjarjeve. Pa këto dëshmi bota që jetojmë sot do të ishte shumë e varfër, e paorientuar dhe monotone.
Prirja e njeriut për të dëshmuar është shumë e lashtë. Ajo lind së bashku me qenien njerëzore, udhëton gjithë jetën me të dhe, si në saje të veprimit të ndonjë mrekullie, apo fuqie hyjnore, njeriu vazhdon të dëshmojë edhe pas vdekjes së tij, vazhdon të dëshmojë me atë që ka lenë pas, me njerëzit dhe të afërmit që trashëgojnë gjakun e tij, me kujtimet që krejt si pa u kuptuar vazhdojnë udhën e tyre te të afërmit dhe të njohurit. Njeriu vazhdon të dëshmojë edhe me varrin, madje dhe me mbishkrimin në varrin e tij. Duke parë varrin që ia kanë ngritur të afërmit, mënyrën si ia kanë shkruar emrin, apo si dhe sa herë e pastrojnë atë, çfarë lulesh vendosin apo kanë mbjellë nuk është e vështirë të kuptosh marrëdhëniet e të vdekurit me njerëzit që jetojnë ende, por nuk është e vështirë të kuptosh edhe kulturën, edhe emancipimin e një populli. Kultura e një populli duket sidomos nga varrezat dhe nga tualetet: sa më të pastra dhe të mirëmbajtura të jenë këto, aq më të kulturuar dhe më të emancipuar janë popujt, apo kombet të cilëve u përkasin, apo të cilët i kanë ngritur këto dy institucione.
Tundimi i njeriut për të rrëfyer ka lindur dhe lind bashkë me të. Vetë mëkati i parë i Adamit dhe i Evës, ngrënia e frutës së ndaluar, nuk është gjë tjetër veçse tundimi i parezistueshëm për të lënë trashëgimtarët dëshmitarë, pra për t’u dëshmuar në brezat dhe epokat që vijnë. Sapo nxjerr kokën nga mitra e nënës, ashtu i përgjakur dhe i përjargur, fëmija lëshon klithmën e parë: dëshmi me të cilën njofton njerëzimin për ardhjen e tij në jetë dhe për vendin që kërkon në këtë jetë.
Edhe në rastet kur ka munguar fjala apo shkrimi i saj, njerëzimi nuk i ka shpëtuar kurrë tundimit për t’u dëshmuar. Vizatimet nëpër shpella, enët, amforat, armët e gjuetisë dhe stolitë e gjetura nëpër varret e lashtë janë dëshmi nga më të rëndësishmet për të kuptuar rrugën shekullore që kanë bërë paraardhësit tanë. Vjershën e famshme “Barbarët” Kavafis e mbyll me vargun paradoksal “po ç’do të ishim ne pa barbarët?”. Vërtet, ç’do të ishim ne dhe historia njerëzore pa tundimin më të lashtë dhe të përjetshëm njerëzor për të dëshmuar dhe për t’u dëshmuar? Ç’do të ishte historia, kultura dhe rrjedhimisht personaliteti i një kombi dhe i një populli pa krijimtarinë e tij artistike gojore ose të shkruar? Një popull gjysmak, një popull memec? Ç’do të ishte mesjeta e errët me tendencën e saj barbare për të djegur në turrat e druve pikërisht tundimin e njeriut për të dëshmuar në rast se deri te ne nuk do të arrinin ato epose të mrekullueshme kalorësiake të përhapura në të gjithë Europën, ç’do të ishte historia europiane pa ato kronika kalorësiake shumë herë anonime? Çfarë do të ishte Greqia e lashtë pa dëshminë e Homerit, Firence dhe Milano pa Danten, Mikelanxhelon, apo Anglia pa Shekspirin?
