Sejmen Gjokoli, nje liber me poezi te botuara online(edhe ne forumin e Temes)


Doli nga Shtypshkronja libri me poezi “ Prush e valë “ me autor Sejmen Gjokoli. Libri botohet me një parathënie -letër nga poeti Petrit Ruka te cilen  po e publikojme



NJË LETËR…

I dashur Sejmen,

E lexova përmbledhjen tënde me poezi, dhe më dha kënaqësinë e ngrohtë e të çiltër të vargut popullor, ngjyer në “qumështin” e folklorit të Labërisë. Satirë e hollë, humor i dielltë dhe një qëndrim qytetar me shpirt proteste të ndershme e humane nga fillimi në fund. Kjo lloj letërsie e thjeshtë, melodioze dhe e pasur në gjuhë, të krijon ndjesinë e vazhdimësisë më të mirë të traditës së poezisë që buron drejt e nga jeta e ditës që më së shumti dhemb.

E them me bindje se kjo tufë poezish mund të shkojë në shtypronjë, të veshë kostumin e një libri që do të pritet mirë dhe do të ketë lexuesin e tij të admirueshëm.

Unë, ne, të gjithë kemi nevojën e një poezie të tillë që të kujton poezinë më të mirë popullore labe dhe ti me këto poezi duket sikur shkon e mban iso në atë grupin e madh polifonik ku marrës janë herë Selim e Mato Brati, herë Xhebro Gjika, Xhemil Veli Duka e Nase Beni.Sikundër më të kohës si Lefter Cipa, Kujtim Mici, Maliq Lila, Muhamet Tartari, Feti Brahimi, Hamdi Pulo, Dule Havari, Zaho Balili e të tjerë. Vetëm se kjo poezi vjen e pi ujë në krojet e jetës së sotme ku shpesh politika e ditës, sjell turbullira shirash e baltrash që ti i vë nën grinë e pamëshirshme të talljes popullore. Është një poezi që rri midis poezisë së lexuar dhe asaj të kënduar dhe që veç të tjerash përndez zjarret e tulatura të gjuhës kozmike popullore që brufullojnë tërë ngjyra, herë ylberi, herë vetëtime, sa herë që ndonjë si ti shkon dhe e çukit me mashanin e vjershërimit të ëmbël popullor.

Nuk më mbetet veçse edhe unë, si djalë jugu, me po ato derte për këtë vjershërim të mrekullueshëm jugor, t’i jap “bekimin” tim këtij libri e të uroj që të shkojë si sorkadh Llogoraje a Këndervice për atje ku është nisur me këmbë të mbarë.
Të përqafoj,

Petrit Ruka.

Google+ Followers