Nonda Varfi

Nga letërsia e Paolo Coelhos, tek Kazantzakis, Ayme, Sagan, Kamy, Papini, Sepulveta, Le Clezio apo Jasmina Khadra. Nonda Varfi sjell rrugëtimin e një përkthyesi në arenën e letërsisë botërore. Një rrëfim për përkthimin dhe historinë e kësaj tradite në letrat shqipe… Si kanë qenë prurjet letrare këto 22 vjet dhe çfarë ka ndryshuar nga tradita e mirë e krijuar që në vitet ‘30 me Tajar Zavalanin, e më pas me Çajupin, Nolin, Malëshovën, apo Shvarcin…

Alda Bardhyli


Librat që ka përkthyer Nonda Varfi duket sikur i kanë folur kohës në të cilën atij i është dashur të realizojë përkthimin. Teksa në tryezën e punës, ai mundohej të sillte në shqip romanin e njohur të Kazantzakis “Vëllavrasësit”, ishte viti 1997 dhe Shqipëria ndodhej në prag lufte. Romani që tregonte mbi gjëmat që kanë pësuar popujt nga ideologjitë dhe demagogjitë, duket sikur kishte ardhur në momentin e duhur… Po kështu i ndodhi dhe kur përkthente “Pelën e gjelbër” të Marcel Ayme-s, e cila shpjegonte se sindroma e urrejtjes e kishte origjinën në fillesat e një vendi… Librat i flasin kohës dhe ajo çfarë Nonda Varfi ka kuptuar në rrugëtimin e tij të gjatë në rrugën e përkthimit, është se koha vazhdon të mbetet po ajo…Me një karrierë të gjatë në rrugën e përkthimit, një nga fushat më të diskutueshme sot në botimet shqiptare, Nonda Varfi vjen në një rrëfim më poshtë mbi sfidat e përkthimit shqip…


Ju jeni përkthyesi në shqip i Paolo Coelho-s dhe i romanit të tij “Alkimisti”. A e ndjetë veten të përfshirë nga “gjuha e shenjave”?

Coelho-s i kam përkthyer gjashtë romane. Romani “Alkimisti” vinte pas përkthimeve të autorëve të tjerë si Kazantzakis, Aymé, Sagan, Kamy, etj., dhe, në ndryshim nga këta, paraqiste një letërsi tjetër si nga brendia ashtu edhe nga stili. Letërsia e Coelho-s, në përgjithësi, nëse do të jepja ndonjë gjykim vetjak, është një letërsi parabolike. Ajo frymëzohet nga një thënie e Biblës duke u bërë mandej ilustruese dhe përçuese e moralit dhe semiotikës biblike. Në pamje të parë, bëhet fjalë për një letërsi të thjeshtë, si nga trilli, ashtu edhe nga gjuha, kompozimi dhe stili. Romanet e Coelho-s ngjajnë me një skript filmi, që mbushet me tjerrjen narrative, por që përçon mesazhe të fuqishme semiotike universale. Kjo ndodh tek “Alkimisti”, te “Mali i Shenjtë”, te “Djalli dhe zonjusha Prym”, etj.

Mbi 40 tituj të përkthyer… si është të zbërthesh mendjen e autorëve të mëdhenj? Cilin do të veçonit?

