RRESHTI QE MUNGONTE - Nga Issac Bashevis Singer (Përktheu Helena Kadare)


Në fund të mbasdites , holli i madh në hyrje të Klubit të Shkrimtarëve të gjuhës jiddish në Varshavë ish te pothuajse i zbrazët. Në një tryezë në qoshe, dy korrektorë të papunë po bënin një ndeshje shahu. Nuk merrej vesh nëse ata luanin apo dremisnin, po me siguri i bënin të dyja. Mina, macja e Klubit, që kishte harruar se nganjëherë ishte personazh i cituar nëpër gazeta, kishte dalë në oborr për të gjuajtur ndonjë zog a ndonjë mi. Unë isha ulur në tryezë me anëtarin më të rëndësishëm të Klubit, Joshua Gottlieb-in, botuesin e gazetës Haint. Ai ishte president i Sindikatës së Gazetarëve, doktor në filozofi, dhe kishte studiuar me dijetarë të famshëm si Herman Cohen, profesor Bauch, profesor Messer dhe Kuno Fischer-in. Doktori Gottlieb ishte shtatlartë e me supe të gjera, kishte një qafë të kuqe të drejtë dhe barkun të kërcyer para. Dielli që ishte në të perënduar jepte ca reflekse të purpurta mbi çaçkën e kokës së tij të shogët. Ai tymoste një puro të gjatë dhe e nxirrte tymin nga hunda. Normalisht , ai s' kishte për të ftuar kurrë në tryezën e vet një debutant, si puna ime, por , në atë orë të ditës, në Klub s'kishte asnjë njeri tjetër , në një kohë që atij i pëlqente të fliste vetë e të tregonte historira. Biseda jonë po sillej rreth gjërave të mbinatyrshme dhe doktor Gottlieb tha :
- Ju të rinjtë, ju jeni gjithnjë të nxituar që çdo gjë ta shpjegoni sipas teorive tuaja. Vini teoritë në krye e pastaj faktet. Dhe nëse faktet nuk i përligjin teoritë, atëherë, për ju, janë ato fajtoret. Por, një burrë i moshës sime e di mirë që ngjarjet që ndodhin, kanë një logjikë të tyren e , mbi të gjitha, vijnë si rezultat i një shkaku. Ata mistikët tuaj ndihen të fyer nëse gjërat zhvillohen në mënyrë natyrale, së paku, siç është bërë zakon të quhen ato tani . Për mua, më e madhja, më e hatashmja e gjithë mrekullive, është ajo që Spinoza e quante rregulli i gjërave. Kur unë humb syzet dhe i gjej ato në një sirtar, për të cilin do bëja bé e rrufé që s'e kam hapur prej dy vitesh, e di mirë se është dora ime, që i ka futur atje dhe jo djajtë apo ata xhindët tuaj. Edhe syzet, atje kishin për të mbetur, pa e çarë kokën fare për lutjet apo namatisjet që do të bëja për t'i gjetur. Siç e dini, unë jam një admirues i madh i Kantit, por për mua, shkaku është më shumë sesa thjesht një kategori e arsyes së pastër. Madje është esenca e vetë krijimit.
- Kush e ka krijuar këtë raport mes shkakut dhe pasojës ? - pyeta unë sa për t'u gjendur në fjalê.
- Askush, dhe pikërisht prej këndej vjen gjithë bukuria e kësaj pune. Më lejoni t'ju tregoj një histori : Dy vjet më parë më ka ndodhur diçka që dukej si e bërë me dorë për të qenë mrekullia vetë. Isha katërcipërisht i bindur që asnjë shpjegim nuk do të ishte në gjendje t'i bënte ballë kësaj ngjarjeje. Si racionalist që jam, i thosha vetes : nëse kjo gjë ka ndodhur vërtet, nëse e gjitha nuk është një ëndërr, atëherë që sot e tutje do të më duhet t'u bëj një rivlerësim të ri të gjitha gjërave që kam mësuar që nga viti i parë i shkollës e deri në studimet e universitetit të Bonn-it apo të Magdebourg-ut. Por pikërisht atëherë më erdhi edhe shpjegimi : një shpjegim aq bindës dhe aq i thjeshtë sa ç'është dhe e vërteta vetë. Me thënë të drejtën, kam dashur të bëj edhe një novelë apo një tregim për këtë ngjarje. Por e lashë pastaj, se s'ma ka qejfi të hyj në garë me ju, letrarët. Me siguri e dini që unë s'kam ndonjë nderim të madh për romanet. Kjo gjë mund t'ju duket si një sakrilegj, por unë personalisht mësoj më shumë nga natyra njerëzore e nga psikologjia e individëve se sa nga romanet. Veç kësaj, zbavitem më shumë me shtypin e përditshëm se sa me ato revistat tuaja letrare. Mos ju shqetëson gjë tymi i puros ?
