VEÇ DET - Nga Milianov KALLUPI


1.
Thashë se të humba:
Det, ti shfaqesh
në formën e zemrës.

2.
Për të zbritur në det
nëpër gurët shkel
me sandalet e kaktuseve.

3.
Palmat gjatë bregut
i bëjnë fresk
perandorit diell.

4.
Det pa skaj
nën skeptrin e shenjtërimit
të ullinjve.

5.
Det, shih
Si Zeusi qiell
hedh shigjetat e rrufeve.

6.
Në çdo kohë,deti
i bën radiografinë
qiellit të përmbysur.

7.
Sot kuptova
pse qielli nuk ulet në tokë:
prej kaktuseve.

8.
Ajo rri këtu në breg
Statujë e bukur,e bardhë:
i hedh detit amfora.

9.
Deti shtron
çarçafët e kaltër
për hënën e virgjër.

10.
Gjithë ky det
a ka menduar ndonjëherë
për apokalipsin?

11.
Ti thua deti vdiq!
Se nga ia behin pulëbardhat
duke klithur.

12.
Mos ki frikë!
Në Sarandë ,
në çdo orë ka det.

13.
Ç’i duhet shezlongu?
Gjer në muzg dielli
në ujëdet.

14.
Pulëbardha
mos më lini vetëm!-
klithi deti.

15.
Edhe sot po ai det,
as më shumë,
as më pak.

16.
Rri buzë tij
dhe e ke humbur detin.
Mua më shkallmon gjoksin.

17.
Deti lëpin
këmbët e mia
me gjuhë zemërimi.

18.
Në breg deti
sjell ndërmend
poezinë e harruar.

19.
Det nën shiun e madh.
Palmat,
vajtojnë.

20.
Det i vetmuar.
Qielli i vesh
këmishat e reve.

21.
Çdo ditë detit
i lexoj fletoren e valëve
shkruar me haiku.

22.
Deti llokoçitet
në gotë kokteili
pa më bërë hije.

23.
Vajza e valëve mbi shkëmb.
Tallazitja e detit
si fustani i saj nëpër erë.

24.
Zgjohem herët.
Zëri i Afërditës
më zgjon në bregranishte.

25.
Det nën shi.
Nata kumet
Me zëra të trishtë.

26.
Deti në breg
thur poezinë e pashkruar,
me fjalët që dot s’t’i thashë.

27.
Natë me det.
Shtëpia jonë ndanë bregut
dunat pa çati.

28.
Gaforre,
mos kërko në rërë!
Deti m’i di të fshehtat:

29.
Në më kërkofshi,
jetoj thellë
në qytetin prej koralesh.

30.
Detin kërkoni?
Unë jam shkëmbime
tatuazh molusqet.

31.
Ksamil-Korfuz
Dhe një pulëbardhë në ajër
pa pasaportë.

32.
Bugonvile vishnje.
Një det i madh perëndimi
kacaviret nëpër mure.

33.
Palmë,
largomi degët!
Përtej është deti.

34.
Ha molusqe.
Gëlltit
një det muzgu.

35.
Agavia jetime
fshehur mes shkurresh
me sy jeshile kërkon detin.

36.
Përtej Qafës së Gjashtë
vetëm mbeti deti,
duke klithur.

37.
Deti dhe askush tjetër
aromë
e duarve të tua.

38.
Pragmuzg.
Det bunacë
vetëm një çajkë-Ti.

39.
Gurë-gurë-gurë.
Mes tyre-një krizantemë,
me sy nga deti.

40.
Heshtje në dhomë,
në rrugë, në breg.
A ka det këtu?

41.
Sytë
ngrinë në qiell
pulëbardha klithëse.

42.
Sonte më je det
t’i zgjoj dy gumat,
t’i lëmoj koralet.

43.
Vapë.
Deti digjet përtej.
Freskore-një degë palme.

44.
Verandë mbi ujërat.
Deti dhe ti
erëmim dielli.

45.
Puthjet e mia
nëpër trupin tënd:
dehem me aromë deti.

46.
Vija e ujit në breg
hark violine.
Një det i madh sonatash.

47.
Buzëdeti idhnak.
Fjalët e tua
prej uji të njelmët.

48.
Rrathë mbi ujëra.
Këshut dhe dhembja
Qerthullon e tretet.

49.
Puhi dhe breg.
Te zemra ime
fillon deti.

50.
Bregranishte.
Kambanat e dallgëve
bien për ne të dy.

51.
Hedh një gur në ujë
për t’u prehur në thellësi,
në kujtesën e detit.

52.
Ja,në keto haiku
është deti
dhe mungesa e tij.

53.
Dielli i perëndimtë
shuan zjarrin e trëndafiltë
në det.

54.
Një pelikan plastik
te karuseli i bregut,
me pikëllim sheh detin.

55.
Pulëbardha mbi det
klith trishtë
për diellin e lamtumirës.

56.
Këtij shiu të argjendtë,
mbi syprinën e detit,
i vë emrin tim.

57.
Det me rrudha.
Mendime gri
pas një mbrëmjeje korb.

58.
Plepat udhës
tundin Green-cart-at e gjetheve
për të parë detin.

59.
Det dimri.
Gaforret dhe molusqet
qytetarë të bregranishtes.

60.
Sot jam tjetër.
Brenda vetes
më llokoçitet një det.

61.
Era ia ngriti degët
dhe palma iu fal
shejntit-det.

62.
Trëndafili i bardhë
sheh detin e psherëtin:
-Ah, të isha blu!

63.
S’është shi
ky që bie:

lotët e detit.

Google+ Followers