Romani “Kukullat nuk kanë atdhe” i Flutura Açkës më i miri në Prishtinë

Libri provokues i shkrimtares Flutura Açka është shpallur si romani më i mirë i edicionit të 15-të të Panairit të Librit në Prishtinë (3-9 qershor).


Në një ceremoni solemne të organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës u ndanë edhe çmimet e panairit. Një trofe, që paraqet “Hyjneshën në fron”, simbolin e qytetit të Prishtinës.
Mësojmë se juria e përbërë nga Ilire Zajmi – Rugova, poete, Anila Xhekaliu, poete, prozatore dhe përkthyese dhe Naim Kelmendi, poet, publicist dhe botues, kanë qenë unanime sa i përket ndarjes së çmimeve.
Çmimin për romanin më të mirë në panair e ka marrë libri “Kukullat nuk kanë atdhe” i Flutura Açkës, botim i “Skanderbeg Books” nga Tirana.
Me çmimin për librin më të mirë me poezi është vlerësuar libri “Pothuajse dje” i Luljeta Lleshanakut, e cila ka qenë edhe mysafire e panairit të sivjetmë.
Çmimi për librin më të mirë për fëmijë i ka takuar Shkëlzen Zallit për librin “Zogj të bardhë” botuar nga “Ada”, Tiranë.
Çmimin për kritikë letrare studiuesi e kritiku Kujtim M. Shala për librin “Gjenetika vs poetika”, botim i shtëpisë “Buzuku” nga Prishtina.
Përkthyesi i vitit është vlerësuar Amik Kasoruho për përkthimet “Revolta e Atlasit” (në tri vëllime) i Ayn Rand, “Mosha e pafajësisë” nga Edith Warton dhe “Damka e turpit” të Nathaniel Hawthore, botime këto të shtëpisë “Pegi” nga Tirana.
Me çmimin për autor të vitit 2013 është vlerësuar Albatros Rexhaj për romanet “Bombë në Beograd” dhe “Ditar dashurie i një shkrimtari”, botuar nga “Dudaj”.
Me çmimin për vepër kapitale janë vlerësuar dy projekte madhore: Matteo Mandalà për veprën kurorë në fushën e traditës sonë jo vetëm letrare “LEKË MATRANGA njeriu, koha, vepra – Mbi botimin kritik të varianteve dorëshkrim e të shtypur të veprës E mbsuame e kërshtenë – 1592”, botuar nga “Ombra GVG”, Tiranë dhe ajo e Aleksandër Meksit dhe Xhevair Lleshit “100 vjet pavarësi kombëtare” botuar nga “Uegen”, Tiranë.
Stenda e botimeve “Koha” është shpallur më e vizituara e edicionit të 15-të të panairit “Prishtina 2013”./ Gazeta “Panorama”.

Google+ Followers