Në mbi dyzet tituj të përkthyer në shqip, të bësh një përzgjedhje është jo e lehtë. Autorët që kam përkthyer i përkasin një gjeografie disi të gjerë. Mund të përmend këtu Nikos Kazantzakis, Bergman, Merime, Kamy, Ben Jelloun, Coelho, Sagan, Khadra, Aymé, Baffi, Crisinel, Maggiolo, Papini, Sepulveta, Le Clezio, etj. Dëshiroj të theksoj se të gjithë autorët që kam përkthyer përkojnë me shijet e mia mbi letërsinë. Kjo është sa intuitive, aq edhe racionale. Në përgjithësi nuk përkthej as letërsi komerciale, as me porosi. Secili autor dhe secila vepër ka vlerën, mesazhet, veçantinë dhe bukurinë e vet. Në këto përzgjedhje, sigurisht brenda botëkuptimit dhe shijeve të mia, dëshiroj që lexuesit t’i përçoj mesazhe të vyera. Këtë po e ilustroj si më poshtë: përktheva Kazantzakis “Vëllavrasësit” më 1997, kur vendi ishte në prag lufte civile, për të kuptuar ç’vuajtje e gjëma kanë pësuar të tjerët nga ideologjitë dhe demagogjitë. Përktheva “Pela e gjelbër” e Marcel Aymé-s, për të treguar se sindroma e urrejtjes për gjitonin vjen edhe nga mendësia e një populli me përbërje fshatare mbi 70%. Përktheva “Skena të jetës bashkëshortore” të Bergmanit, për të përcjellë mesazhin përse divorcohen çiftet. Përktheva Coelho-n, për mesazhet biblike dhe vlerat universale të veprës së tij. Te “Mali i Pestë”, morali është fare i thjeshtë. Ashtu si Elia i Biblës, çdokush nga ne kthehet diku pasi të ketë mësuar të ndërtojë, ndërsa shumëkush nga ne mëson të shkatërrojë. Romani “Nata e shenjtë”, është vazhdim i romanit “Fëmija e rërës”. Bëhet fjalë për një fëmijë që lind femër dhe, në marrëveshje mes babait dhe mamisë së fshatit, pagëzohet si djalë, dhe të gjithë moshën e rinisë e kalon kështu deri sa i ati, në shtratin e vdekjes, i jep lirinë për ta jetuar jetën si femër. Jashtë trillit, ngjarjet janë reale në konceptin dhe konceptimin e shoqërive maskuline. Një jetë e trishtë amfibike, e nëpërkëmbur nga zakonet, psikologjitë, mendësitë, nga dhuna shoqërore dhe familjare; një dashuri e dhimbshme. Por përse? Për paralelizëm: shoqëria jonë çfarë është?

Cili është problemi kryesor sipas jush me përkthimin?

Problematika e përkthimit është shumë e gjerë. Përkthimi mund të quhet art, mjeshtëri, zanat, krijimtari, prirje, hobi, dhe, në varësi të këndvështrimit, për të mund të bëhen shumë përsiatje. Gjithsesi, për ta ngushtuar disi gjykimin, do të dëshiroja të mëshoja kryesisht te disa vështirësi që hasen në përkthimin e letërsisë dhe te kujdesi që duhet të ketë përkthyesi për ta sjellë origjinalin në një shqipe të saktë dhe të bukur. Vepra letrare në thelb është gjuhë. Përkthimi është si një lëng që hidhet në një enë tjetër me formë të ndryshme duke marrë kështu formën e enës. Ky kalim ndërlikohet ngaqë secila gjuhë ndryshon nga tjetra nga pikëpamja e sistemit dhe e strukturës. Andaj, mendoj se gjatë përkthimit duhet treguar kujdes i veçantë për dukuritë që lidhen kryesisht me sistemin dhe strukturën e gjuhës. Duhen respektuar marrëdhëniet mes njësive gjuhësore në rrafshin sintagmatik dhe paradigmatik, e thënë më thjeshtë, duhen respektuar lidhjet sintaksore dhe përzgjedhjet leksikore, që realizojnë plotësisht kohezionin dhe koherencën e veprës. Nga përvoja ime, e them pa drojë se gjuha shqipe është një gjuhë e pasur me mjete dhe forma gjuhësore qofshin këto edhe potenciale, çka, siç e kanë dëshmuar faktet, krijon mundësira të mëdha për të bërë përkthime dinjitoze dhe të bukura. Prandaj, zotërimi i mirë i gjuhës së huaj si edhe zotërimi i mirë i gjuhës shqipe, të dy të marrë së bashku përbëjnë kyçin e realizimit të një përkthimi të shëndoshë. Për ta mbyllur këtë pyetje, do të dëshiroja të citoja një thënie të një përkthyesi të shquar të shqipes, të një mikut tim frymëzues, që më thoshte kur isha student: “Dëgjo, prova më e thjeshtë, empirike, për të parë se përkthyesi e ka prishur punën, është të lexosh me zë një paragraf. Po ngece, fajin e ka përkthyesi. Autori nuk bën gabime të tilla”. E kam bërë shumë herë këtë provë dhe thënia e mikut tim përkthyes më ka rezultuar e drejtë.


Këto 22 vjet ka pasur një prurje të madhe autoresh të huaj në shqip. Si i shihni këto prurje, në raport me cilësinë e përkthimit?