- Jo, aspak.
- Ju e dini po aq mirë sa dhe unë që tipografët, veçanërisht të Haint-it , por edhe ata të shtypit jiddish në përgjithësi, bëjnë mê shumê gabime se gjithë tipografët nga janë e nga s'janë , t'i mbledhësh gjithë bashkë. Le të hiqen si jiddishistë të thekur, në të vërtetë ata s'kanë pikë respekti për gjuhën e tyre. Nganjëherë më del gjumi dhe rri pa fjetur netësh të tëra për shkak të këtyre barbarëve. Se kush paska thënë që nëntëdhjetë e nëntë përqind e shkrimtarëve vdesin fill pas gabimeve që shohin në librat e tyre të shtypur... Çdo javë unë vetë lexoj tri herë rresht bocat e kryeartikullit tim, që del të premteve, por sapo që korrigjoj një gabim, tipografët nxitojnë të bëjnë një tjetër, pastaj një tjetër e kështu me radhë.
Para dy vjetësh shkrova një artikull për Kant-in. Ishte me rastin e nuk e di çfarë ditëlindjeje të tij. Kur u dalin përpara terma që lidhen me filozofinë, tipografët tanë bëhen veçanërisht të poshtër. Veç kësaj, ai që bën faqosjen humbet rregullisht - është një traditë kjo tek ne - të paktën një rresht të kryeartikullit tim të përjavshëm, e këtë rresht, e gjen pastaj tek ka rrëshqitur brenda një artikulli tjetër apo mu në mes të ndonjë novele të botuar. Këtë herë , në shkrimin tim kisha cituar një shprehje që dukej si e bërë enkas për të tërhequr gabimet e shtypit : "uniteti transcendental i të vërejturit". Kur isha duke e shkruar , thosha me vete se , me siguri, tipografët tanë kishin për ta bërë copë-copë këtë frazë, megjithatë s'e hiqja dot. I lexova e i rilexova bocat tri herë. Si zakonisht, e çuditërisht duhet thënë, të tria herët, çdo fjalë ishte ashtu siç duhej. Gjithsesi s'e lashë pa e bërë nëpër dhëmbë edhe një lutje, për të qenë brenda sido qoftë. Të enjten në mbrëmje shkova të fle plot shpresa, aq sa ç'mund t'ia lejojë vetes një gjë të tillë, një tip që shkruan në jiddish. Çdo ditë , e kanë bërë zakon të m'i sjellin gazetat aty nga ora tetë dhe mëngjesi i së premtes është për mua momenti i krizës së javës. Në fillim gjithçka u duk se po shkonte mirë dhe mua ende më mbante shpresa , në kundërshtim me gjithçka, se këtë herë nuk do të kisha probleme. Por jo. Rreshti qê fillonte me "Unitetin transcendental..." ishte zhdukur. Kështu siç ishte tani, artikulli nuk kishte më kurrfarë kuptimi.
