Secili kimerën e vet - Charles BAUDELAIRE

Charles BAUDELAIRE


















Nën një qiell të gjerë gri, mbi
një fushë të gjerë e me pluhur, pa
shtigje, pa lëndina, pa një gjëmbaç,
pa një hithër, takova disa njerëz që
ecnin të kërrusur. Secili prej tyre
mbartte mbi shpinë një kimerë të
madhe, po aq të rëndë sa një thes
me miell a me qymyr, apo pajisjet e
një ushtari romak.
Por kafsha e përbindshme nuk
ishte një peshë pa jetë; përkundrazi
ajo e mbështillte dhe e shtypte njeriun
me muskujt e saj të fuqishëm
e të zhdërvjelltë dhe mbërthehej me
ca kthetra të mëdha mbi gjoksin e
mbartësit të vet, ndërsa koka e saj e
stërmadhe kapërcente ballin e njeriut dhe
dukej si një nga ato helmetat e lemerishme
me anë të të
cilave luftëtarët e lashtë shpresonin
t’ia shtonin tmerrin armikut.
Pyeta njërin prej tyre se ku shkonin ashtu.
Ai m’u përgjigj se nuk dinte
gjë, as ai, as të tjerët; po me siguri që
po shkonin diku, meqënëse një nevojë
e pamposhtme i shtynte që të ecnin.
Dicka e cuditshme më ra në sy:
asnjëri prej këtyre udhëtarëve nuk
dukej të ishte i acaruar kundër bish-
ës së tmerrshme që i varej qafës e i
qepej shpinës; thua se e quante si
pjesë përbërëse të vetes. Të gjitha
ato fytyra të lodhura e serioze nuk
tregonin asnjë lloj dëshpërimi; nën
kupolën e zymtë qiellore me këmbë
të zhytura në pluhurin e një toke
po aq të pikëlluar sa dhe qielli, ata
ecnin me pamjen e nënshtruar të
atyre që janë të dënuar të shpresojnë
pafundësisht.
Procesioni kaloi pranë meje dhe
u zhyt në horizont, aty ku sipërfaqja
e rrumbullakuar e planeti i përvidhet
kureshtjes së vështrimit njerëzor.
Për disa caste u mundova me
ngulm të kuptoja këtë mister; por
shumë shpejt e papërballueshmja
mospërfillje më kaplloi dhe unë u
ndjeva dhe më i dërrmuar sesa ata
vetë nën kimerat e tyre shtypëse.

Përktheu: Besiana KADARE

Google+ Followers