Bibla, ky monument unikal i njerëzimit, hapet pikërisht me nevojën për të dëshmuar dhe për t’u dëshmuar: e para ishte Fjala. Vetë ky kumt është një dëshmi e madhe dhe krejt origjinale që mund ta interpretosh në shumë mënyra, por asnjëherë nuk mund t’i shpëtosh domosdoshmërisë dhe tundimit për të dëshmuar dhe për t’u dëshmuar. E para është fjala… Natyrisht, e para mund të jetë fjala e Zotit ose kryedëshmia për botën dhe jetën, por e para mund të jetë gjithashtu edhe fjala si mjet komunikimi dhe si mjet arkivimi i historisë njerëzore. Edhe simboli i Kullës së Babelit në njëfarë mënyre është një monument që dëshmon për domosdoshmërinë e fjalës si mjet marrëveshjeje dhe dokumentimi të asaj që ndodh: në çastin kur fjala i humbi këto dy funksione, Zoti vendosi ta shkatërrojë Kullën e Babelit.
Një nga luftërat më të mëdha dhe më të ndershme që ka bërë njerëzimi, është lufta për të siguruar fjalën dhe sidomos fjalën e lirë. Janë të mjerë dhe të përbuzur ata popuj dhe ata kombe që humbasin fjalën, gjuhën e tyre. Ata janë gjysmëkombe ose gjysmëpopuj. Edhe sot, një nga luftërat më fisnike që bën njerëzimi është përpjekja për lirinë e fjalës dhe të mendimit (pa fjalën mendimi nuk do të kishte asnjë rëndësi dhe kuptim). Historia njerëzore ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, është mundi, përpjekja, shpeshherë dhe lufta për të siguruar fjalën. Në shoqëritë totalitare, ose në diktaturat që tashmë njihen prej gjithë njerëzimit, lufta më e ashpër dhe më e gjatë, ndoshta dhe më e përgjakshme, është bërë për të siguruar fjalën, lirinë e saj. Askush si diktaturat nuk kanë frikë nga fjala, nga liria e saj. Mbyllja e gojës së njeriut, zënia e saj me një shtupë, ka qenë dhe mbetet një nga synimet më kryesore të çdo shoqërie diktatoriale. Pesëqind vjet të pushtimit otoman në Shqipëri, kanë qenë pesëqind vjet të ndalimit të gjuhës shqipe, të alfabetit të saj, ose të përpjekjeve për të imponuar alfabete që ishin mish i huaj në trupin shqiptar.
Tundimi për të dëshmuar është një nga tundimet më fisnike, por, në njëfarë mënyre, edhe njëfarë detyre, natyrisht e diktuar nga vullneti dhe liria e individit dhe jo nga dikush tjetër. Duke jetuar dhe duke e ndjerë këtë tundim shpeshherë kam dashur të shkruaj dëshminë time për kohën në të cilën kam jetuar. Pas shumë dilemash, tundo-tërhiqu, tundo-tërhiqu, më në fund vendosa të shkruaj dëshminë time. Asnjëherë nuk kam pretenduar dhe nuk do të pretendoj se po shkruaj historinë apo jetën time. Unë kam shkruar për ato ngjarje të cilat i njoh mirë dhe jam përfshirë në vorbullën e tyre. Por historia e asaj periudhe, ashtu si edhe jeta ime e kohës për të cilën flitet në këtë libër, kanë qenë shumë më të gjera. Gjithsekush, për çdo ngjarje, ka variantin e vet, variant që varet jo nga dëshira për të shtrembëruar apo falsifikuar ngjarjen, por nga aftësia dhe rastësia se sa mundësi ke pasur ta njohësh apo ta analizosh të ndërvarur me faktorë dhe ngjarje të tjera atë për të cilën shkruan. Kur flet historia, shkruan Çeslav Milosh*, nuk ka vend për mëshirë… Duke respektuar të drejtën dhe ndoshta edhe detyrën e njeriut për të dëshmuar dhe për t’u dëshmuar, unë nisa këtë rrugë të vështirë dhe të paprovuar më parë prej meje.
