“Poema del Cante Jondo”

Nga Federico Garcia Lorca


Balada e tre lumenjve

Lumi Guadalkivir
rrjedh përmes portokajve dhe ullinjve.
Dy lumenjtë e Granadës
zbresin nga dëbora përmbi arë.

Oh, dashuri
që ike e s'u ktheve më!

Lumi Guadalkivir
ka flokë të kuqërremtë.
Dy lumenjtë e Granadës,
njëri derdh lot e tjetri gjak.

Oh, dashuri
që u trete në eter!

Për varkat me velë
Sevilja ka udhë të gjerë;
Nëpër ujërat e Granadës
lundrojnë vetëm psherëtimat.

Oh, dashuri
që ike e s'u ktheve më!

Guadalkivir, kullë e lartë
dhe erë ndër portokaj.
Darro dhe Henil, kulla
të rëna përmbi moçale.

Oh, dashuri
që u trete në eter!

Thonë se uji mbart me vete
një zjarr britmash!

Oh, dashuri
që ike e s'u ktheve më!

Ai sjell ullinj dhe lule portokalli
në detet e tu, o Andaluzi.

Oh, dashuri
që u trete në eter!


Kitara
Ia nis vajtimit
kitara.
Thyhen kupat
e agimit.
Ia nis vajtimit
kitara.
Është e kotë
ta ndalosh.
E pamundur
ta ndalosh.
Vajton monotone
siç vajton uji,
siç vajton era
përmbi dëborë.
E pamundur
ta ndalosh.
Vajton për sende
të largëta.
Rërën e Jugut të nxehtë
që lyp kamelie të bardha.
Vajton shigjetën pa nishan,
mbrëmjen pa mëngjes,
dhe të parin zog të ngordhur
përmbi degë.
Oh, kitarë!
Zemër e përshkuar
nga pesë shpata.



Peizazh

Fusha
e ullinjve
hapet dhe mbyllet
si një erashkë.
Përmbi ullishtë
rëndon një qiell i lodhur
dhe një shi i zymtë
yjesh të ftohtë.
Fërgëllon xunkthi dhe derdh hijen e tij
mbi bregun e lumit.
Trazohet ajri i përhimët.
Ullinjtë
barrosen
me britma.
Një tufë
zogjsh
tundin bishtin e tyre
të gjerë në zymti.



Vallja e vashës

Përmes fluturash të zeza,
shkon një vashë zeshkane
mbështjellë nga një gjarpër i bardhë
mjegulle mbi trup.

Tokë drite,
qiell toke.

Shkon e mbërthyer nga dridhmat
e një ritmi që nuk mbërrin kurrë;
ka një zemër të argjendtë
dhe shtrëngon një thikë në dorë.

Ku shkon, moj vashë,
me këtë ritëm të pamend?
Cila hënë do të mbledhë
dhimbjen tënde prej gëlqereje dhe landre?

Tokë drite,
qiell toke.


Dhe më pas

Labirintet
që krijon koha
zhduken.

(Mbetet vetëm
shkretëtira.)

Zemra,
burim dëshire,
zhduket.

(Mbetet vetëm
shkretëtira.)

Vegimi i agut
dhe puthjet,
zhduken.

Mbetet vetëm shkretëtira.
Një shkretëtirë
e valëzuar.


De profundis
Njëqind dashnorët
flenë përgjithmonë
nën tokën e thatë.
Andaluzia për ta ka
udhë të gjera e të kuqërreme.
Kordoba, pemë të blerta ulliri
ku të ngrihen njëqind kryqe
Që t'i përkujtojnë.
Njëqind dashnorët
flenë përgjithmonë.


Amanet

Kur të vdes,
varrosmëni me kitarën time
nën rërë.

Kur të vdes,
mes portokajve
dhe mendrës.

Kur të vdes,
varromëni, nëse doni,
nën një erëtregues.

Kur të vdes!

Përktheu nga origjinali Ani Rusi

Milosao

Google+ Followers