Poezi nga Federiko Garcia Lorka


PLEPI

Plep i dashur
Plep i dashur
U bëre
Flori.
Dje ishe i blertë,
Një blerim i ngarkuar
Me zogj.

MËNGJES VJESHTE

Ç’ëmbëlsi fëmijërore
në mëngjesin e qetë!
Mes gjethesh të blerta është dielli
dhe merimangat shtrijnë mes degëve
rrugët e tyre të mëndafshta.

GJUETARI

Pishnajë e lartë!
Katër pëllumba në ajër.
Katër pëllumba
fluturojnë dhe kthehen
sjellin plagë
katër hijet e tyre.
Pishnajë e ulët!
Katër pëllumba mbi tokë rrinë
Përktheu Faslli Haliti

KU MBYTET ËNDËRRA

Lakuriqët lindin
nga katrorët.
Dhe viçi i studion
i shqetësuar.

Kur do të bjerë muzgu
i të gjita orëve?
Kur ato hëna të bardha
do të thyejnë qafën ndër male?

JEHONA E ORËVE

Ulem
në një pastrim kohe.
Ishte një amulli e heshtjes,
e një heshtjeje
të bardhë.

Unazë e hatashme,
ku yjet
përplasnin dymbëdhjetë
numrat e zes vallëzues.

INITIUM

Adami dhe Eva.
Gjarpëri
e thërmoi pasqyrën
në mijëra copa,
e molla
qe guri.

Përktheu: Skënder Buçpapaj



AJ !

Klithma lë në erë
një hije qiparisash.

(Më lini në këtë fushë,
duke qarë).
Gjithçka është shkatërruar në botë.
Nuk ngelet asgjë më veç heshtjes.
(Më lini në këtë fushë,
duke qarë).

Horizonti pa dritë
Është i kafshuar nga flakadanët.
(Unë ju thashë që të më lini
në këtë fushe,
duke qarë).

DËSHIRË

Vetëm zemra jote e nxehtë,
Dhe asgjë më shumë.

Parajsa ime, një fushë
Pa bilbila
As lira,
Me një lum të fshehtë

Dhe një burim të vogël.

Pa shpurë erë
Mbi gjethnajë,
Pa yllin që dëshiron
Të jetë gjethe.

Një dritë e madhe
Që ishte
Xixëllonja
E një tjetre,
Në një fushë
Me shikime të prishura.

Një prehje e qetë
Dhe atje puthjet tona,
Tinguj hënor
Të jehonës,
Hapen shumë larg.

Dhe zemra jote e nxehtë,
Dhe asgjë më shumë.

Përkthyer nga Meri Lika



Gazel i dashurisë së beftë

Askush nuk e kuptonte parfumin
E manjolës së errët të barkut tënd.
Askush nuk e dinte që torturoje
Një kolbër dashurie ndër dhëmbë.

Njëmijë kalushë persianë flinin
Në sheshin me hënë të ballit tënd,
Ndërsa unë – katër net që rrokja
Belin tënd, ku borë kurrë s’pat rënë.

Mes allçie e jaseminësh, degëz të zbehtë
Prej farëzash shihja vështrimin tënd.
Shkronjta e fildishta që thonin “Gjithmonë”
Kërkoja nga gjiri për të t’i dhënë.

Gjithmonë, gjithmonë... kopsht i agonisë,
Të ikshëm e përfytyroj kurmin tënd,
Gjakun e damarëve të tu në gojën time,
Gojaën tënde pa dritë që më vdes në vend.

Përkthyer nga Aurel Plasari


Amparo

nga Federiko Garsia Lorka
shqip. Alban Tartari

C’qenke keshtu i vetmuar,
ne shtepi Amparo, i trembur,
dhe krejt ne te bardha
i kredhur?

(si rremuja ekuatorike,
mes zymbyleve e jaseminit)...

Degjon ne oborr
ate rrjedhjen e fresket,
dhe mbulesen e holle
te kanarinave te verdha,

dredhjen e selvive,
ne mbremje bashke me zogjte,
i sheh dhe ngadale
me shenja qendis dantellat.

C’qenke keshtu i vetmuar,
ne shtepine tende Amparo,
Kredhur ne te bardha, i truar!
Dha sikur ta dish sa e veshtire
eshte Amparo...
ty, te te them te dua...


Madrigal

Puthja ime qe një shegë
E hapur, e thellë,
Një trendafil prej letre
Goja jote qe.

Në sfond një fushe me borë.
Duart e mia qenë të hekurta
Për kudhrat e rënda
Dhe trupi yt i lehtë
Qe perëndimi i një kënge.
Në sfond një fushë me borë.
Në kafkën e madhe të qiellit,
Të bërë vrima-vrima,
Si stalaktite varen
Të gjitha “të dua-t” e mia.
Në sfond një fushë me borë.
Endrrat e mia fëmijërore
Shtresa ndryshku kanë zënë,
Dhimbja ime spirale
E ka zhbiruar hënën.

Në sfond një fushë me borë.

Tani le të bëhemi serioze,
Le t’i vemë të marrin mesime
Dashuritë dhe ëndrrat e mia
(Meza të vegjel pa sy.)

Në sfond shtrihet një fushë me borë.


Mëngjes

Dhe kënga e ujit
E përjetshme mbetet.

Eshtë lëngu i thellësive
Që i pjek drithërat.
Eshtë gjaku i poetëve
Që shpirtin e përndan
Në shtigjet e natyrës.

Ç’harmoni derdh,
Kur gufon nga shkëmbi!
Ai shkon te njërëzit
Me gurgullima të ëmbla.

Në mëngjesin e qashtër,
Oxhakët tym nxjerrin.
Fjollat e tyre janë krahë
Që mbajnë retë.

Midis shelgjesh, dëgjoje
Poemën e ujit,
Zog i vogël, pa flatra
Që në bar ka humbur!

Thahen, copëtohen
Tërë drurët këngëtarë,
Shndërrohen në fusha
Malet kryelarta.

Por kënga e ujit
E përjetshme mbetet.
Dritë e kthyer në këngë
Endrrash romantike,
Ai është qiellor,
I zhdërvjellët, i fuqishëm.
Eshtë mjegull, trëndafil
I mengjesit të përjetshëm,
Mjaltë hëne që kullon
Prej yjve të vdekur.
.........................
Ja përse dhe yjtë
Në valët e tij prehen,
Dhe Afrodita hyjnore
Nga gjiri i tij ka lerë.
Kur ne pimë ujë,
Etje dashurie kemi.
Ai është dashuri e butë,
Që rrjedh, që s’thuhet me fjalë.
Ai është gjaku i botës,
Histori e shpirtit te saj.

Ai ruan të fshehtën
E gojës së njerëzve,
Se ne të gjithë e puthim,
Për t’i shuar etjet,
Eshtë rezervuar puthjesh
Buzësh të vdekura,
Vëlla i zemrës sonë,
Rob i përjetshëm.
.........................
Kur shuajmë etjen me të,
Ndryshojmë për çudi:
Me fëmijë bëhemi
Dhe pakëz më të mirë.
Brengat tona largohen,
Tërë girlanda të vesuara.
Vështrimet na humbasin
Në vise të praruara.
Ç’lumturi perëndie
Që gjithkush të provoi!
O butësi e ujit,

Ku njeriu shpirtin freskon,
S’ka gjë që mund të matet
Me brigjet e tua të shenjta.
Kur pikëllimi i zymtë
Na ve flatrat e veta.

Marrë nga vëllimi “Lorka, Poezi”,

përkthyer nga Anton Papleka

Google+ Followers