Është tepër e vështirë të shkruash për njerëz që i ke dashur apo urryer, që i ke njohur nga afër apo për një kohë shumë të shkurtër, që i ke respektuar apo je ndjerë i bezdisur. E vështirë bëhet sidomos kur ti shkruan për qytetin tënd me të cilin e di që nuk do të ndahesh deri në fund të jetës, e di që do të shkosh shpesh atje dhe do të takosh nipërit dhe mbesat e personazheve të librit të ri, por nuk e di kurrë si do ta presin ata këtë libër, nuk i ke më të sigurta ditët e pakta që do të kalosh në qytetin tënd: a do të jesh i mirëpritur, apo disa do të kthejnë kokën mënjanë duke bërë sikur s’të kanë parë, apo më keq akoma mund të varin buzët fare hapur?
Por letërsia nganjëherë i ngjan gjuetisë. Ndodh që çiftja të të pëlcasë në duar dhe të vritesh, ose krejt pa dashje të vrasësh mikun tënd të ngushtë dhe pastaj të vuash gjithë jetën një dramë të papërballueshme. Por për hir të këtij rreziku a mund të heqësh dorë nga tundimi për të shkruar? Kush e ka bërë deri tani këtë, megjithëse shumica kanë qenë dhe janë të ndërgjegjshëm për pasojat? Megjithëse ky rrezik ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë, gjuetia mbetet përsëri nga pasionet kryesore të njeriut. Ndryshe njerëzimi duhej të ndalonte jo vetëm gjuetinë, por edhe marrëdhëniet seksuale, vetëm se me anë të tyre mund të përhapet sida.
Nisur nga respekti për të vërtetën dhe nga respekti për njerëzit për të cilët shkruaj, jam munduar të shmang të gjithë inicialet, përdorimi i tyre gjithmonë më është dukur një mënyrë për të fshehur të vërtetën dhe për t’i rrëshqitur përgjegjësisë ndaj së vërtetës. Të gjithë emrat dhe ngjarjet që përshkruhen janë krejtësisht të vërteta. Në dy tre raste kur në vend të emrave janë përdorur shkurtimet e tyre ose nofkat përkëdhelëse, kjo ka ndodhur jo për të spekuluar sadopak me të vërtetën, por për të ruajtur nga e vërteta jo fort e këndshme pasardhësit e personazheve, personazhe prej të cilëve burojnë ngjarjet që përshkruhen dhe që nuk janë komode, jo vetëm për të afërmit e këtyre personazheve, por edhe për njerëzit e paanshëm. Në fund të fundit, çfarë përgjegjësie duhet të mbajnë njerëzit e sotëm për ato që kanë bërë të afërmit e tyre, qofshin këta edhe prindër të atyre që jetojnë sot? Secili ka jetën e tij, secili përgjigjet për ato që bën vetë. Për më tepër, në ato pak raste kur përdoren nofkat përkëdhelëse, fjala është për njerëz që tashmë kanë vdekur dhe unë jam formuar në atë mënyrë që vdekjen ta respektoj një lloj, si vdekjen e atij që ka bërë një jetë normale e të dobishme njerëzore, ashtu edhe vdekjen e atij që ka kaluar një jetë të dyshimtë.
Përpjekja për t’u maskuar pas emrave të shkurtuar, sidomos në qytetet e vogla, është si përpjekja e njerëzve të lashtë për të mbuluar lakuriqësinë e trupit me gjethe fiku. Në këto provinca të vogla të gjithë e njohin njëri-tjetrin, të gjithë i njohin bëmat që kanë bërë paraardhësit. Kështu që përdorimi i emrave të shkurtuar më tepër është një valium për të qetësuar veten, se sa përpjekje për të fshehur disi personazhet nga pasardhësit realë.
Sidoqoftë, tani gjithçka e kam vendosur:
Duke respektuar tundimin e lashtë të njeriut, unë kam vendosur të rrëfej.
Unë do të dëshmoj në emër të Fjalës, të Fjalës dhe vetëm të Fjalës.

Dëshmia ime do të jetë e vërtetë dhe vetëm e vërtetë.

Të dhëna teknike
Autor: Bardhyl Londo
Titulli: Jeta që na dhanë
Formati: 14x20 cm
Faqe: 280
ISBN 978-99943-1-909-1
Çmimi: 800 lekë / 6,00 €

Google+ Followers