Shkrimtarja amerikane do të shkruajë libër për kulturën shqiptare


Shkrimtarja amerikane nga Atlanta, Ashley Wood, ka nisur një projekt i cili quhet “Albanian Voices” (Zërat shqiptarë), nëpërmjet të cilit synon që ta afrojë lexuesin amerikan me kulturën shqiptare. Ajo do të vijë në Shqipëri dhe Kosovë gjatë kësaj vere për të bërë disa hulumtime nëpër familje të ndryshme shqiptare, në mënyrë që të marr material për të shkruar librin.
“Zërat shqiptar” është një projekt hulumtues i cili ka për qëllim që të dokumentojë përvojat e emigracionit të shqiptarëve. Në një intervistë për “Tribuna”, Wood ka rrëfyer për planet e saja. “Do të intervistojë njerëz për familjet e tyre, se si ata shqetësohen kur lënë vendin e tyre për të shkuar diku tjetër. Ose anën tjetër, kur dikush është kthyer nga Evropa në vendin e tij. Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë dhe emigrimi është një realitet për shumë familje.
Shqiptarët janë në gjendje të lidhen me njëri-tjetrin përtej kufijve nëpërmjet muzikës. Ka raste kur njëri vëlla jeton në SHBA, tjetri në Kanada dhe krejt kjo bëhet për të sakrifikuar për familjen. Dua të tregoj histori individuale në mënyrë që amerikanët ta kuptojnë jetën e shqiptarëve”, ka thënë Wood. Ideja e saj për të shkruar librin në fakt nuk është që vetëm amerikanët ta kuptojnë identitetin e shqiptarëve, por edhe shqiptarët vetë të kuptohen më mirë.
“Është vlerësuar se ekzistojnë më shumë se katër milionë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Kjo ndarje ka çuar në një nivel të keqkuptimit ndërmjet shqiptarëve. Kam hasur në komente të tilla si ‘Ne as nuk e kuptojmë njëri tjetrin’. Ky libër do të shkruhet në gjuhën shqipe dhe angleze në mënyrë që më shumë njerëz ta kuptojnë identitetin shqiptar dhe historia shqiptare mund të ruhet në gjuhën e tyre”, ka deklaruar Wood.
Ajo dëshiron të zbulojë se si historitë individuale të migracionit, familjes, politikën, dashurinë, mbijetesën dhe miqësitë e shqiptarëve janë ruajtur dhe kultivuar nëpërmjet muzikës.
“Unë dua të zbulojë mënyrat se si këto histori janë shprehur nëpërmjet muzikës, sepse unë besoj se kjo i bashkon jo vetëm popullin shqiptar, por e bënë më të lehtë edhe për amerikanë që t’i kuptojnë”, është shprehur Wood. Me termin “shqiptar”, ajo nënkupton grupin etnik të anëtarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi dhe të gjithë folësit e gjuhës shqipe nëpër botë. “Amerikanët nuk e kuptojnë se çka ka ndodhur me Shqipërinë në vitet e 90-a. Është edhe një fakt tjetër. Për 600 vjet të tjerët janë munduar ta marrin Shqipërinë dhe ja ku e keni atë edhe sot. Po ashtu sot është edhe shteti i Kosovës. Kjo është një gjë shumë e madhe dhe dua që amerikanët ta kuptojnë se për çka keni luftuar”, ka theksuar Wood.

Shqiptarët ia shpëtuan jetën

Shkrimtares amerikane i ka ndodhur diçka që e ka shtyrë për të shkruar për shqiptarët. Në fakt ishin vetë këta të fundit që e nxitën. “Shqiptarët ma ndryshuan jetën dhe dua t’ju tregoj se sa të mrekullueshëm janë ata”, thotë Wood. Meqenëse ka studiuar për gjuhën spanjolle, në qershor të vitit të kaluar ajo kishte shkuar në Republikën Dominikane për të bërë disa hulumtime për temën e doktoraturës. Aty kishte takuar disa shqiptar për herë të par në jetën e saj. Ata e kishin ndihmuar në një rast të jashtëzakonshëm.
“Një natë, ne ishim në një bar duke folur me disa njerëz. Ndodhi një problem dhe disa njerëz më kërcënuan. Ishte një situatë e frikshme dhe në qoftë se shqiptarët nuk kishin qenë atje, unë nuk e di se çfarë do të kisha bërë. Ata katër burra më shpëtuan jetën dhe më ndihmuan të largohem nga rreziku”, ka treguar Wood. Kjo situatë e bëri ta pyes vetën përse shqiptarët e rrezikuan jetën e tyre për ta shpëtuar atë.
“Pasi kalova më shumë kohë me ta dhe filluan të më mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, e kuptova se cili ishte identiteti i shqiptarëve. Shqipëria është një vend i bukur. Ajo është shumë e panjohur për Shtetet e Bashkuara. Shumica e librave për Shqipërinë përqendrohen në politikë, histori, pushime, fotografi. Libri im do të përqendrohet në historitë individuale të imigracionit”, ka thënë Wood.

Në kërkim të mjeteve për udhëtim në Shqipëri

Wood është ende në fazën e par të librit të saj. Ajo do të vijë gjatë verës në Shqipëri dhe Kosovë, mirëpo është duke kërkuar mjete për udhëtimin. “Kam nevojë të udhëtoj për t’i bërë intervistat. Ju bëjë thirrje të gjithëve nëse jeni përkrahës, unë do t’ju mbaj në kontakt për t’ju treguar rrjedhën e procesit. Ju premtoj të gjithëve që kontribuojnë se do ta kenë nga një kopje të librit brenda një viti”, ka deklaruar Wood. Ajo ka diçka për t’ju thënë shqiptarëve. “Dua që ata ta dinë se është dikush që i dëgjon ata. Dikush që shqetësohet për ngjarjet e jetës së tyre. Kjo mbështetje për ta do të rritet pasi unë do ta botojë këtë libër”, përfundoi shkrimtarja amerikane./tribuna

Google+ Followers