“POEZI E HERESHME”,nga MOIKOM ZEQO

MOIKOM ZEQO




POEZI E HERESHME



POEMTH ME DËBORË, KOZMOS DHE FANTAZI

Dëbora, dëbora! Thërrmohen hapësirat,
Në mullirin e stinës ç’miell i bardhë?
Thërrmohen imazhet e vajzave, dritat,
Yjet, pranverat e mia, fjalët!

Dëbora zbriti nga shkallaret e qiellit
Si Flokëbardha e përrallave të lashta!
Pemët si furka të çuditshme endin
Këmishët e tyre të bardha!

Dëbora, dëbora! Kur shkund pardesynë
Unë qiellin shkund, lartësitë dhe dimrin.
Ju e dini! Unë shkund fëmininë,
Që stinët çdo vit përsërisin!

Autobusët ngjajnë si katafalkë të bardhë,
Akujt e tejdukshëm të xhamave ndrisin.
Ku je ti e dashur? Ç’mendon tani vallë?
Pse s’po më shkund si dëborë gëzimin ?

Dëbora zbriti nga shkallaret e qiellit
Si një Homer me mjekër fantastike,
Përkulet mbi ne ! Na mbulon me mjekër,
Me një dendësi të madhe lirike !

Sot s’di çfarë të them ! Sot s’kam moshë,
S’e di sa vjeç jam, sa do të bëhem s’e di
Unë Hënën kap tani në horizonte
Si akullore kozmike në duart e mi!

Ca ombrella – gjysmëqiej në rrugë
Befas lëvizin, shpërndahen, ç’gëzim !
Me gjysmëhënën e dorezës së tyre në duar
Ne jemi Atlasë, por jo mitologjikë!

Dëbora, dëbora! Natyrisht flas kot,
Veç di një gjë, që dua të shprehem
Fjalë që s’gjenden në asnjë fjalor
Me esperanton e dëborës mes njerëzve!

Ndërmjet dëborës – ç’përkthyese që kam,
Merrem vesh me njerëzit kudo që të jenë
Për Kullën e Babilonit i mbledh unë bashkë
Me gjuhën e dëborës të merren vesh!

A e dini çfarë jam? Natyrisht s’e dini!
Jam një turbinë moderne në digën e Kohës,
Bini Niagara të bardha të dimrit
Me shkumën plot ajër të dëborës !

Bini! Bini! Rrotullomëni! O, ç’qejf!
Vërtitem unë në vorbujt elektrikë
Nga vetja (si në cirk kur isha fëmijë !)
Ndez dritat e mëdha të poezive !

Dëbora, dëbora ! – Ç’hapësirë boreale !
Tani jam në pol, në Antarktidën e ngrirë
Me ajsbergët si piktura kubiste të Pikasos,
Ku bredhin foka dhe pinguinë !

Ja një ajsberg – grataçielë e përmbysur,
Themelet mbi ujë, gjithë fasadat poshtë,
Gjilpëra e busullës dhe poli magnetik
Si Adami dhe Eva përqafohen fort!

Poli! Dëbora nordike e polit!
Me magnetizëm të bardhë mbulohem !
Qëlloj me ajsberg horizontin,
Më ngjan se kozmosi në kristale thërrmohet!

E çaj horizontin në trajtë ylli vigan
Nga hyn pranvera me dritë fantastike
O, pambukun e dëborës ta çoj në kombinate
Të thur pranverën në makinat tekstile !
mars 1970

***

Këto dritare si syzet në sy
I ve dhe shoh gjithë botën e dritave!
Me shinat e trenave si me ski
Rrëshqas në pistën e ngricave !

Rrëshqas si skiator i kozmosit
Mbi tokë dhe në kostelacione.
Dhe ngec tek një antenë televizori
Si pallto e varur në gozhdë!
mars 1970

***
Ç’fjalë fantazie ! Fjalë të bukura,
Fluturime pindarike, të pandalshme, plot vrull.
Dhe si Buratino në teatrin e kukullave
Me Arlekinon loz shah – në të tijin kostum !

