Sytë e të varfërve - Sharl Bodëler (1821- 1867)

Sharl Bodëler (1821- 1867)

Ah! Doni ta dini përse ju urrej sot? Padyshim do ta keni më të lehtë ta kuptoni, se sa unë për t’jua shpjeguar sepse jeni, mendoj unë, shembulli më i mire i padepërtueshmërisë femërore që kam mundur të njoh.Kemi kaluar së bashku një ditë të gjatë, që m’u ka dukur e shkurtër. Kemi premtuar se mendimet tona do të jenë të përbashkëta për njëri-tjetrin dhe që dy shpirtrat tanë tashmë do të jenë një;- një ëndërr që s’ka asgjë të vërtetë, mbi të gjitha, në se është një ëndërrim i njerëzve, ajo s’është realizuar nga asnjeri.
Në mbrëmje, pak i lodhur, ju deshët të uleni në një kafe të re në qoshe të një bulevard të ri, ende plot gërmadha dhe që tregonte tashmë me lavdi shkëlqimet e tij të papërfunduara.
Kafeja shndriste. Gazi vetë shpaloste aty vrullin e një fillimi dhe ndriçonte me tërë fuqinë e tij muret që të verbonin me bardhësinë e tyre, mbulesat verbuese të pasqyrave, zbukurimet e grilave dhe të kornizave, shërbëtorët me faqet buçko që i tërheqin për kapistalli qentë, zonjat që qeshin si fajkua të mbështetura në pëllëmbët e tyre, nimfa dhe perëndesha që mbajnë mbi kokë fruta, paketa makaronash dhe mish gjahu, Hebetë dhe Ganimedët që tregojnë me dorën e shtrirë amforën e vogël bavareze ose obeliskun dynjyrësh të pasqyrave të larme; e gjithë historia dhe gjithë mitologjia në shërbim të makuterisë.
Në xhade, drejt, para nesh qëndronte një burrë i giximshëm dyzetvjeçar, me në pamje të lodhur, me një mjekër të thinjur, që mbante për dore një djalë të vogël dhe në krahun tjetër kishte një vogëlush shumë të dobët e që s’mund të ecte. Ai kryente detyrën e shërbëtorit dhe i kishte nxjerrë fëmijët e tij të merrnin ajrin e mbrëmjes.Të gjithë të leckosur. Këto tri fytyra ishin jashtzakonisht serioze dhe këto gjashtë sy sodisnin të fiksuar kafenë e re me një admirim të njejtë, por me nuanca të ndryshme, sipas moshës së tyre. Sytë e babait thonin: “Sa bukur! Sa bukur! Do të thoja se i tërë ari i botës ka veshur këto mure.”
Sytë e djalit të vogël: “ Sa e bukur! Sa e bukur! Por është një vend ku mund të hyjnë vetëm njerëzit që s’janë si ne.” Sa për sytë e më të voglit, ato ishin shumë të magjepsur për të shprehur asgjë tjetër përveç një gëzimi të thellë prej të marri.
Kupletistët e humorit thonë se kënaqësia e bën shpirtin të mirë dhe e zbut zemrën. Këtë mbrëmje, sidomos për mua, kënga po e bënte këtë gjë. Jo vetëm isha i prekur nga sytë e kësaj familjeje, por ndjehesha pak i turpëruar për gotat dhe krikllat tona të birrës, më të mëdha se etja jonë.
I ktheja sytë e mi drejt syve tuaj, o dashuri e madhe, për të lexuar aty mendimin tim; zhysja në sytë tuaj kaq të bukur dhe kaq çuditërisht të ëmbël, në sytë tuaj të gjelbër, të kapluar nga Kapriçoja dhe të frymëzuar nga Hëna, kur më thoshit:” Këta njerëz atje janë për mua të padurueshëm me sytë e tyre
të hapur si dyer të mëdha vilash nga hyjnë karrocat! S’mund t’i luteni të zotit të kafenesë që t’i largojë prej këtej?”
Është kaq e vështirë të dëgjohesh, ëngjëlli im i shtrenjtë, mendimi yt është kaq i pakomunikueshëm, madje edhe mes njerëzish që duhen.

Përktheu nga frëngjishtja

 Çlirim Gega

Google+ Followers