Me hapjen e Shqipërisë, si në të gjitha fushat dhe sferat e shoqërisë, edhe në lëmin e përkthimit, qoftë edhe për shkak të kureshtjes, etjes, apo censurës së dikurshme, pati dhe ka një prurje të madhe përkthimesh nga letërsia e përbotshme. U përkthyen autorë dhe vepra të shumta që pasuruan libraritë dhe bibliotekat. Shtimi i shtëpive botuese u shoqërua edhe me shtimin e numrit të përkthyesve, ku sot spikasin jo pak emra dinjitozë dhe premtues. Kuptohet që shumësia jo gjithnjë është në raport të drejtë me cilësinë, por, për arsye objektive (d.m.th, nuk kam bërë një hulumtim të tillë, edhe për mungesë kohe) dhe etike, nuk mund të jap ndonjë gjykim të saktë për këtë çështje. Ndoshta në të ardhmen do të ekzistojë një kritikë mbi përkthimin. Gjithsesi, vlerësuesi më i mirë, si kudo, është koha dhe lexuesi.

A kemi ne një traditë përkthimi, duke iu referuar librave të botuar para viteve ‘90, çfarë i bënte këto libra të pakontestueshëm në përshtatjen në shqip?

Pa dashur të hartoj një listë të gjatë të përthyesve të shquar të gjuhës shqipe, dhe nga droja se mos harroj ndonjërin prej tyre, do të dëshiroja t’i përgjigjesha ndryshe kësaj pyetjeje. Shqiptarët dhe gjuha shqipe duhen të ndihen krenarë që në shqip sot flasin kryeveprat e letërsisë së përbotshme. Në shqip flet Homeri, Virgjili, Ezopi, Dante, Shekspiri, Servantes, Khajam, Saadi, Foskolo, Gëte, Hygo, Balzak, Dyma, Mopasan, Tolstoi, Lermontov, Gorki, Dostojevski, Shollohov, Prust, Kamy, Malro, etj., etj., etj., (listë e bërë vrik), autorë nga të gjithë kontinentet, pothuajse të gjithë nobelistët, gjë që tregon se tradita është krijuar hershëm qysh në kryeshekullin e shkuar dhe po vazhdon të pasurohet. Që letërsia botërore klasike dhe moderne flet shqip, merita kryesore u takon atyre njerëzve, emri i të cilëve mbetet i shkruar me shkronja të vogla në frontespic dhe shumë herë harrohet. Për shembull, shumë pak e dinë se Ana Kareninën e ka përkthyer Tajar Zavalani, në vitet ‘30. Përkthyesi ngjason disi me regjisorin e një pjese teatrore që rri në kuinta, ndërsa duartrokitjet i marrin aktorët për lojën e tyre. (ndoshta jo krahasim i gjetur). Gjithsesi, për ta vazhduar argumentin, do të nënvizoja se qysh në krye të herës dhe deri në vitet ‘90, lista e korifenjve të përkthyesve është e gjatë: Çajupi, Noli, Zavalani, Malëshova, Lacaj, Doko, Treska, Evangjeli, Caci, Shvarc, etj., etj., etj., janë emra të skalitur në panteonin e përkthimit. Ata kanë punuar me përkushtim, modesti dhe dashuri për të dhënë me një shqipe të bukur kryeveprat e letërsisë botërore, duke krijuar kështu një traditë të pasur, një shkollë përkthimi për pasuesit, duke lëvruar dhe duke pasuruar gjuhën shqipe. Sigurisht, gjatë viteve të diktaturës, censura ishte përzgjedhëse për sa u përket autorëve dhe veprave që përktheheshin, por nuk ka ndikuar aspak në cilësinë e përkthimit, përkundrazi, asokohe përkthimi i nënshtrohej redaktimit dhe korrekturës së rreptë gjuhësore, gjë që sot lë shumë për të dëshiruar.

Në morinë e letërsive, nuk e keni fshehur pasionin për letërsinë franceze. Si njohës i mirë i kësaj letërsie, si do ta shihnit vijueshmërinë e një tradite të artë në këtë letërsi, vitet e fundit?