Kush është Arlekini ? Unë jam dhe Arlekini,
Me kostumin e konvikteve në Qytetin Studenti
Plot kuadrate dritash, ku profilet lëvizin,
Vajzat me flokë të pafundme më veshin!

Flokët e vajzave në tezgjahun e ndjenjës
I thur dhe i vesh si një këmishë të artë
Unë jam Don Zhuani i shekullit XX,
I dashuroj gjithë vajzat njëherësh bashkë!

Po ja… kjo këmishë më torturon tani
Si këmisha e Dajanirës Herakliun e miteve!
S’është gjaku i Centaurit, por Dielli i ri,
Që muskujt m’i vesh me shkëlqime!

U largova nga tema? E humba fare?
Degët e vjershës u larguan nga rrënjët?
Me mushkëritë e reve unë frymë marr
Me gjoksin kolosal të qiejve!

Ku e kam stilografin? Po e mbush me det,
Me imazhet e sirenave, Neptunit, peshqve,
Pastaj të gjitha si me motopompë i nxjerr
Mbi dëborën horizontale të letrës!
prill 1970


***
Shpirti im një humnerë,
Kam frikë: do të bije aty.

Mbillni lule, hidhni kozmosin,
Dyshekun e kujtesës në përjetësi!
1970

***
Gjithë gjethet i mbylla në një zarf –
Më të madh se katër horizontet.

Tërë vjeshtën në një zarf të vetëm –
Dorëshkrimi im për Zotat!
1970

***
Më vjen të ulërij si një sirenë alarmi,
Po digjem, po digjem! Vijnë zjarrëfikësit,
Ngjiten me shkallë! Ndërsa unë tund flokët
Si krahët e një feniksi
e premte, 2 prill 1970

RADIOJA

Radioja, kubik hapësire, i kufizuar,
Në formën e telave, autoporlantit, llambave,
Gjithë planeti e kontinentet janë futur
Ashtu si në një fole pelikanët !

Në « syrin magjik » të radios time
Mblidhen si në një fokus të vetëm
Dritat e kryeqyteteve, vetëtimat, krismat
Dhe ovali kozmik i Hënës!

Ah, këto tela – nevralogji të lajmeve,
Që trupin e muzikave mbështjellin,
Ashtu si hidhet e hapura në male
Kur prishen, i izolojnë vendet!

Radioja jep muzikë të tërbuar,
Shtrëngatat kuisin në kafazin e drunjtë
Klith Brixhid Bordoja, duke lëshuar
Flokët si tela të radios… në supet!

“Syri magjik”, që nga pishtari i Prometeut
Në ballin e radios vigjilon hapësirat,
Si syri i tmerrshëm në ballë të Polifemit,
Duke kullotur lajmet… si grigja!
e premte 2 prill 1970

***
Vjeshta fishkëllin në katër horizontet,
Vjeshta lëviz, ndërthuret, shket mbi shina,
Sëbashku me studentët tani udhëtojnë
Qytetet, fshatrat, malet, krahinat.

Po unë ç’sjell me valixhen e thjeshtë?
Sjell dallgët e detit, elektrovinxhat e portit
Të gjitha në qendër të Qytetit Studenti
Befas nga valixhja pulëbardhat fluturojnë!
e shtunë 3 prill 1970

***
Pemët si flokët e Brixhit Bardosë
Më mbulojnë papritur të tërin tani
Shushurijnë në “dritaret” e televizorëve
Pleksen plot muzg në stuhi!

Erërat plot muzg kaotik dhe lëkundje,
Dielli i rrahur si e verdhë veze gjigande
Sytë e mi hapen si dy lule legjende
Mbirë në ballin livadh !

S’kam dashur t’ia di për modë, manekinë,
As për bizhutë kohën s’e kam humbur kot,
Më mahnitin më shumë flokët e mimozave
Se sa flokët e Brixhid Bardosë!
e shtunë 3 prill 1970

***
Sikur në vend të apartamenteve të shekullit
Njerëzit sot të jetonin brenda përbindëshave të lashtë?
Brenda katedraleve më të tmerrshmet stomakë
Që tërë njerëzimin e bluajnë ngadalë!