Natyrisht, u tërbova, u bëra vrer. Fillova të mallkoj me mend tipografët me të gjitha sharjet e rënda që dija. Në krye të gjysmë ore, i poshtëruar sa më s'ka, por edhe plot urrejtje kundër jiddishizmit, u vura ta kërkoj rreshtin tim të humbur në të gjithë artikujt e tjerë të numrit që kisha në dorë. Por aty, dukej qartë se çdo gjurmë kishte humbur pa nam e pa nishan. Kjo gjë më tërboi edhe më keq. Ajo që më dëshpëron më shumë në këto raste, është fakti se të gjithë njerëzit që takoj në rrugë, madje edhe miqtë e mi më të afërt të Klubit të Shkrimtarëve, më përgëzojnë çdo herë për artikujt që shkruaj, pa e vënë re fare që një rresht i tërë aty mungon. Jam betuar një milion herë të mos e zë me dorë e as mos ta lexoj fare gazetën Haint të së premtes, por ju e dini mirë se secili prej nesh, e ka pjesën e vet të mazoshismit. Me mëndje s'lë gjë pa thënë kundër tipografëve, kundër kryeredaktorit dhe korrektorëve bashkë, iu hakërrehem, i pushkatoj, i var të gjithë për këmbësh, madje i detyroj të mësojnë përmendësh gjithë kryeartikujt e mi të shkruar qysh nga 1910-ta e këtej.
Në krye të një farë kohe thashë me vete se mjaft isha lodhur e kisha vuajtur për shkak të tyre. Ndaj dhe mora në duar Moment-in, gazetën rivale me tonën, thjesht për të parë atë që M.Helfman, autori i kryeartikujve të tyre, kishte shkruar atë të premte. S'do mend, e dija qysh përpara që artikulli i tij do të ishte për faqe të zezë. Qysh prej njëzetë vitesh që jemi në garë me njeri-tjetrin, s'më ka qëlluar të shoh asgjë për të qenë nga ky kopjac. Nuk di se ç'mendim keni për të, por për mua ai është një lëtyrë, ngado që ta kapësh. Këtë radhë , teksti i tij m'u duk edhe më tmerr se zakonisht - si çdo javë tjetër, vetëkuptohet - kështu që e lashë fare dhe u hodha të shoh tregimet. Nisa të lexoj një paragraf që titullohej : "Ky njeri është një kafshë", ku bëhej fjalë për një portier ndërtese , që ishte kthyer i dehur nga taverna dhe kishte përdhunuar vajzën e vet. Dhe papritur, ç'të shoh ? Gjënë më të pamundur, më të pabesueshme që mund të ndodhte : rreshti im i zhdukur ishte atje ! E dija që kjo gjë s'mund të ishte tjetër përpos një haluçinacioni. Veçse haluçinacionet nuk zgjasin më shumë se një sekondë. Fjalët e shkruara vallëzonin para syve të mi : uniteti transcendental i ... Mbylla sytë, i hapa prapë, i sigurt që mirazhi do të ishte zhdukur, por ç'ne, ai ishte atje, i pabesueshëm, qesharak, absurd. Më duhet të pranoj që edhe pse refuzoj të besoj në ato gjëra që ju i quani të mbinatyrshme, gjithnjë kam luajtur nga pak me idenë se një ditë prej ditësh , në jetën time ka për të ndodhur një fenomen që do të më detyrojë të mos besoj më në logjikën dhe në realitetin e gjërave. Por, që një rresht prej metali të fluturojë nga atelieja e faqosjes së Haint-it, që ndodhet në numrin 8 të rrugës Chlodna, për të zbarkuar në atelienë e faqosjes së Moment-tit, në numrin 38 të rrugës Neleëski, këtë nuk m'a kapte dot truri. Im bir hyri në dhomë dhe unë duhej të kisha pamjen e dikujt që sapo ka parë një fantazmë, sepse ai më pyeti : "Baba, çfarë ke kështu ?". Nuk di ç'më shtyri t'i them : "Të lutem, zbrit një çikë poshtë e më bli një gazetë Moment".
- "Po ti atë ke në duar" - m'u përgjigj ai.
