Sulejmani i Madhërishëm një nga poetët më të mëdhenj të Ballkanit



   Zbulohen poezitë e Sulltanit të tmerrshëm të Turqisë me pseudonimin
   “Dashnori

   Sulejmani i madhësrishëm, apo Muhibi ka lindur më 1494 dhe ka sunduar
   në vitet 1520 – 1566. Ai është njohur si, “I madhërishëm” dhe si
   “Ligjëvënësi”. Ka qënë i njohur si mbrojtës i arteve, që përpara se të
   bëhej njëri nga poetët e mëdhenj të vendit. Ka qenë i dhjeti sulltan i
   Perandorisë Otomane. Gjatë sundimit të tij, Perandoria arriti në
   zenitin e vet. Ka qenë përpunues i floririt dhe ka shkruar poezi me
   pseudonimin “Muhibi”, që në arabisht do të thotë “dashnori”

   Këta ditë doli libri me lirikat e dashurisë së sulltanëve osmanë.Këta
   janë hulmtuar dhe shqipëruar nga bashkëpunëtori i njohur i shtypit,
   shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur, Riza Lahi, anëtar i “Shoqatës
   Botërore të Poetëve dhe Akademisë së shkenave dhe arteve shqiptaro –
   amerikane”. Janë gjetur nga ai, lirika të 17 sulltanëve osmanë, por ne
   po japim për lexuesit, lirikat nga disa vëllime të sulltanëve që njihen
   më shumë në vendin tonë. Sulltan Muradit të parë që u vra në Kosovë,
   Sulltan Muradit të Dytë dhe Sulltan Mehmetit, që dështuan para mureve
   të Krujës dhe heroit tonë legjendar Skënderbeut, si edhe të “Sulejmanit
   të Madhërishëm”, tashmë aq popullor falë sërialit të filmit që vazhdon
   të shikohet me kureshtje të veçantë në një nga tv tona.


   DASHNORI

   Një Muhib nuk thotë “jo” kurrë,

   Dhe në e shtrofshin në torturë,

   Prap e prap, “jo” nuk thotë kurrë!

   Dihet, ç’ngjet për dinë e iman

   Kur i varfëri merr imzanë

   Konvertuar në Sulltan…

   Sa sheqeri në dynja

   Thonë më të ëmbël, s’ka

   Oh, moj, paska, moj zemra ime

   Qënkan buzët e së dashurës sime.


   KAM BËRË GJYNAHE SHUMË


   Zot i Madh që ke krijuar këtë jetë dhe atë jetë

   Të bjerë shi i mirësisë tënde mbi mua, dërgoi retë

   Kam bërë gjynahe shumë … ilaç tjetër që t’i lajë

   Veç Teje tjetër nuk di, që të vdes i qetë pastaj

   Më ndihmo, m’I fal gjynahet, Allah, para se të largohem

   Më ndihmo! Jam robi jot! Më ndihmo, të përgjërohem!


   E KAM ZEMRËN E SËMURË


   E kam zemrën sëmurë

   po grindem me të gjithë,

   sikur mbi mua ka rënë e më ka zënë havaja;

   Sot po çmëndem për ty

   unë jam Maxhnuni* sot

   çdo fytyrë që shoh në rrugë me duket si Lejlaja*.

   Ta mbyll, në është shkruar, këtë udhë të dashurisë

   vdekur ja nga veremi,

   ja një thikë me tërbim;

   Nimfat do të vijnë nga malet

   e do të qajnë mbi mua,

   e sytë do t’i fërkojnë nga pluhuri i trupit tim,

   Gjaku i mëlçive do më të derdhet papushim

   dhe lulet edhe barin përqark

   do të stërpikë,

   deri çastet kur e dashura të më qëllojë nga larg

   me breshërin e shigjetave të qerpikëve.

   Në ditën që qe shkruajtur

   po pi verë dashurie

   dhe vloj e uturij si dallgë oqeani

   Eh, ngjet edhe Muhibi

   të bëhet gaz i botës…

   Jam unë që e provova,

   vetë Sulltan Sulejmani!


   LAVDI, ZOT, QË MË BËRE MYSLIMAN


   Bismilahi, emri i Zotit që është një

   Allahut që askush s’i fshehë asgjë!

   Kam zemrën nga sikleti të plagosur

   Allah Ekber, ti je mjeku i përsosur;

   Mjeku që çdo shpirti i bën derman

   Lavdi Allah, që më bëre mysliman!

   Ma mbaj besimin tënd deri të më dalë xhani

   Allah!…Allah!..Mos lër që të më marrë shejtani!

   Për hir të dërguarit tënd, Muhamet Mustafës

   na e fal, o Zot, bujarinë e Parajsës!

   İ dashur Zot! Në ditën e Madhe të Gjykimit

   Mbaj në anën tënde skllavin tënd të përulur,

   Muhibbin,.