Ja humnerat dhe honet e thekshme –
Zgavra pa sy në kafkën kolosale të gurit.
Dy sytë e qiellit: Diellin dhe Hënën
Pse njerëzit nga balli i relievit i shkulin?

Dhe unë me këtë reliev të rëndë në duar
Si Hamleti meditoj për jetën dhe vdekjen
Ashtu si kanibalët që gjithmonë kanë nderuar
Kafkat e atyre që i kanë ngrënë!
3 maj 1970

***
Në subtrobikët e ngrohtë të Jonit
U enda verës si aktor në skenën e stinës
Me shpellat si mushkëri koralesh të jashtëzakonshme
Mbi guaskat, eshtra bishash fantastike!

Hiqja ekranin e vogël të maskës së xhamtë,
Hiqja nga fytyra peizazhet e nëndetit, thellësirat,
Dhe shtrihesha mbi Hënën e bardhë të rërës së plazhit
Ndanë flokëve blu bimorë të orkideve!

Nën shqiponjat detare të Jonit
Shihja peshqit fluturues mes ultravioletit të mëngjesit
Hieroglifet e botanikës së ingjinareve lexoja,
Që kanë të shkruara Legjendat e Detit.

Muzgjet – klorofilë e kuqe e ajrit
Pyllnaja e reve ngjyrosnin
Shtyllat metalike të tensionit të lartë
Me meridiane elektrikë çajnë horizontin!

Sikur në vend të maskës së akualangut
T’i vija dritaret e qyteteve dhe fshatrave
Botërat e nënujëshme për t’i parë
Poet arkeolog që zhytet në përralla!
20 maj 1970

ORA E MIGJENIT

Akrepat e orës së Migjenit
Kanë ndalur në numurat e dhimbjes dhe revoltës.

Vdesin efemerat e botës së vjetër,
Ai mbeti i përjetshëm si kategoria e kohës!
20 maj 1970

***
Xhungla ajrore të shtrëngatave
Mbi anatominë e bardhë të gurit

Ja lumenjtë – shpata të kaltra
Stinët barkut të detit ja ngulin!
20 maj 1971

***
Ç’janë këto pemë të zhveshura në boshllëk
Si skelete peshqish prehistorikë
Të mbetur në gjeografinë e një oqeani të avulluar?

Nëse kanë qenë dikur të tillë,
Ku kanë lundruar?
1970

***
U dhembin këmbët vargjeve
Nga këpucë të shtrënguara figurash

Këmbëzbathur le të ecë poezia
Lëkurëcopëtuar nga gurët!
1970

BLU

Po vishem me blu, i tëri me blu,
(A me një flakë të kaltër, të kaltër?)

Ejani pini në gjoksin tim këtu
Gjithë qiejt, gjithë oqeanet!
1 qershor 1970

***
Kam dashuruar
Dhe kur s’më deshën

Kjo ishte tragjike
Dhe qesharake njëherësh!
1970

HËNA

Hëna si një e sëmurë nga verdhëza,
Hëna e zverdhur nga botkini
Ç’inxheksione duhen për ta shëruar vallë?
Mos duhen serume agimi?

Mos Hëna është vjeshtë fluturuese?
Njollë nikotine në mushkëritë e qiellit?
Apo zjarr i vdekur gurëzuar me ngulçe?
Fosforeshencë e varreve të heshtur?
12 qershor 1970

***
Fytyrën tënde –
Orë të përjetshme

Kudo që shkoj
E mbaj me vehte!
1970

***
Qenia ime është një mekanizëm vigan,
Bërë nga një Homer i aventurës,
Bërë nga një Korbyze i poezisë!
Ndërtoni me mua një qytet të madh!

Në parqet e flokëve të puthen të dashuruarit,
Në hekurudhat e dejeve të sulen trenat!
Shkodër 27 gusht 1971

***
Ju dua të gjithëve!
Ju dua, ju dua!
Ju dua juve që më krijuat në vigjiljen e botëve
Shekullin që më mban në pëllëmbën e tij
Të shesheve dhe të aeroporteve,
Shekullin që ikën
Nën një katafalk kryeqytetesh,
Grataçielash dhe antenash,
Shekullin e poetëve dhe të vagabondëve,
Shekullin narkotik,
Me identitetin e tij të dyfishtë,
Shekullin hermafrodit
Të revolucioneve dhe të Borgjezisë.