- I thashë se më duhej edhe një tjetër. Ai më hodhi një vështrim, sikur donte të thoshte : "Të gjorit, i paska shkarë mendja". Po , më në fund, zbriti dhe m'a solli një kopje të gazetës Moment. Rreshti im ishte gjithnjë aty, në të njëjtin vend, të të njëjtit artikull : "nga taverna , ai u kthye në shtëpi dhe pa në krevat unitetin transcendental të krijimit". Isha kaq i hutuar e kaq i llahtarisur, sa fillova të qesh. Për të qenë krejtësisht i sigurt i kërkova tim biri të m'a lexonte ai vetë, me zë të lartë, gjithë paragrafin . Djali më hodhi përsëri një vështrim, që donte të thoshte : "Kaq e pati puna e këtij, s'është më në të" dhe lexoi artikullin. Kur arriti tek rreshti im, qeshi dhe pyeti : "Për këtë rreshtin këtu më dërgove të blej një kopje tjetër gazete ?". Unë nuk u përgjigja. E dija që asnjëherë dy njerëz nuk mund të kenë të njëjtin haluçinacion, në të njëjtën kohë e, natyrisht kurrsesi për një kohë kaq të gjatë. Veç në mos ndodhte që im bir vetë të ishte bërë pjesë e haluçinacionit tim.
- Ka edhe raste haluçinacioni kolektiv, - thashë unë.
- Atë të premte dhe të shtunë nuk munda të fle , as të ha. Të dielën në mëngjes vendosa të shkoj te drejtori i shtypshkronjës sonë, zoti Gavza, që është edhe një mik i vjetër i imi, e t'ia tregoj të gjitha. Në ka njeri që asnjë lloj diskutimi të mund ta mashtrojë, është ai. Doja t'ia shikoja fytyrën kur të lexonte atë që kisha lexuar vetë. Gjatë rrugës për në Haint mendova se do të ishte një punë me vend po të arrija ta gjeja tekstin e shkruar të kryeartikullit tim, në qoftë se nuk e kishin hedhur. Ua kërkova pra tipografëve dhe , një mrekulli, ata e kishin ende. Pashë se teksti ishte krejtësisht ashtu siç e kisha pasur dhe vetë në mendje. Po vdisja nga dëshira të gjeja zgjidhjen e enigmës , por ama nuk doja kurrsesi të kishte ndonjë gabim idiot, një gabim qesharak që të lidhej me interpretimin e tekstit , apo thjesht ndonjë harresë nga ana ime. Me dorëshkrimin në një dorë dhe me gazetën Moment-i në tjetrën, vajta drejt e te zoti Gavza. Ai gjithashtu më hodhi një vështrim të çuditshëm ngaqë s'më ndodh kurrë të shkoj në gazetë të dielave. Ia zgjata dorëshkrimin dhe i thashë : " Ju lutem, lexojeni këtë paragraf ". Por, pa më lënë ta mbaroj frazën , ai deklaroi :
" E di, e di, mungonte një rresht në artikullin tuaj për Kant-in. Më thotë mendja se doni të botoni tani një rektifikim në gazetë, por besomëni mua, asnjë nuk i lexon kurrë rektifikimet.
" Jo, s'dua të botoj asgjë, i thashë.
" Po atëherë përse më vini këtu një ditë të diele qysh në mëngjes ? " pyeti Gavza.
- Unë i zgjata gazetën Moment të së premtes, duke i treguar artikullin e titulluar "Ky njeri është një kafshë". Tani lexojeni këtë, i thashë. Gavza ngriti supet, filloi të lexonte dhe ajo shprehje që u vizatua në fytyrën e tij të qetë, unë nuk e kam parë asnjëherë ndokund tjetër në jetën time. Ai hapi gojën, shikoi dorëshkrimin tim, më vështroi mua, e rilexoi prapë gazetën pastaj tha :
" Mos po më bëjnë sytë kështu ? Ja ku qenka ai rreshti juaj që mungonte ".
- Po , or mik, - thashë unë , - rreshti im ka fluturuar nga Haint-i deri te Moment-i , nja dymbëdhjetë rrugë më tutje dhe, duke kaluar sipër shtëpive dhe pullazeve ka rrëshqitur në atelienë e faqosjes së tyre , për t'u strukur e bërë fole në këtë faqe. Ose atëherë janë demonët që e kanë bërë këtë punë. Nëse ju mund të më shpjegoni...
" Për besë, nuk arrij të kuptoj asgjë, tha Gavza. Eshtë një lojë, ka një shaka në këtë mes. Ndoshta dikush e ka ngjitur këtë rresht aty. Më lini ta shikoj edhe një herë ".
