Një udhëtim i ri në botën shekspiriane

Shtëpia botuese “Saras” boton në një vëllim një tragjedi dhe dy drama-komedi të Shekspirit, nën përkthimin e Kristaq Trajës 

Bajram Peçi

Shtëpia botuese “Saras” sapo ka nxjerrë në treg për lexuesin botimin e një tragjedie dhe dy drama-komedi të dramaturgut të madh Uilliam Shekspir, të lidhura në një botim të vetëm. Të sjella në shqip nga gjuha në të cilën u shkruan, anglishtja, ato vijnë përmes shqipërimit që zoti Kristaq Traja u ka bërë me përkushtim e përgjegjësinë profesionale që diktohet nga emri i madh i autorit.


Edhe pas 400 vjetësh, Uilliam Shekspiri vazhdon të tërheqë pareshtur vëmendjen e studiuesve e lexuesit të përbotshëm. Renditja e Shekspirit në krye të krijuesve letrarë nuk ka ndeshur ndonjëherë në kundërshtime. Është pranuar pothuaj pa diskutime. Shfaqja e dramave të Shekspirit vazhdon të përfshijë kudo në civilizimin perëndimor një publik të madh. Është e prekshme që tërheqja e veprave të tij nuk rresht të jetë gjithnjë në modë. Kënaqësia estetike që i jep lexuesit të krijimtarisë dhe shikuesit në teatër, me gjithë ndryshimet e mëdha që ka sjellë koha në shije e botëkuptime, i qëndron ende kohës. Studiuesit e tij janë në një mendje kur thonë se Shekspiri do vazhdojë të jetë i pëlqyer edhe në shekujt e ardhshëm. Krijimtaria e Shekspirit vlerësohet gjithnjë e më shumë, si nga kritikët letrarë, ashtu dhe nga masat e gjera të popullsisë. Kush ka dashur të marrë nga veprat e tij përcaktime të gatshme filozofike, të afta për t’ju përshtatur tërë kohërave, i ka mjaftuar pos të shfletojë një nga veprat. Këto kanë qenë motivet që kanë nxitur përkthyesin dhe shtëpinë botuese “Saras” të sjellë për herë të parë në shqip tre vepra të tjera të Uilliam Shekspirit, të papërkthyera më parë, tragjedinë “Timoni nga Athina” dhe dramat-komedi, “Simbelini” e “Masë për Masë”.



Te një pjesë e lexuesit shqiptar mund të jetë krijuar gabimisht mendimi se vepra e Shekspirit duhet të jetë e mbërritur në gjuhën shqipe prej kohësh, në tërësinë e veprës së saj, gjë që nuk është e vërtetë. Ky keqkuptim mund të vijë si rrjedhojë e kohës së gjatë, kur emra të mëdhenj të shqipërimit filluan të përkthejnë, duke nisur me Shekspirin. Jo vetëm që nuk është e vërtetë, por duhet cilësuar se është përkthyer më pak se gjysma e veprave të tij. Nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar, kohë kur Fan Noli filloi përkthimin e katër tragjedive më të mëdha, “Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Qezari” e “Otello”, kanë kaluar mbi 80 vjet dhe gjatë kësaj kohe përshtatjes në shqip të Shekspirit i janë kushtuar rreth 20 shqipërues, përkthyes profesionistë ose njohës të afirmuar të letrave. Një orvatje më e hershme ishte bërë në 1920-n nga Skënder Luarasi me “Jul Qezarin”, e cila figuron e humbur, por që u pasua prej tij me sjelljen në shqip të tragjedive e dramave “Mbreti Lir”, “Rikardi i III”, “Tregtari i Venedikut”, “Komedia e Keqkuptimeve” dhe “Si të doni”. Të dy këta pionierë, të motivuar në këto vite nga nevoja për nxjerrjen e popullit shqiptar nga errësira e prapambetjes, e filluan këtë punë me Shekspirin, për të vazhduar më tej me krijues të tjerë të mëdhenj, si Servantes, Gëte, Uitman, Shiler, Hygo, Sharl Bodler, Longfellou, Ibsen, Molieri e Stendali. Siç dihet, Shekspiri shkroi 11 tragjedi, 10 drama historike dhe 16 komedi. I njihen gjithashtu 154 sonete dhe poezi. Më lejoni t’ju sjell në kujtesë, se në shqip, prej tyre nuk janë përkthyer ende tri tragjedi (një prej tyre, “Timonin nga Athina”, po ua japim sot në duar), 8 drama historike dhe 9 drama komedie (dy prej tyre janë në librin që paraqitet sonte).
Kombet e qytetëruara, me përvoja të gjata në lëvrimin e përkthimeve, e kanë traditë që në gjuhët e kombit të tyre të sjellin më shumë se një përkthim, e në rastin e veprave të Shekspirit, ata kanë dhjetëra përkthime të tilla për çdo vepër të Shekspirit. Ne nuk jemi në atë nivel, sepse ende nuk kemi arritur të sjellim të plotë veprën e Shekspirit. Me përjashtim të soneteve, ku janë marrë mbi 11 përkthyes dhe “Romeo e Zhuljeta”, ku pati më shumë se një përkthyes, të gjitha kanë ngelur përpos se në versionin e sjellë nga Noli, Luarasi, Vedat Kokona, Alqi Kristo e Perikli Jorgoni. Në kushtet e ekonomisë të një tregu librash në krizë, shumëkush nga ne ka dijeni se përgjithësisht shtëpitë botuese janë të orientuara drejt botimeve komerciale, duke lënë në harresë emrat e mëdhenj të letërsisë botërore, ndaj shtëpia botuese “Saras” mirëpriti bashkëpunimin me përkthyesin Kristaq Traja, për t’u sjellë shqiptarëve vepra të tjera nga gjeniu i letrave.
Veçoria e përkthyesit Kristaq Traja qëndron në faktin se ai nuk lëvron përkthimin i nxitur nga motive ekonomike, apo profesionale. Ai nxitet përpos se nga nevojat që burojnë për nxënien e dijeve dhe përcjelljen e tyre te një masë më e madhe e dashamirësve të letërsisë klasike. Profesioni i tij është ai i juristit, që i përket asaj elite intelektuale që në profilin e tij i ka dhënë vlerë e dinjitet vendit që ka përfaqësuar. Tërë jetën, në kontakt me letrat, shihet qartë se ai ka nxënë dije e aftësi letrare, të cilat u shfaqën bindshëm që në qasjen e parë të përkthimit të Shekspirit, Soneteve. Jo kushdo mund t’i afrohet dëshirës për të përkthyer Shekspirin. Evoluimi i fjalëve, pas 400 vjetësh, të përdorura nga ky autor, kërkon zotërimin e një shqipeje të tillë, ku fuqia shprehëse dhe përzgjedhja e vargut të shkojë sa më mirë me natyrën e gjuhës pritëse, në rimë afërsisht të puthitur, apo të kryqëzuar. Dhjetërrokëshin tipik të Shekspirit dhe prozën eseiste të tij, z. Traja e sjell në mënyrë tërheqëse, me përdorimin e një shqipeje lehtësisht të kuptueshme; skrupuloz në zgjedhjen e fjalëve, ruajtjen e vlerave të vargut në origjinal, lehtësimin që i sjell lexuesit me gjuhën e pasur dhe mjeshtërinë e përkthimit, në sjelljen e veprës me sa më pak humbje, bindin çdo lexues të kultivuar se me përshtatjet e reja të Shekspirit, të sjella në shqip, pasurohen edhe më tej letrat e letërsisë botërore në gjuhën amtare.

Google+ Followers