Ju dua të gjithëve!
Ju dua, ju dua!
Po a më doni ju mua?
Shkodër 3 shtator 1971

ENIGMA
R.Ç.

Në horizontet e mia t’i ndeze vizatimet e rrufeve, -
Ekspresionet e zjarrit,
Duke më premtuar një stinë madhështore shkëlqimesh,
Ku fjala dritë fillon njësoj si fjala dashuri,
Mes gjithë të tjerave të njoha ty !
Mes mjegullave të njoha ty!

Dhe unë ndjeva diçka të pazakontë
Ashtu si hapësirat ndjejnë kometat!
Rreth teje jam i lëvizshëm si ajri
Dhe të bindem siç ju bind Kleopatrës
Më i fuqishmi i botës, Cezari !

Ndruhem të të puth
Se mos në buzët e tua puth një dashuri të vjetër,
Ndruhem të të flas
Se më dëgjon një heshtje e mbetur,
Një emër, që është po aq i kumbueshëm
Edhe brenda emrit tënd!
Dhe them se nocioni i dashurisë
Shumë emra ka
Dhe njëkohësisht asnjë,
Ashtu si gjithë lumenjtë e ndryshëm
Përkthehen në një dritë elektrike !

Jam me ty tani i dashuruar,
Sikur lëviz mes një qyteti fantastik,
Pa e ditur se ç’është ky qytet !
Ti del mes vitrinave,
Si mes kartolinave të së dielës
Me adresa gjithë emrat e tjerë !

Jam i dashuruar,
Jam i dashuruar !
Profili yt
U vizatua në eter
Si në një pikturë të lëvizshme me pastel
Nën këndet e pjerrëta të shirave të vjeshtës
Dhe unë të dola përpara
Si ai që shikon mbas pesë shekujsh
Njëmijë Mona Lizat e Leonardos!

Erdha,
Po vij,
Afrohem dhe të përqafoj
E për çudi vuaj
Nga mosqenia e diçkaje që duhej të ish,
Dhe kur gjithçka ngjan si një plotësim!
O, zgjidhma enigmën e Sfinksit
Edip!
Shkodër 17 tetor 1971


***
Ç’janë këto gërmadha antike kudo?
Ç’është kjo statujë e copëtuar?
(Dashuria jonë e thyer nga goditja?)
Odeone pa zëra!
Pluhuri i zërave
Është zhdukur
(Ç’boshllëk lë kujtesa?)

Qytet i lashtë i bardhë
Si i ndërtuar nga lënda e reve,
I përmbysur
Si një tablo e rënë nga muri i ekzistencës,
Arkitekturë e çliruar
Nga rregulli, nga projektet,
Konture të çliruara nga stabiliteti!

E pra dashuria jonë
Është ky qytet i braktisur,
Qytet me dy banorë që befas ndahen,
Pa fëmijët që mund t’i lindnin bashkë
Pa bijtë e bijat e tyre gjeneratë në gjeneratë.
Sa shumë të palindur,
Të ikur nga realiteti
Si refugjatë!
Shkodër 1 dhjetor 1971

TI EFEMERA IME

Ti efemera ime (e imja?),
Vetëm një çast të putha dhe e kuptova
Se emri yt s’ishte pavdekësia,
Vetëm një çast
Dhe ti ishe e tëra ky çast !
E ç’është një kometë e panjohur,
Që duke dashur të shkëputet nga e panjohura
Bëhet i njohur,
Por prap ikën
Tek e panjohura!
Një kometë,
Që përplaset në polin e dashurive tona,
Bjen, thërmohet
E shpërthen në shira mirazhesh –
Ishte dhe s’është më!
Eja, eja, eja!
Herë toka do të zhveshë stinët
Në garderobën e muzgut,
(Kinkalerinë e yjeve,)
Herë unë
Në gjendjen time ambivalente dhe kaotike
S’jam unë siç isha në fillim
Kur vjen vjeshta e moshës.
A s’janë pranvera dhe vjeshta
Si pozitivi dhe negativi
I së njejtës fotografi ?
Ti ikën, ikën. Ti mbase s’kishe ardhur,
Ndaj s’kishe dhe si të ikje!
Se nëqoftëse në të vërtetë s’erdhe tek unë
Çdo ikje s’ka kuptim!

