Veton Surroi prezanton “Miliarderin” në Panairin e Librit në Prishtinë


“Përse po hesht ndaj zhvillimeve politike?”, ka qenë pyetja më e shpeshtë që e ka dëgjuar kohëve të fundit publicisti Veton Surroi. Përgjigjja ishte e prerë: “Sepse po shkruaj”.
Por të martën ai ka vendosur edhe të flasë, nëpërmjet rrëfimit për “Miliarderin” në Panairin e Librit që po mbahet në Prishtinë. Para miqve, kolegëve e dashamirëve të librit, ai ka përshkruar procesin e shkrimit të librit të tij të fundit që kishte nisur më 2011. Këtë proces Surroi e quan azil nga përditshmëria, sidomos ajo politike. Por për kritikën ai është më i pranishëm se kurrë. “Miliarderi” është paralajmëruar për lexuesin si një histori rrënqethëse. Një rrëfim plot humor e ironi. Kritika e ka cilësuar si veprën letrare më serioze të Surroit, por edhe të letërsisë shqiptare të viteve të fundit në përgjithësi.
Romani i parë i Surroit, që është libri i tretë i tij, është shndërruar në kryefjalë të ditës së dytë të Panairit të 15-të të Librit në Prishtinë. “Miliarderi” është përuruar mesditën e së martës, në katin e dytë të Sallës së Pallatit të Rinisë. “Miliarderi” është titulli i tretë letrar që sjell Surroi pas “Fluturimi i vetëm i Azem Berishës për në Kështjellë” dhe “Libri i Fluturave”, i cili tashmë është botuar edhe në anglisht. Libri përshkruhet si përpunim letrar i kohës së dhunës, dashurive dhe përcjelljes së kursit të markës e frangut. Autori i “Miliarderit”, Veton Surroi, ka thënë se e veçanta është se romanin e ka shkruar në një moshë të vonë në jetën e tij.
Surroi u ka rrëfyer të pranishmëve në promovim se është një nga projektet letrare që ai e ka nisur viteve të fundit. “Në fund të librit shkruan se kam filluar në vitin 2011 dhe kam përfunduar tash. Është një proces i cili ka pasur pauzat e veta, refleksionet e veta, ashtu siç duhet ta ketë vepra letrare”, – ka shpjeguar ai. Gjatë kësaj kohe Surroit i kishte rënë të përgjigjej për heshtjen në lidhje me realitetin politik. Për Surroin, “Miliarderi” nuk i përket më atij. Romani tashti është i lexuesit. Por autori e kishte pasur me rëndësi ta ruante bindjen që kishte pasur sa kishte qenë vetëm lexues i letërsisë.

Google+ Followers