Letërsia frënge është një nga letërsitë më të përkthyera në gjuhën shqipe. Vetëkuptohet, Franca si djep i qytetërimit, ka ndikuar dhe ka ndriçuar popujt anembanë edhe nëpërmjet letërsisë. Edhe ne e kemi qenë fatlumë falë punës së përkthyesve të gjuhës frënge, të cilëve duhet t’u shprehim mirënjohjen tonë të thellë. Nga letërsia frënge janë përkthyer në shqip përfaqësues më në zë të klasicizmit, romantizmit, natyralizmit, si edhe shkrimtarë poetë të të gjitha rrymave letrare moderne që kanë lulëzuar në Francë. Kjo hulli vazhdon edhe sot të pasurohet me shkrimtarë të rinj. Theksoj se Franca është vend mikpritës i kulturës dhe i krijuesve qofshin këta poetë, shkrimtarë, dramaturgë, etj. Prandaj, kur flasim për letërsi bashkëkohore frënge, nënkuptojmë njëherësh edhe atë letërsi që quhet frankofone, ku spikasin emra të shquar shkrimtarësh që vijnë nga vende frankofone dhe që me prurjet e tyre e pasurojnë letërsinë frënge. Edhe kjo letërsi po përkthehet tanimë në gjuhën shqipe duke ngjallur kërshërinë e lexuesit shqiptar.

Si është për ju një proces përkthimi (pune), si realizohet?

Dikur në klasifikimet që bënte UNESCO, puna e përkthyesit nga vështirësia barazohej me punën e minatorit. Pra, është një punë që kërkon kohë, përkushtim, dashuri edhe qetësi shpirtërore. Është një punë e bukur, por jo e mirëshpërblyer në kushtet tona. Gjithsesi, së pari, përkthimin e bëj, ngaqë më krijon një mikrobotë ku ndihem mirë dhe, së dyti, është një mënyrë për të përcjellë mesazhe që më pëlqejnë nëpërmjet mesazheve që përcjell vetë libri. Pra, kjo është një mënyrë për të dalë jashtë vetes, për të thënë diçka. Por, siç e përmenda më lart, nuk punoj me normë; autorët i përzgjedh dhe, pasi e kam mbaruar, përkthimin ua jap miqve ta lexojnë dhe të më bëjnë vërejtje. Kur bindem se kam bërë më të mirën, guxoj ta çoj për botim. Dihet që çdo punë ka të metat dhe mangësitë e veta, asgjë nuk është e përkryer. Rëndësi ka që përkushtimi të jetë maksimal dhe puna të japë kënaqësi. Pas botimit, rrallëherë guxoj t’i lexoj përthimet, ngaqë kam frikë se mos kafshoj gjuhën për ndonjë gjë që më ka shpëtuar.


Autori i fundit që ju sapo keni përkthyer është një emër i njohur si Jasmina Khadra.. Çfarë gjeni në prozën e tij?

Yasmina Khadra, me emrin e vërtetë, Mohammed Moulessehoul, ka lindur më 1955 në Saharanë algjeriane. Është shkrimtar algjerian frankofon me zë në letërsinë algjeriane dhe franceze, i njohur dhe i përkthyer në më tepër se 40 gjuhë. Yasmina Khadra, siç shprehet J.M Coetzee (çmim “Nobel”, 2003) është një nga shkrimtarët madhorë të sotëm. Thelbi i veprës së tij lidhet me botën e trazuar të vendeve arabe, me një botë të trazuar nga më rrëqethëset, mbushur me probleme të koklavitura që kërkojnë zgjidhje. Është një realitet i brishtë, problematik, ku ndërthuren e gërshetohen shumë probleme sociale, etnike, fetare, zakonore, politike. Lexuesi ka çfarë të njohë dhe të kuptojë nga romanet e Khadrës, për të bërë Luftën e Drejtë, sepse ndodhitë përsëriten në kohë dhe hapësirë dhe shpeshherë biem viktima jo të fatit por të ideologjive. “Ëndrrat e ujqërve” që unë kam përkthyer, rrëfen një itinerar të pakuptimtë e megjithatë të zakontë në Algjerinë e viteve ‘80 (dhe në vendet arabe të ditëve të sotme). Nafa Ualid, një djalosh algjerian nga shtresa e varfër e shoqërisë, ëndërron të bëhet aktor kinematografie me famë botërore, por në vend që të përmbushë ëndrrën e bukur zbret në ferr. Një roman rrëqethës, një jetë e trazuar, një rendje pa kthim drejt ferrit, këtë na rrëfen përmbledhtazi Jasmina Khadra. Por cili është ai ingranazh që e merr me vete Nafan drejt rrokullimës së pafund? Në këtë cikël infernal, të përshkruar kaq bukur nga autori, gjithkush mund të bjerë brenda, askush nuk është i imunizuar.

Google+ Followers