Durrës 2 korrik 1971




***
Mëngjes. Dielli në gjoks. Pyll flake.
Vrap. Gazeta. Herbert Uellsi dhe i Padukshmi.
Gota e çajit. Letra. Kaprolli në Hënë.
Vetëm. Tri dete dhe unë i katërti.
Pse merimanga s’bën mjaltë? Tym.
Lesh qelqi – metaforat ! Zogj të ngecur.
Treni që lëviz si puro e ndezur. Hiç.
Tri mosha. Vene, Vidi, Vici. Cezari.
Përsëri Herbert Uellsi. Pushtimi i botërave.

Durrës 3 korrik 1971







FANTAZMAGORI

Dielli më ndez në gjoks një pyll fluturues !
Degët e rrezeve luhaten : botë fantazmagorike.
Dielli. Unë. Era. Dielli.
Simbolet abstrakte seksuale të Frojdit:
Lashtësia dhe kohërat moderne,
Simbole të zbrazëta si zgavra kafke !
Ato shkunden, bijen.
Bijen. Zhurmë. Tmerr i muzikës !
Bijen. Dëgjoj. Shoh.
Fantazmagoria e shqisave.
Pesë shqisa si pesë dritare
Nga hyn tek unë bota
Tek unë, tek unë
Në miniaturë tërë bota e mdhe!
Hapësira të kondesuara
Në një bombël ajri.
Jam plot presion në vetvete.
Presion, presion, dendësi fantazish,
Më ngjesh nga brenda.
Zhduket kufiri midis së jashtmes dhe së brendshmes.
O, thith imazhe
Imazhe, imazhe
Si polumbari oksigjen
Në thellësitë e detit
Si kozmonauti oksigjen
Në lartësitë e galaktikave
Thith imazhe
Ajër me imazhe, plot trafik imazhesh
Si trafiku i planeteve
E tek një gjithësi planetare
Gravitacioni universal je Ti e dashur!
Ti Dielli
Dielli, Dielli !
Simfoni e pambaruar. Ah Shuberti !
Pambarim.
Pafund.
Zbrazësi brenda dendësisë –
Shpellë në gur.
Zbrazësi si në një varr pa të varrosurin.
Zbrazësi si në një pallat pa njerëz.
Zbrazësi si në një tempull pa zota.
Zona të tilla ka jeta,
Po unë u shmangem,
U largohem,
Vij dhe iki prap
Me një shpejtësi të pamenduar.
Duke u vërtitur
Mësoj se ç’është planeti,
Orbita e tij qoftë rripi im i mesit,
Me ekuatorin i lidh pantallonat!
Fluturoj,
Fluturoj.
Yjet zmadhohen si miliona dritare
Të një qyteti metropolitan kozmik.
Yjet e pabanuar,
Yjet, më magjikët e përrallave
Me fanitje të ndritshme në terr.
Po ku janë xhuxhëmaxhuxhët ?
Shtatëpëllëmbëmjekratetripëllëmbëtrupat ?
E megjithatë i shpik disa xhuxhëmaxhuxhë,
Që shportën e kësulkuqes
E mbushin me kryeqytete, katedrale,
Kontinente, ishuj.
Shportë e thurur
Me paralele dhe meridiane –
Rrjeta gjeografike e ditëve,
Rrjeta e kohës më shumë se e Hapësirës!
Ditë horizontale:
Vija të bardha,
Që shndërrohen në piktura të lëvizshme,
Por mbyten dhe prap ngrihen.
Dielli. Dielli.
Dielli: pyll flake
Me krahët e Ikarit.
Krahët – gjethe disfate.
Dy gjethe të mëdha zjarri.
Vjeshtë zjarri.
Netë vertikale.
Gjithçka mbrapsht.
E sipërmja – e poshtme.
Herakliti! Efesi në shkrumb!