- As lojë, as shaka, - thashë unë. - Rreshti ka ikur nga artikulli im për t'u shfaqur te Moment-i i së premtes së shkuar. Kam në xhep edhe një ekzemplar tjetër të Moment- it, po ta donit...
" O Zot, si mund të ketë ndodhur një gjë e tillë ?" pyeti Gavza. Ai e vështroi edhe një herë dorëshkrimin tim, pastaj rreshtin te Moment-i. Së fundi tha :
" Në qoftë se një gjë e tillë mund të ndodhë, atëherë gjithçka tjetër në këtë botë mund të ndodhë. Ndoshta ka qenë vërtet një demon që ka vjedhur rreshtin tuaj te Haint dhe e ka çuar te Moment-i".
- Është i vetmi shpjegim i mundshëm, - thashë unë.
Një copë herë të gjatë ne ia ngulëm sytë njeri-tjetrit , me dhimbjen që provojnë dy njerëz të rritur , që duhet të pranojnë se bota është kthyer përsëri në kaos, që gjithë logjika është zhdukur dhe që ajo që quajmë realitet ka dështuar. Pas pak Gavza ia plasi të qeshurit.
" Jo, s'është ndonjë demon, madje as ndonjë ëngjëll, e di se ç'ka ndodhur, e di, - briti ai.
" Po qe se e dini m'a thoni dhe mua shpejt para se të bëj bof e të plas, thashë unë.
- Dhe ja se ç'më shpjegoi ai. Jewish Nacional Fund botonte shumë shpesh një deklaratë që herë e çonte te Haint e herë te Moment. Përgjithësisht teksti duhej të modifikohej paksa, që ai t'i përshtatej lexuesve respektivë të secilës gazetë. Në këtë rast nuk bëhet kallëp shkronjash, por transportohet me makinë gjithë faqja metalike nga një gazetë në tjetrën dhe ndreqjet përkatëse bëhen në vend. Gabimisht, rreshti im duhet të jetë vënë në faqen metalike të deklaratës. E kishin transportuar kështu te Moment-i dhe atje dikush e ka vënë re. Ky dikushi e ka hequr nga deklarata e rreshti , i lënë mënjanë, është përzier më pas me faqet e novelave. " Rreziqet që një gjë e tillë të ndodhë nuk janë aq të pamundura, po të kesh parasysh nivelin e tipografëve e të korrektorëve tanë , tha Gavza. Ata janë nga më të këqijtë që mund të mendohet. Jo , mos t'i akuzojmë kot demonët e shkretë. Asnjë demon nuk është aq injorant e aq i papërgjegjshëm sa tipografët tanë ".
- Pasi qeshëm mirë e mirë shkuam të pimë nga një kafe me ëmbëlsirë, për të kremtuar këtë zgjidhje historike. Folëm për kohërat e mira të vjetra dhe për të gjitha absurditetet e botuara në shtypin jiddish ndër vite, për shembull si "Zoti e bekoftë sikurse mbreti i Siamit dhe shtatë bijtë e tij ", apo " nxehtësia e padurueshme në qendër të diellit ", apo dhe ajo fraza se " bakteret janë kaq të vogla sa nuk mund të shihen veçse me ndihmën e një teleskopi ".
Doktori Gottlieb bëri një pauzë dhe u përpoq të ndizte përsëri puron e tij, duke e thithur me të gjithë mblluçitë. Pastaj ai tha : " Miku im i ri, po ua tregoj gjithë këtë për t'ju provuar se nuk duhet të ngutemi asnjëherë për të thënë se nëna jonë natyrë ka mohuar ligjet e saj të përjetshme dhe që djajtë dhe frymët e këqija kanë marrë pushtetin. Për mendimin tim, ligjet e natyrës janë gjithnjë aty, na pëlqen apo nuk na pëlqen neve. Dhe, mbaje mend këtë që po të them : sa herë që kam ndonjë mesazh për t'ia transmetuar gruas sime të vjetër apo, qoftë dhe dashnores, që - ta themi mes nesh - nuk është më aq e re, përdor gjithmonë telefonin dhe asnjëherë telepatinë ".

Google+ Followers