   KURORA E FRONIT TË SULLTANIT


   Sulejman, kush është kurora

   e sulltanatit që drejton?

   - Të jesh xhymert , zemërmirë

   kjo ësht’ madhështi në fron.

   Nënshtetasit nëse don

   të kenë paqë dhe harmoni

   arrogant mos je ndaj tyre

   mendo… ka më të mirë nga ti

   Ta duam shumë njëritjetrin

   sikur do vëllai për vëllanë…

   Falë kësaj bese të dhënë

   Sulejman je mysliman

   Puno me mënd të kujtohesh

   për të mirë në mot e jetë

   Ruaj të mirën; kush bën keq

   je i ashpër por fort i drejtë!

   Por, të vrasës, si tiran

   sikur bënte ..Tartar Khani

   Estakfurullah! Kështu

   S’i ka hije një sulltani.

   Kur sherri ngjet para teje

   E ti ikën me nxitim

   e s’i sulesh agresorit

   - njëlloj sikur bën vetë krim.

   Mos fli gjumë, rri sykatër

   në diell, dimër a në duman…

   …Ke në dorë fatet e botës

   o i Madhi Sulejman!


   *MUHIBBI – (arabisht) dashnori



   Sulltan Muradi


   OH, SA KAM PIRË SONTE!…


   O, sonte sa kam pirë !

   Do pres gjer në të gjdhirë…

   Këtë jetë,

   siç dua vetë, më lini që ta sos!

   Më sillni, more, harpën!

   Këtu, lahutën me tela!

   Me zemrën e sulltanit

   tani dua të llafos.

   Sa të zbardhë agimi

   do të shkoj në varrezat

   te gropa ime

   të shtrihem ngadalë…

   Dhe shokët e mi kurr s’kanë për ta ditur

   i kujt është ky varr

   …pa një germë…

   ….pa një fjalë…….


   Sulltan Muradi i Dytë


   MË SILL, MORE VERË!


   Saki, më sill verë, verë, verë të kuqe, bre

   Por sill nga ajo vera që më teproi dje

   Ma lër këtu , saki, këtu, edhe ikë prapë

   I vetëm këtë natë, dua të flas me harpë.

   Ah, ç’më kënaqe sonte, harpa ime – myhyr

   Të dua fort, moj shpirt, se jam i gjallë, shyqyr

   Ka për të ardhur një ditë e ti s’do këndosh më

   Nga pluhuri im s’do të mbetët

   asgjë,

   asgjë,

   asgjë…


   DASHNORI


   Dëgjojini veç dy fjalë

   nga Muradi sulltan:

   Nëse, për dashurinë

   s’ e bën veten kurban

   dhe jetës “lamtumirë”

   s’i thua në çdo orë

   kokën mbështetur tek

   parvazi i dashnores…

   …mund të keshë,

   të jesh çfardo

   por ashik e dashnor – jo!

   Kujt kurrë për dashurinë,

   zëmra s’i ka bërë “fak”

   më të keq nga ai në pyll

   nuk gjenë dythundrak

   Me buzën gaz jep shpirt

   kush është i dashuruar..

   Kështu do te jëtë

   kështu ka qënë

   qëkur bota është krijuar

   Këto këshilla

   i kaloni

   djalë pas djalit,

   at pas ati…

   Kanë rëndësi

   sa një qitab

   këto fjalë të

   Sulltan Muradit…


   SULLTAN MEHMED KHANI

   PASTAJ DO TË SHPALLEM PADISHAH


   Oh, bukuri!

   Ti je Shahu im

   Më bëj skllavin tënd…Po të lutem, për Allah!

   Pastaj mbi tërë Botën

   Mbi majën më të lartë

   Jam unë

   që shpallem Padishah!


   MË KE LIDHUR ME FLOKËT E TUA


   Babai s’të la një metelik…

   Po nga ta kuptoj, unë i ziu

   Pse buzëgaz, për një dekikë

   e lë për ty kokën Avniu?

   Me flokë ajo më paska lidhur

   Me flokët e saj si me konop

   Allah, për mua ki mëshirë

   Se si një skllav po shkoj në gropë.


   PO TË TORTUROJNË, ZEMRA IME


   Më vjen keq për ty, moj zemër

   Më vjen keq, sa për të qarë

   Kurr në jetë, kësi bukurie

   Ti, as ke ndjerë, as ke parë.

   Moj zemër,oh, moj zemra ime

   Ti që kaq keq je ngritur peshë

   Oh, sa po vuan e torturohesh

   Kurse Ajo…tallet e qeshë;

   Tallet e luan,e qeshë me ty

   E s’do t’ia dijë, e s’e kupton

   Se kësi dhimbjesh, moj zemër


   Ti s’i mbanë dot …nuk i duron.

Google+ Followers