***
Mendoj për Dedalët avionë,
Dedalët reaktivë.
Dedalë që zbresin në krateret e Hënës
Si imazhi i munguar,
Që s’e panë zgavrat e kafkës
Të etur në shekuj.
Engjëj biblikë me helika në prapanicë
Me përfytyrime moderne të mistikëve,
Përfytyrime që copëtohen,
Lëkunden si sipërfaqja e pellgut
Kur fryn era
Thërrmohen si ekran televizori
Thyhen, thyhen, thyhen
Si arra të vjetra mes dhëmbëve shkencorë,
Mes dhëmbëve të zemërimit,
Revoltës.

***
Kockat e Djallit të gjetura
Në shtresat gjeologjike të Parajsës së Humbur !
Kockat e Djallit të kërkuara
Nga paleontologët e mendjeve !
Halucinacione peizazhesh,
Peizazhe ëndrre,
Ndryshimshmëri e shpalosur
Me një elasticitet të pashembullt, epik,
Ah, kockat e Djallit, Diabolis, Demon,
Ribëni me to arkitekturën e Ferrit!

***
Jam i lodhur, i mërzitur.
Shqisat i kam të rënduara nga asosacionet
Si pesë bulevarde plot trafik
Si pesë pëllumba në një kafaz
Si pesë peshq në një akuarium
Shqisat e mbyllura.
Bota përtej shqisave !
Bota shkëputet
Papritur !

Durrës, 5 korrik 1971


E SHKRUAR NË 10 KORRIK 1971

Udhëtim tek të gjallët.
(Të vdekurit më përkasin mua
Ashtu si kockat e tyre tokës)
S’shosh fantazma.
Jam i gjallë. Në shqisat më rendin ankthi i lëvizjes.
Jeta më bëhet transparente, e prekshme,
E ndjeshme, epshore.
Epshi i lindjes dhe i vazhdimit,
Epshi i mendimit dhe fjalës.

Unë jam Ti e dashur,
Ti je Unë!
Të dyzuar në vetvete,
Rënkojmë nga vetmia,
Ulërijmë, qeshim,
Puthim të Panjohurën!
Kokat tona fluturuese –
Dy balona
Në festën e dashurisë

***
Fluturoj në fantazinë e qiellit!
Godas me shkelm
Prapanicat burokratike të reve!
Shoh në atraktin, ekuilibrin
E muzgut të ditës dhe mbrëmjes!
Sipër yjet, hojet vigane të tyre,
Poshtë hojet e arkitekturave të qytetit.
Tek pemët mbijnë
Në vend të gjetheve
Shpata të lashta!
Ja Robinsoni në ishullin,
Ku është bërë gur, shpellë, erë, kripë, dallgë!
Metamorfozë e relievit!
Gjeografia e shpirtit të tij
I shtohet gjeografisë së tokës!
Ah Robinsoni! I vetmuar dhe tek ishulli i Hënës!
Kockat e tij
Si hekurat e një rakete të ardhur
Nga hapësirat ndërplanetare!
Raketë qivur
Si qivurët e Foskolos!

***
Shoh gjithçka
Dhe hesht.
Dëgjoj gjithçka,
Zërat si një ambient plot akustikë
Tek unë bëjnë rezonanca!

Mbreti Lir me duart e ngritura në shtrëngatë,
Duke dalë nga opera e Berliozit !
Duart e tij – dy trajektore kozmike,
Dy ylberë,
Dy projektorë,
Duart e tij – dy bulevarde,
Që dali nga e njëjta qendër e qytetit!
Duart e tij
Tek duart e mia
Të thurura si liane
Në xhunglën e ndjenjave,
Në xhunglën e tragjedive tronditëse !
Duart e tmerrëshme!
Mjekra e tij e gjatë
Si mjegull e përgjakur
Nga del figura e Afërditës me një mollë në duar
Figura e Afërditës e gjetur nga arkeologët në kodrat e Durrësit
……………………………………………………………………….
23x2 + yxz100 = 0, e kuptoni vallë këtë ekuacion?
E them thjesht për kaotizëm?
Përroi i ndërgjegjes?
Jam pak rrëmujë.
Më dhemb pak zemra?
Ah ,Julia, vajzë e bukur,
Ah ,pushka e detit, akualangu
Ah ,matësi i thellësive, maska,
Maska si përkrenare xhami,
Ah, flluskat e ajrit gati yjore
Një polumbar në fund të digës së një hidrocentrali
Unë vetë në fund të dritës
Fantazmagori,
Fantazmagori!
S’jam i qetë – ja e vërteta
Jam kaotik,- sidoqoftë çdo gjë kalon,
Aeroporte. Zogu përrallor Rok, veza e tij
Porta e shtëpisë së Salvator Dalisë
Ky kokrra vezë mbi portë –
Skulptura të origjinës. Detet. Nata.
Sytë e Robinsonit. Stuhitë prej guri.
Shtëpia e Gogenit,
Ku atë e mbyllën
Kur u sëmur nga lebra ! Ah !






NË MENDIME PËR TY

Hapësira e vjeshtës rri e mbështetur
Mbi bryla vigane shkëmbenjsh!

Gjithë bota ka rënë në mendime për ty!

Vetëtimat shkrepin, zhduken
Si metafora të guximshme poetësh!

Gjithçka është mendimi im dhe i botës për ty!

Shkodër e hënë 15 nëntor 1971

***


Në xhamin e urbanit
Pikat e shiut shkasin si mornica të kaltra.

Urbani vjen nga periferia në qendër
Ti je mbështetur tek unë
Por jo si gjithmonë e dashur.

Jam i shqetësuar. Parandiej diçka.
S’dua që ditët e ardhshme
Të shkasin në trupin e dashurisë si mornica.

S’dua që fytyrat tona
Të mjegullohen si xhamat e urbanit në ngrica!

Shkodër, e hënë, nëntor 1971






***

Unë ta putha fytyrën tënde të bukur
Por kjo s’ishte dashuri!

Duart e mia u pleksën mbi flokët e tua,
Ti kërkoje me ngulm të të pushtoja,
Por kjo s’ishte dashuri!

Kur u ngritëm
Me epshin e shuar
Pashë sytë e tu me një shkëlqim s’di se si.

Jo kjo s’ishte dashuri !

Shkodër, nëntor 1971


QYTETI I PANJOHUR

Shoh një qytet të panjohur
Mbështjellë me dritë abstrakte.
Një qytet të madh.Pounë kurrë
S’do të jem aty! Një qytet misterioz!
Aty katedralet e mëdha
Rrotulloj në helikat e kryqeve
Si anije të kthyera mbrapsh…
1971

LEXOJ

Lexoj poezitë e Pierre Reverdy-së.
Ç’frëngjishte misterioze
Që mesi e kuptoj! Magna voce
Per umbros.* Kodrat e Durrësit
Me makje të lulëzuara – jo tatuazhi
Im i stinës! Lexoj. Por çfarë kuptoj vallë?
Vetmi e trishtë! Pse poezia
Është pagjumësi që s’mbaron?
1971

* Zë i lartë në errësirë (lat.)

ÇIKLIZËM QIELLOR

Shoh shpesh
Në gjirin e Currilave
Siluetën rebele të Majakovskit
Mbi një gjyslyqe – biçikletë fluturuese.
Në thellësira këndojnë kuajt e detit,
Shumëzohen algat. Dhe Poseidoni
Është burokrat në pension
Me mjekër korali. Rreth tij
Kaq shumë aktina dhe ëndrra
Gaforresh! Silueta e Majakovskit
Bëhet gri. Ç’është
Kjo gjyslyqe-biçikletë?
Ç’gara çiklizmi ka në qiell?
Por shtrëngata shpërthen
Mëngjesin tjetër
Gjej në bregdet
Një gjyslyqe
Xhamthyer, ndoshta
Të një Dante miop!

FLAMURI

Flamuri i jeleve të kalit
S’është flamuri im –
Mbase s’di të vrapoj!

Flamuri i jeleve të kalit
Është i sulmit ndaj kohës –
E mua koha më mungon!

Flamuri i jeleve të kalit
Qoftë qafimi im!

BESOMËNI

Besomëni: ka mijra peizazhe
Të shpikura nga unë
Që s’më dolën kurrë
Nga lëkura!

Besomëni: ka mijëra peizazhe
Që s’do t’i shohë askush
As unë që i kam parë
S’i fiksoj dot në kujtesë!

O libra që nuk u shkruajtët
Në shtypshkronjat e yjeve
Ah, gjaku që s’shndrohet
Në bojë tipografike!
1971

POETI

Një njeri digjet, – i tëri prej flake,
Kostumi i tij dhe këpucët
S’bëhen shkrumb, as ora e dorës,
As lëkura e tij, as flokët dhe qerpikët,
E sërish digjet! Mes muzgut
Të luleve dhe territ të ndërtesave,
Madje edhe kur zhvishet
Dhe futet në det – dhe kur laget
Në shi. Ky njeri veç digjet!
Një njeri digjet – i tëri prej flake
Të padukshme, – të jep dorën
Dhe e ka të ftohtë si kujtesat dhe epokat
Që s’janë.Pofluturat mund.
Të përcëllohen në ballin e tij
Dhe mendimet, idetë. Ai veç digjet!
1972

PËR ANTONIO MACHADON

Mbi portokallet lëvizin
Era dhe Hëna
Dhe zogj prej qelqi
Është ylli i Afërditës

Dhe qielli prej smeraldi
I maleve të epërme
Përsëritet i manushaqtë
Në detet.

Uji rrjedh nga qyngjet
Mes kopështit
Dhe ndrit jasemini –
Bilbili i parfumeve.
1972

VARGJE TË RREZIKSHME

Vargje të rrezikshme, në çastin e ndeshjes
Me injorancën, që kërkon t’ju mbysë
Sëbashku me mollën e adamtë të Hënës
Më ngelet në fyt përjetësisht!

Vargje të rrezikshme, me delirin e egër
Më rrethoni pandalur në rrebesh.
Ja Stuhia Poezi – Princeshë e Verbër
Bëhet nuse në altar rrufesh!

Vargje të rrezikshme, tej mbi hon
Ndërgjegjen dhe vdekjen me ju e mbaj,
Planetet-insekte kalojnë
Me këmbëza rrezesh në skaj.

Vargje të rrezikshme, tehe të mprehtë
Gijotina ime e pamëshirshme e artit
Tek fjongoja jote, e dashur,- shirit kasete
Është muzika Requem e Mozartit.

Vargje të rrezikshme, shpërthime në xham!
Ç’mediokritet i mjegullt i mendjeve!
Hieroglifet e metaforave i çoj larg
Në Luginën time të Mbretërve!

1974

  • Kjo poezi është shkruar mbas përjashtimit tim si redaktor i gazetës “Drita” dhe dënimit nga Plenumi IV.



NESTOS

Lumë ilir – hyjni ilire e ujit, jetës.
Rridh ! Ç’pemë, ç’pyje ke në brigjet ?
Ç’eposë të kozmogonisë ? Ç’mrekulli ?
Rridh, rridh, rridh ! Emër i meteortë
Tek ty është Drini, Istri, Vardari, Aosi,
Tek ty është Skampini, tek ty është Boena,
Është gota e ujit, e thjeshtë dhe prekëse,
Është etja e padurueshme, e shenjtë.
Rridh, rridh, rridh. I ke brigjet kudo,
Bile dhe në Hënë! Bleroji rërërat!
Nestos! Në buzët e Empedoklit piko
Tërë yjet, ujëvarat! Substancë, ku shkasin
Përfytyrimet e anijeve, retë, avujt.
Nestos – lumi hyjni, me mjekër shekujsh
Dhe me flokët – burime gjeneze!
1974

Nacional

Google+ Followers